Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Dhjamosja Dua t’ju lavdëroj për serinë «Dhjamosja: Cila është zgjidhja?» (8 nëntor 2004) Kam rënë 50 kile falë një diete me ushqim më të shëndetshëm dhe plus kam bërë ushtrime çdo ditë. Që kur kam rënë nga pesha, rezistoj më shumë. Kështu, tani mund të rri më gjatë në predikim pa u ndier e sfilitur.
M. E., Shtetet e Bashkuara
Jam afër të 50-ve. Kam filluar t’i kushtoj më shumë vëmendje shëndetit, por pa u shqetësuar tepër për dhjamosjen. Tani jam e vendosur. Do të dobësohem se s’bën. Menjëherë, nisa ta zbatoja këtë vendim. Kjo seri artikujsh më siguroi se Jehovai kujdeset për secilin nga ne.
H. S., Japoni
Faleminderit për informacionin e saktë për dhjamosjen. Sot nisa programin e ushtrimeve dhe ndryshova zakonet e të ngrënit. Kam mbi 30 vjet që e lexoj revistën tuaj Zgjohuni! Më ka ndihmuar shumë gjatë këtyre viteve.
N. Xh., Shtetet e Bashkuara
Jam 160 kile. Sipas tabelës në faqen 5 të revistës, duhet të jem 76. Kam shumë punë për të bërë që të humbas gjithë këto kile. E di se ky artikull dhe përvojat e shkruara në të, do të më ndihmojnë.
U. O., Shtetet e Bashkuara
Jam e kënaqur që Jehovai dhe organizata e tij merakosen për shëndetin tonë. Megjithatë, një gjë që më shqetësoi ishte tabela në faqen 5. Disa mjekë përdorin një tabelë që tregon peshën minimale dhe maksimale që duhet të ketë një njeri sipas konstruktit të vet. Unë kam konstrukt të fortë, kështu që pesha ime duhet të jetë ndryshe nga ajo e dikujt tjetër me konstrukt më të dobët se unë, por me të njëjtën gjatësi.
S. S., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Faleminderit për informacionin. Tabela në faqen 5 është vetëm një nga llojet e tabelave që e ndihmon dikë të përcaktojë peshën e përshtatshme të tij ose të saj. Nuk kishim si qëllim t’i nxirrnim tabelat e tjera më pak të vlefshme.
Kjo seri pasqyronte pikëpamjen që mbizotëron sot se një njeri elegant është i suksesshëm, kurse një njeri mbipeshë, e kundërta. Pse jam mbipeshë, do të thotë se jam përtace, e mefshtë dhe pa vlerë?
I. J., Gjermani
Mendoj se keni lënë pa përmendur aspektin psikologjik të këtij problemi. Jam dakord se është e rëndësishme të përpiqemi të mos dhjamosemi, por ta zëmë sikur dikush nuk ia del dot. Si do të ndihet ai apo ajo?
Y. Zh., Rusi
Nga këta artikuj, disa lexues mund të mendojnë se Jehovai do vetëm ata që janë të dobët ose vetëm ata që kanë një peshë «normale» lejohen të jenë Dëshmitarë të Jehovait.
R. B., Gjermani
«Zgjohuni!» përgjigjet: Të tre lexuesit më sipër, ngrejnë disa çështje që nuk u trajtuan në serinë tonë. Kuptohet, dhjamosja shkaktohet nga një sërë shkaqesh që mund të mos kenë të bëjnë fare me teprimin në të ngrënë. Për shembull, disa ilaçe mund të bëjnë që një njeri të shëndoshet. Po ashtu, faktorët gjenetikë mund të ndikojnë që disa ta kenë të vështirë të bien nga pesha. Cilido qoftë shkaku, nuk kishim si qëllim të thoshim se Perëndia pranon vetëm ata me peshë ideale. Ne shpresonim se kjo seri do të siguronte nxitje dhe sugjerime praktike për këdo që do të donte të kishte një program të shëndetshëm të të ushqyerit dhe fizkulture dhe, si rezultat, të hiqte kilet e tepërta. Programe të tilla shpëtojnë jetë. Na vjen keq për çdo keqkuptim që është krijuar.