Gjakderdhje në emër të Krishtit
Gjakderdhje në emër të Krishtit
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë
«Në meshë, priftërinjtë thërritnin nga katedrat: ‘Bij të së shenjtës Kishë Mëmë, rrokni armët! Qeveria do që të shtetëzojë kishat!’» —Pedro Rosales Bargas, dëshmitar okular.
PËRSE njerëz besimtarë duhej të merrnin armët që të mbronin besimin e tyre? Ç’mund të ndodhë kur njerëzit i drejtohen dhunës për të mbrojtur fenë e vet? Kryengritja Kristero në Meksikë, e quajtur ndryshe Kristeros, që e mori emrin nga organizatorët e saj, hedh dritë mbi përgjigjet e këtyre pyetjeve.
Në një enciklopedi, Enciclopedia Hispánica, thuhet: «Kristeros është emri me të cilin u quajtën katolikët meksikanë, që u ngritën kundër presidentit Plutarko Elias Kajes në vitin 1926. Ata u ngritën kundër masave që mori presidenti ndaj kishës, siç ishte mbyllja e qendrave dhe e ndërtesave fetare.» Në fillim ishte qeveria ajo që i quajti kryengritësit Kristeros, ngaqë kushtrimi për luftë ishte «Rroftë Krishti mbret!» Megjithatë, rrënjët e konfliktit janë më të hershme.
Rrënjët e konfliktit
Ligjet e Reformës, që u miratuan në vitet 50 të shekullit të 19-të, përfundimisht u ratifikuan në vitin 1917. Një ndër objektivat e ligjeve ishte «shtetëzimi i pasurive të patundshme që ishin pronë e kishës». (Historia de México) Qeveria i propozoi këto ligje që të vinte kufizime mbi grumbullimin e pasurive dhe të tokave në duart e Kishës Katolike. Shpejt, ratifikimi i këtyre ligjeve u pasua nga protestat e forta të klerit. Si kundërpërgjigje, qeveria arrestoi disa priftërinj.
Një nga synimet e revolucionit meksikan (1910-1920) ishte t’u jepte tokë të varfërve. Prandaj, ligjet e reja parashikonin një reformë, që u quajt reforma agrare, sipas së cilës tokat do t’u konfiskoheshin pronarëve të mëdhenj dhe do t’u shpërndaheshin të varfërve. Kleri në përgjithësi donte të ndërhynte në këtë çështje. Në fund të fundit, ligjet e reja preknin edhe klerikët me influencë që zotëronin shumë toka. Kisha pretendonte se nuk ishte kundër rishpërndarjes së tokave, por ishte për zbatimin e një plani që ndryshonte nga propozimi i qeverisë.
Megjithatë, disa njerëz mendonin se kishës i interesonte vetëm të mbronte interesat e pronarëve të mëdhenj, përfshirë edhe klerikët e pasur. Nga ana tjetër, kishte edhe priftërinj, të njohur si agrarët, të cilët ishin dakord që toka t’u shpërndahej të varfërve. Konflikti brenda kishës vetëm sa e thelloi hendekun midis kishës dhe qeverisë.
Në fillim të vitit 1925, Plutarko Elias Kajesi, që sapo kishte marrë postin e presidentit të Republikës së Meksikës, filloi të zbatonte me rreptësi nenet e kushtetutës së re që lidheshin me kishën. Për shembull, ai dëboi nga Meksika shumë priftërinj katolikë. Veç kësaj, kryepeshkopin e Meksikës e arrestuan kur deklaroi se kleri do të dilte kundër neneve antiklerikale të kushtetutës. Gjithashtu u konfiskuan ndërtesa që ishin pronë e kishës. Shumë veta mendonin se qëllimi i këtyre masave ishte të parandalonte që shuma të mëdha parash nga Meksika të përfundonin në Romë.
Në korrik të vitit 1926, vetë peshkopët meksikanë urdhëruan pezullimin e shërbesave fetare në kishë. Qeveria e pa këtë hap si një komplot që synonte të nxiste popullin kundër saj. Sido që të ishte, pezullimi i shërbesave dha shkëndijën që ndezi këtë kryengritje tragjike.
Shpërthen lufta
Mijëra katolikë luftuan në mbrojtje të fesë së tyre, të nxitur nga priftërinjtë. Si flamur, ata mbanin një ikonë të Virgjëreshës së Guadalupës. Ndonëse disa kryengritës kristeros pritnin që prelatët të ngriheshin për të mbrojtur kishën, pjesa dërrmuese e peshkopëve dhe e priftërinjve nuk u përzien në konflikt nga frika e qeverisë. Përkundrazi, shumica kërkuan strehë në shtëpitë e familjeve të pasura dhe ndenjën larg zjarrit, ndërkohë që njerëzit e thjeshtë u hodhën në një kryengritje të egër fetare.
Megjithatë, disa priftërinj mbështetën energjikisht njërën palë ose tjetrën. Sipas librit La kristjada, (Vëllimi I, Lufta Kristero, spanjisht) 100 priftërinj katolikë dolën kundër kristerove, kurse 40 mbështetën aktivisht përleshjen e armatosur. Madje, pesë të tjerë u bashkuan në luftime.
Pasojat e kryengritjes ishin shkatërrimtare. Në shumë zona pati një varfëri të skajshme. Për më tepër, dëgjohej që shumë të rinj merreshin me forcë në luftë nga kryengritësit kristeros. Flitej edhe për familje, ku shkonin vazhdimisht luftëtarë kristeros dhe ushtarë të trupave federale që kërkonin ushqim. Gjithashtu, nga të dyja palët vinin lajme për përdhunime dhe për vdekjen e njerëzve të afërt.
Si kryengritësit, ashtu edhe ushtria e qeverisë ishin fajtorë për mizori, duke përfshirë edhe vrasjen e shumë njerëzve që nuk kishin gisht fare në konflikt. Kështu, shifrat e ftohta na japin një ide të asaj që ndodhi. Të paktën 70.000 veta u vranë gjatë tre viteve të kryengritjes së armatosur.
Lufta pezullohet
Pas një marrëveshjeje zyrtare midis Kishës Katolike dhe qeverisë në qershor të vitit 1929, revoltat pushuan dhe, nga gushti, luftimet kishin përfunduar. Por luftëtarët kristeros nuk i kishin përfshirë në bisedime dhe ata nuk arrinin të kuptonin se si kisha iu nënshtrua atij që shumë veta e quanin armik të autoritetit qiellor. Si përfundim, të zhgënjyer, por të nënshtruar ndaj urdhrave të klerit, kryengritësit kristeros u dorëzuan dhe u kthyen në shtëpitë e tyre. Qeveria premtoi të ishte më tolerante dhe të lejonte rifillimin e meshave. Gjithsesi, ligjet që u vinin kufizime feve, nuk ndryshuan.
Kjo kryengritje ndonjëherë është përshkruar si orvatje e disave në Kishën Katolike, që ajo të merrte sërish pushtetin që kishte pasur para Reformës. Pavarësisht nga lufta, këto ligje mbetën në fuqi deri në vitin 1992 kur u miratua një ligj për shoqatat fetare. Edhe sot ekziston një mungesë e theksuar besimi ndaj shoqatave fetare. Priftërinjtë dhe klerikët ende nuk lejohen të marrin pjesë në politikë, e ndonëse organizatat fetare tani mund të kenë pasuritë e veta, çdo pasuri e kishës e fituar përpara vitit 1992, i përket akoma qeverisë. Megjithatë, ligji nuk ka penguar që shumë priftërinj meksikanë të merren me politikë.
Çfarë u arrit?
A patën ndonjë dobi të qëndrueshme të ashtuquajturit kristeros, duke marrë armët në mbrojtje të fesë së tyre? Maria Baladesi që mbijetoi nga ajo trazirë, thotë: «Mendoj se gjithë ajo masakër qe e kotë. Ishte një budallallëk.» Pedro Rosales Bargasi, i cituar në hyrje, tha për pasojat e trishtueshme të luftës: «Njerëzit vritnin njëri-tjetrin, edhe ata të fesë së vet. Ja, kështu mbeta jetim, më vranë babanë.»
Mësimet e nxjerra nga ngjarjet e hidhura të kësaj kryengritjeje, nuk e kanë frenuar ndjenjën fetare t’u fryjë flakëve të konflikteve, siç ndodhi në Irlandën e Veriut dhe në ish-Jugosllavi. Vetëm nëse zbatohet feja e vërtetë e Krishtit mund t’u bëhet pritë tragjedive të tilla. Jezui i urdhëroi dishepujt e tij të mos merreshin me politikë, të mos ishin «pjesë e botës». (Gjoni 17:16; 18:36) Kur apostulli Pjetër u përpoq me dhunë të ndalonte arrestimin e Jezuit, ky i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të marrin fund.»”—Mateu 26:52.
Si i përgjigjen të krishterët kundërshtimit
A do të thotë kjo që të krishterët duhet të rrinë duarkryq kur rrezikohet liria e adhurimit? Jo. Kur u përndoqën, të krishterët e shekullit të parë, përdorën disa herë mjete ligjore për t’u mbrojtur. Ata iu drejtuan gjykatave. Edhe pse ndonjëherë i burgosnin, kurrë nuk hoqën dorë nga besimi i tyre dhe nuk bënë kompromis me asnjanësinë politike.—Veprat 5:27-42.
Në asnjë rrethanë të krishterët nuk ngritën armët për të vendosur të drejtat e tyre fetare me dhunë. Të krishterët e vërtetë nuk i vrasin njerëzit e feve të tjera, e aq më tepër bashkëbesimtarët. Përkundrazi, ata ndjekin me besnikëri fjalët e mësuesit të tyre: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.»—Gjoni 13:35.
[Figura në faqen 12]
Një prift dhe dy luftëtarë kristeros
[Burimi]
© (Numri i fotografisë në arkiv: 422036) SINAFO-Fototeca Nacional
[Figura në faqen 13]
Presidenti Plutarko Kajes
[Burimi]
© (Numri i fotografisë në arkiv: 66027) SINAFO-Fototeca Nacional
[Figura në faqen 13]
Disa udhëheqës kristeros
[Burimi]
© (Numri i fotografisë në arkiv: 451110) SINAFO-Fototeca Nacional