Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë e shkakton këtë krizë për strehim?

Çfarë e shkakton këtë krizë për strehim?

Çfarë e shkakton këtë krizë për strehim?

NË RRETHINAT e një qyteti të madh afrikan, banon Jozefina 36-vjeçare me tre djemtë e saj, nga 6 deri 11 vjeç. Për të nxjerrë bukën e gojës, ajo mbledh bidonë plastikë bosh dhe i shet në një qendër riciklimi atje afër. Me këtë punë që i bie bretku, fiton më pak se dy dollarë në ditë. Me këto të ardhura, në atë qytet, Jozefina mezi ia del të ushqejë familjen dhe të paguajë shkollimin e fëmijëve.

Në fund të ditës, kthehet në atë që e quan shtëpinë e saj. Shtëpi i thënçin! Muret janë bërë me qerpiçë e me baltë dhe ndërmjet tyre vihen disa thupra për t’i mbajtur. Nja dy teneqe të pangjitura mirë e të ndryshkura, si dhe ca llamarina të lyera me kallaj e me plastmasë përsipër, janë çatia e shtëpisë. Në majë të saj janë vënë stivë pllaka guri, dru dhe pllaka të vjetra metalike, që të mos e marrë era e fortë. «Dera» dhe «dritarja» janë ca thasë kërpi të shqyer, që shpesh mezi i bëjnë ballë motit të ashpër, e jo më të pengojnë grabitësit.

Mirëpo as këtë shtëpi të shkretë nuk e ka të vetën. Jozefina dhe fëmijët e saj rrojnë me frikën se mos i përzënë nga çasti në çast. Toka ku është ngritur kasollja e tyre e mjerë, duhet të përdoret për zgjerimin e një rruge atje afër. Të vjen keq ta thuash, po rrethana si këto hasen edhe në shumë vende të tjera, kudo nëpër botë.

Shtëpi të rrezikshme për shëndetin

Robin Shelli, një zyrtar i lartë i programit ndërkombëtar për ndihmën ndaj të pastrehëve, thotë: «Në lagjet e të varfërve, fëmijëve u vjen turp për shtëpinë që kanë, . . . familjarët sëmuren shpesh dhe . . . asnjëherë s’e dinë me siguri a do të shkojë ndonjë qeveritar a pronar toke që mund t’u shembë [shtëpinë].»

Jeta në këto kushte i detyron prindërit të jenë përherë në merak për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve. Në vend që të jenë në gjendje të bëjnë më shumë për të përmirësuar situatën, shpesh e harxhojnë pjesën më të madhe të kohës e të energjive duke u munduar t’u plotësojnë fëmijëve nevojat më themelore, si ushqimin, çlodhjen, dhe strehimin.

Po t’i shohësh gjërat nga larg, është e lehtë të mendosh se të varfrit mund ta ndreqin situatën e tyre, po të dinë të bëjnë përçapje. Mirëpo nuk zgjidhet çështja vetëm duke u thënë njerëzve që t’ia dalin me forcat e veta. Ka arsye të forta që lidhen me krizën për strehim dhe që njeriu s’i kontrollon dot. Kërkuesit nxjerrin si shkaqet kryesore të problemit rritjen e popullsisë, urbanizimin e shpejtë, katastrofat natyrore, trazirat politike dhe varfërinë e vazhdueshme. Këto forca, porsi një darë e tmerrshme, kanë mbërthyer jetën e shumë njerëzve të varfër në botë.

Presionet e popullsisë

Në përgjithësi, është llogaritur se çdo vit 68 milionë deri në 80 milionë njerëz të tjerë kanë nevojë për strehim. Sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, popullsia e botës i kaloi 6,1 miliardë banorët në vitin 2001 dhe pritet të shkojë në 7,9 deri 10,9 aty nga viti 2050. Edhe më shumë na trondit fakti që parashikohet se 98 për qind e kësaj rritjeje, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të ardhshëm, do të ndodhë në vendet në zhvillim. Vetë këto shifra paraqesin një problem të tmerrshëm për strehimin. Mirëpo ky problem ndërlikohet edhe më tepër ngaqë rritjen më të shpejtë të popullsisë e kanë qytetet tashmë të mbipopulluara.

Urbanizim që nuk ndreq gjë

Qytetet më të mëdha​—si për shembull Nju-Jorku, Londra dhe Tokioja​—shpesh shihen si simbole të gjalla të zhvillimit ekonomik të një vendi. Prandaj, çdo vit me mijëra njerëz nga zonat rurale dynden në zona urbane më të begata dhe kryesisht kërkojnë të arsimohen e të punësohen.

Për shembull, në Kinë, ekonomia po zhvillohet me ritme të shpejta. Si rrjedhim, një raport llogarit që brenda pak dhjetëvjeçarëve të ardhshëm vetëm në zonat e mëdha urbane do të nevojiten më se 200 milionë hyrje për strehim. Ky është gati dyfishi i numrit të përgjithshëm të shtëpive që ekzistojnë aktualisht në tërë Shtetet e Bashkuara. E cili program strehimi do t’ia dilte të plotësonte këtë nevojë për banesa?!

Sipas Bankës Botërore, «në qytetet e vendeve në zhvillim shtohen çdo vit gati 12 deri 15 milionë familje të reja, dhe për to duhen po kaq banesa». Meqë nuk ka banesa të mjaftueshme që t’i përballojnë financiarisht, këta qytetarë të varfër detyrohen të strehohen ku të mundin, shpesh atje ku askush tjetër nuk do të shkonte të banonte.

Katastrofa politike dhe natyrore

Varfëria i ka detyruar shumë njerëz që të vendosen me banim në zona që përmbyten shpesh, ku ndodhin rrëshqitje dheu e tërmete. Për shembull, sipas llogaritjeve, në Karakas, Venezuelë, më tepër se gjysmë milion njerëz «kanë shkuar të banojnë pa leje në ca shpate të pjerrëta, ku vazhdimisht ndodhin rrëshqitje dheu». Gjithashtu kujtojmë edhe aksidentin industrial të vitit 1984 në Bopal të Indisë, ku të vdekurit ishin disa mijëra, e të dëmtuarit edhe më shumë. Pse gjithë kjo humbje në njerëz? Në radhë të parë, sepse një lagje me baraka aty afër, duke u zgjeruar, u ishte afruar kufijve të fabrikës 5 metra.

Edhe katastrofat politike, si luftërat civile, janë përgjegjëse për problemet e strehimit që sa vijnë e rëndohen. Një raport i botuar në vitin 2002, nga një grup për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nxori në pah se në periudhën ndërmjet viteve 1984 dhe 1999, gjatë luftës civile, mund të jenë dëbuar nga vendbanimi për në juglindje të Turqisë, 1,5 milionë njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve ishin fshatarë. Shumë prej tyre u detyruan të gjenin strehë ku të mundnin, shpesh duke u rrasur bashkë me të afërmit dhe fqinjët në ca ndërtesa të sajuara vetë, strehime të marra me qira, në ferma o në kantiere ndërtimi. Siç raportohet, një grup familjesh jetonin në stalla me 13 a më shumë veta në një dhomë dhe kishin vetëm një banjë të përbashkët dhe një çezmë në oborr. «Nuk duam të jetojmë më në këtë gjendje,​—tha njëri nga refugjatët.​—Banojmë në një vend që është bërë për kafshët.»

Prapambetja ekonomike

Si përfundim, nuk është kurrë e tepërt të theksohet se ka një lidhje mes strehimit dhe gjendjes ekonomike të të varfërve. Sipas raportit të Bankës Botërore, që përmendëm më sipër, thuhej se vetëm në vitin 1988, 330 milionë banorë të qyteteve në vendet në zhvillim, ishin të varfër, një gjendje që nuk pritej të ndryshonte shumë në vitet e ardhshme. Kur njerëzit janë kaq të varfër sa mezi përmbushin nevojat themelore, si ushqimi e veshmbathja, e si do të arrijnë të marrin me qira ose të ndërtojnë një shtëpi për të qenë?!

Përqindjet e larta të interesit bankar dhe inflacioni bëjnë që marrja e kredive të jetë jashtë mundësive të shumë familjeve dhe pagesa e ujit dhe e dritave e bën mjaft të vështirë që këto familje të rimëkëmben ekonomikisht. Shifrat e papunësisë, që në disa vende arrijnë në 20 për qind, bëjnë që të jetë gati e pamundur për disa njerëz të plotësojnë nevojat e tyre themelore.

Këta faktorë dhe të tjerë i kanë detyruar qindra milionë njerëz në çdo skaj të botës të vendosen me banim në vende të papërshtatshme. Njerëzit jetojnë në autobusë të vjetër, në kontenierë a vagonë të mëdhenj dhe në baraka me kompensata. Banojnë nën shkallë, në çadra me plastmasë dhe mes mbeturinave e rrangullave. Disa kanë shkuar të banojnë edhe në zona industriale të braktisura.

Çfarë po bëhet për këtë problem?

Po bëhen vërtet përpjekje të sinqerta nga shumë individë, organizata dhe qeveri që shqetësohen për të zgjidhur krizën. Në Japoni, janë hapur disa firma për të ndërtuar shtëpi me çmime të përballueshme. Në vitin 1994 nisi një program strehimi në Afrikën e Jugut, me anë të të cilit janë bërë më se një milion shtëpi me katër dhoma. Kurse në Kenia një politikë ndërtimi ambicioze ka për qëllim të ndërtojë çdo vit 150.000 hyrje në zonat urbane dhe dyfishin e kësaj shifre në zonat rurale. Vende të tjera, si Madagaskari, janë përpjekur të gjejnë metoda ndërtimi me anë të të cilave ngrihen banesa jo të kushtueshme.

Organizatat ndërkombëtare si UN-HABITAT-i, janë formuar që të vënë në praktikë zotimin e marrë «për të parandaluar dhe lehtësuar problemet që sa vijnë e gëlojnë nga rritja urbane masive». Po mundohen të ndihmojnë edhe organizatat joqeveritare dhe pa qëllime përfitimi. Një organizatë pa qëllime përfitimi ka ndihmuar më shumë se 150.000 familje në vende të ndryshme që të dalin nga gjendja e strehimit jashtë standardit. Në vitin 2005, llogaritet se do të ketë ndihmuar një milion njerëz të gjejnë strehim të thjeshtë e dinjitoz dhe me çmime të arsyeshme.

Shumë nga këto organizata kanë vënë në dispozicion të dhëna të gatshme e praktike për të ndihmuar ata njerëz që banojnë në kushte jashtë standardeve, që të jetojnë sa më mirë të munden në gjendjen që janë ose ta përmirësojnë atë. Sigurisht, kur e kuptoni se keni nevojë për ndihmë, mund të përfitoni plotësisht nga këto masa. Gjithashtu, ka mjaft gjëra themelore që mund të bëni për të ndihmuar veten.​—Shihni kutinë «Shtëpia dhe shëndeti juaj», në faqen 7.

Edhe nëse e përmirësoni vetë gjendjen tuaj ose jo, prapëseprapë ka pak mundësi që një njeri i vetëm a disa organizata njerëzore ta zgjidhin lëmshin e ngatërruar që forcat mbarëbotërore kanë bërë. Komuniteti ndërkombëtar e sheh që gjithnjë e më tepër nuk është në gjendje të përballojë kërkesën e ngutshme për zhvillim ekonomik dhe për ndihma humanitare, kërkesë që sa vjen e rritet. Çdo vit, miliona fëmijë lindin në këtë greminë varfërie, që vjen duke u thelluar. A ka ndonjë shpresë të vërtetë për një zgjidhje përfundimtare?

[Kutia në faqen 7]

SHTËPIA DHE SHËNDETI JUAJ

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në përgjithësi, që të sigurojë shëndet të mirë, shtëpia duhet të ketë të paktën elementet e mëposhtme:

▪ Çati të mirë që nuk e fut shiun

▪ Mure të mira dhe dyer që mbrojnë nga moti i keq dhe që nuk lënë të futen kafshët brenda

▪ Rrjeta në dritare dhe në dyer për të mos hyrë insektet, sidomos mushkonjat

▪ Strehë përreth, që të mbrojë muret nga drita e drejtpërdrejtë e diellit në mot të nxehtë

[Kutia dhe figurat në faqen 8]

SHTËPITË TRADICIONALE NË FSHATRAT E AFRIKËS

Për një kohë të gjatë, në peizazhin afrikan zotëronin shtëpitë tradicionale. Ishin të madhësive e të formave të ndryshme. Disa komunitete, si për shembull kikuju dhe luo të Kenias, pëlqenin shtëpi të rrumbullakëta dhe një çati konike prej kashte. Kurse fise të tjera, mes tyre edhe masait e Kenias dhe të Tanzanisë, përdornin një formë deri diku drejtkëndëshe. Në disa zona bregdetare të Afrikës Lindore, ca shtëpi kishin çati kashte që preknin tokën dhe ngjanin si koshere bletësh.

Shumë nga materialet e ndërtimit të përdorura për këto shtëpi, gjendeshin me lehtësi, kështu që kishte pak probleme për strehimin. Balta për muret bëhej duke përzier dheun me ujë. Kurse drutë, bari, kallamat dhe gjethet e bambuve siguroheshin me lehtësi, falë pyjeve të shumta atje afër. Prandaj, pavarësisht se sa e pasur ose e varfër ishte familja, në përgjithësi kishin mundësi të siguronin një shtëpi për vete.

Sigurisht, këto shtëpi kishin edhe disa mangësi. Meqë shumica e çative ishin me materiale që marrin flakë shpejt, ato ishin shumë të rrezikshme në raste zjarri. Gjithashtu, në shtëpi mund të hynte me lehtësi kush të donte, thjesht duke bërë një të çarë në murin prej qerpiçi. S’është çudi pra që në mjaft zona sot, shtëpitë tradicionale afrikane dalëngadalë po ua lënë vendin llojeve të tjera të ndërtesave më të forta.

[Burimet]

Burimi: Arkitektura tradicionale afrikane

Kasollet: Me mirësjelljen e Bomas of Kenya Ltd-A Cultural, Conference, and Entertainment Center

[Figura në faqen 5]

EVROPË

[Burimi]

© Tim Dirven/Panos Pictures

[Figura në faqen 6]

AFRIKË

[Figura në faqen 6]

AMERIKA E JUGUT

[Figura në faqen 7]

AMERIKA E JUGUT

[Figura në faqen 7]

AZI

[Burimi i figurës në faqen 6]

© Teun Voeten/Panos Pictures; J.R. Ripper/BrazilPhotos

[Burimi i figurës në faqen 7]

JORGE UZON/AFP/Getty Images; © Frits Meyst/Panos Pictures