Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vizitë në «Malin e Zjarrtë»

Vizitë në «Malin e Zjarrtë»

Vizitë në «Malin e Zjarrtë»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

KA SHUMË pak vende në botë ku i njëjti vullkan mund t’ju dhurojë një panoramë spektakolare, qoftë nëse jeni në fshat, qoftë buzë detit, apo edhe në qytet. Në rast se ndodheni në qytetin e Katanias, atëherë kjo pamje mund të jetë vetëm ajo e malit Etna. Ky është vullkani aktiv më i lartë në Evropë, mbi 3.300 metra, që ndodhet në veri-lindje të Sicilisë.

Një vullkan që vëzhgohet prej kohësh

Arabët, që sunduan për një kohë të gjatë në Sicili, e quajtën vullkanin Mali i Zjarrtë, dhe sigurisht që Etna e ka merituar atë emër duke vjellë rregullisht lavë përvëluese nga thellësitë e saj. Dy nga dëshmitë më të vjetra që kanë mbijetuar dhe tregojnë për aktivitetin e Etnës, u shkruan nga Pindari dhe Eskili, të cilët përshkruan një shpërthim që ndodhi në vitin 475 p.e.s. Më shumë se njëherë, lava ka dhënë shfaqje të mahnitshme duke formuar një shteg të zjarrtë gjarpërues përposhtë malit përpara se të zhytej në det. Kjo ndodhi në vitin 396 p.e.s., më 1329 të e.s. dhe më 1669 të e.s. Ky i fundit konsiderohet më i famshmi nga tërë shpërthimet e tij «moderne». Në atë rast, gjuha e lavës rreth dy kilometra e gjerë dhe 25 kilometra e gjatë, kapërceu muret e qytetit të Katanias, përpiu shtëpitë e më shumë se 27.000 njerëzve dhe e përmbyti pjesërisht limanin e qytetit.

Thuhet se vullkani u bë më aktiv në shekullin e 20-të, gjatë të cilit ndodhën shumë shpërthime. Më i fuqishmi, në vitin 1928, shkatërroi fshatin Maskali. Gjatë këtyre pak viteve të fundit, lava dhe hiri kanë vazhduar të shkaktojnë probleme dhe ankth për banorët.

Të dhëna për «Nënën e Madhe»

Thuhet se mali Etna nisi të formohej rreth 170.000 vjet më parë nga dalja e magmës (shkëmb i shkrirë). Përafërsisht 250 konet vullkanike më të vogla që ndodhen anash konit kryesor të vullkanit, janë rezultat i fazave të ndryshme të aktivitetit të tij shpërthyes. Ngjajnë pak si bebet përqark nënës së tyre, dhe prandaj vullkani ka pseudonimin Nëna e Madhe.

Nëse do të bënit një xhiro me makinë ose do të merrnit trenin që i bie përqark Etnës, do të vinit re një larmi peizazhesh fantastike. Për shembull Monti Rosi (Malet e Kuqe) afër Nikolosit, krateret Silvestri dhe ultësira e paanë e Vale del Bove (Lugina e Demit), e cila mund të shihet që nga Xharre dhe Xaferana.

Historia gjeologjike e vullkanit, ndonëse nuk kuptohet plotësisht, është shumë e vjetër. Dalja e magmës nën ujë dhe në zonën bregdetare, formoi bregun në veri të Katanias. Një pjesë e këtij bregu njihet si Riviera dei Çiklopi, ose riviera e Ciklopëve, që karakterizohet nga shkëmbinj të zinj të formuar nga lava. Menjëherë përballë shkëmbit në Açi-Treca, nga deti del një formacion shkëmbinjsh me formë të çuditshme, që quhen Faraljoni.

Një lidhje e pazakontë

Ju mund të pyesni me të drejtë nëse banorët që jetojnë në këmbët e këtij vullkani, kanë frikë se mos ai do të shpërthejë nga çasti në çast. Kur Etna është e qetë, banorët harrojnë se ai ekziston. «Mostra është e qetë,​—shkroi Gi dë Mopasani, autor francez i shekullit të 19-të, në veprën e tij Udhëtim në Sicili (frëngjisht).​—Ja tek fle atje tutje.» Nëse shfaqet ndonjë shtëllungë tymi, banorët mund t’i hedhin një vështrim të shpejtë malit. Por, nëse dëgjojnë një buçitje në mes të natës, ballkonet dhe rrugët i kanë të mbuluara me hi, ose hundët dhe sytë i kanë plot me hi, atëherë po që gjërat ndryshojnë. Pikërisht në këtë çast, ata e kanë frikë Etnën,​—dhe bëjnë mirë​—sidomos kur shohin një lumë të kuq lave që zbret nga mali ngadalë, por pa pushuar, duke përpirë çdo gjë që i del përpara.

Pavarësisht nga kjo, banorët e zonës e konsiderojnë Etnën një «gjigant miqësor». Në fund të fundit, edhe pse ka bërë dëme të mëdha​—ka shkatërruar zona urbane, të mbjellat dhe, kohët e fundit, ndërtesa turistike​—ka marrë shumë pak jetë. Pas shpërthimeve shkatërrimtare të njëpasnjëshme, të cilat fshijnë tej gjithë mundin dhe djersën e tyre, banorët vendës të paepur ia nisin sërish punës dhe fillojnë çdo gjë nga zero.

Poeti italian Xhakomo Leopardi, e përshkroi në mënyrë të përshtatshme lidhjen që kanë me tokën e tyre banorët të cilët jetojnë në këmbët e vullkanit. Ai i përngjasoi ata me gjineshtrën, një shkurre që shpesh rritet në zonat vullkanike. Lulet e saj të verdha janë të bukura dhe rrezatuese. Ato i mbajnë kryet lart dhe refuzojnë të përkulen derisa rryma e lavës t’i arrijë. Pasi shpërthimi ka kaluar dhe shkëmbi ftohet, gjineshtra fillon të rritet sërish, e fortë dhe e guximshme, dhe me gjithë vështirësitë, rifillon ciklin e saj të jetës.

Etna po ndryshon

Sipas mendimit të vullkanologëve, ky «gjigant miqësor» duket se po ndryshon. Jo shumë kohë më përpara, Etna nuk ka qenë një vullkan shpërthyes, por tani, thotë revista Fokus (italisht), «atë që deri më sot e kemi konsideruar si një vullkan aktiv por të parrezikshëm, po e shohim me një sy të dyshimtë». Sipas një paralajmërimi të dhënë nga studiuesit francezë dhe italianë, Etna «po transformohet dalëngadalë nga një vullkan joshpërthyes, që do të thotë se është vullkan me një rrjedhje të vogël të lavës dhe të gazit, në një vullkan shpërthyes». Për këtë arsye, Paola Del Karlo, studiuese në Institutin Kombëtar Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë në Katania, pohon se «gjatë 30 vjetëve të kaluar, edhe aktiviteti joshpërthyes edhe ai shpërthyes [i vullkanit], është në rritje dhe është vështirë të parashikohet me saktësi se ç’do të ndodhë në të ardhmen».

Një spektakël i jashtëzakonshëm

Përveçse ngjall frikë dhe ‘ta imponon’ respektin, Etna ofron një spektakël të jashtëzakonshëm. Qoftë në dimër kur zbardh nga bora, qoftë në verë kur vesh një petk të kafenjtë, apo edhe kur thjesht vigjilon mbi bregdet, duke dridhur tokën dhe zemrat e banorëve, ose ndriçon netët e errëta me zjarr, vullkani dëshmon për fuqinë e Atij që e krijoi. (Psalmi 65:6; 95:3, 4) Nëse do të keni rastin të vizitoni Sicilinë e bukur, mos harroni Etnën. Do ta dalloni që nga larg me atë shtëllungën e saj karakteristike të tymit. «Mos u shqetësoni nëse dëgjoni një uturimë,​—ju thonë menjëherë vendësit.​—Është thjesht mënyra e Etnës për t’ju thënë: ‘Hej, ç’kemi?’»

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ITALI

SICILI

M. Etna

[Figura në faqen 14]

Një vizatim i malit Etna në vitin 1843

[Burimi]

Culver Pictures

[Figura në faqen 15]

26 korrik 2001

[Figura në faqen 15]

28 korrik 2001, me Katanian në sfond

[Figura në faqen 15]

30 tetor 2002

[Figura në faqen 15]

12 shtator 2004

[Figura në faqen 16]

Formacionet shkëmbore në formë të çuditshme të quajtura Faraljoni

[Figura në faqen 17]

Banorët vendës i referohen malit Etna si një «gjigant miqësor»

[Burimet e figurave në faqen 15]

Të gjitha fotografitë: © Tom Pfieffer; harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Burimet e figurave në faqen 16]

Sfondi: © WOLFGANG KAEHLER 2005, www.wkaehlerphoto.com; Faraljoni: Dennis Thompson/Unicorn Stock Photos