Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Do të doja ta kisha bërë më parë’

‘Do të doja ta kisha bërë më parë’

‘Do të doja ta kisha bërë më parë’

E kanë quajtur varësi, dhe me të drejtë. Nga një anketë në Shtetet e Bashkuara, u pa se djemtë në klasën e tetë (rreth 13 vjeç) kalonin mesatarisht 23 orë në javë me videolojëra. Edhe shumë të rritur janë bërë robër të këtij zakoni. Vini re se çfarë thotë Çarli *, një i krishterë: «Për mua, videolojërat ishin një mënyrë për të harruar problemet, një mënyrë për t’u çlodhur dhe për t’u larguar nga realiteti. Por unë isha bërë rob. Kisha rënë në varësinë e videolojërave ashtu si njerëzit bien në varësinë e drogës ose të alkoolit.»

Çarli thotë se, kur ishte rreth 11 vjeç, filloi të luante «gjithë kohën». Ai tregon: «Nuk luaja lojëra demonike ose të dhunshme, por e teproja. Kishte raste kur për javë të tëra, edhe po të isha në shkollë ose në aktivitetet e krishtere, truri më punonte vetëm për të gjetur zgjidhjen e ndonjë loje.»

Çarlin e ndihmoi disi seria e artikujve «Lojërat elektronike: A kanë ndonjë rrezik?» të revistës Zgjohuni! të 22 dhjetorit 2002 (anglisht). Ai thotë: «Pasi e lexova, u përpoqa të luaja më pak. Megjithatë, pas njëfarë kohe, prapë fillova të luaja si gjithnjë.»

Gjatë periudhës së njohjes dhe pak pas martesës, Çarli arriti ta kufizonte disi lojën. «Por pastaj,​—thotë ai,​—doli një lojë e re, që e pritja prej kohësh. Mora para borxh dhe bleva një kompjuter që kishte kapacitetin e duhur për programin e lojës. Kjo lojë më harxhonte më shumë kohë se gjithë të tjerat që kisha luajtur. Ajo më harxhonte kohën që mund t’ia kushtoja Jehovait. Po lija pas dore edhe gruan.» Shpejt Çarli e kuptoi se duhej të merrte masa të rrepta. «Vendosa t’i shkatërroja të gjitha videolojërat që kisha. I fshiva nga kompjuteri dhe i flaka të gjitha te plehrat e qytetit.»

A është penduar Çarli për vendimin e tij? Absolutisht që jo! Ai thotë: «S’e përshkruaj dot se sa i lehtësuar u ndjeva kur më në fund e bëra këtë. Më duket sikur kam hequr nga shpatullat një barrë tepër të rëndë. E ndiej më pranë se kurrë Jehovain dhe kam folur rregullisht me të në lutje. Gjithashtu kujdesem më shumë për gruan. Jam mjaft i kënaqur që arrita ta mposht këtë ves. Vetëm për një gjë më vjen keq, si nuk e bëra më parë.»

[Shënimi]

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.