Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Roli i bashkëpunimit në natyrë

Roli i bashkëpunimit në natyrë

Roli i bashkëpunimit në natyrë

Në natyrë, «të krijosh lidhje të ngushta me të tjerët është po kaq e rëndësishme për mbijetesën, sa ç’është edhe rritja e shumimi».​—«Lidhjet e jetës» (anglisht).

OQEANI ishte i qetë e kudo mbretëronte paqja. Heshtjen e thyenin vetëm një tufë zogjsh të potershëm. Gjallëria e tyre tregonte se diç po ndodhte nën sipërfaqe. Befas dalin ca flluska, e pak nga pak, krijohet një rreth i bardhë. S’kalon shumë, dhe ja, nga uji i kristaltë, në qendër të rrethit, duken dy trupa gjigantë. Ishin dy balena me gungë. Me gojën hapur, ato po dilnin nga thellësitë e kripura. Me të dalë në sipërfaqe, mbyllën nofullat e stërmëdha, shfrynë një çurg uji dhe u zhytën për të nisur sërish ritualin e tyre.

Balenat po punonin si një skuadër, duke mbledhur e duke konsumuar sasira të mëdha krustacesh si karkaleca deti. Sikur po bënin balet në ujë, gjitarët 40-tonësh zhyteshin poshtë krustaceve dhe notonin, duke formuar një rreth të vogël, teksa shfrynin ajër nga vrimat e hundës. Nga kjo taktikë inteligjente formohej një «rrjetë» flluskash përqark krustaceve. Pastaj, balenat ngriheshin vertikalisht, hynin në mes të «rrjetës» dhe bënin gosti me prenë e tyre.

Në fushat e Afrikës, babuinët dhe impalat bashkëpunojnë shpesh. Revista Scientific American thotë: «Dy llojet formojnë një sistem reciprok alarmi.» Nuhatja e fortë e impalave nga njëra anë dhe shikimi i mprehtë i babuinëve nga ana tjetër, ua bën të vështirë grabitqarëve që të afrohen pa u diktuar. Një bashkëpunim i tillë ekziston edhe midis strucëve, që kanë sy të fortë dhe zebrave që kanë dëgjim të mprehtë.

Këto janë vetëm disa shembuj nga moria e bashkëpunimeve që ekzistojnë në botën rreth nesh. Vërtet, bashkëpunimi reciprok mund të shihet në çdo formë jete, që nga mikrobet, e deri te njeriu, mes llojeve të ngjashme dhe atyre që s’kanë asgjë të përbashkët. Mijëra vjet më parë, mbreti Solomon, një vëzhgues i natyrës, vërejti milingonën, këtë gjallesë fare të thjeshtë. Ai shkroi: «Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.»​—Fjalët e urta 6:6-8.

Milingonat janë një model i bashkëpunimit, punës së palodhur dhe rregullit, e shpesh punojnë së bashku për të tërhequr në fole gjëra shumë më të mëdha se ato vetë. Madje disa milingona i ndihmojnë pjesëtarët e dëmtuar ose të rraskapitur të kolonisë që të kthehen sërish në fole. Duke pasur parasysh këto veçori, nuk është çudi që Solomoni mori milingonat si një shembull për t’u imituar.

Në artikujt vijues do të shqyrtojmë se përse bashkëpunimi është një temë kryesore në ‘librin e natyrës’, duke bërë të mundur jetën, përfshirë edhe jetën e njeriut. Gjithashtu do të mësojmë për rolin e kundërt që luajnë njerëzit në shfrytëzimin e natyrës, duke e ndotur e duke i çuar krijesat drejt zhdukjes. A do të lejojë Krijuesi që kjo gjë të vazhdojë gjithmonë?

[Figura në faqen 3]

Sipër: Babuinët dhe impalat formojnë një sistem reciprok alarmi

[Figura në faqen 4]

Milingonat janë model i bashkëpunimit

[Figura në faqen 4]

Strucët, që kanë sy të fortë, bashkëpunojnë me zebrat që dallohen për dëgjim të mprehtë