Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse bashkëpunimi është jetësor?

Përse bashkëpunimi është jetësor?

Përse bashkëpunimi është jetësor?

«Asnjë organizëm nuk është një ishull, secili lidhet me organizmat e tjerë, drejtpërdrejt ose tërthorazi.»​—Libri «Simbiozë: Hyrje në bashkëjetesat biologjike» (anglisht).

«ZINXHIRI i jetës»​—sa e përshtatshme është kjo shprehje! Po, jeta është vërtet një zinxhir organizmash që bashkëpunojnë dhe varen nga njëri-tjetri. Njerëzit janë një pjesë e rëndësishme e këtij zinxhiri. Për të marrë një shembull, nuk ka nevojë të shkoni larg, mjafton të shihni trupin tuaj. Në aparatin tretës punojnë pa u ndier një grup bakteresh të dobishme që ju ndihmojnë të jeni të shëndetshëm. Ato shkatërrojnë organizmat e dëmshëm, ndihmojnë në tretjen e ushqimit dhe në prodhimin e vitaminave kryesore. Nga ana tjetër, juve, pra strehuesi, u siguroni këtyre baktereve ushqim dhe një mjedis të përshtatshëm.

Bashkëpunime të ngjashme ka edhe në botën e kafshëve, sidomos te ripërtypësit, kafshët që e përtypin për së dyti ushqimin, si gjedhët, drerët dhe dhentë. Pjesa e parë e stomakut të tyre me shumë ndarje, është një ekosistem i vërtetë me baktere, kërpudha dhe protozoarë. Me anë të fermentimit, këto mikrobe shpërbëjnë në lëndë ushqyese celulozën, një karbohidrat fijezor që gjendet te bimët. Edhe disa insekte që e hanë celulozën, siç janë brumbujt, buburrecat, tenjat, termitet dhe familja e grerëzave ndihmohen nga bakteret gjatë procesit të tretjes.

Ky bashkëpunim i ngushtë ndërmjet organizmave që ndryshojnë nga njëri-tjetri, quhet simbiozë, që do të thotë «të jetosh bashkë». * «Bashkëpunime të tilla janë thelbësore për zhvillimin e çdo sistemi gjallesash»,​—thotë Tom Uejkfordi në librin e tij Lidhjet e jetës. Le t’i hedhim një vështrim të shkurtër dheut, pasi pikërisht këtu e kanë zanafillën shumë nga sistemet e gjallesave të tokës.

Dheu​—Vërtet një organizëm i gjallë!

Dheu i mirë nuk është vetëm baltë pa jetë. (Zanafilla 4:12) Ai është një mjedis kompleks ku rritet një mori organizmash. Vetëm një kilogramë dhé mund të përmbajë mbi 500 miliardë baktere, një miliardë kërpudha dhe deri në 500 milionë krijesa shumëqelizore, që nga insektet e deri te krimbat. Shumë nga këta organizma punojnë bashkë, për të shpërbërë mbeturinat organike​—siç janë gjethet e thara dhe jashtëqitjet e kafshëve​—ndërkohë që marrin azotin, të cilin e kthejnë në forma që mund të përthithen nga bimët. Gjithashtu, ato e kthejnë karbonin në dyoksid karboni dhe në përbërje të tjera, që u nevojiten bimëve për fotosintezën.

Bishtajoret, të tilla, si jonxha, tërfili, bizelet dhe soja kanë një lidhje të veçantë me bakteret. Këto bimë i lejojnë bakteret që t’u «infektojnë» rrënjët. Por në vend që të dëmtojnë bimët, bakteret i nxitin rrënjët të krijojnë gunga të vockla. Aty ndërtojnë shtëpinë e tyre dhe bëhen gati 40 herë më të mëdha, duke u kthyer kështu në bakteroide. Puna e tyre është «të fiksojnë» azotin në përbërje që i shfrytëzojnë bishtajoret. Në këmbim, bakteret marrin ushqim nga bimët.

Edhe kërpudhat ose myku luajnë një rol kyç në rritjen e bimëve. Ç’është e vërteta, pothuajse çdo pemë, shkurre a bimë barishtore, ka një lidhje të fshehtë e të nëndheshme me kërpudhat. Edhe këto organizma «infektojnë» rrënjët e bimëve dhe i ndihmojnë ato të thithin lëndë të rëndësishme minerale, siç janë hekuri, fosfori, kaliumi dhe zinku. Si shkëmbim, kërpudhat marrin nga bimët karbohidratet, pasi nuk e prodhojnë dot vetë lëndën ushqyese, ngaqë nuk kanë klorofil.

Një bimë që varet shumë nga kërpudhat, është orkideja. Në natyrë, ky bashkëpunim fillon me farat e orkidesë që janë si pluhur dhe kanë nevojë për ndihmë që të mbijnë. Kërpudhat u sjellin dobi edhe orkideve të rritura, pasi ndihmojnë rrënjët e tyre të vockla. Uejkfordi thotë se kërpudha «krijon një rrjetë ushqyese të madhe e të fuqishme, e cila bën të mundur që nevojat e orkidesë për ushqim të plotësohen më së miri. Në shkëmbim, [kërpudha] mund të marrë nga bima sasi të vogla me vitamina dhe përbërje të azotit. Megjithatë, bujaria e orkidesë e ka një kufi, pasi bima e mban nën kontroll rritjen e kërpudhës. Nëse ka shenja që kërpudha po përpiqet të shtrihet përtej shtëpisë së saj te rrënjët, e të zaptojë kërcellin e orkidesë, atëherë bima vë në punë fungicidet që prodhon vetë».

Përsa u përket bimëve me lule, bashkëpunimet nëntokësore janë vetëm një pjesë, pasi ato krijojnë edhe lidhje të tjera që shihen më qartë.

Bashkëpunim për t’u shumuar

Kur bleta ulet mbi një lule, ajo hyn në simbiozë me strehuesen e saj. Bleta merr nektarin dhe pjalmin, kurse lulja merr një spërkatje me pjalm nga lulet e tjera të të njëjtit lloj. Ky bashkëpunim bën të mundur që bimët të shumohen. Pasi janë pjalmuar, lulet nuk u japin më ushqim insekteve. Si e dinë insektet që «gostia» ka mbaruar? Lulet ua «tregojnë» në mënyra të ndryshme. Për shembull, nuk lëshojnë më aromë, mund t’u bien petalet ose të ndryshojnë drejtimin a ngjyrën, mbase duke u bërë më të zbehta. Ndoshta neve nuk na pëlqen ky ndryshim, por lulet po u «bëjnë nder» bletëve punëtore, sepse tani bletët mund të merren vetëm me bimët që janë ende të gatshme për të rënë në ujdi.

Vitet e fundit, numri i pjalmuesve, sidomos i bletëve, në disa zona ka rënë mjaft. Kjo është alarmuese, sepse gati 70 për qind e bimëve me lule varen nga insektet për t’u pjalmuar. Për më tepër, 30 për qind e ushqimeve tona vijnë nga bimët që pjalmojnë bletët.

Milingonat në kopsht

Edhe disa milingona janë në simbiozë me bimët. Si shpërblim për folenë dhe ushqimin, këto insekte e pjalmojnë mikpritësen e tyre, shpërndajnë farat e saj, e ndihmojnë të sigurojë lëndët ushqyese ose e mbrojnë nga barngrënësit, qofshin këta insekte apo gjitarë. Madje një lloj milingonash që strehohen në gjembat bosh të drurit të akacies, shkatërrojnë bimët e rrezikshme kacavjerrëse që zbulojnë kur patrullojnë territorin përqark pemës. Në shenjë falënderimi për këtë shërbim kopshtarie të klasit të parë, akacia ua shtron me nektar të ëmbël.

Nga ana tjetër, disa milingonave u pëlqen të merren me «blegtori». Kafshët që kullotin ato janë morrat e bimëve që sekretojnë një lëng të ëmbël kur milingonat i prekin lehtas me antena. Libri Simbiozë (anglisht) thotë për morrat e bimëve: «Milingonat kujdesen për këto insekte, sikur të ishin bagëti, i mjelin për t’u ushqyer dhe i mbrojnë nga grabitqarët.» Ashtu si blegtori që i mban lopët në ahur natën, shpesh, mbrëmjeve, milingonat i çojnë morrat në një vend të sigurt në folenë e tyre, kurse në mëngjes i kthejnë në «kullota», që zakonisht janë gjethe të freskëta e ushqyese. «Bagëtitë» e milingonave numërohen me mijëra në një fole të vetme.

Milingonat kujdesen edhe për disa lloje fluturash që janë në fazën e larvës. Për shembull, flutura e madhe blu është në simbiozë me milingonat e kuqe. Në fakt, ajo nuk mund ta plotësojë ciklin e jetës pa ndihmën e tyre. Kur është larvë, flutura e shpërblen mikpritësen me lëng të sheqerosur. Më vonë, kur flutura del nga pupa, i lë milingonat të sigurta dhe të padëmtuara në fole.

Jetojnë me rrezikun

Nëse do të ishit zog, a do të futnit një gjarpër në çerdhe? «Kurrë!»​—do të thoshit ju. E megjithatë, një lloj shpendi bën tamam kështu. Ky është qokthi, kurse gjarpëri, quhet gjarpëri i verbër. Në vend që të dëmtojë të vegjlit, gjarpëri ha milingona, miza dhe insekte të tjera ose larvat a pupat e tyre. Sipas një artikulli në revistën New Scientist, zogjtë që rriten me një gjarpër të verbër në çerdhe, «rriten më shpejt dhe ka më shumë të ngjarë të mbijetojnë» në krahasim me ata që rriten pa shoqërinë e këtij pastruesi të gjallë.

Një shpend, gjelaci, nuk jeton me një gjarpër; atij i pëlqen ta ndërtojë folenë pranë strofkës së krokodilit të Nilit, zvarranik që i gjuan disa lloje shpendësh. Megjithatë, në vend që ta përlajë, krokodili e përdor si rojë gjelacin. Nëse foleja e vet ose strofka e krokodilit është në rrezik, gjelaci lëshon ca çirrma. Në qoftë se krokodili është larguar, me ta dëgjuar sinjalin, kthehet me të katra në strofkën e vet.

Çukitin dhe thithin për të pastruar

A keni parë ndonjëherë një shpend, si çafka e gjedhëve ose qukapikët e buajve që rrinë në kurrizin e antilopave, lopëve, gjirafave ose buajve duke çukitur lëkurën e tyre? Në vend që të jenë një bezdi për strehuesit, zogjtë po u bëjnë një nder të madh atyre, pasi u hanë morrat, këpushat dhe parazitë të tjerë që kafshët s’i pastrojnë dot vetë. Gjithashtu, ato hanë indet e infektuara dhe krimbat. Madje qukapikët e buajve fërshëllejnë për të lajmëruar mikpritësit kur ka ndonjë rrezik.

Meqë shumicën e kohës hipopotami e kalon në ujë, atë e pastrojnë edhe «miqtë» me pupla, edhe ata me luspa. Kur hipopotami është në ujë, një lloj krapi i zi i thith çdo algë, lëkurë të vdekur dhe parazit, pra çdo gjë që i ngjitet kafshës. Ai madje i pastron edhe dhëmbët e mishrat e dhëmbëve. Ca peshq të tjerë e ndihmojnë duke i pastruar plagët, kurse të tjerë duke përdorur turirin e gjatë për t’u futur dhe për të qukur mes gishtërinjve të hipopotamit dhe në vende të tjera që mezi arrihen.

Sigurisht, edhe vetë peshqve u ngjiten organizma të tjerë, prandaj nevojitet që ata të pastrohen nga këta «mysafirë të paftuar», siç janë: krustacet, bakteret, kërpudhat dhe morrat, si edhe indet e dëmtuara ose të sëmura. Kështu, peshqit marrin rrugën për në stacionin e pastrimit. Atje, burdullakët me ngjyrë të ndezur, vijoshët dhe karkalecat pastrues u bëjnë klientëve të tyre një «pastrim me themel» e patjetër, si shpërblim, qerasen me një vakt të mirë. Madje peshqit e mëdhenj mund të kenë në dispozicion një skuadër të tërë pastruesish.

Klientët përdorin sinjale të ndryshme për të lajmëruar që duan të pastrohen. Për shembull, disa marrin poza të çuditshme, ulin kokën e ngrenë bishtin. Ose mund ta hapin shumë gojën dhe verzat sikur thonë: «Hajde, se nuk të ha.» Pastruesit janë të gatshëm për t’ua bërë këtë nder, edhe sikur klienti të jetë një grabitqar i frikshëm, siç mund të jetë një gjarpër deti ose një peshkaqen. Ndërkohë që pastrohen, disa klientë ndryshojnë ngjyrë, ndoshta që parazitët të duken më mirë. Në librin Bashkëpunimi në botën e kafshëve (anglisht) thuhet se në akuariumet ku nuk ka peshq pastrues, peshqit e detit «shpejt infektohen me parazitë dhe sëmuren. Por sapo futin në akuarium një peshk pastrues, ai i hyn punës që t’i pastrojë, kurse të tjerët, sikur ta dinë se ç’po ndodh, mbajnë radhën që të pastrohen».

Sa më shumë mësojmë, aq më shumë mrekullohemi me harmoninë dhe varësinë reciproke që shfaqet në botën e gjallë që na rrethon. Ashtu si muzikantët në një orkestër, çdo gjallesë luan rolin e vet, e kështu bëhet e mundur dhe e këndshme simfonia e jetës, ku përfshihet edhe jeta e njeriut. Sigurisht, kjo dëshmon për një projekt inteligjent dhe për një projektues suprem.​—Zanafilla 1:31; Zbulesa 4:11.

Burimi i vetëm i prishjes së harmonisë

Është për të ardhur keq që shpesh njerëzit nuk bashkëpunojnë me natyrën. Ndryshe nga kafshët, që kryesisht drejtohen nga instinkti, njerëzit ndikohen nga një sërë faktorësh, duke filluar që nga dashuria e cilësi të tjera të mira e deri te urrejtja dhe egoizmi.

Ngaqë duket se njerëzit po drejtohen gjithnjë e më shumë nga egoizmi, shumë kanë frikë se si do të jetë e ardhmja e planetit. (2 Timoteut 3:1-5) Por ata nuk marrin parasysh Krijuesin. Kur të përmbushet qëllimi i Perëndisë për tokën, jo vetëm që do të rivendoset ekuilibri i duhur në natyrë, por do të ketë një harmoni të paparë midis të gjitha krijesave, duke përfshirë edhe njerëzit.

[Shënimi]

^ par. 5 Simbiozat ndahen në tri kategori: mutualizmi, kur përfitojnë të dy organizmat; komensalizmi, kur përfiton vetëm njëri, por pa e dëmtuar tjetrin; dhe parazitizmi, kur njëri përfiton në dëm të tjetrit. Ky artikull merr shembuj nga mutualizmi.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Një organizëm dysh

Ka shumë të ngjarë që njollat gri ose të gjelbra si petëza që shihni shpesh në shkëmbinj ose trungje pemësh të jenë likene. Disa burime thonë se mund të ketë rreth 20.000 varietete likenesh. Likenet mund të duken si një organizëm i vetëm, por në të vërtetë përbëhen nga një kërpudhë dhe një algë.

Pse bashkohen këta dy organizma? Kërpudha nuk mund ta prodhojë vetë ushqimin. Kështu që me anë të fijeve mikroskopike, kërpudha mbështjell algën, e cila nëpërmjet fotosintezës prodhon sheqerna. Disa nga këta sheqerna kullojnë nga muret e algës dhe i thith kërpudha. Si shkëmbim, bujtësja i siguron algës lagështirën dhe e mbron nga drita e fortë e diellit.

Me shaka, një shkencëtar i përshkroi shkurt likenet si «kërpudha që kanë zbuluar bujqësinë». Dhe janë goxha të zonjat për këtë, pasi libri Lidhjet e jetës thotë se likenet «zënë një sipërfaqe dhjetë herë më të madhe në tokë, sesa pyjet tropikale të shiut». Ato gjenden që nga Arktiku e deri në Antarktidë, madje gëlojnë edhe në kurrizin e insekteve.

[Kutia dhe figurat në faqen 8]

Koralet​Mrekulli të simbiozës

Shkëmbinjtë koralorë përbëhen nga polipët dhe algat. Ngaqë mbushin çdo skutë të qelizave të polipëve, algat u japin koraleve ngjyrat e tyre të shndritshme. E shpesh peshojnë më shumë se polipët, ndonjëherë trefish. Si rrjedhojë, korali anon më shumë nga bimët sesa nga kafshët. Megjithatë, funksioni kryesor i algave është të fotosintetizojnë përbërje organike, 98 për qind të të cilave ia japin strehuesit si «qira». Polipët kanë nevojë për këtë ushqim, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ndërtuar skeletet gëlqerore që formojnë shkëmbinjtë koralorë.

Algat përfitojnë nga kjo bashkëjetesë të paktën në dy mënyra. Së pari, ato ushqehen me lëndët e panevojshme që nxjerrin polipët, siç janë dyoksidi i karbonit, përbërjet e azotuara dhe fosfatet. Së dyti, ato kanë si mbrojtje një skelet të fortë. Gjithashtu, algat kanë nevojë për dritën e diellit; prandaj, shkëmbinjtë koralorë krijohen në ujëra të kthjellëta e të ndriçuara mirë.

Kur korali ngacmohet nga faktorë të jashtëm, siç është ngritja e temperaturës së ujit, polipët i nxjerrin jashtë algat dhe zbardhen. Pas kësaj mund të ngordhin nga uria. Vitet e fundit, shkencëtarët kanë vërejtur se në mbarë botën, koralet që po çngjyrosen, po shtohen me ritme alarmuese.

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

Një mësim për bashkëpunimin

Dy avionë reaktivë fluturonin përmes qiellit si zogjtë, sipas një formacioni që e ndiqnin rreptësisht. Por ky nuk ishte një fluturim i zakonshëm; ishte një eksperiment i bazuar në studime që ishin bërë për pelikanët. Studiuesit kishin zbuluar se kur pelikanët fluturojnë sipas një formacioni, ata që fluturojnë përpara ua bëjnë më të lehtë ngritjen pelikanëve që vijnë pas. Kjo bën që zemra t’u rrahë 15 për qind më pak, sesa po të fluturonin vetëm. A mund të përfitojnë avionët nga të njëjtat parime aerodinamike?

Për ta zbuluar, inxhinierët përdorën një avion prove, të cilit i vunë pajisje elektronike të sofistikuara. Këto e ndihmonin pilotin të ruante pozicionin në lidhje me avionin drejtues që ishte 90 metra para tij. Devijimi i avionit nuk lejohej më shumë se 30 centimetra. (Shih fotografinë) Cili ishte rezultati? Rezistenca e ajrit që iu desh avionit të përballonte ishte 20 për qind më e vogël dhe avioni dogji 18 për qind karburant më pak se zakonisht. Studiuesit mendojnë se këto zbulime mund të zbatohen si për qëllime civile, ashtu edhe për qëllime ushtarake.

[Burimet]

Avionët: Qendra Kërkimore e Fluturimeve «Dryden» e NASA-s; zogjtë: © Joyce Gross

[Figurat në faqen 5]

Në stomak, lopa ka një ekosistem të vërtetë me baktere, kërpudha dhe protozoarë (fotografia e vogël tregon një protozoar të zmadhuar)

[Burimi]

Fotografia e vogël: Melvin Yokoyama dhe Mario Cobos, Universiteti Shtetëror i Miçiganit

[Figura në faqen 7]

Bletët bëjnë të mundur shumimin e bimëve me lule

[Figura në faqet 8, 9]

Një lopë dhe çafka e gjedhëve

[Figura në faqen 10]

Karkalec pastrues pikalosh mbi një anemonë

[Figura në faqen 10]

Peshku flutur me një peshk të vogël pastrues