Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjetëm diçka më të mirë

Gjetëm diçka më të mirë

Gjetëm diçka më të mirë

TREGUAR NGA FRANSIS DEL ROSARJO DE PAES

Në vitin 1988, unë dhe vëllezërit e mi, si edhe grupe të tjera muzikore, interpretuam përpara mijëra spektatorëve në Madison Square Garden, Nju-Jork. Grupi ynë, që kishte të veçantë kërcimin tim, u prit me shumë entuziazëm. Që kur ishim të rinj, babai kishte bërë çmos të ishim të suksesshëm.

BABAI, që ishte vetë muzikant, vuri re se të shtatë vëllezërit e mi më të rritur kishin talent për muzikë. Prandaj shiti shtëpinë dhe, me ato para, bleu instrumentet e pajisjet muzikore që duheshin për të formuar një grup muzikor. Unë kisha lindur në vitin 1966, ndaj në atë kohë isha shumë e vogël. Atëherë, familja jonë banonte në qytetin e Higuait, në Republikën Domenikane.

Vëllezërit debutuan në vitin 1978, në bashkinë e qytetit. Më vonë, u vendosën në kryeqytet, në Santo-Domingo. Nisën të luanin dhe të këndonin një stil të ri të merengës, dhe si rezultat, fituan popullaritet të madh. * Grupi u bë i njohur me emrin Los Ermanos Rosarjo (Vëllezërit Rosarjo).

Prej kohësh e kisha ëndërr të bëhesha një kërcimtare e famshme, prandaj dëshiroja të bëhesha edhe unë pjesë e grupit. Në një festë, Pepeja, vëllai që ishte drejtuesi i grupit, më ftoi të kërceja duke thënë: «Fransis është motra ime më e vogël dhe di të kërcejë bukur.» Kërcimi im u bëri përshtypje të pranishmëve. Shfrytëzova rastin dhe i thashë Pepes që doja të kërceja përpara grupit. Kështu, në moshën 16-vjeçare, nisa të kërceja në të gjitha shfaqjet që jepte grupi Los Ermanos Rosarjos.

Sukses profesional

Deri atëherë, në grupet merenge kishte pasur femra këngëtare, por kurrë s’kishte pasur ndonjë vajzë që kërcente në mes të skenës, përpara një grupi burrash. Koreografinë e bëja vetë, dhe përdorja një stil të ri kërcimi për t’iu përshtatur stilit tonë të ri të merengës. Pasi stili im i kërcimit u bë i famshëm, nisi të quhej a lo Fransis Rosarjos, d.m.th sipas Fransis Rosarjos.

Këndonim një këngë me titull «Kumande», një varg i së cilës thoshte: «I aora todo el mundo komo Fransis Rosario», (dhe tani të gjithë kërcejnë si Fransis Rosarjo). Njerëzit imitonin stilin tim të kërcimit. Disa herë, thjesht uleshin përdhe dhe më shihnin mua në vend që të kërcenin vetë. Së fundi, për të reklamuar shfaqjet e grupit përdorej vetëm një fotografi imja. Të gjithë e dinin që fotografia ime, do të thoshte se Los Ermanos Rosarjo do të jepnin koncert.

Pas meje, grupit iu shtuan edhe muzikantë të tjerë, përfshirë këtu tre vëllezërit Paes. Njëri prej tyre, Robertoja, që i binte trumbetës, u bë më vonë bashkëshorti im. Edhe vëllezërit Paes, nisën të korrnin sukses si pjesëtarë të grupit. Grupit Los Ermanos Rosarjo, po i vinin shumë ftesa për të luajtur në televizionin e Santo-Domingos, si edhe të jepte koncerte në vende të tjera.

Në vitin 1988, bëmë një turne në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Një nga shfaqjet që dhamë, ishte ajo për të cilën fola në hyrje të artikullit. Morën pjesë shumë nga grupet më të famshme të merengës, por grupi ynë u prit më mirë nga të gjithë. Pas atij interpretimi, organizatorët e koncerteve na prezantonin gjithnjë neve në mbyllje të programit. Më tepër se kurrë, kërcimi im po tërhiqte vëmendjen e publikut, dhe fansat e Los Ermanos Rosarjos, po shtoheshin. Edhe kasetat me këngët tona po shiteshin jashtëzakonisht.

Udhëtonim shumë. Vizituam Kolumbinë, Ekuadorin, Panamanë, Porto-Rikon, Kurasaon, Spanjën, Gjermaninë, si edhe vende të tjera. Shpejt, u bëmë një nga grupet muzikore më të admiruara në vendet e Amerikës Latine. Kërcimi, skena, kostumet dhe grimi, të gjitha u bënë gjërat më të rëndësishme në jetën time.

Kur isha beqare, thosha gjithnjë se, nëse një djalë që do të interesohej për mua, nuk do ta kishte qejf kërcimin, preferoja ta lija më mirë atë sesa kërcimin. Megjithatë, qëndrimi im për gjërat që u jepja përparësi në jetë, shpejt do të ndryshonte.

Zgjohem frymësisht

Ky ndryshim ndodhi kur ishim në një turne në ishujt Kanarie, në vitin 1991. S’kisha shumë që isha martuar me Roberton. Vëllai i tij, Fredi, edhe ai pjesëtar i grupit, kishte filluar të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe gjithmonë i merrte me vete botimet e tyre.

Një ditë, në dhomën e Fredit pashë librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën mbi tokë. Nisa ta shfletoja. Më bëri për vete kapitulli «A ekziston me të vërtetë ferri?» Më tërhoqi vëmendjen, ngaqë mamaja më kishte thënë se një njeri që kishte bërë keq, do të digjej në ferr. Kështu që kisha frikë të përfundoja atje.

Disa javë më pas, ndërsa ishim ende në ishujt Kanarie, bëra një abort spontan. Kur më çuan në spital, i thashë Robertos t’i kërkonte Fredit të më jepte librin që kisha parë në dhomën e tij. Doja ta lexoja ndërkohë që do të rrija shtruar për të marrë veten. Libri më pëlqeu shumë. Midis gjërave të tjera, mësova se ferri që përmend Bibla, është thjesht varri i përbashkët i njerëzimit, dhe se Perëndia kurrë s’kishte pasur në mendje të torturonte dikë. (Jeremia 7:31) Më bëri përshtypje që Bibla mëson se të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.​—Predikuesi 9:5, 10.

Kur u kthyem në Republikën Domenikane, Fredi dërgoi një Dëshmitar të Jehovait të na vizitonte. Ai na tregoi për shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore, që premton Bibla, dhe kjo zgjoi edhe interesin e tim shoqi. (Psalmi 37:29; Luka 23:43) Kërkuam një studim biblik.

Ndryshojnë parimet dhe përparësitë

Ndërsa përparoja në njohurinë e Biblës, pikëpamja ime për punën që e doja aq shumë, nisi të ndryshonte. Parimet biblike filluan të më modelonin mënyrën e të menduarit. (Romakëve 12:2) Pyesja veten: «Si mund të kërcej në këtë mënyrë përpara gjithë atyre njerëzve që më shohin? Unë s’dua të bëj kështu.» Iu luta Perëndisë: «Të lutem më nxirr nga kjo gjendje.» Fola me tim shoq se si ndihesha. Edhe ai ndihej njësoj. «Ki durim e dashur,​—më tha.​—Ti lëre e para grupin, dhe pak më vonë do të të ndjek edhe unë.»

Mbeta shtatzënë përsëri dhe, meqë kjo më pengonte të kërceja, isha e lirë t’i ndiqja më shpesh mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë. Edhe Robertoja vinte në mbledhje, dhe pjesëmarrja në to na forcoi shumë. Kuptuam se sa e çmuar ishte të mbledhurit bashkë me popullin e Jehovait. Kuptuam se që të përparonim në udhën e së vërtetës, kishim nevojë për mësimin dhe inkurajimin që sigurohej në mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:24, 25) Edhe kur punonim jashtë Republikës Domenikane, unë dhe Robertoja kërkonim për ndonjë Sallë Mbretërie dhe i ndiqnim mbledhjet.

Pas lindjes, u riktheva në punë. U riktheva me trup, por jo me zemër. Ndryshimi u duk menjëherë, dhe shtypi filloi të më kritikonte. Shpesh më pyetnin: «Pse nuk kërcen më ashtu si di ti?» I lutesha pa pushim Jehovait të më jepte një rrugëdalje, që të mos kisha probleme me vëllezërit. Mbaja shumë përgjegjësi brenda grupit dhe nuk doja të kisha përplasje me ta.

Kur mbeta përsëri shtatzënë, i thashë Rafës, i cili drejtonte grupin pasi vdiq Pepeja, se doja të kaloja më shumë kohë me fëmijët dhe nuk do të kthehesha më në punë. Më tha të bëja atë që mendoja se ishte më e mira. Asnjëri nga vëllezërit nuk më ka kundërshtuar ndonjëherë për studimin e Biblës. Për këtë u jam shumë mirënjohëse.

Një jetë e re në shërbim të Jehovait

Në vitin 1993, pasi kisha bërë dhjetë vjet në grup, hoqa dorë nga karriera si kërcimtare dhe ia kushtova veten pa rezerva Jehovait. U bëra lajmëtare e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe, pasi Robertoja u shkëput nga grupi, u pagëzuam të dy në vitin 1994. (Mateu 24:14) Edhe Fredi me Huljon, vëllai tjetër i Robertos, u bënë Dëshmitarë, si edhe Manuel Peresi, një tjetër pjesëtar i grupit. Ata akoma po i shërbejnë Jehovait me besnikëri.

Shumë veta s’arritën ta kuptonin pse e lashë botën e artit, për më tepër ngaqë më pëlqente jashtë mase të kërceja. Disa veta, si edhe një producent i njohur televiziv në vendin tonë, mendonin se ishte thjesht një fazë kalimtare. «Si të gjithë artistët, do ta kalojë dhe do të rikthehet në grup»,​—parashikoi ai. Por kjo s’ndodhi asnjëherë. Isha e vendosur të bëja sa më shumë të ishte e mundur në shërbim të Jehovait.

Tani kemi tre fëmijë: Katin, Roberton dhe Obedin. Përpiqemi t’u mësojmë se gjërat më të rëndësishme në jetë janë gjërat frymore dhe jo materiale. Falë përvojës, mund t’i paralajmërojmë për ndikimin e keq të botës dhe t’u sigurojmë udhëheqje të shëndetshme në jetë. Studimi familjar që bëjmë rregullisht çdo javë, ka qenë shumë i dobishëm. Na ka ndihmuar të qëndrojmë të lidhur fort në një botë ku familjet po përçahen gjithnjë e më tepër.

Jemi përpjekur t’i mësojmë fëmijët që ta shohin Jehovain si person real, të cilit mund t’i besojnë. (Fjalët e urta 3:5, 6; Hebrenjve 11:27) Gjithashtu, u kemi treguar rëndësinë e ndjekjes së mbledhjeve të krishtere dhe pjesëmarrjes aktive në to. T’i shohësh fëmijët të rriten në udhën e së vërtetës, është një dhuratë që s’ka të çmuar. Këto dy vitet e fundit, kam shërbyer si pioniere ndihmëse, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që kalojnë 50 orë ose më shumë çdo muaj, duke folur me të tjerët për bindjet e tyre të bazuara në Bibël. Kurse im shoq, ka vite që shërben si mbikëqyrës në kongregacionin e krishterë.

Ende e konsideroj merengën një stil të bukur kërcimi. Por, mjerisht, shumë nga merengat popullore të sotme janë goxha ndryshe nga ato që kanë qenë më parë. Më parë, zakonisht ishte një kërcim i dëlirë. Tani, të gjesh muzikë merenge të pranueshme, duhet të jesh shumë seleksionues.

Epërsia e shërbimit të Jehovait

Bota të ofron plot gjëra, por duhet parë çfarë fshihet pas tyre. Kjo është e vërtetë sidomos në lidhje me botën e muzikës, që në pamje të parë mund të duket mjaft tërheqëse dhe e padëmshme. Por ja që nuk është kështu. Shumë nga ata që bëhen pjesë e botës së muzikës, merren me drogë dhe përfshihen në imoralitet. Kur interpreton në një shfaqje, gjendesh në shoqëri me njerëz që mendojnë se duhet ta shijojnë momentin sa më shumë të jetë e mundur, dhe që nuk u punon fare ndërgjegjja.​—1 Korintasve 15:33.

Kemi kuptuar se gjëja më e mirë që mund të bëjë një njeri, është t’i shërbejë Jehovait. Më kujtohet një herë kur u ktheva në hotel pas një shfaqjeje. Edhe pse ishte një nga më të bujshmet, ndieja një boshllëk brenda vetes. Tani e kuptoj përse. Nuk po plotësonim nevojën tonë më të rëndësishme, atë frymore.​—Mateu 5:3.

Qëllimi ynë kryesor sot është të kënaqim Krijuesin tonë, veçanërisht duke predikuar dhe duke u shpallur të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë së tij. (Mateu 24:14; Veprat 20:35) Falë kësaj, familja jonë është e lumtur dhe e kënaqur. Jemi vërtet shumë të kënaqur që jemi mes popullit të Perëndisë dhe kemi miq të vërtetë​—vëllezër dhe motra në besim​—me të cilët ndajmë shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme në botën e re të Perëndisë.​—Marku 10:29, 30; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4.

Paguheshim mirë në botën e artit. Por, sa më shumë njohim Perëndinë tonë, Jehovain, aq më tepër gjejmë pasuri frymore që janë ku e ku më të çmuara sesa ato materiale. Jemi shumë të lumtur që kemi mundësi t’i shërbejmë një Perëndie që ka një qëllim, një Perëndie të lumtur i cili na fton të besojmë tek ai. (Psalmi 37:3) Jemi plotësisht të bindur që kemi gjetur diçka më të mirë sesa fama dhe pasuria, dhe lutemi që Jehovai të ndihmojë secilin prej nesh, dhe si familje, të bëjmë vullnetin e tij përgjithmonë.

[Shënimi]

^ par. 5 Merenga është një muzikë vallëzimi që luhet në kohën 2/4. Sipas mënyrës tradicionale, një grup i vogël muzikantësh luajnë merengën me fizarmonikë, me guiro (vegël metalike vezake me kanale nga njëra anë, e cila kur fërkohet me shufër, lëshon tinguj), dhe me tambora (një daulle e vogël me dy funde). Me kalimin e kohës, u formuan grupe të tjera më të mëdha (në Republikën Domenikane njiheshin edhe si orkestas). Sot, shumë grupe që luajnë merengën, kanë organo, saksofon, trumbeta e daulle konga, si edhe vegla të tjera muzikore.

[Figura në faqen 21]

Me pjesëtarët e tjerë të grupit, në fillimet e karrierës sime

[Figura në faqen 21]

Shfaqje në Nju-Jork, rreth vitit 1990

[Figura në faqen 23]

Përpara Sallës së Mbretërisë

[Figura në faqen 23]

Fotografia e vogël: gjatë studimit familjar