Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mbijetosh duke u maskuar

Të mbijetosh duke u maskuar

Të mbijetosh duke u maskuar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

NË BOTËN e insekteve, çdo ditë që zbardh paraqit dy probleme kryesore: si të gjesh prenë që të ngopesh dhe si të mos biesh vetë pre. Insektet janë kafshata tunduese për zogjtë, bretkosat dhe hardhucat. Shumë insekte mbijetojnë vetëm ngaqë mezi dallohen mes gjërave të ngjashme që i rrethojnë.

Që të mos bien në sy, disa lloj insektesh «maskohen» në mënyrë të mrekullueshme. Ky maskim është kaq i plotë, saqë ia kalon çdo lloj maskimi që ka shpikur zgjuarsia e njeriut. Shqyrtoni tre shembuj tepër interesantë.

Fluturat si gjethe e tharë. Pjesa e poshtme e flatrave të tyre të kafenjta, ngjan shumë me një gjethe të tharë. Krahët jo vetëm që kanë ngjyrën si të gjethes, por edhe në trup kanë ca pjesë që ngjajnë me damarët dhe kërcellin e saj. Maskimi është kaq i goditur, saqë fluturat mund të rrinë mbi gjethe të gjelbra dhe, prapëseprapë, të duken tamam si një gjethe e tharë që ka rënë nga kurora e pemës.

Bulkthat e kaçubave. Shumë bulktha të kaçubave mbijetojnë, jo ngaqë ngjasojnë me gjethet e thara, por me gjethet e gjelbra. «Kjo ngjashmëri nuk është vetëm në formë dhe në ngjyrë: ajo përfshin formën e damarëve dhe njollat e krijuara nga kërpudhat»,​—shpjegon një libër. Nëse shikoni me vëmendje fotografinë që është këtu, te flatrat e insektit do të shihni njollat e vogla, që e bëjnë të ngjajë edhe më shumë me gjethet e gjelbra.

Kërcimtarët e pemëve. Këto insekte të vogla rrallë vihen re. E pikërisht këtu është sekreti i mbijetesës​—ato shkrihen me sfondin që i rrethon duke imituar gjembat e vendosur radhë-radhë. Në këtë rast, çdo insekt ngjan si një gjemb, kurse një grup i tërë i rreshtuar mbi një degë, bën që ajo të duket sikur ka gjemba. Vetëm nëse do t’i vëzhgonit me kujdes, do të dallonit se «gjembat» s’janë gjë tjetër veçse kërcimtarët e veckël të pemëve.

Larmia e maskimeve të insekteve është po aq e jashtëzakonshme sa edhe përsosmëria. Një lloj larve në Kosta-Rika ngjan tamam si glasa zogu, ndërsa insektet që janë si shkopa, mezi dallohen nga shkopinjtë e vërtetë. Në Afrikën e Jugut është një lloj karkaleci që ngjan tepër me gurin, kurse një insekt i gjetur në Izrael, imiton në mënyrë të përsosur një bimë me lule ku edhe ushqehet.

I çfarëdolloj forme qoftë maskimi, ai i siguron mbrojtje insektit dhe na jep një pamje fantastike të larmisë mahnitëse të krijimit.

[Figura në faqen 22]

Insekti si shkop duke ecur

[Figura në faqen 23]

Flutura si gjethe e tharë

[Burimi]

Kopshti zoologjik, Santillana del Mar, Cantabria, España

[Figura në faqen 23]

Kërcimtarët e pemëve

[Figura në faqen 23]

Bulkthi i kaçubave

[Figura në faqen 23]

Një larvë që ngjan me jashtëqitjet e zogut

[Burimi]

© Gregory G. Dimijian/Photo Researchers