Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Gjumi të ndihmon të zgjidhësh problemet
«Shumë veta kanë vënë re se një problem që nuk e kanë zgjidhur dot para se të flinin, u është dukur shumë më i thjeshtë në mëngjes. Duket sikur truri kishte punuar qetë-qetë gjithë natën për ta gjetur zgjidhjen»,—vëren gazeta The Times e Londrës. Shkencëtarët në Gjermani thonë se tani kanë prova që e vërtetojnë këtë, dhe i kanë botuar zbulimet e tyre në gazetën Nature. Ata u mësuan 66 vullnetarëve dy mënyra për të zgjidhur një problem matematike, por nuk i treguan mënyrën e tretë e cila ishte edhe rruga më e shkurtër që nxirrte përgjigjen e saktë. Disa nga vullnetarët i lanë të flinin, ndërsa të tjerët i mbajtën zgjuar gjithë natën ose gjithë ditën. «Gjumi jep rezultate fantastike»,—raporton The Daily Telegraph e Londrës, duke komentuar për të njëjtin studim. Ata që fjetën, «ishin dyfish më të aftë për të gjetur mënyrën e tretë, sesa ata që kishin ndenjur zgjuar». Për t’u siguruar që rezultatet e arritura nuk ishin falë faktit se grupi që fjeti ishte i çlodhur dhe me forca të ripërtërira, shkencëtarët bënë një tjetër eksperiment. Të dyja grupeve u dhanë një problem të ri në mëngjes pasi kishin fjetur tërë natën, ose në darkë pasi kishin qëndruar zgjuar gjithë ditën. Kësaj here, të dyja grupet e zgjidhën njësoj problemin, duke treguar kështu se «efekti nuk arrihet kur e ke trurin të çlodhur, por kur truri e ka riorganizuar veten gjatë gjumit», siç pohon The Times. «Kështu,—përfundon studiuesi Dr. Ulrik Vagneri—gjumi vepron si një proces mësimor krijues.»
Fëmijët dhe prirja për të blerë sa më shumë
Fëmijët dhe adoleshentët e sotëm amerikanë, janë «brezi më i dhënë pas mallrave të firmuara, më i prirur për të blerë dhe më materialisti në histori», siç thotë Xhuljeta Shor, sociologe në Kolegjin e Bostonit, që ka studiuar ndikimin që ka te fëmijët prirja për të blerë sa më shumë gjëra të konsumit. Gazeta kanadeze Globe and Mail, tregon disa nga këto ndikime: «merakosen tepër për paraqitjen dhe veshjen, fiksohen pas famës dhe pasurisë, shikojnë gjithnjë e më shumë televizor ose harxhojnë gjithnjë e më tepër kohë në Internet dhe duke luajtur në kompjuter». Profesoresha Shor, zbuloi se fëmijët që janë të fiksuar pas gjërave që duan t’i blejnë, ëndërrojnë më shumë për t’u bërë të pasur një ditë. «Gjithashtu, ata sa vijnë dhe bëhen më kritikë ndaj vetes dhe të pakënaqur me paraqitjen dhe mënyrën e jetesës së tyre, kur e krahasojnë veten me ata që dalin në televizor ose në reklama.» Nga ana tjetër, gazeta Globe thoshte se fëmijët që nuk ishin shumë materialistë, vuanin më pak nga depresioni, ishin më pak në ankth, ankoheshin më pak për sëmundjet psikosomatike (çrregullime mendore a emocionale), kishin më tepër vlerësim për veten dhe marrëdhënie më të mira me prindërit.
Bixhozi ndalohet nga vetë përdoruesit
«Është llogaritur se në Francë, numri i atyre që janë të varur nga vesi i bixhozit, arrin nga 300.000 deri në 500.000 veta»,—deklaron e përditshmja franceze Le Figaro. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre bixhozçinjve po bëhet më e vetëdijshme se duhet hequr dorë nga ky ves. Gazeta pohon se 28.000 veta në Francë i kanë kërkuar vullnetarisht policisë që t’i ndalonte të luanin bixhoz të paktën për pesë vjet. Policia franceze raporton se çdo vit marrin 2.000 deri 3.000 kërkesa të tilla, dhe se numri është gjashtëfishuar në dhjetë vjet. Gazeta Le Figaro thotë se shumë bixhozçinj, që nuk arrijnë ta kontrollojnë këtë ves, duan që bixhozi të konsiderohet si «një problem shëndetësor publik real, njësoj si duhani, alkooli dhe droga».
Xhenxhefili lehtëson të vjellat e mëngjesit
«Rrënja e xhenxhefilit lehtëson të vjellat e mëngjesit në muajt e parë të shtatzënisë»,—thotë gazeta Australian. Një studim i bërë nga Universiteti i Australisë Jugore, zbuloi se gratë që janë në muajt e parë të shtatzënisë, po të marrin afërsisht një gram xhenxhefil në ditë, ndihen më të lehtësuara. Në shumë vende, xhenxhefili është një kurë tradicionale për të vjellat. Megjithatë, efekti i tij nuk ishte vërtetuar shkencërisht. Studimi zbuloi se xhenxhefili funksionon njësoj si doza e përditshme e vitaminës B6, një tjetër ilaç i zakonshëm që jepet nga mjekët.
Transfuzioni i gjakut rrit përqindjen e vdekjeve
Një studim i botuar në JAMA (Revista e Shoqatës Amerikane të Mjekëve), zbuloi se pacientët me sindromën koronare akute që merrnin rregullisht transfuzion gjaku, rrezikonin më shumë të vdisnin në krahasim me ata që nuk bënin transfuzion. «Rreziku vdekjeprurës gjithnjë e në rritje që lidhej me transfuzionin, ishte i pranishëm pasi merreshin parasysh karakteristikat demografike dhe disa faktorë të tjerë, si gjakrrjedhja dhe futja e instrumenteve të ndryshme në trup gjatë qëndrimit në spital»,—thuhet në raport. Mjekët që drejtuan studimin i përmblodhën zbulimet e tyre duke thënë: «Paralajmërojmë të bëhet kujdes që transfuzioni i gjakut të mos bëhet vetëm për të ruajtur brenda normës nivelin e hematokritit te pacientët me sëmundjen iskemike të zemrës.»
Përçarje mes anglikanëve
Filip Xhenseni, drejtuesi i kishës anglikane të Sidneit dhe një nga klerikët e rangut më të lartë të Australisë, kohët e fundit denoncoi Kryepeshkopin e Kantërbërit si «një lavire teologe që merrte rrogën duke mashtruar», siç raporton gazeta australiane The Age. Xhenseni dënoi drejtuesin e kishës së tij sepse kishte një pikëpamje liberale për homoseksualizmin. The Age vëren: «Kisha anglikane është e përçarë lidhur me homoseksualizmin. Shumë degë të Afrikës dhe të Azisë i kanë ndërprerë marrëdhëniet me kishën e Kanadasë pasi kjo ka bekuar lidhjet martesore mes homoseksualëve, si edhe me kishën e Shteteve të Bashkuara pasi kishin emëruar një peshkop homoseksual.»
Një miliard fëmijë vuajnë
Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, më shumë se gjysma e fëmijëve në botë—mbi një miliard—vuajnë nga një mungesë ekstreme e gjërave të domosdoshme të jetesës, siç raporton The New York Times. Gjatë këtyre 15 vjetëve, përparimi i bërë në këtë fushë është penguar, në pjesën më të madh të tij, nga luftërat, SIDA, dhe varfëria. Që nga 1990-a, luftërat—55 prej të cilave ishin luftëra civile—kanë marrë afërsisht 3,6 milionë jetë, gati gjysma fëmijë. Në shumë nga këto konflikte, fëmijët rrëmbehen nga rebelët, përdhunohen ose merren ushtarë. Kequshqyerja është e zakonshme; kujdesi shëndetësor thuajse nuk ekziston. Në vitin 2003, numri i fëmijëve jetimë si pasojë e SIDA-s, arriti në 15 milionë. Mbi dy milionë fëmijë u shfrytëzuan për prostitucion. Dhe ndërsa shpenzimet ushtarake vjetore arritën në 956 miliardë dollarë, siç thuhej në raport, lufta kundër varfërisë do të kushtonte vetëm 40 deri në 70 miliardë dollarë.