Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Vitaminat dhe kanceri

Një shqyrtim i 14 studimeve që përfshinë 170.000 pjesëmarrës, thotë se vitaminat që merren si ilaçe, nuk na mbrojnë kundër kancerit të fytit, të stomakut, të mëlçisë, të zorrëve dhe të pankreasit. Sipas revistës mjekësore Deutsches Ärzteblatt, antioksiduesit beta karotina dhe vitaminat A, C dhe E, jo vetëm që s’kanë asnjë efekt dobiprurës, por madje, mund të rritin deri diku rrezikun e kancerit. Dr. Riçard Sulivani, i Kërkimeve për Kancerin në Mbretërinë e Bashkuar, shpjegon: «Nuk ka rrugë të shkurtër për të parandaluar kancerin e zorrëve. Nëse po merrni vitamina për t’u mbrojtur nga sëmundja, po i çoni dëm paratë.» Ai shton: «Mënyra më e mirë për të zvogëluar rrezikun është të hani ushqim të shëndetshëm dhe të mos pini duhan.»

Të shqetësojnë mikrobet?

«Synimi për ta pasur shtëpinë pa asnjë mikrob, jo vetëm që është absurd, por edhe ëndërr me sy hapur,​—thotë një artikull në New York Times.​—Për sa kohë të mos keni në shtëpi një të moshuar, një foshnjë (nën 6-muajshe) ose ndonjë të sëmurë rëndë, qindra bakteret që ndodhen në banakun ku gatuani, në dorezat e dyerve ose te lugët, nuk jua rrezikojnë» shëndetin. Është e vërtetë se ushqimet që prishen lehtë dhe që lihen jashtë për disa orë, mund të infektohen nga bakteret dhe të shkaktojnë helmim. Që ta parandaloni këtë, vendosini në frigorifer ushqimet që prishen shpejt. Dhe, për t’u mbrojtur nga bakteret, nuk ka nevojë të përdorni produkte që i luftojnë ato. «Thjesht lani duart me ujë e sapun disa herë në ditë, dhe kjo mjafton»,​—thotë gazeta.

Mungesë besimi

«Shumica e spanjollëve kanë pak ose aspak besim në pjesën më të madhe të institucioneve që i qeverisin»,​—raporton gazeta El País e Spanjës. Sipas Qendrës për Kërkime Sociologjike, më shumë se gjysma e 2.500 njerëzve që u intervistuan, thanë se kishin fare pak besim te qeveria; 56,2 për qind nuk u zinin shumë besë bankave dhe 57,7 për qind nuk besonin te sindikatat. Në një vend, ku rreth 75 për qind e popullsisë thanë se ishin katolikë, mbi 61 për qind e tyre pohuan se kishin «pak ose aspak besim në Kishën Katolike». Lidhur me këtë, një kryeartikull në gazetën Diario 16, thoshte: «Shumica e spanjollëve e thonë hapur se janë katolikë, por pjesa më e madhe nuk jeton sipas kësaj feje ose nuk janë dakord me bindjet e saj.»

Leximi forcon kujtesën

Si mund ta forcosh kujtesën? «Mos prit për ndonjë mrekulli,​—thotë gazeta Folha Online e Brazilit.​—Sekreti është që ta vini trurin në punë.» Një nga mënyrat më të mira për të stimuluar trurin është leximi. Si ka mundësi? Neurologu Ivan Iskuerdo thotë: «Në momentin që një njeri lexon fjalën ‘pemë’, të gjitha pemët që ka njohur gjatë tërë jetës së tij, i kalojnë nëpër mendje në të qindtën e sekondës.» Sipas Iskuerdos, «e gjithë kjo ndodh në mënyrë të pavetëdijshme». Ai mendon se ky lloj aktiviteti mendor e bën trurin më pak të prirur ndaj sëmundjeve, si për shembull Alcajmerit. Neurologu Vanjer Gatas i Qendrës Studimore për Çrregullimet e Kujtesës në San-Paolo, Brazil, thotë: «Sa më shumë që e përdorim kujtesën, aq më shumë e mbrojmë.»

Shtohen SMS-të

«Anembanë botës, mbi 360 miliardë mesazhe dërgohen çdo vit,​—raporton gazeta International Herald Tribune.​—I bie gati një miliard mesazhe të shkurtra çdo ditë.» Shërbimi i mesazheve të shkurtra, ose ndryshe SMS, po përdoret si kurrë më parë. Gjithnjë e më shumë kompani ua reklamojnë mallrat njerëzve që mund të jenë nesër klientët e tyre të mundshëm, duke u dërguar mesazhe në celular. Për shembull, tani mund të abonohesh, nëse do që të të dërgojnë në celular lutjet e papës. Policët në Holandë dërgojnë SMS te celularët e vjedhur për ta paralajmëruar blerësin, se telefoni është i vjedhur. Në disa vende ku feja lejon që një burrë të divorcohet nga gruaja pasi ky ka deklaruar tri herë «Unë të divorcoj ty», disa preferojnë ta bëjnë këtë me anë të SMS-ve, që t’u jepet divorci zyrtar.

Interneti në Holandë

«Një në çdo 5 fëmijë midis moshës 11 dhe 12-vjeçare, është ngacmuar me komente për seksin nga të panjohur, ndërkohë që bisedonte në Internet»,​—thotë një studim i botuar në gazetën holandeze Algemeen Dagblad. Sipas disa pyetësorëve të bërë me 660 prindër dhe 220 fëmijë të moshave nga 8 deri 12-vjeçare, më shumë se gjysma e fëmijëve që përdornin Internetin, ka pasur rastësisht një «përvojë të pakëndshme». U ka ardhur një «mesazh acarues» ose imazhe pornografike a ndonjë informacion tjetër i papërshtatshëm. Shumica e fëmijëve ua kanë treguar prindërve çfarë u ka ndodhur. Studimi vëren më tej se 8 në 10 prindër janë të shqetësuar për rrezikun që mund t’i kanoset fëmijës së tyre kur përdor Internetin. Gati gjysma e prindërve thanë se donin t’i mbikëqyrnin fëmijët kur ata futen në Internet; dhe 60 për qind e tyre e mbajnë kompjuterin në dhomën e ndenjjes, që t’i kontrollojnë fëmijët. Fëmijët kalojnë mesatarisht një orë në ditë duke luajtur në Internet, duke dërguar mesazhe elektronike ose duke biseduar me të tjerë në çat rums.

Këshillat që preferojnë

«Një studim nxori përfundimin se, përafërsisht dy e treta e drejtorëve të kompanive të mëdha, kur kanë një problem të vështirë në punë, preferojnë këshillat e grave të tyre sesa të një anëtari tjetër të këshillit drejtues ose të ndonjë kolegu»,​—thotë gazeta The Times e Londrës. Bob Arnoldi, drejtori i këtij studimi, thotë se drejtuesit e biznesit nuk kërkojnë nga këshilltarët e tyre profesionalizëm, por besim. Ai shpjegon: «Kuptohet, pavarësia, objektiviteti dhe përvoja janë cilësi që kërkohen shumë mes atyre që u japin këshilla anëtarëve të bordit» por, meqë besimi është më i rëndësishmi, bashkëshortet janë zgjidhja më e mirë.

Parashikohet zhdukja e çeqeve

«Ka mundësi që brenda 20 vjetëve të ardhshëm, çeqet do të jenë të rralla»,​—thotë U.S.News & World Report. Pagimi me çek ra me të shpejtë që kur hynë në qarkullim «kartat e kreditit, kartat e debitit dhe veprimet bankare nëpërmjet Internetit, alternativa këto më të lira dhe më të shpejta». Faktorë të tjerë janë depozitimi direkt i parave pa përdorur çek ose para kesh, dhe pagimi i faturave në mënyrë automatike. Me anë të saj klientët u japin leje kreditorëve që t’ua transferojnë të ardhurat nga llogaria e tyre bankare për të paguar faturat e njëpasnjëshme. Industria e veprimeve bankare thotë se, duke hequr çeqet prej letre, do të mbrojnë vjedhjen e identitetit. Megjithatë, disa klientë të bankave dhe specialistë në fushën e mashtrimit kanë shprehur shqetësimin se përdorimi i çeqeve elektronike, do të dhunojë më tepër jetën private dhe do të shtohen mashtrimet.