Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çdo njeri ka nevojë për shtëpi

Çdo njeri ka nevojë për shtëpi

Çdo njeri ka nevojë për shtëpi

«Çdo person ka të drejtën për një nivel jetese të mjaftueshëm për të siguruar shëndetin, mirëqenien e tij dhe të familjes, veçanërisht për . . . strehimin.»​—Deklarata Botërore e të Drejtave të Njeriut, Neni 25.

NJË popullsi e madhe me bujq, që zhvendosen nga njëri vend te tjetri, pas një periudhe të gjatë kohe, më në fund, kanë qëndruar në një vend që tani e quajnë shtëpi. Qindra familje banojnë pikërisht në të dalë të qytetit, në ato kampe me dhoma-rimorkio, të marra me qira të ulët, që quhen parqueaderos. Në atë zonë, shërbime të tilla themelore si pasja e tubacioneve të shkarkimit të ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pastër dhe heqja e plehrave ose janë të cilësisë më të ulët, ose nuk ekzistojnë fare. Një gazetar e përshkroi atë ngulim si «një vend ku mund të jetojnë vetëm [bujqit] shumë të varfër».

Para tre vjetësh, kur zyrtarët zunë t’i prishnin ca nga këto lagje, disa familje shitën dhomat-rimorkio dhe u transferuan në qendër të qytetit, nëpër shtëpi, hyrje e garazhe tashmë të tejmbushura. Disa të tjera vetëm sa mblodhën plaçkat dhe u nisën në kërkim të një vendi tjetër ku të futnin kokën pasi të ktheheshin nga puna​—një vend çfarëdo që mund ta quanin shtëpinë e tyre.

Mos vallë po mendoni për ndonjë zonë diku në Amerikën Qendrore a Jugore? Pa prisni pak! Ky kamp gjendet afër qytetit të Mekës, në jug të Kalifornisë, SHBA, më pak se një orë me makinë drejt lindjes nga qyteti shumë i pasur i Palm-Springsit. Thuhet se në Shtetet e Bashkuara numri i njerëzve që kanë shtëpinë e tyre, është më i lartë se kurrë më parë dhe se në vitin 2002 familjet me nivel mesatar kishin gati 42.000 dollarë të ardhura në vit. Prapëseprapë, sipas llogaritjeve, më shumë se pesë milionë familje amerikane nuk banojnë në një vend për të qenë.

Gjendja është edhe më e rëndë në vendet në zhvillim. Megjithëse janë ndërmarrë një sërë nismash politike, sociale dhe fetare, kriza botërore për strehimin sa vjen e rëndohet.

Krizë mbarëbotërore

Është llogaritur se, në mbarë botën, mbi një miliard njerëz jetojnë në lagje të varfra. Specialistët brazilianë të urbanistikës kanë frikë se mos favelat ose lagjet e varfra, që sa vijnë e shtohen në atë vend, së shpejti «do të bëhen më të mëdha e me më shumë banorë se qytetet në të cilat u ngritën fillimisht». Ka qytete në Nigeri ku më se 80 për qind e popullsisë rrojnë në lagje të varfra dhe në ngulime pa leje. Në vitin 2003, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anani, tha: «Po të mos merren masa, mendohet se gjatë 30 viteve të ardhshme, numri i banorëve të lagjeve të varfra në mbarë botën do të rritet afro 2 miliardë.»

Mirëpo, shifrat e ftohta si këto, s’arrijnë të përshkruajnë aspak pasojat e dhembshme që vuajnë njerëzit e varfër anekënd botës, ngaqë jetojnë nën standardin e lejueshëm. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në vendet në zhvillim, më shumë se gjysma e njerëzve nuk kanë kushtet më elementare higjienike, një e treta nuk kanë ujë të pastër, çerekut i mungon strehimi i përshtatshëm dhe një e pesta nuk kanë kurrfarë kujdesi shëndetësor. Pjesa më e madhe e njerëzve në vendet e zhvilluara nuk do të linin të jetonin në këto kushte as kafshët shtëpiake.

E drejtë e çdo individi

Pranohet gjithandej se, pasja e një strehe për të qenë, është një nga nevojat themelore të njeriut. Në Deklaratën Botërore të të Drejtave të Njeriut, e pranuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948, u shpall se çdo person ka të drejtën për një nivel jetese të mjaftueshëm, përfshirë edhe strehimin e përshtatshëm. Ç’është e vërteta, çdo njeri ka nevojë të ketë një shtëpi për të qenë.

Para ca vjetësh, në 1996-n, një varg vendesh pranuan atë që u bë i njohur si Plan për Strehimin. Ky dokument përmbledh disa zotime të posaçme për t’u siguruar një strehë të përshtatshme të gjithë njerëzve. Më vonë, më 1 janar 2002, OKB-ja e forcoi edhe më zotimin e vet, duke e futur zyrtarisht këtë plan në radhën e programeve me status të plotë, pra për t’u zhvilluar si një program i plotë i Kombeve të Bashkuara.

Si për ironi, pikërisht tani që shtetet më të pasura kanë filluar të bëjnë përsëri kërkesa për të ngritur koloni në Hënë e për të eksploruar Marsin, shtetasit e tyre më të varfër, njerëz që sa vijnë e shtohen, nuk kanë mundësi financiare të gjejnë këtu në tokë një vend të denjë për banim. Si ndikon te ju kjo krizë për strehim? A ka me të vërtetë shpresë se një ditë të gjithë do të kenë nga një shtëpi të rehatshme?

[Diçitura në faqen 4]

Ndërkohë që disa shtete po orvaten të ngrenë koloni në Hënë, shumë nga shtetasit e tyre këtu në tokë nuk kanë një vend të denjë për banim

[Figura në faqet 2, 3]

NJË FAMILJE REFUGJATËSH NGA AZIA.

Në një qytet 3.500 familje jetojnë në tenda të sajuara aty për aty dhe janë në pikë të hallit pa ujë e pa kushte higjienike

[Burimi]

© Tim Dirven/Panos Pictures

[Figura në faqen 4]

AMERIKA E VERIUT