Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është astrologjia çelësi i së ardhmes suaj?

A është astrologjia çelësi i së ardhmes suaj?

Pikëpamja e Biblës

A është astrologjia çelësi i së ardhmes suaj?

SI MUND ta përmirësoni jetën, të keni sukses në dashuri dhe të bëheni të pasur? Shumë veta i drejtohen astrologjisë për të marrë përgjigje. Çdo ditë, miliona njerëz lexojnë horoskopin në gazeta, me shpresë që të përmirësojnë të ardhmen. Madje, ka pasur edhe udhëheqës që bazoheshin tek yjet për të marrë vendime.

A mund t’i besojmë astrologjisë? Si i bëjnë parashikimet astrologët? A duhet të lejojnë të krishterët që trupat qiellorë të vendosin se si të jetojnë?

Çfarë është astrologjia?

Sipas The World Book Encyclopedia, astrologjia «bazohet në bindjen se trupat qiellorë formojnë figura të cilat mund të tregojnë karakterin ose të ardhmen e një njeriu». Astrologët thonë se pozicioni i saktë i planetëve dhe shenjat e zodiakut që përkojnë me momentin kur lind një njeri, mund të ndikojnë në jetën e tij. * Pozicioni i këtyre trupave qiellorë në momente të caktuara, quhet horoskop.

Që në lashtësi njerëzit besonin tek astrologjia. Rreth katër mijë vjet më parë, babilonasit nisën të parathoshin të ardhmen duke u bazuar te pozicioni i Diellit, i Hënës dhe i pesë planetëve që dalloheshin më qartë. Babilonasit thoshin se këta trupa qiellorë ushtronin forca të caktuara që ndikonin në sjelljen e njerëzve. Më vonë, nisën të përdornin edhe shenjat e zodiakut në parashikimet që bënin.

Një histori e gjatë plot dështime

Bibla e drejton vëmendjen te lidhja mes Babilonisë dhe astrologjisë, dhe disa herë ajo përmend astrologët babilonas. (Danieli 4:7; 5:7, 11) Në ditët e profetit Daniel, astrologjia ishte kaq e përhapur në Kaldea (Babiloni), saqë, kur përdorej termi «kaldeas», ishte njësoj sikur të thoshe astrologë.

Danieli pa me sytë e tij sa ndikim të madh kishte astrologjia në Babiloni. Jo vetëm kaq, por ai pa edhe se si dështuan astrologët e saj të parashikonin rënien e qytetit. (Daniel 2:27) Vëreni çfarë kishte parathënë saktësisht profeti Isaia dy shekuj para se të binte Babilonia. «Le të ngrihen, pra, astrologët, ata që studiojnë yjet dhe bëjnë parashikime çdo muaj dhe le të të shpëtojnë nga gjërat që do të bien në kurriz,​—shkroi Isaia gjithë përçmim.​—Nuk do të shpëtojnë veten e tyre.»​—Isaia 47:13, 14.

Me sa duket, astrologët babilonas nuk mundën të parathoshin rënien e qytetit të tyre, madje as disa orë para se të ndodhte. Dhe, kur gjykimi i pafavorshëm i Perëndisë u shfaq në murin e pallatit të mbretit Belshazar, astrologët nuk ishin të aftë të shpjegonin kuptimin e shkrimit të mistershëm.​—Danieli 5:7, 8.

Astrologët e sotëm, nuk kanë dalë më të zotë në parashikimin e ngjarjeve të rëndësishme. Pasi studiuan mbi 3.000 parashikime astrologjike, studiuesit R. Kalveri dhe Filip Iana, dolën në përfundimin se vetëm 10 për qind e tyre ishin të sakta. Çdo analist i mirinformuar mund ta bënte këtë më mirë sesa astrologët.

Në kundërshtim me mësimet e Biblës

Megjithatë, profetët hebrenj nuk e hodhën poshtë astrologjinë vetëm se dukej qartë që ajo dështonte të parathoshte saktësisht të ardhmen. Ligji që Perëndia i dha Moisiut, i paralajmëronte posaçërisht izraelitët që të mos kërkonin oguret. «Të mos gjendet midis teje ndonjë që . . . praktikon shortarinë . . . që interpreton shenjat [kërkojnë ogure, BR],​—thoshte Ligji.​—Sepse të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti.»​—Ligji i përtërirë 18:10, 12.

Edhe pse Ligji i Moisiut nuk e përmend fjalën astrologji, në mënyrë të qartë ai ndalonte praktikimin e saj. Encyclopædia Britannica vëren se astrologjia është një «lloj falli që konsiston në parashikimin e ngjarjeve tokësore dhe njerëzore, duke vëzhguar dhe interpretuar yjet e palëvizshëm, Diellin, Hënën dhe planetët e tjerë». Të gjitha format e fallit​—qoftë nëse bazohen tek yjet, qoftë tek objekte të tjera​—shkelin udhëzimet e Perëndisë. Përse? Ka një arsye të fortë.

Në vend që t’ia kushtojmë suksesin ose dështimet tona yjeve, Bibla thotë qartë se «çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë». (Galatasve 6:7) Perëndia na quan përgjegjës për veprimet tona, sepse jemi krijesa me vullnet të lirë. (Ligji i përtërirë 30:19, 20; Romakëve 14:12) Është e vërtetë, mund të pësojmë një aksident ose mund të sëmuremi për shkak të gjërave që nuk i kontrollojmë dot. Por, Shkrimet shpjegojnë se këto fatkeqësi janë fryt i «kohës dhe rastësisë», jo i horoskopit tonë.​—Predikuesi 9:11.

Për marrëdhëniet njerëzore, Bibla na nxit të vishemi me cilësi të tilla, si: dhembshuria, mirëdashja, përulësia e mendjes, butësia, shpirtgjerësia dhe dashuria. (Kolosianëve 3:12-14) Këto cilësi janë çelësi për të ndërtuar miqësi jetëgjata dhe martesa të forta. «Përputhja në shenjat astrologjike» nuk është një udhëheqje e besueshme kur zgjidhni shokun ose shoqen e jetës. Psikologu Bernard Silvermeni, analizoi shenjat e horoskopit të 3.500 çifteve, 17 për qind e të cilëve ishin divorcuar. Përqindja nuk ishte më e ulët te numri i divorceve mes atyre që ishin martuar me dikë që ‘përputhej në shenjën astrologjike’.

Është e qartë, astrologjia nuk është e besueshme dhe të çon në rrugë të gabuar. Mund të na nxitë të fajësojmë yjet në vend se veten, kur gabojmë. Mbi të gjitha, Fjala e Perëndisë e dënon hapur astrologjinë.

[Shënimi]

^ par. 6 Shenjat e zodiakut janë 12 yjësi qiellore, që përdoren nga astrologët.