Krepat me tapioka—Një ushqim i shijshëm brazilian
Krepat me tapioka—Një ushqim i shijshëm brazilian
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Brazil
NË BRAZIL, tapioka i referohet disa prodhimeve që dalin nga bima e maniokës. Një prej tyre është buka e thjeshtë, e prerë hollë dhe e sheshtë. Kjo bukë ngjan më tepër si petull e hollë ose krep dhe shpesh quhet krepa me tapioka. Krepat bëhen me niseshte të imët, që njihet si polvilho doce ose goma, e cila prodhohet nga rrënjët e tulta të maniokës.
Pasi grihen në rende dhe shtrydhen, rrënjët nxjerrin një lëng të bardhë si qumësht. Lëngu lihet mënjanë të kullojë. Pastaj, lëngu derdhet dhe lënda që ka filtruar në fund, pra niseshteja, lihet në diell të thahet.
Tapioka ishte ushqimi bazë për indianët. Më vonë, të shpërngulurit portugezë panë se tapioka mund të përdorej shumë mirë në vend të bukës. Megjithatë, vetëm pak vite më parë tapioka ra në sy të disa shefave të kuzhinës braziliane, të cilët vendosën ta shndërronin tapiokën, në një gatim shumë të kërkuar në menutë e restoranteve të tyre.
Duke dashur të kënaqnin klientët me gusto më të veçantë, këta kryekuzhinierë, nisën t’i përgatitnin ndryshe krepat e zakonshëm duke lënë të shpalosej talenti i tyre në këtë fushë. Sot, krepat me tapioka preferohen shumë, dhe e bëjnë më të veçantë kuzhinën braziliane. Disa restorante janë bërë të famshme pikërisht nga gatimi i krepave.
Përse të mos provoni t’i gatuani edhe ju? Do t’i kënaqni familjarët dhe miqtë tuaj, e përveç kësaj do të provojnë diçka të re që s’e kanë shijuar më parë.
[Kutia dhe figura në faqen 24]
Përgatitja e krepave me tapioka
Përbërësit për tetë krepa:
3 filxhanë me polvilho doce, 1 filxhan e gjysmë ujë dhe pak kripë.
Udhëzime: Në një tas mesatar, hidhni pak nga pak ujë mbi polvilho doce, kripën dhe përziejeni me gishta. Ndërkohë që e punoni brumin me duar, shtoni gradualisht ujë derisa masa të forcohet, dhe të mos ju ngjitë nëpër duar kur ta mblidhni top. Pastaj, ngjesheni topin e brumit në një sitë. Tani është gati për të bërë krepat.
Në temperaturë mesatare, nxehni një tigan që nuk ngjit. Hidhni një të tetën e brumit, dhe përhapeni me kurrizin e lugës kudo njëlloj në të gjithë tiganin. Lëreni dy deri katër minuta, ose deri sa përzierja të lidhet e të formojë një petull të sheshtë, dhe mos e lini të ngjitet në anët e tiganit. Kthejeni në anën tjetër me një paletë plastike, dhe lëreni për një minutë. Po kështu bëni me pjesën tjetër të brumit. Krepat e bëra vendosini njëra mbi tjetrën.
Mund t’i jepni pamje të ndryshme krepave me tapioka duke i mbushur me çfarë të doni. Për mëngjes, lyejini me gjalpë sa janë akoma të ngrohta, dhe pastaj hidhini dy lugë kafeje me arra kokosi të sapogrira. Ose mund t’u hidhni qumësht të kondensuar të ëmbël, arra kokosi, pastaj palosini dhe krepat janë gati.
[Figura në faqen 24]
Rrënjët e maniokës
[Figura në faqen 24]
Krep me tapioka e mbushur me arra kokosi dhe qumësht të kondensuar