Përpjekje për të ushqyer një miliard njerëz
Përpjekje për të ushqyer një miliard njerëz
ÇDO ditë, një miliard njerëz nuk e mbushin barkun me bukë. Por, sipas Kombeve të Bashkuara, kjo situatë e tmerrshme nuk duhet të ekzistojë.
«Keni thënë se përparësia juaj kryesore është zhdukja e varfërisë ekstreme.» Kështu tha sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, në një mbledhje të mbajtur më 8 shtator 2000 me burrat dhe gratë me më shumë pushtet në botë. Ata u mblodhën në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Mijëvjeçarin, ku disa nga udhëheqësit folën hapur për problemet e të varfërve në botë. «Varfëria ekstreme është një fyerje për njerëzimin»,—tha zëvendëspresidenti i Brazilit. Kryeministri i Britanisë së Madhe shkoi edhe më tej kur tha: «Faktet tregojnë se bota e zhvilluar ka dështuar plotësisht në Afrikë, gjë që e trondit dhe e turpëron qytetërimin tonë.»
Të dy thanë qartë se kombet janë turpëruar, pasi kanë dështuar të bëjnë ç’është e mundur që të ushqejnë të uriturit. Si provë e dëshirës së tyre për të përmirësuar kushtet e jetesës për të gjithë banorët e tokës, pjesëmarrësit e samitit premtuan se do të vepronin sipas një rezolute prej tetë pjesësh. Në të përfshihet: «Do të bëjmë gjithçka mundemi për t’i nxjerrë burrat, gratë dhe fëmijët nga kushtet e mjerueshme dhe çnjerëzore të varfërisë së skajshme, ku më shumë se një miliard veta po vuajnë në këto momente. . . . Gjithashtu, vendosim: brenda vitit 2015, në gjithë botën të përgjysmojmë numrin e njerëzve që fitojnë më pak se një dollar në ditë dhe të atyre që vuajnë nga uria.»
Ç’progres është bërë drejt këtij synimi fisnik që nga shtatori i vitit 2000?
Veprat flasin më shumë se fjalët
Në vitin 2003, Iniciativa Globale Qeverisëse e Forumit Botëror Ekonomik, nisi të përcaktonte çfarë ishte bërë për të arritur synimet e vendosura në Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Raporti zyrtar, lëshuar më 15 janar 2004, pohon: «Në të gjitha synimet më të rëndësishme, bota po dështon plotësisht që të bëjë përpjekjet e nevojshme.» Në lidhje me urinë, raporti thotë: «Problemi nuk është se s’ka fare ushqim në botë, pasi ka mjaftueshëm për çdo njeri. Problemi është se ushqimi në dispozicion dhe me vlera të mjaftueshme ushqyese, nuk shkon tek ata që s’kanë para.»
Për sa i përket problemit të varfërisë në përgjithësi, raporti thotë: «Përgjegjësia për mungesën e zellit për të përmbushur premtimet, rëndon kryesisht te qeveritë, qofshin të pasura, qofshin të varfra. Por, një sistem ekonomik global i projektuar nga të pasurit, shpesh bie në kurriz të të varfërve. Pavarësisht nga fjalët e shumta të bukura, shtetet e pasura tregojnë pak interes për të ndryshuar atë sistem ose për të shtuar ndjeshëm ndihmën që u jepet [vendeve] më të varfra për t’u zhvilluar.» Përballë gjithë këtyre kritikave, politikanët vazhdojnë të debatojnë në vend që të veprojnë. Kurse qeveritë manipulojnë vazhdimisht, secila në interes të vet. Ndërkohë, kudo në botë, të varfrit e kanë stomakun bosh.
Një raport i botuar nga Forumi Botëror Ekonomik, i titulluar «Nga aspiratat në vepra», paralajmëron se «rajone të mëdha të populluara do të vuajnë gjithnjë e më shumë nga uria, nëse nuk ndryshojnë politikat ndërkombëtare të tregtisë, nëse politikat kombëtare nuk përqendrohen te zhdukja e urisë dhe nëse nuk shtohen përpjekjet e efektshme në shkallë lokale». Kush ka nevojë të përmirësojë politikat dhe të shtojë «përpjekjet e efektshme në shkallë lokale»? Pikërisht vetë qeveritë që, në vitin 2000, deklaruan publikisht se do të përmirësonin situatën e gjithë njerëzimit.
Një premtim që nuk mbahet, çon në zhgënjim; disa premtime që nuk mbahen, çojnë në mosbesim. Ngaqë nuk e kanë mbajtur fjalën e dhënë që të kujdesen për të varfrit, qeveritë e botës kanë korrur mosbesim. Një nënë e pesë fëmijëve, e cila jeton në një vend të varfër të Karaibeve, arrin t’i ushqejë fëmijët vetëm një herë në ditë. Ajo thotë: «Kam hall vetëm kemi a s’kemi për të ngrënë. S’ka rëndësi kush është në pushtet. S’kemi fituar kurrë gjë nga pushtetarët.»
Shkrimtari biblik, Jeremia, tha: «O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» (Jeremia 10:23) Dështimi i qeverive njerëzore në zgjidhjen e problemeve të të varfërve, vërteton se Bibla ka të drejtë.
Por, është një Sundimtar që ka edhe fuqinë edhe dëshirën të zgjidhë problemet e njeriut, dhe Bibla e identifikon se kush është ai. Kur ky Sundimtar të marrë në dorë situatën, askush nuk do të jetë më i uritur.
Një bazë për shpresë
«Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.» (Psalmi 145:15) Kush është Ai që tregon vëmendje ndaj nevojave të njeriut për ushqim? Krijuesi ynë, Perëndia Jehova. Jehovai ka qenë gjithnjë i interesuar për njerëzit edhe pse raca njerëzore ka mijëra vjet që vuan nga uria dhe probleme të tjera. Ai e ka parë dështimin e qeverive njerëzore, dhe Fjala e tij e pagabueshme, Bibla, tregon se së shpejti ai do t’i zëvendësojë këto qeveri me qeverinë e vet.
Jehovai thotë: «E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.» (Psalmi 2:6) Kjo deklaratë nga autoriteti më i lartë në univers, është një arsye për të shpresuar. Ndërsa sundimtarët njerëzorë shpesh kanë dështuar t’i ndihmojnë nënshtetasit e tyre, Jezu Krishti, Mbreti i caktuar nga Perëndia, do t’u sjellë njerëzve të varfër të tokës bekime të papara ndonjëherë.
Me anë të këtij Mbreti, Jehovai do t’i ushqejë të gjithë të uriturit. «Zoti i ushtrive do t’u përgatitë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme»,—thotë Isaia 25:6. Në Mbretërinë e Perëndisë drejtuar nga Krishti, njerëzve s’do t’u mungojë kurrë ushqimi i shëndetshëm, s’ka rëndësi se ku do të jetojnë. Për Jehovain, Bibla thotë: «Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qenieje të gjallë.»—Psalmi 145:16.
[Diçitura në faqen 13]
«Faktet tregojnë se bota e zhvilluar ka dështuar plotësisht në Afrikë, gjë që e trondit dhe e turpëron qytetërimin tonë.»—Kryeministri britanik Toni Bler
[Figura në faqen 12]
ETIOPI: Në këtë vend, gati 13 milionë njerëz mbahen me ndihma ushqimore. Fëmija sipër është një prej tyre
[Figura në faqen 12]
INDI: Këtyre nxënësve u jepet ushqim në shkollë
[Burimet e figurave në faqen 12]
Lart: © Sven Torfinn/Panos Pictures; poshtë: © Sean Sprague/Panos Pictures