Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
«Depozitohet» kohë në vend të parave
Në Spanjë ka dalë një formë e re depozitimi. Disa shoqëri vullnetare vendëse kanë krijuar «banka të kohës», që shkëmbejnë shërbime mes njerëzve. «‘Banka e kohës’ është e para bankë që funksionon pa para»,—thotë Elvira Mendes, drejtoreshë e shoqërisë spanjolle Shëndeti dhe Familja. Këto banka kanë një listë me emrat e qytetarëve që janë të gatshëm të kryejnë punë të ndryshme, si për shembull, të kujdesen për të moshuarit, për fëmijët, të gatuajnë, të pastrojnë ose të japin mësim. «Njësia monetare» që marrin si shkëmbim, është ora, dhe të gjitha aktivitetet kanë të njëjtën vlerë. Për shembull, të japësh një orë fizikë në lidhje me teorinë e kuanteve, është baraz me një orë punë si parukiere ose si bebisiter. Personi që përfiton nga ky shërbim «paguan» duke bërë punë të tjera, dhe i «kreditohet» koha e harxhuar. Kështu, bankat e kohës përpiqen të organizojnë dhe të inkurajojnë shërbimet dobiprurëse që ekzistonin dikur mes fqinjëve të mirë.
Kafshë shtëpiake të klonuara me porosi
Tani kafshët shtëpiake klonohen me porosi. Sipas raportit të gazetës The New York Times, rasti i parë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë për një mace që ishte porositur nga një grua nga Teksasi. Në vend të të ndjerës Niki, macja që kishte pasur për 17 vjet, gruaja mori një kotele të klonuar nga ADN-ja e Nikit, që ishte ruajtur më përpara. Kjo i kushtoi 50.000 dollarë. Kotelja, e quajtur Niki i vogël, thuhet se është identike, madje edhe në personalitet, me macen origjinale. Gazeta thotë se kompania që prodhoi Nikin e vogël, planifikon të klonojë qen, sepse mendohet që tregu i qenve të jetë më fitimprurës sesa ai i maceve. David Magnus, bashkëdrejtues i Qendrës për Etikën Biomjekësore në Universitetin e Stenfordit, Kaliforni, dhe kritik i metodave të tilla, tha: «Është një problem etik dhe për të ardhur turp. Për 50.000 dollarë, ajo mund të siguronte shtëpi për shumë mace të rrugëve.»
Qentë parandiejnë krizat epileptike
Gazeta spanjolle Diario Médico, raporton se disa qen që janë mbajtur në shtëpi për më shumë se një vit, mund të parandiejnë krizat epileptike të fëmijëve të shtëpisë ku jetojnë. Studiuesit arritën në këtë përfundim pasi studiuan 45 familje. Disa prindër me fëmijë epileptikë, kishin vënë re se përpara një krize, qeni fillonte të sillej në «mënyrë të pazakontë». Ai e shtynte fëmijën të ulej ose mbështetej prapa fëmijës, që, dhe po të rrëzohej, të binte mbi qenin e të mos vritej shumë.
Bhutani ndalon shitjen e duhanit
Mbretëria e Bhutanit që ndodhet mes Himalajave, ndërmjet Indisë dhe Kinës, ka ndaluar shitjen e duhanit. Ky ligj nuk zbatohet për diplomatët e huaj ose turistët, ose për ata që punojnë në organizatat joqeveritare. Mendohet se Bhutani është vendi i parë në botë që ka ndërmarrë këtë hap. Po ashtu është ndaluar edhe pirja e duhanit në vende publike. BBC News raporton: «Të gjitha këto veprime po ndërmerren në harmoni me përpjekjet e qeverisë për ta bërë Bhutanin një vend ku asnjë nuk e pi duhanin.»
Traumat e fëmijërisë lidhen me sëmundjet e zemrës
Përvojat e hidhura që përjetojnë fëmijët, qoftë nga ana fizike, qoftë psikologjike, rritin rrezikun që në të ardhmen, të vuajnë nga ndonjë sëmundje e zemrës. Ky përfundim u arrit nga studiuesit në Atlantë, Xhorxhia, dhe San-Diego, Kaliforni, SHBA, që shqyrtuan të dhënat mjekësore të 17.337 të rriturve. Science News shpjegon se ata u klasifikuan si persona që «në fëmijërinë e tyre, kishin qenë dëshmitarë të dhunës në familje, me ta ishte abuzuar fizikisht, mendërisht ose ishin lënë pas dore, ose kishin jetuar me dikë që e burgosën më pas, që drogohej, pinte ose ishte i sëmurë mendor». U zbulua se sa më i madh të ishte numri përvojave të hidhura që dikush kishte përjetuar herët në jetë, «aq më të mëdha ishin mundësitë që të kishte sëmundje të zemrës» kur të rritej.
Gjak i infektuar në Japoni
Ministria e shëndetësisë së Japonisë, ka ndërmarrë një hap jo të zakonshëm, duke bërë të njohur «emrat e 6.916 spitaleve dhe 17 kompanive që furnizojnë me produkte mjekësore, që mendohet se kanë grumbulluar për t’u përdorur, një përbërës gjaku të infektuar me hepatit C», siç pohon The Japan Times. Ky përbërës që përdoret për mpiksjen e gjakut, shkaktoi «një nga katastrofat mjekësore më të mëdha në historinë e pasluftës në Japoni». Sipas gazetës, gjatë periudhës 1980-2001, rreth 290.000 njerëz u trajtuan me këtë përbërës. U infektuan 10.000 veta. Shumë prej tyre, ishin gra shtatzëna, që e morën këtë produkt për të ndaluar hemorragjinë gjatë lindjes. Njoftimi që doli nga ministria, u pasua nga disa fushata të viktimave, të cilat donin ta bënin publik problemin e tyre dhe të inkurajonin këdo që kishte marrë këtë produkt, të bënte analizat për hepatitin C. Nëse nuk kurohet, hepatiti C mund të jetë vdekjeprurës.
Bretkosat rrezikojnë të zhduken
Miliona bretkosa po ngordhin, sipas revistës New Scientist, dhe askush nuk po e kupton qartë përse. Rreziku i zhdukjes së tyre është më i madh sesa ai i zogjve dhe gjitarëve. Janë në rrezik pothuajse një e treta e 5.743 llojeve të njohura të amfibëve. Këto janë disa nga përfundimet e arritura nga studimi i parë botëror për amfibët. Revista raporton se «shkencëtarët kanë qenë në merak për gjendjen e amfibëve që nga 1989-a, kur u shqyrtuan të dhënat në Konferencën e parë Ndërkombëtare për Herpetologjinë, dhe zbuluan një rënie të menjëhershme dhe të pakuptimshme të shumë llojeve përreth botës». Që nga viti 1980, janë zhdukur nëntë lloje amfibësh, dhe 113 lloje të tjera që ekzistonin asokohe, «nuk gjenden më». «Thjesht, nuk e dimë pse po bie numri i tyre»,—thotë zoologu Xhejms Henkeni i Universitetit të Harvardit.
Mungesë besimi
Anembanë botës, politikanëve dhe bosëve të biznesit nuk u zihet besë, siç raporton e përditshmja e Parisit International Herald Tribune. Sipas anketës ndërkombëtare Gallup, të zhvilluar në 60 vende, një shumicë njerëzish besojnë se politikanët janë «të pandershëm», kanë «tepër pushtet», «manipulohen kollaj fare nga të tjerët» dhe «sillen pa etikë». Mbi 80 për qind e të anketuarve nga Afrika, Azia Perëndimore dhe Amerika Latine, shprehën dyshimet e tyre për ndershmërinë e politikanëve. Bosët e biznesit kanë një reputacion paksa më të mirë. Vetëm rreth 40 për qind e të anketuarve mendonin se biznesmenët janë të pandershëm dhe të pasjellshëm. Për sa i përket sigurisë globale, 55 për qind në Evropën Perëndimore ishin pesimistë për të ardhmen. Në Egjipt, 70 për qind «e shihnin të ardhmen të zymtë». Më optimistët ishin ata nga vendet e tjera të Afrikës, dhe 50 për qind e tyre, besonin se situata do të përmirësohej.