Një artikull i vjetër prek zemrat
Një artikull i vjetër prek zemrat
NË NJË shkollë të Suvaukit, në verilindje të Polonisë, një mësuese u kërkoi nxënësve të përgatiteshin, sepse do të diskutonin për abortin. Justina 16-vjeçare mblodhi informacione nga botimet e Dëshmitarëve të Jehovait. Ditën e caktuar për diskutimin, mësuesja i la nxënësit të shprehnin mendimin e tyre.
«Shkova te mësuesja dhe i tregova artikullin ‘Ditari i një foshnjeje që s’lindi kurrë’, botuar në revistën Zgjohuni! të 22 majit 1980»,—thotë Justina. Ajo i tha mësueses: «Ju lutem, vini re se është shkruar nga pikëpamja e një fëmije, një fetusi, që do ta abortojnë. Mendoj se është shumë interesant.» Mësuesja nisi ta lexonte me zë artikullin. Nxënësit s’pipëtinin; të gjithë dëgjonin me vëmendje.
Pa vajtur ende në gjysmë të artikullit, mësuesja nuk vazhdonte dot më, prandaj i kërkoi një nxënëseje ta lexonte. Mësuesja u ul dhe zuri të qante. Pas leximit të ditarit, nisi një diskutim interesant dhe disa nxënës kërkuan një kopje të artikullit. «Klasa ndryshoi mendim për literaturën që botojnë Dëshmitarët e Jehovait,—thotë Justina.—Më parë kishin mendim negativ, por tani e shihnin me sy të mirë. Madje, një djalë filloi të lexonte rregullisht revistën Zgjohuni!»
Ashtu si Justina përdori në mënyrë të dobishme një artikull që gjeti në një revistë Zgjohuni!, e cila doli më shumë se 20 vjet më parë, po kështu edhe ju mund të gjeni «një torbë plot mençuri» në numrat e kaluar të kësaj reviste. (Jobi 28:18, BR) Kur ndiqni mbledhjet në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, mund të shqyrtoni volumet e lidhura të revistave Zgjohuni!, që janë atje në bibliotekë. Do të kënaqeni duke lexuar artikuj të dobishëm që s’e humbasin vlerën me kalimin e kohës. Mund të merrni edhe një kopje të kohëve të fundit të revistës Zgjohuni!, nga Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.
[Figura në faqen 31]
Justina, kur ishte në shkollë