Së shpejti fundi i të gjitha katastrofave
Së shpejti fundi i të gjitha katastrofave
«Fëmijë dhe fëmijë të fëmijëve. Dëgjoni! . . . Herët a vonë ky mal do të marrë flakë. Por, para se të ndodhë kjo, do të ketë gjëmime, bubullima e tërmete. Do të ketë tym, flakë dhe shkrepëtima. Ajri do të dridhet, do të gjëmojë e do të ulërijë. Mbathjani sa më larg të jetë e mundur! . . . Nëse e shpërfillni, nëse doni më shumë pasurinë dhe plaçkat sesa jetën, ai [mali] do t’i ndëshkojë moskokëçarjen dhe lakminë tuaj. Mos u merakosni për vatrën e shtëpinë, por ikni pa ngurruar.»
KY PARALAJMËRIM që gjendet në librin Tronditja e Tokës (anglisht), nga Andru Robinsoni, u gdhend në një pllakë përkujtimore në Portiçi—një qytet i vogël në rrëzë të malit Vezuv në Itali. Ajo pllakë u vu pas shpërthimit të vullkanit në vitin 1631. Nga shpërthimi vdiqën më shumë se 4.000 veta. Robinsoni thotë: «Ky shpërthim i vitit 1631 ishte një tekë e fatit. . . [dhe] e bëri Vezuvin një emër të njohur.» Si ka mundësi? Rindërtimi i Portiçit çoi në zbulimin e Herkulanit dhe të Pompeit. Të dy këto qytete u zhdukën kur Vezuvi shpërtheu në vitin 79 të e.s.
Plini i Riu, një romak që mbijetoi nga ajo katastrofë dhe më vonë u bë guvernator, shkroi për disa dridhje të pazakonta paralajmëruese. Ai dhe nëna e tij, bashkë me të tjerë, morën masa kur panë shenjat paralajmëruese dhe shpëtuan.
Një shenjë paralajmëruese në kohët tona
Sot po i afrohemi me të shpejtë fundit të sistemit ekonomik, shoqëror dhe politik të botës. Si e dimë këtë? Ngaqë Jezu Krishti foli për një sërë zhvillimesh në botë që do të shërbenin si shenjë paralajmëruese. Ajo do të tregonte se është afër dita kur Perëndia do të kërkojë llogari. Ashtu si vullkani që gjëmon, që nxjerr tym dhe hi, kjo shenjë e përbërë përfshin luftëra të mëdha, tërmete, zi buke dhe murtaja. Të gjitha këto e kanë pushtuar botën në një shkallë të paparë që nga viti 1914.—Mateu 24:3-8; Luka 21:10, 11; Zbulesa 6:1-8.
Shenja paralajmëruese që dha Jezui përfshin edhe një mesazh shprese. Ai tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Vini re se Jezui e quajti mesazhin e Mbretërisë ‘një lajm të mirë’. Ai është vërtet një lajm i mirë, sepse Mbretëria e Perëndisë, një qeveri qiellore në duart e Jezu Krishtit, do të ndreqë të gjitha dëmet që kanë shkaktuar njerëzit. Veç kësaj, ajo do të ndalojë të gjitha katastrofat natyrore.—Luka 4:43; Zbulesa 21:3, 4.
Kur erdhi në tokë si njeri, Jezui e tregoi fuqinë që kishte mbi elementet natyrore duke qetësuar një stuhi të rrezikshme. Të tmerruar, dishepujt e tij thanë: «Kush është në të vërtetë ky, sepse urdhëron edhe erërat e ujin dhe ato i binden?» (Luka 8:22-25) Sot, Jezui nuk është një njeri i thjeshtë, por një person i fuqishëm frymor. Prandaj, për të nuk do të jetë aspak e vështirë të mbajë nën kontroll elementet natyrore, që të mos i dëmtojnë nënshtetasit e tij.—Psalmi 2:6-9; Zbulesa 11:15.
Disave kjo mund t’u duket një iluzion. Por, mbani parasysh se profecitë biblike, ndryshe nga premtimet dhe parashikimet e njerëzve, janë përmbushur me pikë e me presje, duke përfshirë edhe profecitë që kemi parë të përmbushen qysh nga viti 1914. (Isaia 46:10; 55:10, 11) Po, e ardhmja paqësore e tokës është e garantuar. Edhe e ardhmja jonë do të jetë e sigurt, nëse marrim për zemër Fjalën e Perëndisë dhe i kushtojmë vëmendje paralajmërimit të tij të dashur për ngjarjet e rëndësishme që do të ndodhin së shpejti.—Mateu 24:42, 44; Gjoni 17:3.
[Kutia dhe figura në faqen 10]
ÇFARË SHPRESE KA PËR NJERËZIT E DASHUR QË NA KANË VDEKUR?
KUR vdekja na rrëmben një njeri të dashur, mund të na pushtojë pikëllimi. Bibla thotë se Jezui qau kur vdiq miku i tij i shtrenjtë, Lazari. Megjithatë, disa minuta më vonë, Jezui kreu një mrekulli befasuese, e ktheu në jetë Lazarin. (Gjoni 11:32-44) Kështu, ai i dha mbarë njerëzimit një bazë të fortë për të besuar në premtimin mahnitës që kishte bërë më parë gjatë shërbimit të tij, kur tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij [të Jezuit] dhe do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Shpresa e vyer për një ringjallje në një parajsë mbi tokë, ngushëlloftë të gjithë ata që u ka vdekur ndonjë njeri i dashur!—Veprat 24:15.
[Figurat në faqen 10]
A po i kushtoni vëmendje paralajmërimit se sistemi botëror është në ditët e fundit?
[Burimi i figurës në faqen 10]
USGS, David A. Johnston, Cascades Volcano Observatory