Përse kaq shumë njerëz jetojnë me frikë?
Përse kaq shumë njerëz jetojnë me frikë?
NJË vel frike ka mbështjellë njerëzimin. Ai është i padukshëm, por ndihet, është një atmosferë që ndikon pothuajse te çdo njeri, edhe pse shpesh nuk vihet re. Pse është krijuar kjo gjendje? Përse disa njerëz kanë frikë kur dalin nga shtëpia? Përse shumë veta ndihen të pasigurt kur janë në punë? Përse shumë prindër kanë frikë se mos u ndodh gjë fëmijëve të tyre? Cilat rreziqe i bëjnë njerëzit të kenë frikë edhe brenda shtëpisë së vet?
Sigurisht, ka një mori arsyesh për të pasur frikë, por do të shqyrtojmë katër rreziqe që i kërcënojnë njerëzit vazhdimisht: dhuna në qytete, ngacmimet seksuale, përdhunimi dhe dhuna në familje. Së pari, le të shqyrtojmë dhunën në qytete. Kjo temë është veçanërisht me interes sot, sepse gati gjysma e njerëzve jeton në zonat urbane.
Rreziqe në qytete
Ka të ngjarë që qytetet e para të jenë ndërtuar për mbrojtje, por shumë veta sot i shohin qytetet si zona të rrezikshme. Ajo që dikur shihej si një strehë, sot të ngjall frikë. Qendrat e mbipopulluara të qyteteve, krijojnë kushte të favorshme për grabitje. Veç kësaj, në disa qytete, lagjet e varfra, ku ka pak drita dhe pak policë nëpër rrugë, janë të rrezikshme.
Ndonjëherë, ekzistojnë arsye të forta për të pasur frikë; një numër i madh njerëzish vdesin nga aktet e dhunës. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në mbarë botën 1,6 milionë njerëz vdesin çdo vit si pasojë e dhunës. Në Afrikë, në çdo 100.000 veta, rreth 60,9 vdesin çdo vit nga dhuna.
Shumë njerëz, vende dhe organizata që dikur mendoheshin si të sigurta, tani shihen si rrezik për shoqërinë. Për shembull, shumë kënde lojërash, shkolla e dyqane, tani konsiderohen zona të frikshme ku ka mjaft krime. Në disa raste, krerët fetarë, punonjësit socialë dhe mësuesit, pra ata që duhet të sigurojnë mbrojtje, e kanë shpërdoruar besimin e të tjerëve. Raportet që tregojnë se disa prej tyre kanë abuzuar me fëmijët, bëjnë që prindërit të ngurrojnë dhe të mos i lënë fëmijët në duart e të tjerëve. Policët duhet t’i mbrojnë njerëzit, por në disa qytete dëgjojmë shpesh për korrupsion dhe abuzim me autoritetin në radhët e policëve. Për sa u përket forcave «të sigurisë», në disa vende, ato ende zgjojnë kujtime nga luftëra civile, kur të afërmit merreshin nga ushtarakët dhe më pas zhdukeshin. Pra, në pjesë të ndryshme të botës, në vend që ta zbutin atmosferën e frikës, policët dhe ushtarët e kanë rënduar më shumë atë.
Libri Shtetas të frikës—Dhuna në qytetet e Amerikës Latine (anglisht) thotë: «Qytetarët e kryeqyteteve të Amerikës Latine jetojnë vazhdimisht me frikë, mes kushteve ndër më të rrezikshmet në botë. Në këtë rajon të madh, rreth 140 mijë njerëz vdesin çdo vit nga dhuna dhe një në tre qytetarë është bërë drejtpërdrejt ose tërthorazi viktimë e dhunës.» Edhe në vende të tjera të botës, shpesh në kryeqytete, bëhen demonstrata për arsye politike. Kur demonstratat kthehen në tubime të dhunshme, shumë veta përfitojnë nga rrëmuja që të vjedhin dyqanet, dhe kështu krijohet një kaos i përgjithshëm. Njerëzit që merren me tregti në qytete, fare lehtë mund të gjenden përballë turmave të tërbuara.
Në shumë vende është krijuar një hendek i madh midis kushteve të jetesës së të pasurve dhe të të varfërve, dhe kjo ka çuar në një zemërim që zien e është gati të shpërthejë. Turma njerëzish që ndihen të privuar nga nevojat bazë, grabitin nëpër lagje ku banon elita e shoqërisë. Në disa qytete kjo nuk ka ndodhur ende. Megjithatë, situata i ngjan një mine me sahat që një ditë do të shpërthejë, por askush nuk e di se kur.
Si të mos mjaftonte rreziku i vjedhësve dhe i demonstruesve, atmosfera e frikës rëndohet edhe nga shkaqe të tjera.
Tmerri i ngacmimeve seksuale
Për miliona gra, fishkëllimat, gjestet e ndyra dhe vështrimet e paturpshme janë kthyer në një makth të përditshëm. Revista Asia Week thotë: «Anketat zbulojnë se në katër gra japoneze, njëra është ngacmuar seksualisht në vende publike, dhe 90 për qind e incidenteve kanë ndodhur në tren. . . . Vetëm 2 për qind e viktimave kundërpërgjigjen kur ngacmohen. Shumica thanë se arsyeja kryesore përse heshtin është frika nga reagimi i ngacmuesve.»
Ngacmimet seksuale janë shtuar ndjeshëm në Indi. «Sa herë del nga pragu i shtëpisë, gruan e zë frika,—thotë një gazetare në Indi.—Në çdo hap që hedh, ajo has tallje poshtëruese dhe fjalë të ndyra.» Banorët e një qyteti indian krenohen që në rrugët e tyre mund të ecësh i sigurt, e
megjithatë që andej vjen një raport: «Problemi [i këtij qyteti] nuk janë rrugët, por zyrat. . . . 35 për qind e grave të anketuara thanë se kishin pasur ngacmime seksuale në vendin e punës. . . . 52 për qind e grave thanë se, nga frika e ngacmimeve seksuale në vendin e punës, ato preferojnë të zënë ndonjë punë me pagë më të ulët . . . ku kanë të bëjnë [vetëm] me gra.»Frika e përdhunimit
Gratë nuk frikësohen vetëm nga humbja e dinjitetit. Nganjëherë, ngacmimet seksuale përfshijnë edhe rrezikun e përdhunimit. Siç mund të kuptohet, shumë gra kanë më tepër frikë nga ky krim, sesa nga vrasja. Papritur, një grua mund të gjendet vetëm në një vend ku ka frikë se mos e përdhunojnë. Ndoshta sheh një burrë që nuk e njeh ose tek i cili nuk ka besim. Zemra i rreh fort, ndërsa bën çmos të mendojë pak për situatën. ‘Ç’do të bëjë ai? Për ku të vrapoj? A duhet të bërtas?’ Përvoja të shpeshta si kjo, dalëngadalë lënë gjurmë në shëndetin e gruas. Për këtë arsye, shumë veta vendosin të mos jetojnë në qytet ose preferojnë të mos i vizitojnë qytetet.
«Për shumë gra, frika, ankthi dhe rreziku janë të gjitha pjesë e jetës së përditshme në qytet,—thotë libri Frika e grave (anglisht).—Frika e grave nga përdhunimi është një ndjesi që të shtyn të jesh gjithnjë gati, vigjilent dhe i kujdesshëm, një ndjenjë e cila e bën gruan ta zërë ankthi sa herë që dikush ecën prapa saj dhe i shkon shumë afër, sidomos natën. Është . . . një ndjenjë nga e cila gratë nuk çlirohen kurrë plotësisht.»
Shumë gra bien viktima të krimeve të dhunshme. Por, pothuajse të gjitha gratë janë viktima të frikës nga dhuna. Një botim i Kombeve të Bashkuara, Gjendja e popullsisë së botës në vitin 2000 (anglisht), thotë: «Anembanë botës, të paktën një në çdo tri gra është rrahur, është përdhunuar ose është keqtrajtuar në ndonjë mënyrë tjetër—në shumicën e rasteve, nga dikush që ajo e njeh.» A ka depërtuar edhe më thellë atmosfera e frikës? A është e zakonshme që njerëzit të jetojnë me frikë edhe brenda shtëpive të tyre?
Frika e dhunës në familje
Zakoni i fshehtë i rrahjes së grave është një padrejtësi e madhe në mbarë botën dhe, vetëm kohët e fundit, në shumë shtete është njohur si krim. Një raport nga India thoshte se «të paktën 45 për qind e grave indiane janë qëlluar me shuplakë, me shkelm ose janë rrahur nga burrat e tyre». Abuzimi me bashkëshorten është një rrezik i madh shëndetësor në botë. Zyra Federale e Hetimeve thotë se, ndër femrat e moshës 15 deri në 44 vjeçe në Shtetet e Bashkuara, më shumë janë dëmtuar nga dhuna në familje sesa nga aksidentet me makinë, grabitjet dhe përdhunimet të marra së bashku. Pra, dhuna në familje është shumë më e rrezikshme sesa një grindje që ndodh nganjëherë dhe që arrin deri në shuplaka. Një numër i madh grash jetojnë me frikën se mos i plagosin ose i vrasin në shtëpi. Një anketë kombëtare në Kanada tregonte se një e treta e grave që kishin vuajtur nga dhuna në familje, nganjëherë kishin frikë edhe për jetën e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, dy studiues nxorën këtë përfundim: «Shtëpia është vendi më i rrezikshëm për gratë dhe shpesh, vendi i mizorisë dhe i torturës.»
Përse kaq shumë gra janë zënë si në grackë në lidhje kaq të rrezikshme? Njerëzit pyesin: ‘Pse nuk kërkojnë ndihmë? Pse nuk ikin?’ Në shumicën e rasteve, përgjigjja është: frika. Frika konsiderohet tipari dallues i dhunës në familje. Është tipike: burrat që keqtrajtojnë gratë, i nënshtrojnë me dhunë dhe ua mbyllin gojën duke i kërcënuar se do t’i vrasin. Edhe nëse gruaja e keqtrajtuar e gjen guximin dhe kërkon ndihmë, jo gjithnjë merr ndihmën që i duhet. Ekziston një prirje, madje edhe midis atyre që i urrejnë format e tjera të dhunës, që të shpërfillin, të justifikojnë ose ta quajnë si diçka pa rëndësi
dhunën që ushtrojnë bashkëshortët. Veç kësaj, jashtë mureve të shtëpisë, bashkëshorti që rreh gruan, mund të duket burrë i sjellshëm. Shpesh, shokëve s’u besohet se ai rreh të shoqen. Ngaqë të tjerët nuk u besojnë dhe nuk kanë ku t’ia mbathin, shumë gra të keqtrajtuara mendojnë se s’kanë rrugë tjetër, veçse të jetojnë me frikë.Gratë që ikin nga shtëpia, ngaqë i rrahin vazhdimisht, ndonjëherë bien pre e një sulmi tjetër: gjurmimit dhe kërcënimit. Sipas një studimi të kohëve të fundit në shtetin e Luizianës, në Amerikën e Veriut, ku u përfshinë mbi një mijë gra, 15 për qind e tyre kishin qenë viktimë e gjurmimit. Përfytyroni pak frikën që kanë provuar. Dikush që të ka kërcënuar, nuk të ndahet ngado të shkosh. Të telefonon, të ndjek, të vëzhgon dhe të pret. Madje, mund të vrasë edhe qenin ose macen tënde. Ky është një plan i qëllimshëm për të të terrorizuar.
Ju ndoshta nuk jeni viktimë e kësaj frike. Por, deri në ç’masë ndikon frika në gjërat që bëni çdo ditë?
A ndikon frika në jetën e përditshme?
Ngaqë jetojmë në një atmosferë frike, mbase as që e kuptojmë se sa shumë ndikon ajo në vendimet tona çdo ditë. Sa ndikon frika në jetën e përditshme?
Frika nga aktet e dhunshme, a ka bërë që ju dhe familja juaj të mos ktheheni vetëm në shtëpi kur është vonë? A keni frikë të hipni në mjetet e transportit publik? Kur vendosni për vendin e punës, a ndikojnë te ju rreziqet e udhëtimit për të shkuar e për t’u kthyer nga puna çdo ditë? A ka ndikuar në zgjedhjen e punës frika nga kolegët ose frika nga njerëzit me të cilët keni të bëni në vendin e punës? A ka ndikuar frika në jetën shoqërore ose në zgjedhjen e argëtimeve? Mos ndoshta frika se mos hasni njerëz të dehur ose turma të papërmbajtura ju ka bërë të mos shkoni në disa ngjarje sportive dhe koncerte? A ndikon frika në atë që bëni në shkollë? Për shumë prindër, frika se mos fëmijët bëhen keqbërës, është një faktor që ndikon se në cilën shkollë do t’i çojnë. Dhe sigurisht, kjo shpjegon se përse një pjesë e madhe e prindërve vendosin t’i marrin vetë fëmijët nga shkolla, kur ata fare mirë mund të ktheheshin vetë ose me mjetet e transportit publik.
Vërtet, njerëzit po jetojnë në një atmosferë frike. Por frika nga dhuna na ka shoqëruar gjatë pjesës më të madhe të historisë së njerëzimit. A mund të presim vërtet që gjërat të ndryshojnë? A është vetëm ëndërr një jetë pa frikë? Apo ka arsye të forta që të shpresojmë për një të ardhme kur askush nuk do të ketë më frikë nga ndonjë e keqe?