Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Miti për rritjen e flokëve

«Të presësh flokët ose ta rruash kokën fare, nuk ndihmon që flokët të rriten më shpejt, të bëhen më të trashë a më të dendur»,​—pohon një artikull për shëndetin dhe formën fizike, në gazetën The New York Times. Miti se flokët rriten më shpejt dhe dendësohen nëse priten ose rruhen, ka vite që qarkullon. Megjithatë, artikulli thotë se studimet e bëra herë pas here, që nga viti 1920, kanë treguar se «gjatësia, trashësia dhe dendësia e flokut, përcaktohen nga faktorët gjenetikë e hormonalë, jo nga shpeshtësia që rruani kokën». Po, atëherë, përse vazhdon të ekzistojë kjo ide e gabuar? Ndoshta sepse shumë veta e kanë rruar kokën që të vegjël, kur flokët nuk janë tepër të dendur dhe ngjyra është pak më e çelur. Gjithashtu, «floku është më i errët dhe më i trashë te rrënjët, kështu që, duke i hequr majat, duket sikur flokët janë më të dendur,​—pohon gazeta Times.​—Po ashtu, flokët e rinj që mbijnë pas rruajtjes, mund të bien më shumë në sy, sesa e njëjta sasi flokësh që del kur floku është i gjatë».

Kujdes nga lodrat e zhurmshme

«Lodrat e zhurmshme dëmtojnë dëgjimin te fëmijët»,​—ishte titulli i një artikulli të gazetës Toronto Star. Gazeta thoshte se një grup specialistësh kanadezë në fushën e audiologjisë, pasi studiuan «40 lodra për fëmijët nën moshën trevjeçare», panë se «të paktën 25 prej tyre ishin aq të zhurmshme, sa mund të dëmtonin veshët e një vogëlushi». Një celular-lodër kishte nivelin më të lartë të tingullit, prej 115 decibelësh. Sipas audiologut Riçard Larok, ky tingull është «më i ulët se tingulli që lëshon një avion, por më i lartë se zhurma që krijohet në shumicën e diskove». Standardi i tanishëm që lejohet nga Health Canada, është 100 decibelë. Artikulli thoshte se, sipas këtij studimi «një standard prej 87 decibelësh për 30 minuta, do ta mbronte më shumë dëgjimin».

Si të zgjidhet problemi i mbledhjeve?

Sipas gazetës The New York Times, shumë kompani biznesi po e shohin të nevojshme t’i mbajnë më të shkurtra mbledhjet si dhe t’i anulojnë mbledhjet e panevojshme. Për të kontrolluar kohën që të mos ikë kot nëpër mbledhje, disa drejtorë detyrohen të marrin masa ekstreme, si: kronometër, bilbila, karrige jo të rehatshme ose pjesëmarrësit të rrinë në këmbë, jo ulur. Me sa duket, drejtorët nuk janë të vetmit që mendojnë kështu. Në një sondazh me më tepër se 600 punëtorë, «mbledhjet që zgjatnin shumë», ishin në krye të listës së faktorëve që të marrin mjaft kohë. Pati Hathëueji, që ka shkruar një libër me këshilla për përballimin e situatave në punë, sugjeron që, drejtorët të kontrollojnë në fillim listën e çështjeve që do të diskutohen, dhe të vendosin nëse është vërtet e nevojshme të mbahet mbledhja. Në qoftë se qëllimi i një mbledhjeje të propozuar është thjesht për të dhënë informacione, duhet shqyrtuar nëse ato mund të dërgohen me postë elektronike.

Fidanishte të nëndheshme

«Miniera e lagësht është mjedisi i përsosur për të rritur pemë. Së pari, ka një lagështi konstante dhe një nxehtësi gjeotermale prej 25 gradë celsius gjatë gjithë vitit»,​—thotë gazeta Toronto Star. Që nga viti 1986, Inco Limited, një kompani minierash dhe metalesh, ka financuar pa shumë bujë një fidanishte të nëndheshme. Në nivelin 1.400 metra nëntokë të minierës së tyre Kreiton, që ndodhet afër Sadbërit, Kanada, fidanishtja rrit çdo stinë 50.000 fidanë. Disa depozita të pajisura me aparate kohëmatëse, ushqejnë çdo ditë pemët «foshnja» me 2.000 litra ujë dhe lëndë ushqyese. Gazeta thotë se, për të dhënë efektin e dritës së diellit, 30 drita me fuqi 1.000 vat «nuk fiken fare javën e parë, pastaj për tri javë rrinë 18 orë ndezur dhe 6 orë fikur dhe, për pjesën tjetër të kohës, mbahen 12 orë ndezur dhe 12 orë fikur​—njëlloj si drita jashtë». Sezoni i rritjes nis nga fundi i janarit dhe, nga fundi i majit, fidanët e dy llojeve të pishave (Pinus resinosa e Pinus banksiana) janë gati për t’u mbjellë në pronat e kompanisë minerare dhe përqark saj. Disa fidanë u dhurohen grupeve të ndryshme shoqërore.

Kopshtaria lehtëson pasojat e hemorragjisë cerebrale

«Pas një hemorragjie cerebrale, kopshtaria u jep njerëzve kënaqësinë më të madhe në jetë»,​—raporton gazeta gjermane Gießener Allgemeine. 70 pacientë, që kishin pasur hemorragji cerebrale, u pyetën se cilat aktivitete u sillnin më tepër kënaqësi, gjashtë muaj pasi kishin dalë nga rehabilitimi. Ndër aktivitetet që iu sugjeruan ishin: punët e shtëpisë, bërja e pazarit, gatimi, leximi, shëtitja, një xhiro me makinë, puna dhe disa ngjarje shoqërore. Por, vetëm kopshtaria u shtonte gëzimin e jetës. Sipas Brigita Oberauërit, specialiste në terapinë e punës, kopshtaria «i bën pacientët që kanë pasur hemorragji cerebrale, të përqendrohen më lehtë dhe për një kohë të gjatë te disa gjëra. U vë në punë shqisat dhe u transmeton mesazhin se ka gjëra të reja që po rriten dhe se jeta vazhdon. Ky është një mesazh i rëndësishëm pas një sëmundjeje serioze.» Një njeri nuk izolohet më gjithë ditën e ditës brenda katër mureve, vihet në lëvizje dhe fiton njëfarë ekuilibri kur merret me punë jashtë në natyrë.

Krizë në lidhje me të moshuarit

«Nëse nuk rritni standardin e jetesës tani dhe nuk filloni të merrni disa masa mbrojtëse për të moshuarit, në vitin 2030 ose 2040 do të shihni një krizë humanitare me përmasa gjigante»,​—paralajmëron Riçard Xheksoni, drejtor i Iniciativës Globale për të Moshuarit, në Uashington, D.C. Sipas botimit ndërkombëtar The Miami Herald, rritja e jetëgjatësisë dhe rënia e numrit të lindjeve, ka sjellë si rezultat një «shtim të të moshuarve» në mbarë botën. Për shembull, në Meksikë pritet që numri i të moshuarve të rritet nga 5 për qind në 20 për qind, aty nga viti 2050. Një ritëm po kaq i shpejtë i shtimit të të moshuarve ekziston edhe në disa vende në zhvillim si Kina, ku, aty nga mesi i shekullit, do të ketë 332 milionë të moshuar. Artikulli pohon se tani është «shumë e kufizuar koha» për t’u siguruar të moshuarve «shërbimet shoqërore kolosale» që u nevojiten.

Të kurosh fëmijët në shtëpi?

Gazeta Folha Online raporton se përdorimi vend e pa vend i ilaçeve për fëmijë është bërë një zakon në Brazil dhe në vendet e tjera. Shumë familje mbajnë në shtëpi një «thes» me ilaçe. Por, «ndryshe nga ç’mendojnë shumë njerëz, edhe ilaçet që blihen pa recetë, mund ta dëmtojnë në mënyrë të pariparueshme shëndetin e fëmijës​—nëse përdoren në mënyrë të gabuar ose kot, pa qenë nevoja». Veç kësaj, disa sëmundje të fëmijëve, si kolla, ikin vetë, pa ilaçe. «Na është tiposur ideja se çdo sëmundje shërohet me ilaçe»,​—thotë Lusia Ferro Briks, pediatre në Institutin e Fëmijëve në Spitalin Klinik të San-Paulos. Abuzohet edhe me vitaminat, kripërat minerale dhe lëndët që plotësojnë mungesën e ushqimit, pasi, në shumicën e rasteve, një dietë e duhur i plotëson nevojat e fëmijës. «Kur prindërit më kërkojnë vitamina për fëmijët, u them të shtrydhin ca fruta dhe t’ua japin për të pirë»,​—shton dr. Briksi.