Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bukuria e së vërtetës më tërhoqi drejt Krijuesit

Bukuria e së vërtetës më tërhoqi drejt Krijuesit

Bukuria e së vërtetës më tërhoqi drejt Krijuesit

TREGUAR NGA TSUJOSHI FUXHII

DISA vjet më parë, m’u dha një rast i rrallë. Si ndihmësi i mjeshtër Senei Ikenobos, kreut të «Ikenobos», shkollës së kompozimit dekorativ me lule, duhej të sistemoja lulet në një dhomë elegante të Pallatit të Perandorit, në Tokio, Japoni. Punonim të mbikëqyrur nga të katër anët. Në atë atmosferë të tensionuar, bëja kujdes që të mos më binte përtokë as edhe një pikë uji. Ajo ishte një nga ngjarjet e shënuara të karrierës sime, në artin e kompozimeve me lule. Më lejoni t’ju shpjegoj si i hyra kësaj fushe.

Linda në vitin 1948, në qytetin e Nishiuakit, që ndodhet në veriperëndim të Kobes, Japoni. Që fëmijë më bënte përshtypje bukuria e ndryshme e katër stinëve, bukuri që pasqyrohet te lulet. Megjithatë, s’më shkonte kurrë mendja te një Krijues, pasi më rriti gjyshja që ishte një budiste e devotshme.

Mamaja ime vazhdon edhe sot e kësaj dite në qytetin tim të lindjes të japë mësime për ikebanën, siç quhet ndryshe arti i kompozimit me lule. Në Japoni, ikebana, që ndryshe njihet me emrin kado (kompozimi me lule), është një fushë që vlerësohet shumë. Edhe pse mamaja nuk ma mësoi ikebanën, përsëri ajo ndikoi shumë tek unë. Kur erdhi koha që të vendosja se ç’do të bëja në të ardhmen, dëshira ime ishte të studioja artin e ikebanës. Mësuesi dhe mamaja më këshilluan të shkoja në universitet, por unë, pa ngurruar, vendosa të shkoja në kolegjin «Ikenobo». Ikenobo është disiplina më e vjetër e ikebanës në Japoni. Më pranuan dhe nisa ta studioja me zell artin e kompozimit me lule.

Në botën e ikebanës

Ikebana, një art tradicional japonez, si temë ka vetë jetën. Më lejoni t’jua shpjegoj. Lulet e vendosura në kovë në një dyqan lulesh mund të duken të bukura, por a mund të krahasohen me lulet e vogla që çelin nëpër fusha ose me pemët që lulëzojnë në male? Kur je në natyrë, sikur merr jetë dhe provon ndjesinë e veçantë që të falin stinët. Tamam në këto momente mund t’ju drithërohet zemra. Ikebana është një mënyrë për ta shprehur bukurinë e natyrës me anë të luleve dhe bimëve, duke krijuar një motiv dekorativ me atë ç’ka ju prek thellë brenda jush.

Për shembull, ta zëmë se dëshironi të jepni ndjesinë e vjeshtës. Këtë mund ta arrini duke përdorur lulet e kësaj stine, si sanëzën dhe patrinian, bashkë me gjethe vjeshte. Dëshironi t’i shtoni freskinë e një flladi të lehtë? Disa kërcej eulalie që përkulen paksa, do t’u japin atyre që i shohin ndjesinë e flladit të vjeshtës. Më tërhiqte shumë ikebana dhe kënaqesha që e shprehja atë ç’ka ndieja përbrenda duke krijuar kompozime dekorative me lule dhe bimë.

Një «familje» e madhe

Historia e artit dekorativ të ikebanës është 500-vjeçare. Në shkollat e ikebanës mbizotëron sistemi që mund të quhet ‘sundimi i mjeshtrit’. Pozita e mjeshtrit trashëgohet brez pas brezi. Duke qenë trashëgimtar i traditave artistike, ai ka një autoritet patriarkal mbi «familjen» e madhe të pasuesve të tij. Përveç traditave, ai duhet t’i përcjellë brezit pasardhës, stilet e reja që ka krijuar vetë, në përputhje me epokën në të cilën jeton.

Pasi u diplomova në kolegjin «Ikenobo» dhe mbarova një kurs teknik dyvjeçar të kados, në janar të vitit 1971 fillova punë në Fondacionin Ikenobo. Planifikoja dhe organizoja në gjithë Japoninë «Ekspozita ikebana nga Ikenobo». Gjithashtu, udhëtoja në gjithë vendin bashkë me mjeshtrin si një nga ndihmësit e tij, për të bërë kompozime dekorative.

E mbaj mend mirë herën e parë kur isha në platformën e Qendrës Sportive «Fukuoka». Mjeshtri tregonte se si bëhej një kompozim me lule, kurse unë e ndihmoja. Kur pashë mijëra veta përpara meje, ngriva në vend. Përkula kërcej e preva degë, gjëra që s’duhej t’i kisha bërë. Por mjeshtri, me qetësi e kaloi me shaka situatën, ndërsa i shpjegonte auditorit se çfarë po bënte. Kjo më ndihmoi të çlirohesha nga emocionet.

Kur organizoheshin ngjarje kombëtare me pjesëmarrjen e njerëzve të famshëm nga shtete të tjera, e shoqëroja mjeshtrin për të sistemuar lulet. Siç e përmenda edhe në fillim, në një rast, punova në një dhomë elegante të Pallatit të Perandorit.

Më vonë, u ngrit Shkolla Qendrore e Stërvitjes Ikenobo, me synimin për të specializuar instruktorë në të gjithë vendin. Mua më besuan punën që kishte të bënte me mësimdhënien, me përgatitjen e programit mësimor, si dhe me mbikëqyrjen e prodhimit të teksteve e të filmimeve. Këto do të përdoreshin për të mësuar rreth 200.000 studentë në 300 filiale anembanë Japonisë. Udhëtova në tërë vendin për të mbikëqyrur këtë kurs. Ikenoboja ka degë edhe në shtete të tjera, ndaj shkoja në Tajvan disa herë në vit. Kështu, fitova besimin e mjeshtrit dhe kisha një pozitë me përgjegjësi.

Më pëlqente puna, por nuk isha plotësisht i kënaqur nga jeta. Pas velit të bukurisë, kishte gjëra që më zhgënjenin. Mes studentëve kishte xhelozi dhe smirë, që ktheheshin pastaj në shpifje, e disa instruktorë më kërkonin këshilla. Por, në një organizim ku ligjin e bënin zakonet e vjetra dhe pushteti, shumë gjëra nuk i kisha nën kontroll. Meqë shumë prej tyre e donin vërtet ikebanën dhe e merrnin seriozisht kursin, u përpoqa sinqerisht të bëja më të mirën që të provonin kënaqësi duke mësuar.

Më shfaqet bukuria e së vërtetës

S’më pëlqente feja, ngaqë mendoja se u verbonte mendjen njerëzve. Veç kësaj, kisha parë shumë hipokrizi tek ata që flitnin për paqe e lumturi. Kurse ime shoqe, Keikoja, e kishte kërkuar të vërtetën qysh nga fëmijëria. Ishte interesuar për disa fe dhe i kishte dëgjuar mësimet e tyre, por asnjëra s’ia kishte mbushur boshllëkun që ndiente për të marrë njohuri për Perëndinë.

Prandaj, kur një Dëshmitare e Jehovait na erdhi në shtëpi, Keikoja pranoi të fillonte një studim biblik. Më thoshte çdo gjë që mësonte dhe që i bënte përshtypje. Ajo që më tregonte Keikoja më tingëllonte bukur, por unë s’isha entuziast si ajo.

Gjithsesi, Keikoja më fliste vazhdimisht dhe me bindje të plotë për çfarë mësonte nga Bibla. Gjithnjë kur nisesha për udhëtim, pa më thënë fare më vinte në çantë dy revista që flitnin për Biblën. Por unë s’i lexoja. S’doja të shkatërroja atë që kisha ndërtuar gjatë gjithë atyre viteve. Sapo kishim blerë shtëpi dhe, kushedi pse, mendoja se po të pranoja mësimet e Biblës, do më duhej ta shitja. Ndërkohë, Keikoja bëri përparim të shpejtë dhe e zbatonte atë që besonte. Ndihesha i mënjanuar dhe i vetmuar. Edhe pse e dija që gjërat që më thoshte ishin të drejta, nisa ta kundërshtoja.

Kundërshtar e megjithatë i interesuar

Zakonisht kthehesha natën vonë nga puna, por ato mbrëmje kur Keikoja shkonte në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, kastile vonohesha edhe më shumë. Edhe kur shkoja në shtëpi aty nga ora 2 a 3 e mëngjesit, Keikoja interesohej për mua dhe më priste që të më tregonte se ç’kishte ndodhur gjatë ditës. Mirëpo, unë s’e pranoja dot mendimin që familja të ikte nga shtëpia për disa orë që të ndiqte mbledhjet e krishtere. Fillova ta kundërshtoja edhe më shumë dhe nisa t’i thosha se do ta ndaja. Por, Keikoja nuk u lëkund.

S’arrija ta kuptoja sjelljen e saj. Edhe pse marrëdhënia jonë ishte e nderë dhe ajo kishte kriza astme, ishte shumë e lumtur në çdo gjë që bënte. Pikërisht, zemra e pastër e Keikos dhe përzemërsia e saj e çiltër më kishin tërhequr fillimisht tek ajo. Ja pse isha i shqetësuar kur filloi të studionte Biblën, pasi trembesha se mos e mashtronin.

Megjithatë, Keikoja e zbatonte atë që po mësonte dhe përpiqej të ishte bashkëshorte dhe nënë e mirë. Ndonëse e kundërshtoja, kur ajo më lutej të shkoja në mbledhje dhe në asambletë e krishtere, nganjëherë i ndiqja, mbase sepse isha krenar për të.

Në të njëjtën kohë, isha xheloz për Jehovain. Kur e shihja Keikon që përpiqej të ndryshonte, pyesja veten përse mësimet e Biblës ndikojnë kaq shumë te njerëzit. Mendoja: ‘Pse ime shoqe është gati të durojë gjithfarë vështirësish për hir të Jehovait?’

S’kaloi shumë dhe disa vëllezër të krishterë nga kongregacioni i Keikos donin të më bënin një vizitë në shtëpi. S’kisha qejf t’i takoja. Megjithatë, doja të dija pse Keikoja kishte një paqe të tillë mendore. Së fundi, kureshtja fitoi, dhe pranova të bëja një studim biblik. Ndërsa i njihja më nga afër ata që më vinin për vizitë, ndieja se prania e tyre sikur më ripërtërinte. Nëpërmjet studimit javor, e vërteta biblike dalëngadalë më hyri në zemër dhe fillova të zgjeroja pikëpamjen time.

Bukuria e natyrës dhe e së vërtetës biblike

Kur përpiqesha të shprehja bukurinë dhe fuqinë e natyrës me anë të ikebanës, kisha merak se si ta përcillja madhështinë e saj. Pastaj, kur mësova se mrekullitë e natyrës i kishte krijuar Jehovai, gjithçka m’u bë e qartë. E si mund të konkurrojë një njeri i thjeshtë me Krijuesin, për sa i përket aftësisë artistike? Jehovai është Artisti më i Madh. Megjithatë, duke u përpjekur ta kopjoja, nisa të bëja kompozime dekorative shumë më të bukura. Në fakt, pasi fillova të studioja Biblën, njerëzit më thoshin se kompozimet e mia kishin ndryshuar. Tani dinamizmit i ishte shtuar edhe ëmbëlsia.

Falë të vërtetave të Biblës, për herë të parë, kuptova shumë gjëra. Mësova se sundimtari i botës, Satana Djalli është ai që shkakton vuajtje te njerëzit dhe se zemra jonë është tradhtare për shkak të mëkatit të trashëguar nga Adami. Kështu, më në fund kuptova pse po ndodhin gjithë këto gjëra përreth nesh. (Jeremia 17:9; 1 Gjonit 5:19) Mësova se Jehovai është një Perëndi paqësor, plot dashuri, drejtësi, fuqi dhe mençuri (Ligji i përtërirë 32:4; Romakëve 11:33; 1 Gjonit 4:8; Zbulesa 11:17); se Perëndia, i nxitur nga dashuria, dërgoi Jezuin të vdiste për ne (Gjoni 3:16; 2 Korintasve 5:14); dhe se do të vijë koha kur nuk do të ketë më as vuajtje dhe as vdekje (Zbulesa 21:4). U mrekullova nga bukuria e këtyre të vërtetave. Përveç kësaj, Dëshmitarët e Jehovait zbatojnë mësimin e Jezuit që ta ‘duam të afërmin si vetveten’. Duke e parë me sytë e mi këtë, u binda se kjo ishte feja e vërtetë.​—Mateu 22:39.

Një pengesë që duhej të kapërceja

Kur e vërteta m’u rrënjos në zemër, hasa një pengesë. Kur mjeshtri nuk kishte mundësi të shkonte nëpër funerale, shpesh e kisha përfaqësuar unë në ritet budiste. Kjo u bë një sprovë, kur po mendoja t’ia kushtoja jetën Jehovait. Vendosa të mos merrja pjesë në ritet budiste. (1 Korintasve 10:21) Me respekt, i shpjegova mjeshtrit se kisha vendosur të pagëzohesha së shpejti dhe se e kisha ndarë mendjen të mos merrja pjesë në asnjë fe tjetër, qoftë edhe në ato raste kur e kërkonte puna. Më tha se s’kishte asnjë kundërshtim të bëhesha i krishterë dhe se mund të vendosja vetë për çështjet që kishin të bënin me fenë. Kjo përgjigje ishte një surprizë e këndshme për mua, sepse mendoja që ai do të më pushonte nga puna.

Pasi e kapërceva këtë pengesë, u pagëzova në simbol të kushtimit tim ndaj Jehovait, në një asamble të krishterë që u mbajt në qershor 1983, një vit pasi kisha filluar studimin. Kur dola nga vaska e pagëzimit, Keikoja më doli përpara duke buzëqeshur dhe me lot në sy. Bashkë me Keikon, me sy të përlotur, falënderova Jehovain që ishim kaq të lumtur.

Vendos të heq dorë nga karriera

Mjeshtri kishte treguar shumë mirëkuptim për qëndrimin tim si i krishterë i kushtuar. Mundohesha t’i përmbushja përgjegjësitë e mia edhe më mirë se më parë. Megjithatë, përpiqesha edhe të mbaja ekuilibrin midis punës dhe jetës si i krishterë. Për shtatë vjet, e shtova pjesëmarrjen në shërbim disa muaj gjatë vitit.

Mirëpo, duhej të mendoja seriozisht për gjendjen frymore të tim biri, si edhe për shëndetin e Keikos që po keqësohej. ‘Duhet të kaloj më shumë kohë me familjen time’,​—mendoja. Po ashtu, doja të mbaja në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë. Këto nevoja dhe dëshira më shtynë t’i lutesha Jehovait për vendimin që të lija karrierën time në fushën e ikebanës. Mjeshtri e kuptoi se e kisha të mbledhur mendjen, dhe në korrik të vitit 1990, në moshën 42-vjeçare, dola në pension pa ndonjë problem.

Ndihmoj të tjerët të shohin bukurinë e së vërtetës

Jo shumë kohë pasi dola nga puna, fillova shërbimin e plotkohor, për t’i ndihmuar të tjerët të gjenin të vërtetën. Tani kaloj një ditë në javë duke dhënë mësime për kompozimin me lule, pa kufizimet e stilit ikenobo. Kam privilegjin të shërbej si plak kongregacioni; Keikoja është pioniere dhe ka më pak kriza astme se më parë. Djali ynë, që tani është martuar, është shërbëtor ndihmës në një kongregacion afër nesh. Sa privilegj i çmuar është për të gjithë ne si familje që t’i shërbejmë Jehovait!

Mezi po pres që nën sundimin e Mbretërisë së Jezu Krishtit, t’i përdor lulet që do të rris në kopshtin tim, për të krijuar dekore të bukura. Dëshira ime e sinqertë është që bashkë me familjen time të dashur, ta lavdëroj përgjithmonë emrin madhështor të Jehovait, Krijuesit të çdo gjëje të bukur.

[Figura në faqen 23]

Me artin e ikebanës, mund të shprehësh ndjesinë që të lë bukuria e natyrës

[Figurat në faqen 23]

Me gruan, djalin dhe familjen e tij