Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse më tërheqin njerëzit e gabuar?

Pse më tërheqin njerëzit e gabuar?

Të rinjtë pyesin . . .

Pse më tërheqin njerëzit e gabuar?

«E dija se nuk duhej të afrohesha tepër me të, por ja që nuk i rezistova dot. S’arrija ta besoja që një djalë donte të rrinte me mua.»​—Nensi. *

«Në fillim shkoja vetëm të patinoja në pistë, por shpejt nisa të shoqërohesha rregullisht me disa ‘shokë’ që i zura atje. S’kaloi shumë dhe nisa të bëja një jetë imorale.»​—Dani.

EDHE Nensi, edhe Dani, në fillim ishin të fortë nga ana frymore. Nensi ishte rritur në një familje me frikë Perëndie dhe, që nëntë vjeçe, kishte filluar t’u fliste të tjerëve për besimin e saj. Dani nisi shërbimin e plotkohor kur ishte adoleshent. Por, të dy pësuan një rënie serioze nga ana frymore. Përse? U shoqëruan me njerëzit e gabuar.

A të ka ndodhur ndonjëherë që papritur të jesh afruar shumë me dikë, dhe thellë brenda vetes e dije se ndikonte për keq te ti? Mund të ketë qenë një shok i klasës me të cilin kishe të njëjtat interesa, ose dikush i seksit tjetër që e simpatizoje.

Ka shumë mundësi të të ketë ardhur në mend këshilla e Biblës: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Por, a janë të gjithë njerëzit që nuk e adhurojnë Jehovain, një shoqëri e keqe? Po sikur ata të kenë disa cilësi të mira, madje të admirueshme? Ç’të themi për shoqërinë me një bashkëbesimtar, por që nuk lë një shembull të mirë? Përpara se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë se si dhe përse mund të na tërheqin këto shoqëri.

Pse të duken tërheqës?

Meqë të gjithë njerëzit janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, edhe disa që nuk e njohin Jehovain, mund të shfaqin cilësi të mira. Prandaj, ndoshta sheh se ata janë të respektueshëm, madje të këndshëm, pavarësisht se nuk adhurojnë Perëndinë e vërtetë. A duhet t’i shmangësh krejtësisht ata vetëm sepse nuk njohin të vërtetat biblike? Jo, aspak! Kur Bibla na këshillon «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve», kjo përfshin edhe ata që nuk kanë të njëjtat bindje të krishtere si të tuat. (Galatasve 6:10). Kështu, të kesh kujdes kur zgjedh shoqërinë e ngushtë, nuk do të thotë që duhet të sillesh sikur je më lart se të tjerët. (Fjalët e urta 8:13; Galatasve 6:3) Një sjellje e tillë nuk jep një dëshmi të mirë për bindjet e tua të krishtere.

Megjithatë, disa të rinj të krishterë i kalojnë kufijtë e të qenët të këndshëm me të tjerët, pra krijojnë lidhje të ngushta me njerëz që kanë pak ose aspak interes për gjërat frymore. Dani, i përmendur më sipër, ishte bërë një patinator i shkëlqyer. Njerëzit me të cilët ai filloi të shoqërohej rregullisht në pistë, nuk ishin të krishterë. Si përfundim, Dani u bashkua me ‘shokët’ e tij të sapogjetur në sjellje imorale dhe mori drogë. I vetëdijshëm se mënyra e tij e jetesës nuk përputhej më me parimet e krishtere, Dani e la shërbimin dhe nuk shkoi më në mbledhjet e kongregacionit. U desh të kalonin disa vjet para se të mblidhte forcat e të bënte ndryshimet e nevojshme që të kthehej në adhurimin e vërtetë.

Melania u lidh shumë me një shoqe të krishterë, që nuk po ecte mirë nga ana frymore. «Më thanë se kishte nevojë për inkurajim, kështu që nisa të shoqërohesha me të»,​—shpjegon Melania. Sigurisht që Bibla i inkurajon të krishterët ‘të mbështetin të dobëtit’. (1 Selanikasve 5:14) Por Melania filloi të shkonte bashkë me shoqen e re nëpër lokale, dhe shoqëritë e tjera që zuri atje, e shtynë në një sjellje të gabuar.

Roli i familjes

Atmosfera në familje mund të jetë një faktor që ndikon te tipat që të tërheqin në shoqëri. Mishela pyeste veten pse gjithmonë i pëlqenin djemtë me natyrë të ftohtë dhe moskokëçarës. Nxori përfundimin se ata i kujtonin të atin, i cili asnjëherë s’kishte pasur kohë për të, kështu, ajo kurrë nuk e ndjeu pranë. Për të ishte bërë kaq e natyrshme të kërkonte miratimin dhe vëmendjen e një njeriu të ftohtë, saqë ky lloj tipi, e tërhiqte si pa kuptuar.

Nga ana tjetër, një i ri, rritur nga prindër të krishterë, mund të bëhet kurioz se si jetojnë të tjerët, duke menduar se prindërit e tij ose të saj kanë qenë tepër kufizues. Sido që të jetë, a është zgjidhja të përpiqesh të gjesh lehtësim, duke u shoqëruar me ‘miqtë e botës’? (Jakovi 4:4) Shqyrtoni çfarë i ndodhi Billit.

Ndonëse nëna ia kishte mësuar Shkrimet që kur ishte i vogël, Billi vendosi të mos ia kushtonte jetën Jehovait, duke menduar se kjo do t’i kufizonte lirinë. Ngaqë donte ta zbulonte vetë jetën larg nga krishterimi i vërtetë, nisi të shoqërohej me një bandë që e futi në rrugën e drogës, të dhunës dhe të krimit. Në një rast, ndërsa ishte me shpejtësi të madhe për t’i shpëtuar policisë, u plagos dhe mbeti për muaj të tërë në gjendje kome. Mjekët menduan se nuk do t’ia hidhte dot. Lumturisht, Billi e mori sërish veten. Por, mbeti i verbër dhe i gjymtuar. Ai vuri mend nga përvoja e hidhur, dhe tani është një i krishterë i kushtuar. Gjithashtu, Billi kuptoi se, kur mëson duke e pësuar, mund t’i vuash pasojat për tërë jetën.

Ndikime të tjera

Disa herë media ndikon tek ideja që krijojnë të rinjtë për një shok ideal. Për shembull, nuk është e pazakontë që librat, programet televizive, filmat dhe videoklipet të vënë në qendër të tyre një hero që në fillim duket i vrazhdë ose mospërfillës, por më vonë del se ka një zemër të butë. Përshtypja që krijohet është se njerëzit të cilët duken të padhembshur dhe sikur mendojnë vetëm për veten, ka shumë të ngjarë të jenë të ndjeshëm dhe kujdesen për të tjerët. Për më tepër, media mund të përcjellë idenë se për të nxjerrë në dritë këto cilësi të shkëlqyera, nevojitet një shok i mirë, që shpesh është dikush i seksit tjetër. Kuptohet, ky koncept bën që librat, videoklipet apo programet televizive të kenë sukses. Gjithsesi, a mendon se në jetën e përditshme ndodh shpesh që gjërat të shkojnë siç tregohet në këto fantazi romantike? Është për të ardhur keq, por disa të rinj kanë rënë pre e këtyre fantazive të dëmshme. Janë miqësuar, madje janë martuar, me njerëz egoistë e të dhunshëm, duke shpresuar më kot që ata të «transformohen» në njerëz të dhembshur.

Shqyrtoni edhe një tjetër arsye përse disa tërhiqen nga njerëzit e gabuar. Ata e shohin veten si të padëshirueshëm dhe prandaj pranojnë gati çdo njeri që duket se shfaq njëfarë interesi ndaj tyre. Nensi, e përmendur më lart, e dinte çfarë thotë Bibla për martesën «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39) Por, gjithmonë mendonte se ishte e shëmtuar dhe kështu i erdhi mirë kur një shok i punës, i cili nuk kishte të njëjtin besim, nisi të interesohej për të. Filloi të dilte me të dhe për pak sa nuk kreu imoralitet seksual.

Siç tregojnë edhe përvojat më sipër, ka një sërë arsyesh që një të ri ose një të re të krishterë mund ta tërheqin individë që kanë ndikim të keq tek ai ose ajo. Dhe, duket se ekzistojnë po kaq mënyra për të justifikuar përse krijojnë miqësi të ngushtë me të tillë njerëz. Megjithatë, këto lloj miqësish sjellin në mënyrë të pashmangshme pasoja shqetësuese, madje shkatërrimtare. Përse?

Fuqia e miqësisë

E vërteta është se bëhesh si shokët e tu. Në këtë mënyrë, ata me të cilët kalojmë kohën, ushtrojnë një ndikim të madh te ne. Fjalët e urta 13:20 tregon se ky ndikim mund të jetë për mirë ose për keq: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» Shokët e ngushtë, tamam si dy njerëz që janë në të njëjtën makinë, patjetër që shkojnë në të njëjtin drejtim dhe mbërrijnë në po të njëjtin destinacion. Kështu, pyet veten: «A më çon rruga që ndjek shoku im atje ku dua të shkoj unë? A do të më ndihmojë të arrij synimet e mia frymore?»

Është e vërtetë se të bësh një shqyrtim të ndershëm mund të jetë e vështirë. Mund të kesh krijuar ndjenja të forta për atë njeri. Por, a duhet të udhëhiqesh vetëm nga ndjenjat kur zgjedh shokët? Mbase e ke dëgjuar këshillën që thuhet rëndom: «Bëj ç’të të thotë zemra.» Por, Fjalët e urta 28:26 thotë: «Kush i beson zemrës së tij është budalla.» Përse? Sepse «zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme». (Jeremia 17:9, BR; Numrat 15:39) Të jesh i pabesë do të thotë të jesh jobesnik, të shtiresh ose të dalësh nga fjala. A do t’i besonit dikujt që njihet si mashtrues dhe tradhtar? Zemra jonë figurative mund të jetë hileqare. Kështu pra, një shoqëri nuk është domosdoshmërisht e shëndetshme vetëm sepse ndihesh rehat.

Një udhëheqje shumë më e besueshme është Fjala e Perëndisë. Ndryshe nga zemra jote e papërsosur, parimet e Biblës nuk do të të zhgënjejnë kurrë. Si mund të të ndihmojnë parimet biblike që të përcaktosh nëse dikush mund të jetë një shok i mirë? Dhe, si mund të shmangësh një zgjedhje të gabuar kur bëhet fjalë për shokun ose shoqen e jetës​—bashkëshortin ose bashkëshorten? Këto pyetje do të shqyrtohen në një artikull të ardhshëm.

[Shënimi]

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

[Figura në faqen 20]

Media mund të ndikojë në pikëpamjen tonë për shokun ideal