Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta shmang shoqërinë me njerëzit e gabuar?

Si ta shmang shoqërinë me njerëzit e gabuar?

Të rinjtë pyesin . . .

Si ta shmang shoqërinë me njerëzit e gabuar?

«Në shkollë, fillova të rrija me një vajzë. . . . Nuk drogohej, nuk shkonte nëpër festat e shfrenuara dhe nuk ishte e shthurur. Madje, s’përdorte fjalë të pista dhe shkëlqente në mësime. Megjithatë, s’ka dyshim që ishte një shoqëri e keqe.»​—Beverli. *

PSE arriti në këtë përfundim Beverli? Sepse po ndryshonte për keq. Dhe kuptoi se ishte ndikuar pikërisht nga ajo vajzë. «Ndërsa shoqërohesha me të,​—shpjegon Beverli,​—fillova të lexoja libra me spiritizëm, madje, arrita deri aty sa shkrova edhe një tregim me këtë përmbajtje.»

Edhe një e re me emrin Melani, filloi të sillej në mënyrë të papërshtatshme​—e nxitur nga dikush që thoshte se ishte e krishterë. Si mund ta dish se dikush me të cilin shoqërohesh, do të ndikojë për mirë apo për keq te ti? A është gjithnjë e rrezikshme të krijosh lidhje të ngushta me njerëz që nuk kanë të njëjtat bindje me ty? A mund të jemi gjithnjë të sigurt për shoqëritë mes të krishterëve?

Ç’mund të themi veçanërisht për shoqërinë me dikë të seksit tjetër? Nëse po mendon për dikë si bashkëshortin ose bashkëshorten tënde të mundshme, si mund ta dish se kjo marrëdhënie do të ketë një ndikim pozitiv në gjendjen tënde frymore? Le të shohim se si parimet e Biblës mund të na ndihmojnë të gjejmë përgjigjet e këtyre pyetjeve.

Kë mund të quajmë shoqëri të mirë?

A ngurroi Beverli të vazhdonte ta mbante shoqërinë me shoqen e shkollës, vetëm sepse ajo nuk ishte një adhuruese e Perëndisë së vërtetë? Kuptohet, të krishterët e vërtetë nuk mendojnë që një njeri është imoral, vetëm sepse nuk ka të njëjtat bindje fetare me ta. Por, kur është fjala për të lidhur miqësi të ngushta, atëherë po që duhet kujdes. Apostulli Pavël i paralajmëroi pjesëtarët e kongregacionit të Korintit në shekullin e parë: «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.» (1 Korintasve 15:33) Çfarë donte të thoshte?

Ka shumë mundësi që disa nga të krishterët korintas po shoqëroheshin me epikurianët, ndjekësit e filozofit grek Epikurit. Në të vërtetë, Epikuri i mësonte ithtarët e tij të shfaqnin në jetën e tyre gjykim të shëndoshë, guxim, vetëkontroll dhe drejtësi. Madje, i nxiste të mos kryenin keqbërje në fshehtësi. Atëherë, pse Pavli i konsideronte epikurianët, madje edhe ata brenda kongregacionit që kishin ide të ngjashme, si ‘shoqëri të këqija’?

Epikurianët nuk ishin adhurues të Perëndisë së vërtetë. Meqë nuk besonin te ringjallja e të vdekurve, qëllimi i tyre i vetëm ishte që të merrnin sa më shumë kënaqësi nga jeta. (Veprat 17:18, 19, 32) Prandaj s’ishte çudi përse disa nga kongregacioni i Korintit, duke u shoqëruar me ta, kishin filluar ta humbnin besimin te ringjallja. Ja përse kapitulli i 15-të te 1 Korintasve​—ku gjejmë paralajmërimin e Pavlit për shoqëritë e këqija​—përmban argumentime posaçërisht për t’u forcuar bindjen atyre të krishterëve, se shpresa e ringjalljes është e vërtetë.

Cila është pika? Edhe njerëzit që s’besojnë te Perëndia, mund të shfaqin cilësi të shkëlqyera. Por, nëse i zgjedh si shokët e tu të ngushtë, mënyra jote e të menduarit, bindjet dhe sjellja jote do të ndikohen. Për këtë arsye, në letrën e tij të dytë drejtuar korintasve, Pavli tha: «Mos u futni nën të njëjtën zgjedhë me jobesimtarët.»​—2 Korintasve 6:14-18.

Fredi 16-vjeçar, pa se sa të mençura ishin fjalët e Pavlit. Në fillim, pranoi të merrte pjesë në një aktivitet jashtëshkollor, që përfshinte një udhëtim në një vend në zhvillim. Qëllimi ishte të ndihmonin në arsimimin e fëmijëve. Megjithatë, ndërsa bëhej gati bashkë me nxënësit e tjerë, Fredi ndryshoi mendje. Ai thotë: «E kuptova se shoqëria me ta për një kohë të gjatë, do të më dëmtonte frymësisht.» Për këtë arsye, Fredi vendosi të hiqte dorë nga ky projekt i shkollës dhe t’i ndihmonte njerëzit në nevojë në mënyra të tjera.

Shoqëritë mes të krishterëve

Çfarë mund të themi për miqësitë brenda kongregacionit të krishterë? Kur i shkroi të riut Timote, Pavli paralajmëroi: «E tani, në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari e argjendi, por edhe prej druri e balte dhe disa për një qëllim të nderuar, por të tjerat për një qëllim pa nder. Prandaj, nëse dikush mbahet i pastër nga këto të fundit, do të jetë enë për qëllim të nderuar, e shenjtëruar, e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.» (2 Timoteut 2:20, 21) Kështu Pavli nuk po e zbuste realitetin, pasi edhe mes të krishterëve mund të ketë disa që nuk sillen me ndershmëri. Ai foli hapur me Timoteun dhe e këshilloi të mbahej i pastër nga të tillë njerëz.

A do të thotë kjo që duhet të jesh dyshues ndaj bashkëkrishterëve? Aspak! Dhe as do të thotë të pretendosh që shokët e tu të mos kenë asnjë të metë. (Predikuesi 7:16-18) Nga ana tjetër, edhe pse një i krishterë ndjek mbledhjet, ose prindërit i ka të zellshëm në kongregacion, në vetvete nuk do të thotë që bën mirë ta zësh shok të ngushtë.

«Një djalë [ose vajzë] njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta»,​—thotë Fjalët e urta 20:11, BR. Prandaj, ndalu dhe mendo pak: ‘A duket qartë që për të marrëdhënia me Jehovain është gjëja më e rëndësishme në jetë? Ose, a sheh tek ai, në mënyrën si mendon dhe si sillet, diçka që pasqyron «frymën e botës»?’ (1 Korintasve 2:12; Efesianëve 2:2) Kur rri me të, a nxitesh që të adhurosh Jehovain?

Nëse zgjedh shokë që e duan shumë Jehovain dhe gjërat frymore, jo vetëm që do të shmangësh probleme, por gjithashtu do të forcohesh edhe më shumë për t’i shërbyer Perëndisë. Pavli i tha Timoteut: «Ndiq më mirë drejtësinë, besimin, dashurinë, paqen bashkë me ata që e thërrasin Zotërinë me zemër të pastër.»​—2 Timoteut 2:22.

Shoqëria me seksin tjetër

Nëse je tamam në moshë dhe dëshiron të martohesh, a ke menduar me kujdes se si parimet e mësipërme mund të të ndihmojnë në zgjedhjen e bashkëshortit? Mund të ketë shumë arsye përse të tërheq dikush, por asnjë nuk është më e rëndësishme sesa gjendja frymore e tij.

Ja përse Bibla na paralajmëron herë pas here që të mos martohemi me dikë që nuk është «në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39; Ligji i përtërirë 7:3, 4; Nehemia 13:25) Njerëzit që nuk janë të krishterë, mund të jenë vërtet të besueshëm, të respektueshëm e të këndshëm. Por, nuk kanë motivin që ke ti për t’i zhvilluar këto cilësi dhe për të pasur një martesë të lumtur ndërsa vitet ikin.

Nga ana tjetër, një që i është kushtuar Jehovait dhe është besnik ndaj tij, bën përpjekje të vetëdijshme që t’i zhvillojë e t’i ruajë cilësitë e krishtere, çfarëdo të ndodhë. Ai e kupton se, sipas Biblës, një marrëdhënie e dashur me bashkëshortin ndikon te marrëdhënia që ka me Jehovain. (Efesianëve 5:28, 33; 1 Pjetrit 3:7) Kështu, kur të dy bashkëshortët e duan Jehovain, kanë një motiv më të fortë për t’i qëndruar besnikë njëri-tjetrit.

A do të thotë se është e garantuar që martesat mes të krishterëve të funksionojnë? Jo. E zëmë se po mendon të martohesh me dikë që nuk ka shumë interes për gjërat frymore. Çfarë mund të ndodhë? Ngaqë nuk është i përgatitur për t’i rezistuar presioneve të këtij sistemi, një të dobët frymësisht ka më shumë të ngjarë ta marrë rryma e të largohet nga kongregacioni i krishterë. (Filipianëve 3:18; 1 Gjonit 2:19) Imagjinoni dhembjen therrëse dhe mosmarrëveshjet martesore që mund të përballoni, nëse bashkëshorti yt do të binte pre e ‘ndotjes së botës’.​—2 Pjetrit 2:20.

Përpara se të nisësh një lidhje që mund të të çojë drejt martesës, shqyrto këto pyetje për një bashkëshort të mundshëm: ‘A duket qartë që i vë gjërat frymore në vend të parë? A është një shembull i shkëlqyer në mënyrën e jetesës si i krishterë? A është i rrënjosur në të vërtetën, apo ka akoma nevojë të rritet frymësisht? A je i bindur se motivi kryesor në jetën e tij ose të saj, është dashuria për Jehovain?’ Gjithashtu, të ndihmon edhe dijenia se çfarë reputacioni ka. Së fundi, pasi ke bërë këtë shqyrtim, duhet të jesh i bindur se personi që të intereson, e do shumë Jehovain dhe ka shumë mundësi të jetë një partner i shkëlqyer.

Gjithashtu, mos harro se për disa tërheqja pas «njerëzve të gabuar», mund të fillojë me tërheqjen pas gjërave të gabuara, si për shembull, pas disa lloje zbavitjesh apo aktivitetesh të papërshtatshme. Të rinjtë shembullorë në kongregacion nuk do të bashkohen me ty në të tilla gjëra. Pra, shqyrto zemrën.

Nëse kupton se në zemrën tënde ka nevojë për disa ndryshime, mos i humb shpresat. Zemra mund të disiplinohet. (Fjalët e urta 23:12) Pika është: a dëshiron vërtet të ndryshosh? A dëshiron të bësh atë që është e mirë dhe të afrohesh me ata që veprojnë kështu? Me ndihmën e Jehovait, mund t’ia dalësh mbanë. (Psalmi 97:10) Nëse stërvit aftësitë e tua perceptuese për të shquar të drejtën nga e gabuara, do ta kesh edhe më të lehtë të përcaktosh se cilat shoqëri janë të shëndetshme dhe ndërtuese.​—Hebrenjve 5:14.

[Shënimi]

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

[Figura në faqen 26]

Shoqëritë e mira na ndërtojnë frymësisht