«Fshesat» e mahnitshme të detit
«Fshesat» e mahnitshme të detit
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Fixhi
Ata «zvarriten ngadalë-ngadalë përgjatë shtratit të detit ose thithin si të babëzitur organizmat që gjenden në baltën e pasur me lëndë organike. I gjen kudo, që nga zonat ndërbaticore deri në pjesët më të thella të oqeanit. Tamam si një tufë e vogël me antilopa që enden ngadalë në fundin e oqeanit, ata ushqehen me copëzat organike që kanë rënë si flokët e dëborës nga sipër».—Filip Lambert, kujdestar i Muzeut Mbretëror të Kolumbisë Britanike.
MBASE do të çuditeni që çdokush mund të flasë tërë entuziazëm dhe ta ngrejë në qiell këtë krijesë të thjeshtë të quajtur kastraveci i detit. Madje, kjo krijesë është përshkruar edhe si «një salsiçe llastiku pa kokë». A ka ndonjë gjë tjetër për kastravecin e detit, përveç këtyre gjërave që arrin të kapë syri?
Punëtorë të palodhur
Thuhet se kastravecat e detit bien «kushërinj» me yjet e detit dhe iriqët e detit. Edhe pse në pamje të parë duken njësoj si jargavecët, janë ndryshe nga jargavecët e vërtetë të detit, që janë kërmij deti pa guaskë. Deri tani, janë identifikuar mbi 1.100 lloje kastravecash deti. Shumë prej tyre—përfshirë këtu edhe llojet e ngrënshme—kanë një pamje të thjeshtë. Të tjerët bien menjëherë në sy pasi janë «të pispillosur». Kokrrizat në lëkurë, që kanë disa prej këtyre llojeve, bëjnë që ata të duken si kastraveca me gjemba.
Disa kastraveca deti janë mikroskopikë, ndërsa të tjerë mund të arrijnë deri 5 metra. Megjithatë, shumica variojnë nga 10 deri 30 centimetra. Është llogaritur se kastravecat e detit përbëjnë mbi 90 për qind të numrit të të gjitha krijesave që jetojnë në thellësinë 8.000 metra. Kjo bën që në disa hendeqe oqeanike, ata të jenë organizmat më të përhapur. Edhe pse shumica e tyre jeton në fund të detit, pak lloje nga ata dinë të notojnë.
Kastravecat e detit gjenden në të gjitha oqeanet e botës, dhe ushqehen pak nga pak me sediment organik. Tamam si skuadra me fshesa me korrent, ata pastrojnë sedimentin dhe lëndët organike që ndodhen në shtratin e detit, duke gëlltitur sasi të mëdha sedimenti, dhe filtrojnë lëndët organike, duke e lënë kështu rërën të pastër pas tyre. Në një hektar shkëmb koralor mund të jetojnë rreth 5.000 kastraveca deti.
Ushqimi i kastravecave të detit përbëhet nga organizma mikroskopikë dhe mbeturina organike që gjenden në shtratin e detit ose që kalojnë nga rrymat e ujit. Ata përdorin tentakulat e holla, më shumë se 30, me një nerv të veçantë në fundet e tyre, për të ndier dhe për të kapur copëzat e ushqimit. Kastraveci i detit fut në gojë çdo tentakulë, një nga një, dhe merr ushqimin që është në to, përpara se të vazhdojë kërkimin.
Disa lloje kastravecash deti janë shumë «mikpritës». «Miqtë» e tyre janë peshqit dhe krijesat e tjera që jetojnë në aparatin tretës të mikpritësit dhe dalin natën të ushqehen. Këta përfshijnë 27 lloje peshqish-perlë ose peshq-kastraveca, të familjes Carapidae. Kur alarmohen, mund t’i shihni tek lëvrijnë që të struken në vendin e tyre të fshehtë, pra në trupin e kastravecit të detit. Dihet që me raste, ata ushqehen me organet riprodhuese dhe të frymëmarrjes të mikpritësit. Megjithatë, kjo nuk e dëmton, pasi kastraveci i detit është në gjendje të ripërtërijë qelizat e humbura.
Nëse ndiejnë rrezik, gjej vend ku të futesh
Kastravecat e detit meritojnë t’i shihni më me kujdes nëse do t’i ndeshni rrugës gjatë vizitës suaj të ardhshme në oqean. Por, kini kujdes! Nëse mendojnë se janë në rrezik, këto «fshesa me korrent» përdorin metoda tinëzare për të luftuar grabitqarët. Për shembull, disa lëshojnë fije të gjata që ngjitin, të cilat zënë në kurth ose shpërqendrojnë grabitqarin. Materiali ngjitës
forcohet shpejt, duke e lënë viktimën e pafat njerëzore pa asnjë shans, vetëm të rruajë çdo qime ku kanë prekur fijet e llastikta.Të tjerë kastraveca deti prodhojnë një lëndë toksike që quhet holothurin. Kjo substancë është vdekjeprurëse për shumë lloje peshqish. Ndonëse është e rrezikshme për sytë dhe ka të ngjarë të shkaktojë alergji në lëkurë, më dëm se kaq s’u bën dot njerëzve. Për breza me radhë, banorët e ishujve e kanë përdorur dhe e përdorin këtë substancë për të helmuar, vrarë ose për të trullosur peshqit që t’i hanë, dhe është një ilaç për të mbajtur larg peshkaqenët. Disa studime tregojnë se lëndët toksike që prodhohen nga kastravecat e detit, mund të përpunohen më tej për të bërë barna për trajtimin e kancerit dhe të infeksioneve. Ekstrakte të ndryshme të përgatitura me kastravecat e detit, janë përdorur nga praktikuesit e mjekësisë alternative për të kuruar artritet, për të rindërtuar kërcet dhe për të ulur presionin e gjakut. Gjithashtu, përpunohen për të prodhuar vitamina dhe lëndë minerale.
Por kastraveci i detit ka edhe një tjetër surprizë rezervë për situatat më të rrezikshme, një reaksion që është një formë e veçantë vetëmbrojtjeje. Nëse ju përpiqeni ta lëvizni, ai shkëput ose heq nga vetja pjesë të trupit. Të tmerruar nga ky reagim shokues, ju pyesni veten se çfarë i bëtë kësaj krijese të gjorë që përfundoi ashtu. Por qetësohuni. Ju nuk e keni vrarë. Përkundrazi, ju patë me sytë tuaj se si ia mbathi në mënyrë të jashtëzakonshme. Brenda disa javësh, kjo kafshë e paepur do të formojë organe të tjera të brendshme.
Kërkohen ende
Zanati i lashtë i peshkimit të kastravecave të detit, ruhet ende si në ujërat e ngrohta ashtu edhe në ato tropikale. Në fakt, disa zhytës rrezikojnë të humbasin jetën ose të gjymtohen që të kapin sa më shumë. Pjesa më e madhe e sasisë së kapur ka si destinacion Kinën dhe pjesë të tjera të Lindjes, siç ka qenë për shekuj të tërë. Para se të shiten, kastravecat e detit zihen në ujë të kripur dhe u hiqen të brendshmet, tymosen dhe lihen të thahen në diell. Sot, gjen edhe kastraveca deti të ngrirë.
A do të provoni ndonjëherë kastraveca deti? Mbase po. Megjithatë, edhe pse quhet kastravec, vështirë se do ta gjeni në sallatë. Pasi gatuhet, kastraveci i detit bëhet xhelatinoz dhe gati i tejdukshëm. Përdoret si përbërës për të ajkosur dhe për t’i dhënë shije supës. Në Fixhi, disa lloje pjatash vendëse përgatiten me krem arrash kokosi në një stil tradicional të ishullit, dhe si rezultat kanë shijen e peshkut, janë të shijshme dhe duhen përtypur mirë.
Akoma sot, këto krijesa të përulura dhe punëtore, janë shumë më tepër se vetëm një ushqim i shijshëm. Pa dyshim që u jemi borxhlinj kastravecave të detit për aktivitetet e tyre pastruese dhe falas, që shërbejnë për t’i mbajtur pastër detet tona. Këto «fshesa me korrent» të mahnitshme, lëvdojnë në heshtje Atë që i krijoi.—Psalmi 104:24, 25.
[Kutia dhe figurat në faqen 24]
Karakteristika të kastravecave të detit
▪ Aparati i frymëmarrjes ndryshon shumë nga ai që ne e quajmë normal. Uji futet brenda nëpërmjet gypit tretës dhe oksigjeni thithet nga muret e dy ‘pemëve’ të frymëmarrjes. Disa lloje që jetojnë në ujërat e thella, përdorin gjithë sipërfaqen e trupit për të grumbulluar oksigjenin. Disa madje, marrin frymë me anë të lëkurës së këmbëve.
▪ Kockëzat, që janë në vend të kockave, bëjnë që shumë prej tyre të ngjajnë tamam si kastraveca. Modelet mahnitëse të kockëzave, të para me një mikroskop elektronik, janë në formë rrote, spirance dhe gozhde si çengela, që janë të skalitur në sipërfaqen e lëkurës së tyre, duke e bërë kudo të ashpër. Këto kristale karbonat kalciumi të vockla dhe të ndërlikuara, kanë karakteristika unike për çdo lloj dhe janë të dobishme për identifikimin e tyre.
▪ Kastravecat e detit lëvizin falë fuqisë hidraulike. Qindra këmbë në formë tubi që janë bosh nga brenda, kontrollohen nga një sistem vaskular ujor që punon në mënyrë të sinkronizuar. Kur boshllëku bymehet ose tkurret, uji hyn me forcë te këmbët dhe i shtrin në pozicionin e duhur që të lëvizin sipas dëshirës.
▪ Riprodhohen zakonisht jashtë trupit, domethënë vezët pllenohen në ujë dhe më pas embrionet pluskojnë të lira dhe zënë vend në fund të detit. Megjithatë, është vërejtur se disa lloje përdorin një metodë tjetër krejt të ndryshme. Në kuptimin e mirëfilltë ata e ndajnë veten më dysh, pra ndahen për së gjati në dy pjesë. Pastaj, në mënyrë të mahnitshme e zëvendësojnë pjesën që i mungon. Kjo mënyrë riprodhimi joseksuale, kërkon goxha riorganizim nga qelizat në secilën pjesë të shkëputur.
[Burimet]
Nga lart poshtë: Me mirësjelljen e Bruce Carlson, Georgia Aquarium; me mirësjelljen e UC Museum of Paleontology, www.ucmp.berkeley.edu; © Houseman/BIODIDAC; Ocean Sky Diving, Hong Kong
[Figura në faqen 23]
Kastravec deti që po nxjerr fije ngjitëse për t’u mbrojtur
[Figura në faqen 23]
Kastravec deti si me gjemba
[Figura në faqen 23]
Kastraveci i detit me një tentakulë ushqyese në gojë
[Figurat në faqen 25]
Kastravec deti i përgatitur sipas stilit tradicional të ishullit, me krem arrash kokosi
[Burimi i figurës në faqen 22]
http://www.JohnHarveyPhoto.com
[Burimet e figurave në faqen 23]
Fotografia e vogël lart: © David Wrobel/Visuals Unlimited; sfondi: © Phillip Colla/SeaPics.com; majtas në fund: © Doug Perrine/SeaPics.com