Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pesë hapa kryesorë për të gjetur punë

Pesë hapa kryesorë për të gjetur punë

Pesë hapa kryesorë për të gjetur punë

KUSH e zë punën më të mirë? A është gjithnjë kandidati më i kualifikuar? «Jo,​—thotë Brajani, këshillues në fushën e punësimit.​—Shpesh vendin e punës e zë ai që është më i zoti për të kërkuar punë.» Si mund të bëhesh i zoti për të gjetur punë? Le të shqyrtojmë pesë sugjerime.

Ji i organizuar

Nëse ke humbur një punë të mirë ose ke mbetur i papunë prej kohësh, është e lehtë të bëhesh pesimist. «Herën e parë që humba punën, isha optimiste se do të gjeja një punë tjetër,​—thotë Katerina, një rrobaqepëse nga Gjermania.​—Por, ndërsa muajt kalonin dhe nuk po gjeja dot punë, i humba shpresat. Madje arrita deri aty sa e kisha të vështirë të flitja për këtë gjë me miqtë e mi.»

Si mund ta luftosh pesimizmin? «Është thelbësore të bëni programin si për një ditë pune që, kur të nisni ditën, të dini se ç’duhet bërë»,​—këshillon libri Si të gjesh një punë brenda 30 ditësh ose më shpejt (anglisht). Autorët e librit këshillojnë «të vini synime për ditën e të shënoni se çfarë keni bërë». Gjithashtu, ata thonë se «gjëja e parë që duhet të bëni kur filloni ditën është të visheni si për në punë». Pse? «Kur visheni siç duhet, do të keni më shumë besim te vetja, madje edhe kur flitni në telefon.»

Po, duhet t’i thuash vetes që puna ime është të gjej punë, s’ka rëndësi se sa kohë do të duhet. Katerina që përmendëm më sipër, përdori këtë metodë praktike dhe mbajti synime të qarta. Ajo thotë: «Në Zyrën e Punës mora adresat dhe numrat e telefonit të atyre që mund të kishin vende pune. U përgjigjesha njoftimeve për punë që botoheshin në gazeta. Pashë me kujdes numëratorin telefonik dhe bëra një listë të kompanive që mund të kishin vende pune të lira, por ende nuk i kishin reklamuar, dhe fola me to. Gjithashtu, përpilova një përmbledhje të përgatitjes profesionale dhe ua dërgova këtyre kompanive.» Pasi kishte kërkuar me kaq këmbëngulje, Katerina gjeti një punë të përshtatshme.

Njihu me tregun e padukshëm të punës

Peshkatari me rrjetën më të madhe ka më shumë të ngjarë të zërë peshq. Po të dish si të zmadhosh «rrjetën» tënde, edhe ti do të kesh më tepër mundësi të gjesh një punë. Nëse po kërkon punë vetëm duke iu përgjigjur njoftimeve në gazeta ose në Internet, shumica e vendeve të punës mund të të shkasin nga rrjeta. Mjaft vende pune nuk njoftohen kurrë. Si mund të njihesh me këtë treg pune të padukshëm?

Përveç se t’u përgjigjesh njoftimeve, ashtu si Katerina, duhet të rezervosh kohë çdo javë për të folur me kompani që mendon se mund të kenë ndonjë punë të përshtatshme për ty. Mos prit të të njoftojnë ato, nëse kanë ndonjë vend pune. Në qoftë se një administrator thotë se nuk ka asnjë vend pune të lirë, pyete se ku mund të kërkosh tjetër dhe me kë duhet të flasësh. Në rast se të sugjeron diçka, lër një takim me atë kompani a person, duke treguar emrin e atij që të drejtoi atje.

Kështu gjeti punë edhe Toni, i përmendur në artikullin e kaluar. «Mora iniciativën për të folur me disa kompani edhe pse nuk kishin bërë njoftim,​—thotë ai.​—Një kompani m’u përgjigj se tani për tani nuk kishin vende pune të lira, por mund të provoja një herë pas tre muajsh. Kështu bëra dhe gjeta punë.»

Primroza, një nënë e vetme në Afrikën e Jugut, bëri diçka të ngjashme. «Kur po bëja një kurs për ndihmën e shpejtë, vura re se matanë rrugës po ngrihej një ndërtesë e re. Mora vesh se do të bëhej azil për pleqtë. U përpoqa vazhdimisht të takohesha me përgjegjësin. Ai më tha se momentalisht nuk kishin asnjë vend pune. Megjithatë, herë pas here kthehesha për të parë nëse mund të punoja atje, qoftë edhe si vullnetare. Më në fund më morën përkohësisht në punë. Punoja pa u lodhur kudo që më caktonin. Si rrjedhim, u kualifikova më shumë dhe zura një punë të qëndrueshme në atë institucion.»

Për të zbuluar këtë treg pune të padukshëm mund të pyesësh edhe shokët, të afërmit dhe të njohur të tjerë. Kështu gjeti punë Jakobi, i cili mbikëqyr respektimin e normave të sigurisë në punë. Ai thotë: «Kur firma ku punoja falimentoi, u thashë shokëve dhe familjarëve se po kërkoja punë. Një ditë, një shok më tha se rastësisht kishte dëgjuar një bisedë teksa priste radhën në një supermarket. Një grua pyeti dikë tjetër nëse njihte ndokënd që po kërkonte punë. Shoku im i ndërpreu dhe i tha për mua. U la një takim, dhe kështu gjeta punë.»

Ji elastik

Për ta pasur më të lehtë që të gjesh punë, duhet të jesh elastik. Himeu, i përmendur në artikullin e kaluar, thotë: «Si zor të gjesh një punë tamam siç e do ti. Duhet të mësohesh të kënaqesh me punë që nuk janë ideale.»

Të jesh elastik do të thotë të kapërcesh paragjykimet për disa lloje punësh. Ja si veproi Erika që jeton në Meksikë. Ndonëse ishte kualifikuar si sekretare, nuk gjeti menjëherë punën që dëshironte. Ajo thotë: «Mësova të pranoja çdo punë të përshtatshme. Për njëfarë kohe punova si shitëse. Gjithashtu, shitja pite në rrugë dhe pastroja shtëpitë. Pas gjithë këtyre, gjeta punë në profilin tim.»

Edhe Maria, që përmendëm në artikullin e kaluar, kuptoi se duhej të përshtatej me rrethanat kur humbi punën si sekretare. Ajo thotë: «Nuk këmbëngulja që të gjeja medoemos të njëjtin lloj pune si ajo që bëja më parë. Por, sapo më dilte ndonjë rast për punë, i bija pas, edhe nëse bëhej fjalë për një punë që dikush mund ta quante të rëndomtë. Kështu ia dola, dhe gjeta punë për të mbajtur dy fëmijët e mi.»

Bëj një CV të plotë

Për ata që kërkojnë një punë me natyrë administrative është e domosdoshme të përpilojnë e të dërgojnë një përmbledhje të shkurtër të përgatitjes profesionale ose CV. Por, pavarësisht nga puna që kërkon, një CV e përgatitur mirë mund të të ndihmojë shumë. «Një CV u tregon punëdhënësve të mundshëm, jo vetëm se cilët jeni, por edhe arritjet tuaja dhe përse kanë nevojë për ju»,​—thotë Nigeli, këshilltar në fushën e punësimit në Australi.

Si të përpilosh një CV? Shëno emrin dhe mbiemrin, adresën, numrin e telefonit dhe adresën në Internet. Shkruaj cili është qëllimi i kësaj kërkese. Rendit shkollat e kurset që ke bërë, duke e vënë theksin te stërvitja dhe kualifikimet që lidhen me punën që kërkon. Shpjego hollësisht se çfarë përvoje ke në punë. Mos shkruaj vetëm se çfarë ke bërë, por edhe arritjet që ke pasur dhe ç’të mira u solle punëdhënësve të mëparshëm. Veç kësaj, nxirr në pah aspekte të punës së mëparshme të cilat të kualifikojnë për punën që kërkon. Përmend edhe të dhëna personale që tregojnë cilësitë, gjërat që të interesojnë dhe gjërat që ke pasion. Meqë nevojat e kompanive ndryshojnë, ndoshta do të të duhet ta përshtatësh CV-në tënde për çdo intervistë.

A duhet të bësh një CV nëse po kërkon punë për herë të parë? Patjetër! Mbase ke bërë shumë gjëra që mund të quhen përvojë pune. Për shembull, a ke pasion ndonjë gjë, si, të merresh me zdrukthëtari ose të riparosh makina të vjetra? Ja, këto mund t’i përmendësh. A ke bërë ndonjë punë vullnetare? Rendit punët vullnetare që ke bërë dhe arritjet që ke pasur.​—Shih kutinë «Një CV model për ata që nuk kanë përvojë pune».

Kur nuk është e mundur të bësh një intervistë me një punëdhënës, lër një biletë​—e mira është të jetë në një madhësi 10 centimetra me 15 centimetra​—ku të shkruash emrin, adresën, numrin e telefonit, adresën në Internet dhe një përmbledhje të shkurtër të kualifikimeve e të arritjeve. Po të jetë e përshtatshme, prapa mund të vësh një fotografi ku ke dalë vetëm ose me familjen. Jepua këtë letër të gjithë atyre që mund të të ndihmojnë dhe thuaju t’ia japin atë çdo të njohuri që ofron një punë si ajo që kërkon. Kur një punëdhënës e sheh këtë letër, mund të të marrë në intervistë, e ku i dihet, pas kësaj mund të gjesh edhe një vend pune.

Një CV do të të ndihmojë të ndihesh se e ke situatën nën kontroll ndërsa kërkon punë. Nigeli, i përmendur më parë, thotë: «Përpilimi i CV-së ju ndihmon të organizoni mendimet dhe synimet. Gjithashtu ju jep më shumë siguri, pasi ju ndihmon të përgatiteni për pyetjet që mund t’ju bëjnë gjatë intervistës për punë.»​—Shih kutinë në faqen 7.

Përgatitu mirë për intervistën

Ç’do të thotë të përgatitesh për intervistën? Pikësëpari mund të marrësh ca të dhëna për kompaninë ku kërkon punë. Sa më shumë të dish për atë kompani, aq më tepër do të lësh përshtypje të mirë gjatë intervistës. Gjithashtu, këto informacione të ndihmojnë të kuptosh nëse ajo kompani ka vërtet punën që dëshiron dhe nëse do të doje të punoje atje.

Së dyti, mendo se çfarë do të veshësh gjatë intervistës. Nëse po kërkon ndonjë punë krahu, vish rroba të përshtatshme, të rregullta e të pastra. Veshja dhe paraqitja e rregullt i tregojnë punëdhënësit se ke respekt për veten, e kështu ka shumë të ngjarë të kesh respekt edhe për punën. Nëse po kërkon punë zyre, zgjidh një veshje modeste që në vendin tënd konsiderohet e përshtatshme për zyrtarët. Nigeli thotë: «Zgjidhini rrobat shumë kohë përpara intervistës, që të mos jeni me ngut dhe të mos ia shtoni më kot stresin vetes para intervistës.»

Gjithashtu, Nigeli këshillon që, kur ke një intervistë, të shkosh 15 minuta përpara. Sigurisht, nuk ka pse të arrish tepër herët. Por vonesa mund të të prishë punë. Specialistët thonë se tri sekondat e para të intervistës janë vendimtare. Gjatë kësaj kohe të shkurtër, intervistuesi bën vlerësime për paraqitjen dhe sjelljen tuaj, dhe këto ndikojnë shumë në mendimin që krijon për ju. Nëse shkon me vonesë, do t’i ulësh shumë pikë vetes. Mos harro, nuk ka një mundësi të dytë për të ndrequr përshtypjen e parë që krijon dikush për ty.

Gjithashtu, mbaj mend se intervistuesi nuk është armiku yt. Në fund të fundit, edhe atij i është dashur të bëjë kërkesë për punën e tij, pra e di mirë se si ndihesh. Mbase është i emocionuar, pasi mund të jetë hera e parë që drejton një intervistë ose ka pak përvojë në këtë gjë. Veç kësaj, nëse intervistuesi është punëdhënësi, mund t’i kushtojë shumë nëse nuk zgjedh njeriun e duhur.

Që ta nisësh mbarë, buzëqesh dhe jepi dorën intervistuesit, nëse ky është një zakon. Gjatë intervistës përqendrohu në ato që pret punëdhënësi nga ti dhe në zotësitë e tua. «Mos bëni lëvizje nervoze, as mos rrini kërrusur si të plogësht. Një paraqitje e mirë tregon siguri te vetja. Mos jini të shkujdesur në të folur, mos flitni tepër dhe mos përdorni absolutisht fjalë vulgare. Gjithashtu, mos flitni keq për punëdhënësit ose kolegët e mëparshëm. Po të flitni keq për ta, ka mundësi që punëdhënësi të mendojë se nuk do të flitni mirë as për punën që do t’ju japë ai.»

Lidhur me gjërat që duhet të bësh dhe duhet të thuash gjatë intervistës, specialistët këshillojnë: shihe në sy intervistuesin, fol qartë dhe bëj gjeste të natyrshme. Jepu përgjigje të përmbledhura dhe të ndershme pyetjeve që të bëhen. Bëj pyetje të përshtatshme për kompaninë dhe punën e ardhshme. Në fund të intervistës, nëse e dëshiron ende këtë punë, kërkoje. Kjo kërkesë do të tregojë se je entuziast.

Duke ndjekur sugjerimet e mësipërme mund të gjesh shpejt një punë. Nëse ndodh kështu, ç’mund të bësh për ta mbajtur punën?

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Një CV model për ata që nuk kanë përvojë pune

Emri:

Adresa:

Numri i telefonit dhe adresa në Internet:

Qëllimi: Kërkesë për të punuar si punëtor i kategorisë së parë në fabrikë.

Arsimimi: Diplomuar në shkollën e mesme të përgjithshme në filan qytet, në vitin 2004.

Kurset: Gjuha amtare, gjuhë e huaj, matematikë, kompjuter, kurs zdrukthëtarie.

Zanatet dhe aftësitë: Më jepet për punë të ndryshme. Kujdesem rregullisht për mirëmbajtjen dhe riparimin e makinës së familjes. Kam bërë karrige druri dhe një tavolinë në punishten e familjes. Më pëlqen të përdor matematikën kur bëj mobilje. Kam punuar si vullnetar për të vënë çatinë në një projekt ndërtimi. Di të përdor shumë lloje kompjuterësh dhe më pëlqen të mësoj programe të reja.

Informacione personale: I besueshëm: vitin e fundit të shkollës kam munguar vetëm dy ditë. I ndershëm: ia ktheva të zotit një portofol që gjeta me para. Miqësor: marr pjesë rregullisht në punë vullnetare dhe më pëlqen të ndihmoj të moshuarit. Sporti: më pëlqen të luaj basketboll. Gjërat që kam pasion: më pëlqen të rregulloj makina dhe të merrem me zdrukthëtari.

Rekomandime: Nëse kërkohen. *

[Shënimi]

^ par. 41 Rekomandimet mund të përfshijnë përshtypjet e një mësuesi që të njeh mirë ose të një miku të familjes që drejton një aktivitet privat. Kur punëdhënësi të kërkon emrat e atyre që kanë dhënë rekomandime, kjo mund të jetë një shenjë se ai është i interesuar të të marrë në punë. Sigurohu që më parë t’u marrësh leje atyre që të kanë dhënë rekomandime, për të shënuar emrat e tyre.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Pyetje që mund të të bëjnë gjatë intervistës

❑ Përse keni bërë kërkesë për këtë vend pune?

❑ Përse dëshironi të punoni në këtë kompani?

❑ Ç’dini për këtë punë/kompani/biznes?

❑ A keni bërë ndonjëherë një punë të tillë?

❑ Çfarë makinerish dini të përdorni?

❑ Ç‘përvojë keni në këtë fushë?

❑ Çfarë zotësish keni që mund t’ju ndihmojnë në këtë vend pune?

❑ Tregoni diçka për veten tuaj

❑ Si do ta përshkruanit me pesë fjalë veten tuaj?

❑ A mund të punoni në rrethana stresuese?

❑ Pse e latë punën që kishit?

❑ Përse keni kaq shumë kohë i papunë?

❑ Çfarë mendonte për ju punëdhënësi i fundit që keni pasur?

❑ Sa herë keni munguar në punën e fundit që keni pasur?

❑ Ç’plane keni për të ardhmen?

❑ Kur jeni të gatshëm për të filluar punë?

❑ Cilat janë zotësitë më të mira që keni?

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Ç’të themi për agjencitë e punësimit në Internet?

Një nga sitet më të mëdha të Internetit në Shtetet e Bashkuara, i cili merret me punësimin, ka 17 milionë CV që mund të shqyrtohen nga punëdhënësit dhe rreth 800.000 vende pune në dispozicion të të papunëve. Sondazhet tregojnë se 96 për qind e njerëzve në disa vende kërkojnë punë përmes Internetit. Megjithatë, studimet e bëra me punonjës të kualifikuar nga 40 vende tregojnë se vetëm 5 për qind e atyre që kërkojnë punë gjejnë një vend pune me anë të këtij mjeti.

Të postosh CV-në në Internet krijon mundësi që më shumë punëdhënës ta marrin vesh se po kërkon punë, por gjithsesi duhet kujdes. Rritet edhe mundësia që të biesh viktimë e mashtrimit. Për të mbrojtur veten, specialistët japin këshillat e mëposhtme:

1. Lexoni masat që ka marrë agjencia e punësimit për të ruajtur privacitetin para se të postoni CV-në. Disa site për punën ua shesin hollësirat personale kompanive ose palëve të interesuara.

2. Postojani CV-në vetëm disa siteve të punësimit që kanë emër të mirë. Është e domosdoshme të marrësh masa që të dhënat personale të mos keqpërdoren. CV-ja nuk duhet të përmbajë kurrë të dhëna të cilat një vjedhës mund t’i shfrytëzojë për të të vjedhur identitetin dhe të të sjellë shumë probleme financiare. Punëdhënësit e ligjshëm nuk kanë nevojë për numrin e llogarisë bankare, numrin e kartës së kreditit ose datën e saktë të lindjes.

3. Kujdes nga ofertat e paqarta. Pam Diksoni, studiuese në Forumin Botëror për Jetën Private, thotë se zakonisht, sa më e përgjithshme të jetë oferta, aq më pak vlerë ka. «Shprehjet e paqarta si: ‘Kemi mijëra vende pune’ ose ‘Punojmë me kompanitë më të mëdha’ janë një paralajmërim,​—thotë ajo.​—Edhe kërkesat që të dërgoni një kopje tjetër të CV-së suaj paralajmërojnë për telashe.»

Mos harro: edhe ato site të Internetit, që merren me punësimin dhe kanë një emër të mirë nuk mund ta kontrollojnë se ç’do të ndodhë me CV-në tënde pasi i dërgohet një punëdhënësi të mundshëm ose ndonjë pale të interesuar.

[Diagrami dhe figura në faqen 5]

SI TË GJESH NJË PUNË

Përgatitu mirë për intervistën

Bëj një CV të plotë

Ji elastik

Njihu me tregun e padukshëm të punës

Ji i organizuar

[Figura në faqen 7]

Që të gjesh një punë duhet të këmbëngulësh dhe të kërkosh shumë

[Figura në faqen 8]

Një qëndrim që tregon seriozitet ndaj punës do të të ndihmojë gjatë intervistës