Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njihuni me gauçot brazilianë

Njihuni me gauçot brazilianë

Njihuni me gauçot brazilianë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Brazil

«GAUÇOT brazilianë?​—mund të pyesni ju.​—Gjithnjë kam menduar se gauçot ishin nga Argjentina.» Keni të drejtë. Por gauço, siç quhen kaubojtë e Amerikës Jugore, ka edhe në Uruguai, vendi që shtrihet në veri dhe në lindje të Argjentinës. Po kështu, në qoftë se vizitoni Rio-Grande-do-Sulin, shtetin më jugor të Brazilit, mund të takoheni me gauçot që jetojnë atje. Edhe nëse veshin ose jo bombaças (pantallonat karakteristike të gauçove), dhe merren me kuaj, me gjedhë e me dhen në një fermë, gauçot e sotëm brazilianë mund të jenë ndryshe nga ç’i prisni. Çfarë dimë për origjinën e tyre?

Kolonizimi ndikoi në identitetin e gauçove. Në shekujt 19-të dhe 20-të, një valë emigrantësh nga Evropa, që mezi pritnin të gjenin një vend për të jetuar e punuar, u vendos në jug të Brazilit. Ata ishin mjeshtër në disa zanate dhe specialistë në kopshtari. Shumë nga emigrantët u bënë gauço dhe zhvilluan një kulturë të tyren. Pasardhësit e sotëm ende ruajnë shumë nga karakteristikat e tyre, si për shembull ushqimin, veshjen, zbavitjen dhe qëndrimin ndaj punës. Le të flasim pak për diçka që na intereson të gjithëve​—ushqimin.

Jo vetëm çurrasko dhe mate

Mos prisni që këtu të gjeni shumë gauço vegjetarianë! Pjata kryesore e tyre është pa dyshim çurraskoja, mish dashi ose viçi, i pjekur në zgarë. Në fillim, ky ishte ushqimi kryesor nëpër pampat argjentinase, ku kullotnin kafshët. Nëse nuk jeni vegjetarianë dhe nuk e keni të lartë nivelin e kolesterolit, mund të provoni rodizjun tradicional në ndonjë restorant stil gauço ose që ka specialitet biftekun. Në një rodizju të ofrohen njëri pas tjetrit lloje të ndryshme mishi. Mbase doni të provoni kafe kolonial, një tavolinë plot me ushqime të veçanta dhe pije, si verë, çaj dhe kafe, ku mund të zgjidhni sipas dëshirës. Patjetër që pija e preferuar është çimarraoja, ose mateja, një çaj që përgatitet nga zierja e gjetheve të shkërmoqura të dushkut të egër. Edhe pse çaji është i hidhur, mund ta shihni gauçon që e rrufit në çdo moment të ditës, por sidomos pas buke.

Mbase nuk do t’ju pëlqejë shija e hidhur e çimarraos. Por, pa dyshim do t’ju pëlqejë atmosfera e qetë dhe miqësore që krijohet kur shijoni çimarraon dhe çurraskon mes një shoqërie të këndshme.

Veshja dhe muzika e gauçove

Bombaçaset tradicionale, pelerina, çizmet, rripi i gjerë, kapela dhe shalli e kanë origjinën në ditët kur gauçot e kalonin pjesën më të madhe të kohës jashtë, nëpër pampa ose kullota. Libri Insight Guides​—Brazil shpjegon: «Kultura e veçantë e gauçove është një karakteristikë që lidhet ngushtë me Rio-Grande-do-Sulin. Këtu, kaubojtë zeshkanë enden nëpër pampat jugore me ato kapelat e sheshta tipike që lidhen te gusha, me pantallonat e gjera e të gjata, me shamitë e kuqe rreth qafës dhe çizmet prej lëkure.» Në raste festash, zakonisht gratë vishen thjesht dhe me rroba ngjyra-ngjyra. Si vizitorëve ashtu edhe vetë gauçove u pëlqejnë vallet me kostume popullore. Edhe për sa u përket ushqimit, veshjes dhe argëtimit, tradita e gauçove është një përzierje kulturash të sjella nga emigrantët. Këta kanë ardhur jo vetëm nga Gjermania, Italia, Portugalia dhe Spanja, por edhe nga Greqia, Japonia, Libani, Polonia, Rusia, Siria, Ukraina, si edhe nga vendet e Afrikës.

Në një intervistë me Zgjohuni!, Zhuze-Klaudju Pishau Kortesi, i cili ka studiuar veshjet dhe vallet e gauçove për gati 50 vjet, tha se gauçoja vetmitar u dashurua me muzikën. S’është çudi pra që kënga dhe muzika u bënë pjesë e jetës së gauços, i cili zakonisht kishte si shok vetëm kalin. Më vonë, instrumenteve me tela si banxhusë dhe kitarës, iu shtua edhe fizarmonika. Ndryshe nga të rinjtë në vendet e tjera të botës, shumë të rinj gauço ende preferojnë më tepër muzikën vendëse, sesa atë moderne.

Po ashtu, gauçove u pëlqen të kërcejnë. Edhe kur shkon në një vend tjetër, një gauço i kujton me ëndje kërcimet tradicionale të trashëguara nga të parët. Përveç kërcimit me katër çifte valltarësh që formojnë një katror, gauçot kërcejnë vallen e shpatave dhe vallen me tri topa, ose bolasë. Topat janë prej argjile, prej guri ose prej hekuri, dhe i lidhin lirshëm me litarë lëkure. Kur ruan bagëtinë, gauçoja i hedh këta topa te këmbët e kafshës, kështu litarët ngatërrohen rreth tyre dhe e ndalojnë kafshën në vend.

E duan tokën e tyre

Kultura dhe tradita e gauçove ende ruhen në rajonin që është në kufirin e Brazilit me Argjentinën dhe Uruguain. Një libër udhërrëfyes thotë: «Përmes këtyre prerive që i rreh era, ose pampave të legjendës, kaubojtë gauço, të hipur mbi kuaj, ende kullotin gjedhët dhe dhentë, të cilët dikur i sillnin begati Rio-Grande-do-Sulit.»

Megjithatë, ku flitet për gauçot nuk të vijnë ndër mend vetëm çimarrao dhe çurrasko. Disa gauço janë kaq krenarë për bukurinë natyrore dhe larminë e peizazheve të vendit të tyre, saqë me shaka thonë se, kur Perëndia krijoi tokën në gjashtë ditë, pesë ditë i harxhoi me Rio-Grande-do-Sulin.

Edhe nëse gauçoja jeton dhe punon në qytet, ai e çmon trashëgiminë e tij. Origjina e tij, si emigrant ose si bir emigranti, ka ndikuar në zhvillimin e cilësive të tilla si: besimi te vetja, çiltërsia, kurajoja, të qenët i gjindshëm dhe mikpritja.

Gauçoja shpesh ëndërron jetën e thjeshtë baritore që bëhej dikur. Pavarësisht nëse është mësuar me bagëti, kuaj, leqe për kafshët dhe bolasë ose është marrë me të mbjella, si misër, rrush, patate, oriz, sojë dhe grurë, gauçoja është shumë i lidhur me tokën e tij. Sigurisht, realitetet e hidhura si varfëria dhe paragjykimi, ndikojnë në jetën e tij. Megjithatë, shumë gauço që kanë studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, janë plotësisht të bindur se shpejt e gjithë toka do të bëhet një parajsë paqësore. Edhe ju mund ta keni këtë shpresë.​—Luka 23:43; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4.

[Kutia dhe figurat në faqen 26]

Si të përgatitni dy pjata tipike të gauçove

MISH VIÇI I PJEKUR NË SKARË

2 kilogramë mish viçi, 500 gramë kripë kokërrmadhe

Shpojeni mishin dhe hidhini kripë. Pastaj vëreni në zgarë. Anën me dhjamë lëreni derisa të marrë ngjyrë kafe, pastaj kthejeni nga ana tjetër. Është mirë që mishi të ketë pak dhjamë, sepse, kur tretet, ai depërton te mishi dhe i jep më shumë shije dhe e bën më të butë. Po kështu bëni edhe me mishin e derrit, të shpendëve e të qengjit.​—Për katër veta.

ORIZ KARETERU ME MISH VIÇI TË KRIPUR E TË THARË NË DIELL

500 gramë mish viçi të tharë në diell, 200 gramë qepë të prera kubikë-kubikë, 60 mililitra vaj, 600 mililitra ujë, 500 gramë oriz, dy thelpinj hudhra të grirë

Lajeni mishin e tharë në diell, dhe lëreni në ujë për rreth tetë orë. Ndërrojeni disa herë ujin gjatë kësaj kohe. Priteni mishin në copa të vogla dhe, pasi t’i keni hedhur vajin, hudhrën, qepën dhe pak ujë, jepini një faqe. Pastaj shtoni orizin dhe trazojeni mirë. Hidhini ujë dhe lëreni deri sa të fillojë të ziejë. Pastaj, uleni pak nxehtësinë dhe lëreni të ziejë duke e trazuar herë pas here që të bëhet i gjithi njësoj. Kur orizi të jetë gati, trazojeni me pirun që të bëhet më i shkrifët, dhe shërbejeni me fasule.​—Për katër veta.

[Figurat në faqet 24, 25]

Rio-Grande-do-Sul

[Burimi]

Fotografitë e vogla: M.A. Decusati

[Figura në faqen 26]

Duke kërcyer nën tingujt e muzikës tradicionale të gauçove