Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po shtohen katastrofat natyrore?

A po shtohen katastrofat natyrore?

A po shtohen katastrofat natyrore?

«Është për t’u frikësuar që dukuritë ekstreme të motit, të cilat e kanë origjinën në ndryshimet e klimës, do të sjellin pasoja gjithnjë e më të rënda në të ardhmen. Kjo do të thotë se duhet të presim rreziqe të reja nga moti dhe humbje më të mëdha. . . . Në përputhje me parimin e parapërgatitjes, do të bënim mirë të përgatiteshim për ndryshime dramatike.»​—«ÇËSHTJE TË MOTIT​—RISHIKIM VJETOR: KATASTROFAT NATYRORE TË VITIT 2003», anglisht.

GJATË verës së vitit 2003, disa pjesë të Evropës i mbyti vapa. Për shkak të temperaturave të larta vdiqën rreth 30.000 veta në Belgjikë, Britani, Francë, Itali, Holandë, Portugali dhe Spanjë. Një valë e nxehtë paramusonike në Bangladesh, Indi dhe Pakistan solli 1.500 vdekje, kurse thatësira dhe nxehtësia e paparë në Australi shkaktuan zjarre që dogjën mbi 3 milion hektarë pyje.

Sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, «në vitin 2003, gjatë stinës së uraganeve në Atlantik, pati 16 stuhi tropikale. Kjo është shumë më e madhe se mesatarja e periudhës 1944-1996 që ishte 9,8, por është në vijim të rritjes së ndjeshme që ka pasur në numrin vjetor të sistemeve tropikale që nga mesi i viteve 1990». Kjo rritje vazhdoi në vitin 2004, kur uragane shkatërrimtare përpinë Karaibet dhe Gjirin e Meksikës. Atje morën rreth 2.000 jetë dhe sollën një sërë shkatërrimesh.

Në vitin 2003, Sri-Lankën e goditi një ciklon që shkaktoi përmbytje të mëdha dhe të paktën 250 të vdekur. Në 2004-ën, në Paqësorin Perëndimor u regjistruan të paktën 23 tajfune. Dhjetë prej tyre goditën Japoninë, ku shkaktuan dëme të mëdha dhe morën mbi 170 jetë njerëzish. Përmbytjet që erdhën nga shirat e rrëmbyeshme musonike, u sollën dëme më shumë se 30 milionë njerëzve në Azinë Jugore, sidomos në Bangladesh. Miliona mbetën pa shtëpi, pothuajse tre milionë u detyruan të linin shtëpitë dhe mbi 1.300 veta vdiqën.

Gjatë vitit 2003 ranë disa tërmete të fuqishme. Më 21 maj, në Algjer të Algjerisë, një tërmet plagosi 10.000 veta dhe la 200.000 të pastrehë. Tetë kilometra në jug të qytetit të Bamit, në Iran, më 26 dhjetor, në orën 5.26 të mëngjesit, toka u drodh. Një tërmet prej 6,5 ballësh shkatërroi 70 për qind të qytetit, vrau 40.000 veta dhe la më shumë se 100.000 të pastrehë. Ishte katastrofa natyrore më tragjike e vitit. Gjithashtu, ai ktheu në rrënoja një pjesë të madhe të kështjellës 2000-vjeçare të Bamit, Arge-Bamin, duke i rrëmbyer rajonit një pikë turistike që ishte një burim i rëndësishëm të ardhurash.

Pikërisht një vit më vonë, një tërmet 9 ballësh ra afër bregut perëndimor të Indonezisë, në veri të Sumatrës, duke shkaktuar tsunamet më vdekjeprurëse, të regjistruara deri tani gjatë gjithë historisë. Dallgët vrastare morën mbi 200,000 jetë dhe lanë shumë më tepër të plagosur e të pastrehë. Madje tsunamet vdekjeprurëse përfshinë edhe bregun lindor të Afrikës, që është 4.500 kilometra a më shumë në perëndim të epiqendrës së tërmetit.

A duken re të zeza në horizont?

A tregojnë këto ngjarje se çdo të ndodhë në të ardhmen? Lidhur me katastrofat e motit, shumë shkencëtarë mendojnë se ndryshimet që i ka sjellë njeriu atmosferës, po ndikojnë në klimën e botës dhe janë ndër faktorët që sjellin dukuri ekstreme të motit. Nëse po ndodh vërtet kështu, kjo nuk është një shenjë e mirë për të ardhmen. Rreziku bëhet më i madh, pasi sot, sa vjen e rritet numri i njerëzve që jetojnë në zona të cilat rrezikojnë të preken nga katastrofat. Ata shkojnë atje ose ngaqë duan vetë ose ngaqë nuk kanë mundësi tjetër.

Statistikat tregojnë se 95 për qind e të gjitha vdekjeve nga katastrofat ndodhin në vendet në zhvillim. Nga ana tjetër, në vendet e pasura numri i vdekjeve është më i vogël, por ato pësojnë 75 për qind të humbjeve ekonomike. Madje, disa kompani sigurimi kanë frikë nëse biznesi i tyre do t’ia dalë të mbijetojë, me gjithë humbjet në rritje që duhet të mbulojnë.

Në artikullin vijues do të shqyrtojmë disa nga proceset natyrore që çojnë në katastrofa dhe se në ç’mënyrë njerëzit po i bëjnë më shkatërrimtare ato. Gjithashtu, do të shqyrtojmë nëse njeriu ka fuqinë dhe gatishmërinë për të sjellë ndryshimet e nevojshme që toka të bëhet një banesë më e sigurt për brezat e ardhshëm.

[Figura në faqen 3]

FRANCË 2003 Nxehtësia që përfshiu Evropën la 30.000 të vdekur; në Spanjë, temperatura shkoi deri në 44,8°C.

[Burimi]

Alfred/EPA/Sipa Press

[Figurat në faqet 4, 5]

IRAN 2003 Tërmeti në Bam vret 40.000 veta; gra që po qajnë të afërmit e varrosur në një varr masiv

[Burimi]

Sfondi dhe gratë: © Tim Dirven/Panos Pictures