Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Fëmijët ‘e vështirë’ mund të ndreqen
«Shumë fëmijë që janë ‘të vështirë’ në moshën e shkollës tetëvjeçare, piqen ndërsa rriten,—thuhet në gazetën The Sydney Morning Herald.—Ata mund të bëhen adoleshentë të ekuilibruar.» Në një studim të bërë nga Instituti Australian për Studimet mbi Familjen, u ndoq ecuria e 178 fëmijëve të cilët, në moshën 11-12-vjeçare shfaqnin tri a më shumë karakteristika të tilla si: «shumë agresivë, nuk bashkëpunonin, pa vetëkontroll, mezi përqendroheshin kur bënin diçka, hiperaktivë, me një temperament shpërthyes ose me humor të paqëndrueshëm». Gjashtë vjet më vonë, 100 nga këta të rinj silleshin «pothuajse njëlloj si një grup të rinjsh më të shtruar». Çfarë i ndihmoi të ndreqeshin? «Në përgjithësi, fëmijët që u bënë adoleshentë me natyrë të gëzuar, nuk ishin shoqëruar me moshatarë problematikë në shoqëri [dhe] gjithashtu, kishin qenë më të mbikëqyrur nga prindërit»,—thuhet në raport.
Arushat nuk tremben nga turistët
«Prania e turistëve të zhurmshëm në parqet natyrore, çuditërisht mund të jetë e dobishme për arinjtë e murrmë që jetojnë të lirë në natyrë»,—thuhet në revistën New Scientist të Britanisë. Kur njerëzit shkojnë të vizitojnë parqe natyrore të largëta, shpesh ndikojnë në sjelljen e kafshëve e, nganjëherë, pasojat janë shkatërrimtare. Megjithatë, artikulli thotë se, kërkuesit britanikë dhe amerikanë që po studionin arinjtë e murrmë në një vend të izoluar ku shumohet salmoni, në Kanadanë Perëndimore, «zbuluan se, ndonëse arinjtë e rritur u rrinin larg turistëve, . . . prania e njerëzve nuk i shqetësonte arushat dhe të vegjlit e tyre. Dukej se zhurmën e autobusëve e kishin si sinjal që tregonte se arinjtë e rrezikshëm ishin larguar nga lumi». «Edhe kur arinjtë meshkuj ishin larguar fare nga zona, arushat nuk dilnin derisa të vinin turistët.» Me sa duket, arushat përfitojnë nga kjo mundësi, që të ushqehen në zonat më të mira, pa rrezikuar këlyshët e tyre nga arinjtë meshkuj që i sulmojnë.
Kur shkon në punë i sëmurë
«Njerëzit që e detyrojnë veten të shkojnë në punë, edhe pse janë sëmurë,—thotë gazeta britanike në Internet, Telegraph,—po shtojnë rrezikun për t’u sëmurur nga zemra». Shkencëtarët në Kolegjin Universitar të Londrës, studiuan gjendjen shëndetësore dhe praninë në punë të më shumë se 10.000 nëpunësve në Londër, për një periudhë mbi dhjetë vjet. Sër Majkëll Marmoti, drejtuesi i studimit, tha se rreth 30-40 për qind e punonjësve që nuk ndenjën në shtëpi kur ishin sëmurë—qoftë edhe me grip—«e kishin dyfishuar rrezikun e sëmundjeve koronare në vitet pasuese».
Fjala më e vështirë në botë për t’u përkthyer
BBC News thotë se «fjala më e vështirë në botë për t’u përkthyer, është përcaktuar fjala ‘ilunga’ e gjuhës tshilube», e cila flitet në Republikën Demokratike të Kongos. Në një anketë që u bë me një mijë gjuhëtarë për të përcaktuar fjalën më të vështirë, kjo ishte më e votuara. Fjala ilunga do të thotë «një njeri që është gati të falë çdo gabim herën e parë, ta tolerojë herën e dytë, por jo herën e tretë». Një fjalë tjetër që mori shumë vota, ishte naa, një fjalë japoneze që përdoret vetëm «në zonën japoneze të Kansait, për të theksuar pohimet ose për të qenë dakord me dikë tjetër». Sipas Jurga Zhilinskienes, drejtoreshë administrative e agjencisë së përkthimit që mbikëqyri këtë anketë, «nganjëherë njerëzit harrojnë se përkthyesi . . . jo vetëm që duhet të përkthejë nga njëra gjuhë në tjetrën, por edhe nga njëra kulturë në tjetrën, [dhe] disa herë, thjesht nuk ka një ide të njëjtë në të dyja kulturat».
Leximi jashtë klase të ndihmon të marrësh nota më të mira
Në gazetën Milenio të qytetit të Meksikos thuhet se leximi në kohën e lirë ndihmon më shumë të marrësh nota të mira, sesa «orët që harxhohen duke mësuar, arsimi i prindërve, shënimet që merren në klasë ose përdorimi i kompjuterit». Nga studimi i qindra mijëra provimeve për pranimin në shkollat e mesme, doli se nxënësit që i kushtojnë kohë edhe mësimeve, edhe leximit jashtë klase, ka më shumë të ngjarë të dalin me nota të mira. S’është e nevojshme që nxënësit të zgjedhin vetëm libra shkollorë. Ata mund të lexojnë edhe thjesht për kënaqësi, si për shembull libra biografikë, libra me poezi ose libra shkencorë. Nga ana tjetër, artikulli thotë se nxënësit që çdo ditë rrinë me orë të tëra përpara televizorit në vend se të lexojnë, në përgjithësi kanë nota më të dobëta.
Mashtrojnë rreth përgatitjes profesionale
Edhe pse në përgjithësi, ata që kërkojnë punë duan ta prezantojnë veten që të lënë një përshtypje sa më të mirë para punëdhënësve të mundshëm, disa thonë mashtrime kokë e këmbë. Sipas gazetës The Sydney Morning Herald, në një studim të bërë nga kompania Australian Background, që merr të dhëna për njerëzit që kanë paraqitur kërkesat për vende pune, u zbulua se nga 1.000 veta që kërkonin punë, 21 për qind i kishin gënjyer punëdhënësit për kualifikimet e tyre. Veç kësaj, në gazetë thuhej se «60 për qind e atyre që kishin qenë të dënuar për krime, nuk e kishin pranuar këtë, madje as kur i kishin pyetur». «Ai që kërkon punë mund të thotë se ishte zot i tërë botës,—thotë drejtori i punësimit Geri Brak.—Po kur i hyn pak më thellë dhe heton punën e fundit që ka bërë, mund të zbulosh se ka qenë zot vetëm në një qoshe zyre.»
Jeta sedentare më vdekjeprurëse se duhani
«Jeta pa aktivitet, është më vdekjeprurëse se duhani»,—thotë një studim që u bë lidhur me aktivitetet fizike të 24.000 banorëve të Hong-Kongut, të cilët vdiqën gjatë vitit 1998. Gazeta South China Morning Post thotë se nga ky studim doli se mungesa e lëvizjes e shton rrezikun e vdekjes së parakohshme me 59 për qind për burrat dhe 33 për qind për gratë. «Nëse nuk pini duhan, shumë mirë. Por, nëse nuk bëni ushtrime fizike, jeni [prapëseprapë] në rrezik të madh»,—tha Lam Tai-hingu, drejtor i departamentit të mjekësisë sociale në Universitetin e Hong-Kongut. Sipas profesor Lamit, edhe sikur të bëni vetëm pak fizkulturë, është më mirë sesa të mos bëni fare. Ai rekomandon të rrimë ulur gjysmë ore më pak dhe këtë kohë ta shfrytëzojmë për të ecur ose për të bërë ndonjë punë shtëpie.
Shtohen rastet me sifiliz
Sipas së përjavshmes italiane Panorama, në Itali rastet e raportuara me sifiliz, sëmundje seksualisht e transmetueshme, «janë shtuar më shumë se dyfish këto dy vitet e fundit». Sipas Xhampiero Karozit, drejtor i studimeve të sëmundjeve infektive dhe tropikale në Universitetin e Breshias, këto raste kanë ndodhur kryesisht te të rinjtë që nuk kanë marrë pjesë asnjëherë në programet për parandalimin e SIDA-s dhe që shkojnë në qendrat mjekësore pasi kanë kryer për herë të parë marrëdhënie seksuale. Panorama thekson se, te 40 për qind e atyre që janë të infektuar me sifiliz, sëmundja përparon deri në fazën e tretë, ku «dëmtimi i organeve të brendshme arrin deri në tru, në zemër, në kocka, në kyçe, në sy e në mëlçi».