Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Të rinjtë pyesin Faleminderit për artikullin e mrekullueshëm «Të rinjtë pyesin . . . Ç’të bëj kur ndihem një dështak?» (22 nëntor 2004) Njësoj si Ana, mendoja se e kisha zhgënjyer shumë Perëndinë, aq sa s’mund të më falte. Por siç shpjegonte artikulli, Jehovai e fali Davidin dhe e mbështeti pavarësisht nga dobësitë e tij. Sa mirë ndihesh kur e di se edhe nëse rrëzohemi, Jehovai do të na ndihmojë të ngrihemi përsëri!

Xh. K., Itali

Ajo që më ndihmoi më shumë ishte shkrimi i Galatasve 6:4. E pranoj se gjithnjë e krahasoj veten me nxënësit më të mirë të klasës. Nga artikulli kuptova se kështu po dëmtoj veten.

C. C., Francë

Sulmet terroriste Artikulli «Përballojnë traumën e një sulmi terrorist», më drithëroi zemrën. (8 nëntor 2004) Përvojat e përmendura ishin shumë inkurajuese. Mësova se mund të marrim forcë kur sjellim ndër mend shkrime të Biblës dhe kur jemi të sigurt për shpresën e Parajsës. Është e rëndësishme që të kemi të ngulitur në zemër sa më shumë shkrime të jetë e mundur.

I. A., Japoni

Më bëri shumë përshtypje që edhe pse ishin të plagosur, vëllezërit sillnin ndër mend shkrime nga Bibla dhe mendonin për shpresën që na jep Jehovai. Do të doja ta vizitoja ndonjëherë Spanjën dhe t’u thosha vëllezërve se sa më inkurajuan përvojat e tyre.

L. G., Shtetet e Bashkuara

Prindërit Faleminderit për këshillat në serinë «Si mund të jesh një baba i mirë?» (22 gusht 2004) Tani dimë si ta drejtojmë zemrën e vogëlushit tonë drejt Perëndisë Jehova, në mënyrë që parimet e Tij t’i nguliten që në foshnjëri. Na duket sikur artikujt e këtillë shkruhen enkas për ne. Gjithmonë na plotësojnë nevojat që lidhen me besimin, pikërisht atëherë kur duhet.

K. dhe M. P., Poloni

Adoleshente shtatzëna Faleminderit për serinë «Adoleshente shtatzëna: Problem botëror». (8 tetor 2004) Përpara se ta mbaroja së lexuari, lotët më rrodhën faqeve. Artikulli përshkruante saktësisht të njëjtën situatë që po kalon edhe ime motër. Jam shumë mirënjohëse që Jehovai siguroi këta artikuj në kohën e duhur, për të më ndihmuar që t’i kuptoj më mirë ndjenjat e saj.

M. S., Indonezi

Mund ta ndiesh ngrohtësinë dhe dhembshurinë e pleqve që tregohen në figurën në faqen 10. Kjo fotografi e lartëson vërtet dashurinë dhe mëshirën e pakrahasueshme të Jehovait. Faleminderit që na mësoni të imitojmë Perëndinë tonë në mënyrën se si i trajtojmë ata të cilët kanë bërë një mëkat serioz, por që janë penduar.

T. K., Ukrainë

Dëshmia në shkollë Artikulli «Të rinj që flasin me guxim për besimin e tyre» më bëri vërtet përshtypje. (8 shtator 2004) Përvojat e Hollit, Xhesikës dhe Melisës më ndihmuan që t’u flisja shokëve edhe mësuesve për besimin tim. Në fillim, për shkak të natyrës sime të ndrojtur, nuk e kisha të lehtë të jepja dëshmi. Por tani, kam marrë guxim t’u flas atyre që takoj në shkollë.

G. O., Nigeri

Vitiligoja Një artikull që më ka prekur këto kohët e fundit, është «Çfarë është vitiligoja?» (22 shtator 2004) Vuaj nga vitiligoja që kur kam qenë nëntë vjeçe. Tani jam te të 30-at. Pas disa kurash të pasuksesshme, jam dorëzuar dhe e pranoj se duhet të pres botën e re të Perëndisë për t’u shëruar. Megjithatë, përsëri jam e lumtur. Është vërtet e mundur që ta gëzosh plotësisht jetën e të jesh i lumtur, me gjithë sëmundjen e lëkurës.

M. S., Mozambik