E ardhmja e turizmit
E ardhmja e turizmit
«Pothuajse në çdo vend të botës ka pasur raste kur zhvillimi i turizmit është quajtur shkaku kryesor i rrënimit të mjedisit.»—Hyrje në turizëm (anglisht), nga Lenërd J. Likorishi dhe Karsen L. Xhenkinsi.
ZGJERIMI i turizmit jo vetëm që mund të rrezikojë mjedisin, por mund të shkaktojë edhe probleme të tjera. Le të shqyrtojmë shkurtimisht disa prej tyre. Më pas do të diskutojmë për mundësitë që do të kemi në të ardhmen për të shëtitur tokën tonë të mrekullueshme dhe për t’u njohur me bukuritë mahnitëse e sidomos me njerëzit e saj të mirë.
Probleme të mjedisit
Sot, dyndja e turistëve ka sjellë probleme. «Në Indi, Tazh Mahali po konsumohet nga vizitorët,—shkruajnë studiuesit Likorish dhe Xhenkins.—Edhe piramidat në Egjipt janë në rrezik nga numri i madh i vizitorëve.»
Veç kësaj, këta autorë paralajmërojnë se bimësia mund të shkatërrohet e të pengohet zhvillimi i saj, kur turizmi lihet i pakontrolluar dhe një mizëri vizitorësh shkelin përmes rezervateve. Për më tepër, lloje të ndryshme gjallesash mund të rrezikohen kur turistët marrin gjëra të tilla si guaska të rralla dhe korale ose kur vendësit i mbledhin ato që t’ua shesin turistëve.
Turistët shkaktojnë shumë ndotje. Sipas disa llogaritjeve të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, çdo turist krijon 1 kilogramë mbeturina çdo ditë. Me sa duket, edhe vendet më të largëta po vuajnë nga kjo gjë. Një raport i kohëve të fundit nga Rrjeti i Veprimeve në Pyjet e Shiut, thotë: «Në rrugët e njohura turistike të Himalajave, nëpër shtigje janë hedhur mbeturina, kurse pyjet alpine [janë] pakësuar nga udhëtarët që kërkojnë lëndë djegëse për të ngrohur ushqimin dhe ujin për të bërë banjë.»
Veç kësaj, shpesh turistët harxhojnë shumë dhe kjo është në kurriz të vendësve. Për shembull, Xhejms Maku shkruan në librin e tij Turizmi dhe ekonomia (anglisht): «Turistët në Granadë harxhojnë ujë shtatë herë më shumë se vendësit.» Ai shton: «Drejtpërdrejt ose tërthorazi, turizmi harxhon 40 për qind të energjisë që konsumohet në Havai, ndonëse vetëm një në tetë veta në Havai është turist.»
Megjithëse turistët shpenzojnë mjaft para për të vizituar vendet në zhvillim, shumicën e
të ardhurave nuk e përfiton popullsia vendëse. Sipas Bankës Botërore, vetëm 45 për qind e të ardhurave nga turizmi i shkon vendit mikpritës. Shumica e parave kthehet përsëri në vendet e zhvilluara nëpërmjet agjencive turistike dhe hoteleve të huaja.Ndikimet shoqërore negative
Turistët që vijnë nga Perëndimi në vendet në zhvillim, e që janë më të pasur se vendësit, mund të kenë edhe ndikime të tjera negative në kulturën vendëse. Në disa raste ky ndikim është disi i maskuar, por në raste të tjera duket qartë. Për shembull, turistët shpesh sjellin me vete gjëra luksi që të rrinë rehat. Të tilla gjëra, vendësit s’i kanë parë as në ëndërr. Shumë prej tyre mund t’i dëshirojnë këto gjëra të shtrenjta, por nuk kanë para. E s’mund t’i blejnë dot nëse nuk bëjnë ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës, ndryshime që mund të përfshijnë edhe veprime të dënueshme.
Maku përmendi probleme që mund të sjellë e ardhmja. Ai tha se zhvillimi i turizmit mund «të çojë në humbjen e veçorive kulturore dhe të komunitetit, të krijojë konflikte në shoqëritë tradicionale lidhur me shfrytëzimin e tokave, pronë e komunitetit dhe të pasurive natyrore, e të shtojë veprat antishoqërore si krimin dhe prostitucionin».
Shpesh, turistët ndihen sikur s’kanë asnjë kufizim, prandaj bëjnë gjëra që nuk do t’i bënin po të ishin në shtëpi, pranë familjes dhe miqve. Kështu, imoraliteti i turistëve është bërë një problem me pasoja të rënda. Duke marrë si shembull një rast të njohur, Maku tha: «Në mbarë botën po ndihet më shumë shqetësimi nga ndikimi i turizmit në prostitucionin e fëmijëve.» Në vitin 2004, agjencia e lajmeve CNN tha: «Në Meksikë, ‘sipas disa llogaritjeve të besueshme, numërohen 16.000-20.000’ viktima të prostitucionit të fëmijëve, ‘kryesisht në zonat kufitare, urbane dhe turistike’.»
Dobitë e udhëtimit
Toka është një shtëpi e mrekullueshme dhe vazhdimisht na mahnit me hijeshitë e saj—perëndimin gjithë ngjyra, qiellin plot yje vezulluese dhe larminë e bimëve dhe kafshëve. Pavarësisht se ku jetojmë, ne i shijojmë disa nga këto bukuri dhe mrekulli të shtëpisë sonë. Por, sa bukur është kur kemi mundësi të udhëtojmë e të shohim gjëra të tjera magjepsëse që ka toka!
Gjithsesi, edhe pse panoramat e mrekullueshme u lënë mbresa, shumë turistë thonë se e
bukura e udhëtimit është të njohin njerëz nga kultura të tjera. Shpesh, turistët kuptojnë se pikëpamjet negative për të huajt nuk janë të vërteta. Udhëtimi i ndihmon të kuptojnë njerëz nga raca dhe kultura të ndryshme e të lidhin miqësi të çmuara.Një mësim që nxjerrin shumë turistë, është se pasuritë nuk i bëjnë medoemos të lumtur njerëzit. Më e rëndësishme është marrëdhënia me të tjerët, pra të gëzojnë miqësitë e vjetra dhe të krijojnë miqësi të reja. Një tregim në Bibël flet për disa njerëz nga Malta, «njerëz që flitnin një gjuhë të huaj». Ata «u treguan jashtëzakonisht të njerëzishëm» me disa udhëtarë në shekullin e parë, të cilëve u ishte mbytur anija. (Veprat 28:1, 2) Duke vizituar vende dhe njerëz të tjerë, sot shumë veta kanë kuptuar se jemi vërtet një familje njerëzore dhe mund të jetojmë së bashku në paqe këtu në tokë.
Sot nuk janë të shumtë ata që mund të shëtitin nëpër botë. Por, ç’të themi për të ardhmen? A është e mundur që shumica e njerëzve ose të gjithë të kenë një përvojë të tillë?
E ardhmja
E vërteta është se të gjithë jemi të afërm me njëri-tjetrin, jemi pjesëtarë të familjes njerëzore. Vërtet, çifti i parë njerëzor vdiq sipas paralajmërimit që iu dha po të mos i bindej Perëndisë. (Zanafilla 1:28; 2:17; 3:19) Kështu, të gjithë pasardhësit e tyre, përfshirë edhe ne, plaken e vdesin. (Romakëve 5:12) Megjithatë, Perëndia premton se qëllimi që kishte në fillim për tokën, pra që ajo të banohej nga njerëz që e duan Perëndinë, do të plotësohet. Fjala e tij thotë: «Po, kam folur dhe do të bëj që të ndodhë.»—Isaia 45:18; 46:11; 55:11.
Mendoni pak se ç’do të thotë kjo! Bibla premton se nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të». (Psalmi 37:29; Mateu 6:9, 10) Duke përshkruar kushtet që do të kenë njerëzit në tokë, Bibla thotë: «Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»—Zbulesa 21:3, 4.
Imagjinoni sa fantastike do të jetë kur të udhëtojmë nëpër viset e tokës e të njihemi me mrekullitë e saj, sidomos me njerëzit e saj të mirë! Në atë kohë nuk do të kemi frikë se mos na ndodh diçka e keqe. Të gjithë do të jenë miqtë tanë—po, do të jetë siç thuhet në Bibël: një ‘vëllazëri nëpër botë’.—1 Pjetrit 5:9.
[Figura në faqet 8, 9]
Një nga gjërat e bukura të udhëtimit është të zësh miqësi me njerëz nga kultura të tjera
Në të ardhmen do të kemi mundësi pafund për t’u njohur me njerëz dhe vende të ndryshme