Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur në mbarë botën të mbizotërojë harmonia

Kur në mbarë botën të mbizotërojë harmonia

Kur në mbarë botën të mbizotërojë harmonia

A KENI parë ndonjëherë një çift të aftë balerinësh, patinatorësh ose akrobatësh që ekzekutojnë ushtrimet e tyre? Çdo lëvizje e tyre është një punë artistike dhe pasqyron bashkëpunim dhe koordinim të shkëlqyer lëvizjesh. Sa bukur do të ishte sikur jeta sot t’i ngjante më shumë kësaj skene​—me harmoni, pa fërkime e konflikte! Por sot ndodh e kundërta, pasi njerëzit ‘nuk janë të gatshëm për asnjë marrëveshje’, pikërisht siç paratha Bibla se do të ndodhte në kohën tonë.​—2 Timoteut 3:1-5.

Megjithatë, në këtë situatë të vështirë, miliona njerëz të sinqertë po mësojnë të jetojnë në paqe dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Si? Duke pranuar ftesën e ngrohtë që gjendet në Bibël tek Isaia 48:17, 18 ku thuhet: «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh. Ah, sikur t’u kishe kushtuar kujdes urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si një lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»

Kur e pranojmë këtë ftesë të dashur, në njëfarë kuptimi, Jehovai bëhet Mirëbërësi ynë. Ai na mëson si ‘të ndjekim rrugën’ e paqes dhe të harmonisë së vërtetë. Rruga tjetër është të ndjekim teoritë dhe filozofitë e njerëzve të papërsosur, e kjo do të ishte marrëzi. Historia vazhdimisht ka vërtetuar një të vërtetë thelbësore që thuhet te Jeremia 10:23: «Rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.» Me pak fjalë, është përtej aftësive tona që të drejtohemi vetë e të vëmë një kod moral të shëndoshë që të pranohet nga të gjithë. Kjo e drejtë i takon Perëndisë.​—Isaia 33:22.

Paqe dhe harmoni e vërtetë

Së shpejti Perëndia do të sjellë harmoni në tokë. Ai premton se do të vijë një kohë kur «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin». (Isaia 11:9) Po, më në fund do të mbizotërojë paqja e përhershme.

Të gjitha krijesat e tokës do të jetojnë në një harmoni të paparë, pasi Perëndia do t’i mësojë njerëzit besnikë që do t’i binden atij, se si të kujdesen sa më mirë për shtëpinë e tyre tokësore. Madje ai, si të thuash, ‘do të bëjë një besëlidhje’ me të gjitha kafshët grabitqare, që ato të jetojnë në paqe me njerëzit dhe t’u nënshtrohen atyre.​—Hozea 2:18; Zanafilla 1:26-28; Isaia 11:6-8.

Kjo shpresë nuk është një iluzion. Në të vërtetë, vetëm në Predikimin në Mal, Jezui e përmendi dy herë këtë. Së pari ai tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë, pasi ata do ta trashëgojnë tokën!» Pastaj, kur u tregoi dishepujve të tij si të luteshin, ai tha: «Ati ynë . . . U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.» (Mateu 5:5; 6:9, 10) Në fund të jetës së tij, për të treguar se çfarë do të thotë kjo për njerëzit, Jezui përmblodhi gjithçka me një fjalë të bukur: «Parajsë». (Luka 23:43) Gjaku i derdhur i Jezuit bën që shpresa e jetës së përhershme në një tokë parajsore të jetë e sigurt!​—Gjoni 3:16.

[Figura në faqen 12]

Në parajsën që do të sjellë Perëndia, krijesat do të jetojnë në harmoni të paparë