Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Atje ku akullnajat prekin qiellin e ekuatorit

Atje ku akullnajat prekin qiellin e ekuatorit

Atje ku akullnajat prekin qiellin e ekuatorit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA

JOHAN LUTVIG KRAPFI, një misionar 39-vjeçar gjerman, tha se në Afrikën ekuatoriale më 3 dhjetor 1849, befas i zuri syri një mal, maja e të cilit ishte e bardhë. Gjeografët e Evropës u tallën me raportimin e tij. Thanë se ajo ç’ka kishte parë ishte veçse një shkëmb i bardhë. Krapfi, që ndodhej më shumë se 140 kilometra larg nga mali, pranoi se e pa vetëm për disa çaste, sepse një re e mbuloi shpejt.

Talljet dhe shpotitë e gjeografëve evropianë, nuk e çuditën Krapfin. Një vit para tij, dikush kishte raportuar se kishte parë malin më të lartë të Afrikës, rreth 300 kilometra në jug. As atë nuk e kishin besuar. Megjithatë, shpejt, ekzistenca e malit Kilimanxharo, me lartësi 5.895 metra, u vërtetua. Nga ana tjetër, duhej të kalonin 34 vjet që të vërtetohej pohimi i Krapfit, se kishte parë borë në majë të malit​—dy vjet pas vdekjes së tij.

Në vitin 1883, eksploruesi skocez Jozef Tomsoni, vërtetoi ekzistencën e malit me akullnaja që kishte parë Krapfi​—malit Kenia, 5.199 metra​—majat më të larta të të cilit janë tamam në jug të ekuatorit. Ky është mali i dytë më i lartë në Afrikë. Disa mendojnë se mali Kenia, që tani është një vullkan i shuar, dikur ka qenë mbi 6.000 metra. Mendohet se për vite të tëra erozioni ka zhvendosur pluhurin dhe hirin, duke nxjerrë në dritë dy maja të mprehta që janë mbi 5.100 metra dhe një majë të tretë që është 4.985 metra.

Adhurohet nga banorët vendës

Kohë përpara se evropianët të vinin këmbë në Afrikë, njerëzit që jetonin në shpatet e ulëta të malit Kenia, e adhuronin atë. Disa besonin se bërësi i universit banonte në majën më të lartë të tij, dhe pikërisht atje krijoi njeriun e parë. Gjithashtu, besonin se ky krijues dërgonte shiun që vadiste tokat pjellore, të cilat shtriheshin në këmbët e malit. Që të ishin në paqe me krijuesin, banorët i flijonin kafshë, siç bëjnë ende sot ata që besojnë akoma në këto gjëra.

Për shkak të borës dhe akullit në majat e errëta të malit Kenia, vendësit e hershëm e quanin edhe mali pikalosh edhe mali i bardhësisë. Tri majat më të larta të tij​—Batjani, Neljoni dhe Lenana​—janë quajtur sipas emrave të udhëheqësve të mëdhenj të dikurshëm të komunitetit vendës. Liqenet e shumta malore me ujëra të gjelbra si nefrit, që janë afër pikave më të larta shkëmbore, e bëjnë edhe më të bukur panoramën përreth.

Një florë dhe faunë e pasur

Atyre që dashurojnë natyrën, mali u ofron shumë peizazhe. Me kalimin e viteve, shkrirja e akullnajave e ka shndërruar vendin e shkretuar nga lava, në një vend shumë pjellor dhe me një florë të larmishme. Shpatet më të ulëta janë të mbuluara me pyje të dendura. Aty ka cedra, pemë halore të quajtura jelloud dhe kamfur, druri i të cilave kërkohet shumë nga prodhuesit e mobilieve. Gjithashtu, është mjaft e përhapur bambuja e gjatë, e cila krijon «pyje» me bar që rriten mbi 6 metra dhe ua zënë frymën shkurreve.

Kjo zonë gëlon edhe nga kafshët. Këtu ka gjitarë të mëdhenj, si: luanë, leopardë, zebra Bëçell, buaj afrikanë, antilopa të kaçubave dhe antilopa të ujërave. Edhe elefantët e rinoqerontët e zinj kanë gjetur strehë në këtë mal. Ka edhe kafshë më të vogla, si majmunët blu, majmunët bardhë e zi, Procavia Capensis që i ngjan një lepuri dhe lloje të ndryshme brejtësish.

Zogjtë që banojnë këtu, janë të shumtë në numër dhe të llojeve të ndryshme. Brejtësit dhe gjarpërinjtë janë preja e hutës me sqep të bardhë, maces së zezë, shqiponjës me kurorë, shqiponjës me çafkë të gjatë, qiftit të malit dhe qiftit me bisht të kuq. Turacot e Hartlaubit me ngjyrë të kuqe të ndezur, shturat me ngjyrë manushaqe, zogu sqepbri me ngjyrë të argjendtë si edhe bengjet, bëjnë kontrast me petkun e gjelbër të pyjeve. Disa lloje zogjsh dielli me puplat e tyre që bien menjëherë në sy, janë banorë të përhershëm të pyjeve në këtë mal.

Mbi nivelin 3.000 metra, pylli mbaron duke shpalosur një hapësirë të paanë me shqopishtë, që shtrihet aq larg sa të kap syri. Këtu, tufat me gëmusha e mbulojnë tokën si me një qilim. Një tjetër bimë me karakteristika interesante është burbuqja e ngrënshme e palmës, që çel lule vetëm njëherë në 20 vjet. Po ashtu, ka edhe kryqës të pemëve me gjethe të gjera në majë të kërcellit dhe lobelie, që arrijnë një lartësi mbi 6 metra. Këto, si edhe shqopa e rëndomtë, gërshetohen dhe krijojnë një panoramë alpine në këtë zonë të paanë.

Shumë pak kafshë banojnë në këtë terren të ashpër dhe në një lartësi të tillë mbi nivelin e detit, dhe shumica e tyre kalojnë vetëm një pjesë të vitit atje. I vetmi banor i përhershëm është një lloj kafshe që i ngjan lepurit (Prokavia Kapensis), i cili jeton nëpër shkëmbinj. Ndryshe nga çdo kafshë tjetër, këto kafshë jetojnë në lartësinë më të madhe; janë gjetur në lartësinë gati 4.300 metra. Trupat e tyre janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të përshtaten me jetën në një lartësi si kjo, në hapësirat mes shkëmbinjve. Ata ushqehen kryesisht me bar. Këta gjitarë janë miqësorë dhe nuk druhen nga njerëzit. Është një fakt i njohur se këta ua vjedhin ushqimet ekskursionistëve të lodhur dhe që nuk e dinë këtë gjë.

Përqark majave madhështore

Në kontrast të fortë me pjesët më të ulëta të malit, ngrihen majat e larta piktoreske. Pikat më të larta, Batjani (5.199 metra) dhe Neljoni (11 metra më e ulët), ngjajnë si dy brirë gjigantë. Këto maja janë shkëmbinj të mëdhenj vullkanikë, të zinj e të rrumbullakët, që duket sikur pluskojnë lart mbi re. Nën to, 11 akullnaja sikur sfidojnë diellin e nxehtë ekuatorial, i cili, sigurisht, me kalimin e kohës ka zhdukur të paktën 7 nga «fisi» i tyre. Sot, është akoma akullnaja më e madhe, vetëm se është sa gjysma e madhësisë që ishte njëqind vjet më parë. Disa nga këto akullnaja duken nga kryeqyteti i Kenias, Najrobi, 130 kilometra larg.

Ky ishull prej guri ka tërhequr alpinistë entuziastë nga e gjithë bota. Halferd Mekindër, ishte i pari evropian që njihet se ka arritur në majë të Batjanit, më 13 shtator 1899. Kaluan 30 vjet derisa një tjetër u ngjit deri atje. Disa që janë përpjekur të arrijnë deri në majë, i kanë paguar malit një «taksë» shumë të lartë. Deri në vitin 1987, mbi 60 njerëz vdiqën, ndërsa orvateshin të arrinin në majë.

Alpinistëve mund t’u kushtojë shumë shtrenjtë edhe për shkak të sëmundjeve të ndryshme që shkaktohen nga ngjitja në lartësi të mëdha. Në fakt, thuhet se mali është përgjegjës për gjysmën e rasteve me edemë të mushkërive që ndodhin në të gjithë botën. Libri Në malin e Perëndisë​—Historia e malit Kenia (anglisht), vëren: «Për ata që nuk preken nga kjo sëmundje [sëmundja e lartësisë], udhëtimi dhe ngjitja janë të lodhshëm gjithsesi, dhe rraskapitja bën që t’i heqësh këmbët zvarrë. Ja, përpara ke një terren thikë. Koka sa s’po të hapet. Të përzihet. Këmbët të janë bërë gjithë flluska. Sytë i ke të përlotur.»

Edhe pse majat e Kenias janë ngrënë nga moti dhe akullnajat e tij po shkrihen, shkëlqimi dhe madhështia e kësaj fortese që ngrihet madhërishëm deri lart në qiell, nuk janë zbehur aspak. Bukuria e tij, ndonëse e egër, vazhdon ta lëvdojë në heshtje Krijuesin e tij, Perëndinë Jehova.​Psalmi 148:9, 13.

[Harta në faqen 16]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Ekuator

Mali Kenia

[Figura në faqen 16]

Një nga liqenet e shumta malore

[Figura në faqen 17]

Tri majat më të larta të malit Kenia

[Figura në faqen 18]

Zogjtë, si ky zog i diellit me gushë të kuqe, janë të zakonshëm

[Figura në faqen 18]

Prokavia Kapensis, që i ngjan një lepuri, jeton në lartësinë rreth 4.300 metra

[Figura në faqen 18]

Pikat më të larta tërheqin alpinistë nga e gjithë bota

[Figura në faqen 18]

Pemët, si ky halor i quajtur jelloud, veshin shpatet e ulëta

[Burimi i figurës në faqen 16]

Faqja 16: Pictures Courtesy of Camerapix Ltd.

[Burimi i figurës në faqen 17]

Pictures Courtesy of Camerapix Ltd.

[Burimet e figurave në faqen 18]

Të gjitha fotografitë e vogla, përveç alpinistit: Pictures Courtesy of Camerapix Ltd.; sfondi: Duncan Willetts, Camerapix