Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lodrat: Në të shkuarën dhe në të sotmen

Lodrat: Në të shkuarën dhe në të sotmen

Lodrat: Në të shkuarën dhe në të sotmen

FILIPI * dhe shokët e tij, gjithë gëzim shohin se si kërcen topi që kanë sajuar vetë me copa spangosh. Nisin ta gjuajnë dhe, plot gjallëri, luajnë futboll. Majku mrekullohet kur sheh se makina e tij e vogël u përgjigjet urdhrave të pultit që mban në dorë. E lëviz kollaj fare, para dhe prapa. Në shtëpi, Andrea bashkë me shoqet e saj të vogla, i veshin kukullat me rroba dhe këpucë, dhe i tregojnë njëra-tjetrës se si do të vishen kur të rriten.

Çfarë kanë të përbashkët këta fëmijë? Lodrat. Mund të luajnë me to për orë të tëra. Disa herë, një lodër​—si për shembull një ari me pellush, që pëlqehet shumë​—bëhet shok i pandashëm i fëmijës që nga foshnjëria. Madje, fotografitë e disave vihen në albumin e fotografive të familjes. Cila është origjina e lodrave? Përse janë kaq të rëndësishme për fëmijët?

Origjina e lodrave

Një enciklopedi thotë: «Një lodër është shpesh një mjet që përdoret në një lojë. Lodrat vijnë nga e kaluara e largët dhe nga shumë kultura. Ato variojnë nga më të thjeshtat deri te më të ndërlikuarat, nga një shkop i thjeshtë që zgjedh fëmija dhe e imagjinon si kalë dhe e nget, deri te pajisjet mekanike të sofistikuara e të komplikuara.» Pra, çdo send që përdoret për t’u argëtuar, mund të kthehet në një lodër. Dhe, duke qenë se njerëzit natyrshëm kërkojnë mënyra të argëtohen, ka shumë të ngjarë që lodrat të jenë po aq të lashta sa edhe vetë njerëzimi.

Për shembull, kukullat​—ose pjesë të mbetura nga to​—janë gjetur në vende si Babilonia e lashtë dhe Egjipti. Ka shumë mundësi që kukullat të jenë lodrat më të hershme. Edhe topi është një lodër e lashtë. Edhe pse askush nuk e di se kur u përdor për herë të parë topi, në varrin e lashtë të një fëmije egjiptian janë gjetur birila prej guri drejt të cilave rrokullisej një top guri, siç bëhet në lojën me birila sot.

Jo-Jo-të e bëra prej guri ekzistonin më shumë se tre mijë vjet më parë në Greqi dhe, sipas të dhënave, mendohet të jenë përdorur edhe në Kinën e lashtë. Kukullat prej lecke dhe figurat gjeometrike prej fildishi që përputheshin e formonin kështu figura të ndryshme, ishin lodrat e fëmijëve romakë. Gjithashtu, djemtë grekë dhe romakë luanin me karroca të vogla, që tregon se lodrat transportuese kanë qenë shumë të përhapura prej vitesh. Në një muze, paraqitet një figurë kafshe prej argjile mbi rrota, e cila mund të jetë lodër e një kulture të lashtë meksikane. Është interesante, se nuk është gjetur asnjë rrotë tjetër që i përket kësaj kulture. Në mesjetë, topat vezakë ose të rrumbullakët bëheshin duke fryrë fshikëzat e kafshëve. Pak a shumë si futbolli që luhet sot, topat i gjuanin për të bërë gol.

Më vonë, në shekullin e 18-të, në Angli dolën mozaikët (bashkon pjesëzat për të formuar figurën e plotë) për qëllime mësimore, dhe u përhapën shumë në të hyrë të shekullit të 20-të. Gjithashtu, në këtë kohë nisën të përdoreshin gjerësisht pastelet. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, një kompani prodhoi mbi njëqind miliardë pastele. Pra, siç mund ta shihni, disa nga lodrat moderne, zënë fill në të kaluarën e largët, dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Pse luajmë me lodra dhe i duam ato?

«Loja është një aktivitet i natyrshëm për çdo fëmijë. Ajo i jep shumë mundësi fëmijës që të mësojë, të rritet fizikisht, mendërisht dhe të krijojë miqësi me të tjerët. Nëse loja është puna e fëmijës, atëherë lodrat duhet të jenë veglat e punës, dhe lodrat e përshtatshme mund ta ndihmojnë fëmijën ta bëjë sa më mirë punën e tij.» Kështu e përshkruan rëndësinë e lodrave një manual i nxjerrë nga organet qeveritare për të përzgjedhur lodrat e përshtatshme.

Sigurisht, arsyeja kryesore që lodrat janë kaq të përhapura është se kënaqesh kur luan me to. Sidoqoftë, ato luajnë një rol domethënës në zhvillimin e fëmijës. Mendoni pak për shembujt vijues. Kur një fëmijë shtyn një karrocë-lodër, ai vë në lëvizje dhe forcon muskujt. Kur hidhet në litar, përmirëson aftësinë e bashkërendimit të lëvizjeve. Kur rri me një këmbë që të gjuajë topin ose kur i jep biçikletës, mëson të ruajë ekuilibrin. Ose, kur ndërton me kuba apo kur pikturon, mëson t’i kontrollojë lëvizjet në mënyrë të saktë.

Ç’mund të themi për intelektin e fëmijës? Aftësitë gjuhësore zhvillohen kur fëmija përfshin në lojë këngën dhe recitimin, si për shembull, teksa hidhet në litar ose luan ‘e ka kush e ka’. Gjithashtu, aftësia e të menduarit dhe aftësia krijuese e një fëmije nxiten kur ai ndërton një strukturë me kuba, ndjek udhëzimet e lojës, vë pjesëzat për të formuar një figurë, bën sikur është ndonjë nga personazhet e tregimeve që lexon, ose luan pjesë duke u veshur me kostume. E njëjta gjë ndodh edhe kur ai i bie një instrumenti muzikor, qep, vizaton etj.

Loja i ndihmon fëmijët të zhvillojnë karakterin shoqëror​—domethënë të krijojnë marrëdhënie me të tjerët​—dhe kjo nuk është më pak e rëndësishme, si për shembull kur formojnë një skuadër për të luajtur me top. Dr. Brus Dunkan Perri thotë: «Fëmija fillon t’i kuptojë ata që e rrethojnë dhe mund të bëhet më empatik e më pak egocentrik. Kur lozin me moshatarët, fëmijët mësojnë një sistem me rregulla shoqërore, pra si të kontrollojnë veten dhe të lëshojnë pe kur nuk u del gjithnjë e tyrja.»

Gjithashtu, fëmijët i përdorin lodrat për të imituar veprimet e të rriturve. Filozofi grek, Aristoteli, tha: «Imitimi është një instinkt i njeriut qysh foshnjë.» Po, duke luajtur, fëmijët imitojnë dhe kështu mësojnë shumë nga aktivitetet e jetës së përditshme. Mund të imagjinojmë një vajzë të vogël që përkund kukullën e saj për ta vënë në gjumë, njësoj si do të veprojë më vonë kur të bëhet vërtet me fëmijë. Ose, mbase bën sikur përgatit ushqim për të ngrënë bashkë me shoqet. Në mënyrë të ngjashme, djemtë lëvizin «automobilat» e tyre përqark, imitojnë edhe zhurmën e motorit, duke u praktikuar kështu që të ngasin vërtet makinën kur të rriten. Megjithatë, kur të zgjidhni të blini lodra për fëmijët, është mirë të mbani parasysh disa faktorë. Përse?

Përzgjidhni lodrat

«Sot, lodrat përkrahin pikëpamjen e një shoqërie të dhunshme që thyen ligjet»,​—thotë The Daily Telegraph e Londrës. Sipas një artikulli të gazetës meksikane La Jornada, ndonëse ky pohim nuk zbatohet për të gjitha llojet e lodrave, sot është më se normale të gjesh më pak lodra tradicionale, dhe më shumë «personazhe muskulorë dhe groteske . . . me një pamje agresive». Artikulli citon fjalët e Patricia Erlishit, mësuese dhe studiuese në Universitetin Xochimilco Autonomous, që thotë se shumë nga lodrat që janë në treg, nxitin ideologjinë sunduese ku parapëlqehen forca, dhuna, fuqia, nënshtrimi dhe frika.

Shoqëria Kombëtare e Psikologëve të Shkollave në Shtetet e Bashkuara, pohon se mbajtja e lodrave që nxitin dhunën, «mund të ketë një ndikim negativ në aftësinë e fëmijës që të mësojë dhe të zhvillohet, e mund të sjellë pasoja të rënda». Nga disa studime është vërejtur që videot me dhunë dhe lojërat e dhunshme kompjuterike, mund të shkaktojnë një sjellje agresive te fëmijët, që çon pastaj në krime. Kështu, çdo i rritur që kujdeset për një fëmijë, duhet të mendohet mirë kur të zgjedhë lodrat e përshtatshme për të.​—Shih kutinë në faqen 26.

Përparimi teknologjik modern ka bërë që të ketë gjithfarëlloj lodrash dhe mjaft të sofistikuara. Por, mbase prindërit nuk i blejnë dot këto lodra se janë të shtrenjta, fëmijëve u dalin shpejt nga qejfi ose thjesht nuk u sjellin ndonjë dobi. Lian, një nënë e vetme me pesë fëmijë, nga Australia, thotë: «Djemtë më të mëdhenj ndikohen nga reklamat dhe shpesh duan të blejnë lojëra kompjuterike të shtrenjta. Megjithatë, duket se kënaqen më shumë dhe ushtrohen kur luajnë në oborr, me një kosh e një top llastiku që s’kushton kushedi sa. Kam parë se lodrat e thjeshta nuk prishen shpejt dhe i nxitin fëmijët të përdorin më tepër fantazinë.»

Përse të mos i bësh vetë lodrat e tua?

Nëse je fëmijë dhe nuk mund t’i kesh lodrat që kanë dalë kohët e fundit, përsëri mund të jesh i lumtur duke vënë në punë fantazinë dhe imagjinatën. Në shumë vende të botës, fëmijë si ti, i shpikin vetë lodrat.

Shiko fotografitë në këto faqe. A nuk të duken se po kënaqen këta fëmijë? Të ndërtosh «makina» nuk është dhe aq kollaj. Duhet të mbledhësh copa telash të vjetër dhe t’i përkulësh në formën që duhet. Për të bërë rrotat, mjafton të presësh një gomë ose ndonjë send plastik në formë sfere. Çfarë mendon për trenin që është bërë me shishet e pijeve ose të qumështit? Ose, çfarë mendon për kamionin prej druri? Disa herë edhe mund t’i ngasësh këto lodra, si për shembull këtë ‘motor’ afrikan që është bërë në shtëpi. Këta fëmijë, e kanë kuptuar se s’është e thënë që lodrat të jenë të shtrenjta që të kënaqen me to. T’i bësh vetë, po ashtu, është kënaqësi. Përse të mos e provosh njëherë?

[Shënimi]

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.

[Kutia dhe figura në faqen 26]

Një lodër e mirë është . . .

● E përshtatshme dhe e sigurt për moshën dhe aftësitë fizike të fëmijës

● Kur është e ndërtuar mirë dhe nuk prishet lehtë (fëmijët kanë prirjen ta çmontojnë pjesë-pjesë)

● E bukur dhe mjaft interesante, që të tërheqë vëmendjen e fëmijës

● Kur nxit fantazinë dhe imagjinatën e fëmijës

● E përballueshme ekonomikisht

● Johelmuese

[Kutia dhe figura në faqen 27]

Shmangia e rreziqeve nga lodrat . . .

● Lodrat e fëmijëve më të rritur mbajini larg nga fëmijët e vegjël

● Lexoni me kujdes të gjitha etiketat e sigurisë dhe udhëzimet, bashkë me fëmijën nëse është e mundur

● Mësojini fëmijës, si dhe shokëve me të cilët luan, si t’i përdorin dhe si t’i lënë lodrat ashtu si duhet

● Shmangni lodrat që bëjnë shumë zhurmë, të cilat mund ta dëmtojnë fëmijën

● Kontrollojini lodrat herë pas here. Në shumë raste, një lodër e prishur ose duhet rregulluar ose duhet hedhur menjëherë

● Lodrat që mund të jenë të rrezikshme, si për shembull ato me shigjeta, që kanë pjesë të mprehta, dhe lodrat që punojnë me korrent, duhet të përdoren vetëm nga fëmijë të rritur dhe nën mbikëqyrjen e të mëdhenjve

● Lodrat që kanë pjesë të vogla të cilat gëlltiten kollaj, duhen mbajtur larg nga fëmijët e vegjël

[Figura në faqen 24]

Luan dhe iriq në një plaformë lëvizëse, mijëvjeçari i dytë, p.e.s., Iran

[Burimi]

Luani dhe iriqi: Erich Lessing/Art Resource, NY

[Figura në faqen 25]

Kukull argjile, rreth vitit 600 p.e.s., Itali

[Figura në faqen 25]

Fugë, periudha klasike greke, rreth vitit 480 p.e.s.

[Figura në faqen 25]

Kukull me lëvozhga misri, kolonitë e Amerikës

[Figura në faqen 25]

Pastelet me ngjyra, në fillim të viteve 1900, Shtetet e Bashkuara

[Figurat në faqen 26]

Fëmijë me lodra që i kanë bërë vetë në shtëpi

[Diçiturat e figurave në faqen 25]

Kukull argjile: Erich Lessing/Art Resource, NY; lart: Réunion des Musées Nationaux/ Art Resource, NY; kukull me lëvozhga misri: Art Resource, NY