Katastrofat natyrore dhe ndikimi i njeriut
Katastrofat natyrore dhe ndikimi i njeriut
KUR një makinë mirëmbahet, mund të jetë e sigurt. Po kjo makinë, nëse keqpërdoret ose lihet pas dore, mund të jetë e rrezikshme. Në disa aspekte, e njëjta gjë mund të thuhet për planetin Tokë.
Disa shkencëtarë mendojnë se ndryshimet që ka shkaktuar njeriu në atmosferën e tokës dhe në oqeane, e kanë kthyer planetin tonë në një vend të rrezikshëm, duke çuar në katastrofa natyrore më të shpeshta e më të rënda. Veç kësaj, e ardhmja duket e pasigurt. «Jemi në mes të një eksperimenti të madh e të pakontrollueshëm, i cili po zhvillohet në të vetmin planet ku jetojmë»,—thuhej në revistën Science në një artikull rreth ndryshimit të klimës.
Pra, që të kuptojmë më mirë se si njerëzit mund të ndikojnë në shpeshtësinë dhe në forcën e katastrofave natyrore, duhet t’i kuptojmë paksa dukuritë natyrore bazë. Për shembull, çfarë i shkakton stuhitë e forta, si uraganet?
Shkëmbyesit e nxehtësisë në planet
Sistemi klimaterik i tokës është krahasuar me një makinë që shndërron dhe shpërndan energjinë diellore. Meqë tropikët thithin shumicën e nxehtësisë së diellit, ndryshimi i * Rrotullimi ditor i tokës bën që kjo masë ajri e lagësht, në lëvizje, të krijojë shtjella. Disa prej tyre kthehen në zona me trysni atmosferike të ulët. Dhe, pikërisht në këto zona mund të krijohen stuhi.
temperaturës që vjen si pasojë, e vë atmosferën në lëvizje.Po të vëreni rrugën e zakonshme të stuhive tropikale, do të shihni se prirja e tyre është të largohen nga ekuatori dhe të shkojnë në veri ose në jug, drejt zonave më të ftohta. Kështu, stuhitë shërbejnë edhe si shkëmbyes të mëdhenj të nxehtësisë, duke ndihmuar në zbutjen e klimës. Por, kur temperatura në shtresën e sipërme të oqeanit—«kaldaja» e makinës së klimës—i kalon 27 gradë celsius, stuhitë tropikale mund të marrin mjaft energji, sa të kthehen në ciklone, uragane ose tajfune, emra të ndryshëm këto sipas vendit, por që nënkuptojnë të njëjtën dukuri.
Përsa i përket numrit të të vdekurve, katastrofa më e rëndë natyrore në historinë e SHBA-së erdhi nga një uragan që goditi qytetin-ishull të Galvestonit, në Teksas, më 8 shtator 1900. Dallgët që ngriti stuhia, morën 6.000-8.000 njerëz në qytet dhe afro 4.000 të tjerë në zonat përreth dhe shkatërruan gati 3.600 shtëpi. As edhe një ndërtesë nuk shpëtoi e padëmtuar.
Siç u përmend në artikullin e kaluar, vitet e fundit ka pasur disa stuhi të forta. Shkencëtarët po studiojnë nëse këto lidhen me ngrohjen globale, që mbase po u jep më shumë energji sistemeve të stuhive. Megjithatë, ndryshimet e motit mund të jenë vetëm një nga shenjat e ngrohjes globale. Mbase që tani po shfaqet një pasojë tjetër e dëmshme.
Ngritja e nivelit të deteve dhe shpyllëzimi
Sipas një artikulli në revistën Science, «niveli i deteve është ngritur 10 deri në 20 centimetra shekullin e kaluar dhe mund të presim të ngrihet edhe më». Si lidhet kjo me ngrohjen globale? Studiuesit e vënë theksin te dy procese të mundshme. Njëri ka të bëjë me shkrirjen e akullit dhe të akullnajave në zonat polare, që çon në ngritjen e nivelit të oqeaneve. Faktori tjetër lidhet me zgjerimi termal, pra, ndërsa oqeanet ngrohen, vëllimi i tyre rritet.
Ishujt e vegjël Tuvalu në Paqësor, tashmë mund t’i kenë provuar pasojat e ngritjes së nivelit të oqeaneve. Revista Smithsonian vëren se të dhënat e mbledhura në ishullin koralor të Funafutit tregojnë se niveli i detit atje është rritur «mesatarisht me 5,6 milimetra në vit gjatë dekadës së kaluar».
Në shumë vende të botës, rritja e popullsisë nënkupton zgjerimin e zonave urbane, shtimin e barakave dhe më shumë dëme të mjedisit. Këto ndryshime mund t’i bëjnë më të rënda katastrofat natyrore. Shqyrtoni disa shembuj.
Haiti është një shtet ishullor. Ka popullsi të madhe dhe atje janë bërë mjaft shpyllëzime.
Kohët e fundit, në një raport në media thuhej se, sado të rënda të jenë problemet ekonomike, politike dhe shoqërore të Haitit, asgjë nuk e kërcënon vendin më shumë se shpyllëzimi. Ky rrezik u shfaq në mënyrë tragjike në vitin 2004 kur shirat e rrëmbyeshme shkaktuan rrëshqitje toke që morën mijëra jetë.Revista Time e Azisë thotë se ndër faktorët që i kanë bërë më shkatërrimtare katastrofat natyrore në Azinë e Jugut, janë «ngrohja globale, digat, shpyllëzimi dhe metoda bujqësore prit e digj». Ekstremi tjetër është se shpyllëzimi mund ta përkeqësojë thatësirën, duke bërë që dheu të thahet më shpejt. Vitet e fundit, thatësirat në Indonezi dhe Brazil kanë krijuar terren për zjarre, në pyje që normalisht janë tepër të lagështa. Këto zjarre kanë sjellë shkatërrime të papara. Megjithatë, patjetër që kushtet ekstreme të motit nuk janë të vetmet shkaqe të katastrofave natyrore. Shumë vende janë prekur nga katastrofa që burojnë nga thellësitë e tokës.
Kur toka lëkundet
Korja e Tokës përbëhet nga pllaka me madhësi të ndryshme që lëvizin kundrejt njëra-tjetrës. Ka kaq shumë lëvizje në koren e tokës, saqë çdo vit mund të ndodhin miliona tërmete. Sigurisht, shumë prej tyre nuk diktohen.
Thuhet se 90 për qind e tërmeteve ndodhin në thyerjet tektonike që gjenden afër kufirit ndarës të pllakave tektonike. Ndonëse janë të rralla, ka edhe tërmete që ndodhin brenda pllakave, e ndonjëherë këto mund të jenë shumë shkatërrimtare. Sipas disa llogaritjeve, tërmeti më vdekjeprurës i regjistruar gjatë gjithë historisë është ai që goditi tre provinca të Kinës në vitin 1556. Ai mund t’i ketë marrë jetën rreth 830.000 njerëzve.
Tërmetet mund të kenë edhe pasoja të tjera shkatërrimtare që shfaqen më vonë. Për shembull, më 1 nëntor 1755, një tërmet rrafshoi qytetin e Lisbonës, Portugali, me një popullsi rreth 275.000 banorë. Por tmerri nuk mbaroi me aq. Tërmeti shkaktoi zjarre dhe tsuname
15 metra të larta, që vërshuan me shpejtësi nga Oqeani Atlantik. Gjithsej, shifra e të vdekurve në qytet ishte mbi 60.000.Megjithatë, edhe në raste të tilla pasojat e katastrofave deri diku varen nga veprimtaria e njeriut. Një faktor është dendësia e popullsisë në zonat që rrezikojnë më shumë. «Sot, pothuajse gjysma e qyteteve më të mëdha të botës gjenden në zona me rrezikshmëri sizmike»,—thotë Andru Robinson. Një faktor tjetër janë ndërtesat, pra materialet dhe cilësia e ndërtimit. Shpesh ka dalë i vërtetë proverbi që thotë: «Tërmetet nuk vrasin njerëz; ndërtesat po.» Por, ç’të bëjnë njerëzit kur nuk kanë para për të ngritur ndërtesa që i rezistojnë tërmetit?
Vullkanet—Ndërtuese dhe shkatërruese
«Ndërsa po lexoni këto fjalë, ka të ngjarë të shpërthejnë të paktën 20 vullkane»,—thotë një artikull i Institutit Smithsonian në Shtetet e Bashkuara. Sipas teorisë së pllakave tektonike, në vija të përgjithshme, tërmetet dhe vullkanet ndodhin në zona të ngjashme—në thyerjet tektonike, sidomos ato që gjenden në fundin e oqeaneve; në koren e tokës ku magma del nga manteli nëpër të çara; dhe në zonat e subdiksionit, ku pllakat përplasen dhe buza e njërës zhytet nën tjetrën.
Vullkanet që gjenden në zonat e përplasjes së pllakave, janë më të rrezikshme për njerëzit, sepse shpërthejnë më shpesh dhe zakonisht ndodhen afër zonave të populluara. Zona e oqeanit Paqësor, e quajtur Unaza e zjarrtë e Paqësorit, ka qindra vullkane të tilla. Gjithashtu, një numër i vogël gjenden në të ashtuquajturat «pika të nxehta». Këto të fundit janë të çara në koren e tokës që gjenden në brendësi të pllakave, larg nga kufijtë e tyre. Ishujt Havai, ishujt Azore, ishujt Galapagos dhe Ishujt e Shoqërisë me sa duket janë formuar nga vullkanet e këtyre «pikave të nxehta».
Ç’është e vërteta, prej kohësh vullkanet kanë luajtur një rol formues në historinë e tokës. Në faqen e Internetit të një universiteti, tregohej se «90% e të gjitha kontinenteve dhe pellgjeve oqeanike janë vepër e vullkanizimit». Por, përse disa shpërthime janë tejet të fuqishme?
Shpërthimet nisin me daljen e magmës nga brendësia përvëluese e tokës. Disa vullkane vetëm sa nxjerrin lavë, që rrallë lëviz aq shpejt sa t’i zërë njerëzit në befasi. Por vullkane të tjera shpërthejnë me një fuqi të tillë që ia kalon edhe bombës bërthamore. Faktorët vendimtarë janë përbërja dhe veshtullia e materialit të shkrirë që ushqen vullkanin, si dhe sasia e gazeve dhe e ujit të tejnxehur që ka materiali. Ndërkohë që magma i afrohet sipërfaqes, uji dhe gazet e rritin shpejt vëllimin. Kur përbërja e magmës është ajo e duhura, efekti është pak a shumë si shpërthimi i gazit që del nga një shishe me pije të gazuar.
Lumturisht, shpesh, vullkanet japin shenja paralajmëruese. Kështu ndodhi edhe me vullkanin Mon Pele, në ishullin Martinik, Karaibe, më 1902. Meqë aty afër, në San Pier, do të bëheshin zgjedhjet, politikanët i nxitën njerëzit të rrinin, pavarësisht nga hiri, nga gazet që shkaktonin të përziera dhe frika që kishte pushtuar qytetin. Në fakt, shumë dyqane ishin mbyllur prej ditësh.
Më 8 maj ishte festa e ngjitjes së Krishtit në qiell dhe shumë njerëz shkuan në katedralen katolike për t’u lutur, që të shpëtonin nga vullkani. Atë mëngjes, pak para orës 8, Mon Peleja shpërtheu, duke nxjerrë materiale të nxehta vullkanike, si hi vullkanik, xham vullkanik, shtuf dhe gaze të tejnxehura, që shkonin nga 200 deri në 500 gradë celsius. Duke iu afruar tokës, reja e zezë e vdekjes vërshoi tatëpjetë malit, mbuloi qytetin dhe vrau 30.000 veta, shkriu kambanoren e kishës dhe u vuri zjarrin anijeve në mol. Ishte shpërthimi më vdekjeprurës i shekullit të 20-të. Sidoqoftë, nuk do të ishte aq tragjik nëse njerëzit nuk do t’i mbyllnin sytë para shenjave paralajmëruese.
A do të shtohen katastrofat natyrore?
Në Raportin botëror të katastrofave natyrore të vitit 2004, Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe thotë se gjatë dekadës së kaluar, katastrofat gjeofizike dhe të lidhura me motin janë shtuar mbi 60 për qind. «Kjo tregon prirje më afatgjata»,—thotë artikulli që u botua para tsunameve të 26 dhjetorit në oqeanin Indian. Pa dyshim, nëse popullsia në zonat e rrezikuara vazhdon të shtohet dhe pyjet vazhdojnë të pakësohen, zor se gjenden arsye për optimizëm.
Veç kësaj, shumë vende të industrializuara lëshojnë në atmosferë gjithnjë e më tepër gaze që shkaktojnë efektin serrë. Sipas një artikulli në revistën Science, të zvarritësh pakësimin e gazeve që lëshohen në atmosferë «është si të refuzosh ilaçet për një infeksion që po zhvillohet; kjo të garanton se më vonë do të paguash një kosto më të lartë». Duke folur për këtë kosto, një artikull kanadez për lehtësimin e katastrofave, thoshte: «Mund të thuhet se ndryshimi i klimës është çështja më e diskutuar rreth mjedisit dhe me pasoja më të mëdha që ka hasur familja botërore.»
Por, sot shtetet nuk janë në një mendje nëse ndikon ose jo veprimtaria e njerëzve te ngrohja globale, e aq më pak ta zgjidhin këtë problem. Kjo situatë të sjell ndër mend një të vërtetë biblike: «Njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Megjithatë, siç do ta shohim në artikullin vijues, gjendja nuk është e pashpresë. Në fakt, mjerimet e tanishme, përfshirë edhe jetën e stuhishme të njerëzve sot, i shtohen provave që tregojnë se shpëtimi është afër.
[Shënimi]
^ par. 6 Gjithashtu, shpërndarja e pabarabartë e nxehtësisë diellore çon në formimin e rrymave oqeanike dhe e transmeton energjinë drejt rajoneve më të freskëta.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
KUR NË FUSHA NUK RRITET VETËM MISËR
NË VITIN 1943, një bujk në Meksikë pa se në arat e tij nuk po rritej vetëm misër. Ndërsa ishte në fushë, ai pa disa plasaritje ose të çara që ishin formuar në tokë. Të nesërmen këto plasaritje ishin kthyer në një vullkan të vogël. Javën vijuese koni u rrit deri në 150 metra dhe, pas një viti, ishte bërë 360 metra. Si përfundim, lartësia e konit, i cili gjendet 2.775 metra mbi nivelin e detit, arriti deri në 430 metra. Ky vullkan u quajt Parikutin. Në 1952-shin pushoi papritur dhe, që prej asaj kohe, ka qëndruar në heshtje.
[Burimi]
U. S. Geological Survey/Fotografi nga R. E. Wilcox
[Kutia dhe figura në faqen 8]
PERËNDIA SHPËTOI KOMBE NGA KATASTROFA
ZIA e bukës është një nga katastrofat natyrore. Një nga zitë e bukës më të hershme të dokumentuara, ndodhi në Egjiptin e lashtë gjatë kohës së Jozefit, birit të Jakobit që ndryshe quhej Izrael. Zia e bukës zgjati për shtatë vjet dhe përfshiu Egjiptin, Kanaanin dhe vende të tjera. Por nuk çoi në një uri masive, sepse Jehovai paratha shtatë vjet përpara që do të kishte zi buke. Gjithashtu, ai zbuloi se gjatë këtyre shtatë viteve, në Egjipt do të kishte bollëk. Jozefi i bindej Perëndisë dhe ishte bërë kryeministër e administrator i ushqimeve me ndërhyrjen e Perëndisë. Nën mbikëqyrjen e tij, egjiptianët mblodhën kaq shumë grurë, saqë nuk «e mbajtën më llogari». Kështu, Egjipti jo vetëm që ia doli të mbante veten me bukë, por edhe «njerëzit e të gjitha vendeve», përfshirë dhe familjen e Jozefit.—Zanafilla 41:49, BR; 41:57; 47:11, 12.
[Figurat në faqen 7]
HAITI 2004 Djem që mbushin ujë për të pirë në rrugët e përmbytura. Shpyllëzimi intensiv ka ndikuar në rrëshqitjet masive të dheut
[Burimet]
Sfondi: Sophia Pris/EPA/Sipa Press; fotografia e vogël: Carl Juste/Miami Herald/Sipa Press
[Figura në faqen 9]
Shumë shtete ende lëshojnë gaze të efektit serrë në atmosferë
[Burimi]
© Mark Henley/Panos Pictures