Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fëmijë që japin një dëshmi të fuqishme

Fëmijë që japin një dëshmi të fuqishme

Fëmijë që japin një dëshmi të fuqishme

Shumë fëmijë Dëshmitarë të Jehovait, flasin me guxim për besimin e tyre si në shkollë, ashtu edhe në shërbimin e krishterë, dhe si rezultat kanë pasur shumë sukses. Shqyrtoni shembujt vijues. *

«Kur isha në klasë të tretë,​—thotë Kristina​—mësuesja na dha të gjithëve nga një ditar, ku do të shkruanim për gjërat që bënim çdo ditë. Mësuesja do t’i lexonte dhe pastaj do të na shkruante diçka. Vendosa të shkruaja për fjalimin që do të mbaja së shpejti në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Mësueses i bëri përshtypje, prandaj e ftova të vinte në Sallën e Mbretërisë të më dëgjonte kur të mbaja fjalimin. Bashkë me të erdhi edhe mësuesja e klasës së parë. Më vonë në shkollë, mësuesja i tregoi gjithë klasës se i kishte pëlqyer shumë fjalimi. Fluturoja nga gëzimi. Por nuk përfundoi me kaq. Gati një vit më pas, e tregova këtë përvojë në një asamble qarkore të Dëshmitarëve të Jehovait. Përsëri mësuesja erdhi për të më dëgjuar. Më vonë, bashkë me një motër pioniere e vizituam dhe i prezantuam librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Madje, erdhi edhe në njërin nga kongreset krahinore.

Kur ishte gjashtë vjeçe, Sidni, merrte gjithmonë guximin për t’u folur shokëve të klasës për të vërtetat e Fjalës së Perëndisë. Madje u tregonte edhe për gjendjen e të vdekurve dhe për pozitën e Jezuit në lidhje me Perëndinë. «Ka qenë një lajmëtare e zellshme dhe e guximshme»,​—thotë e ëma. Kur ishte në fund të klasës së parë, Sidni tha e mërzitur: «Po shokët e mi të klasës, si do të mësojnë për Jehovain?» I erdhi një ide. Ditën e fundit të shkollës, i dha çdo nxënësi një dhuratë të paketuar bukur. Ishte botimi Libri im i tregimeve biblike. Sidni shpërndau gjithsej 26 kopje, dhe u tha shokëve që ta hapnin dhuratën kur të ishin në shtëpi bashkë me prindërit. Sidnei i pa shokët e klasës si territorin e saj personal për të predikuar. Madje i mori edhe në telefon për t’i pyetur nëse u kishte pëlqyer libri. Një vajzë i tha se e lexonte librin çdo natë bashkë me mamin.

Kur ishte 15 vjeçe, Eleni i dha mësuesit të historisë disa numra të revistës Zgjohuni! «I pëlqenin shumë,​—thotë Eleni​—dhe u bënë tashmë dy vjet që e lexon revistën Zgjohuni!» Eleni vazhdon: «Kohët e fundit i dhashë botimin Libri im i tregimeve biblike, dhe më tha se dy vajzave të tij po u pëlqente shumë. Prandaj i dhashë librin Mësoni nga Mësuesi i Madh. Më vonë, më dha një letër falënderimi. Aty shkruante: ‘Shumë faleminderit për librat. Po i përpijmë si unë, ashtu edhe vajzat. Është bukur kur sheh një të re si ti të vendosur dhe me një qëllim në jetë. Nuk ka asnjë dhuratë që mund të krahasohet me dhuratën që ke ti, besimin. Më ke mësuar më shumë se sa mund të të mësoja unë ty.’ Kjo përvojë më bëri të kuptoj se sa e çmojnë njerëzit të vërtetën e Biblës kur bëjmë çmos që t’ua prezantojmë.»

Danieli ishte gjashtë vjeç kur nisi të drejtonte për herë të parë një studim biblik. «Gjithnjë shoqëroja mamin në studimet e saj,​—thotë ai,​—por doja të mësoja dikë vetë.» Danieli zgjodhi zonjën Ratklif, një grua e moshuar së cilës i kishte lënë literaturë biblike. «Dua të të tregoj librin tim të preferuar, Libri im i tregimeve biblike,​—i tha asaj, dhe më pas shtoi,​—doja të dija nëse mund të vij çdo javë te ti dhe të ta lexoj.» Zonja Ratklif e pranoi ofertën e Danielit. «Nisëm studimin me zonjën Ratklif po atë ditë,​—thotë Laura, mamaja e Danielit.​—Danieli dhe zonja Ratklif i lexonin me radhë paragrafët, njëherë njëri, njëherë tjetri. Pastaj, Danieli i kërkonte të lexonte shkrimet që ishin cituar në fund të tregimit. E shoqëroja Danielin në studim, por dukej se zonja Ratklif donte të diskutonte vetëm me Danielin.» Me kalimin e kohës, Danieli dhe zonja Ratklif filluan të studionin librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsën mbi tokë. Në atë kohë, motra më e vogël e Danielit, Natalia, dinte të lexonte, kështu që nisi ta shoqëronte Danielin në studim. Zonja Ratklif bënte shumë pyetje, disa prej tyre goxha të vështira. Por, Danieli dhe Natalia përdornin broshurën Tema për biseda biblike dhe renditjen alfabetike në fund të Biblës, që t’i jepnin një përgjigje të bazuar në Shkrime. Zonja Ratklif, që kishte qenë gjithë jetën katolike, rrëqethej nga ato që po mësonte. «Do të doja ta kisha filluar studimin e Biblës vite më parë!»​—tha ajo në fund të një sesioni studimi. Mjerisht, zonja Ratklif u nda nga jeta kohët e fundit, në moshën 91-vjeçare. Por falë studimit të Biblës, ajo mësoi të vërtetat e çmuara, përfshirë këtu edhe shpresën që jep Bibla për ringjalljen në një tokë parajsore. Danieli tani është dhjetë vjeç dhe drejton dy studime biblike. Natalia është tetë vjeçe, dhe studion Biblën me një moshatare.

Fëmijë, si Kristina, Sidni, Eleni, Danieli dhe Natalia, i bëjnë të lumtur prindërit e tyre të krishterë. Ajo ç’ka është më e rëndësishme, ata bëjnë që zemra e Jehovait të hovë nga gëzimi. Ai nuk e harron dashurinë që tregojnë këta fëmijë për emrin e tij.​—Fjalët e urta 27:11; Hebrenjve 6:10.

[Shënimi]

^ par. 2 Të gjitha botimet që përmenden në këtë artikull, janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figurat në faqen 18]

Kristina (lart), dhe Sidni

[Figura në faqen 19]

Danieli dhe Natalia

[Figura në faqen 19]

Eleni