«A e keni parë ndonjëherë bolivianitën?»
«A e keni parë ndonjëherë bolivianitën?»
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BOLIVI
HYMË në një dhomë të vogël, dhe nuk na e mori mendja që në një vend si ai do të gjenim ndonjë gjë tepër të bukur. Një argjendar i ri ngriti sytë nga tavolina e punës dhe na vështroi. Tavolina ishte goxha e përdorur dhe plot me vegla e skica përsipër. I thamë argjendarit se po kërkonim stoli.
Ishte i afrueshëm dhe kur i treguam se edhe ne mundoheshim të bënim stoli, i vetëtinë sytë nga entuziazmi. Filloi të na shpjegonte zanatin e tij dhe na tregoi disa nga punët artistike që kishte bërë. Shumë i zoti si argjendar! Pastaj na pyeti: «A e keni parë ndonjëherë gurin bolivianita?»
I zbuluar kohët e fundit
Kur pa sa u habitëm, i shtyu mënjanë mbeturinat që kishte mbi tavolinë dhe me kujdes çmbështolli një kadife të zezë. Ishte hera e parë që shihnim një nga ata gurë të lëmuar bolivianitë, dhe në fillim na u duk si me ngjyrë vjollcë. Mirëpo, kur e ngritëm njërin nga gurët afër dritës dhe e këqyrëm mirë, pamë një rrëzëllimë ngjyrë ari. Kjo bukuri e pashoqe është bolivianita, një gur ku gërshetohen mahnitshëm ametisti vjollcë me citrinin në ngjyrë qelibari.
Bolivianita (në spanjisht) është emri me të cilën njihet në treg ametrina. Për herë të parë u hodh në treg në vitin 1989. Kur morëm vesh se Bolivia, vendi ku banojmë, është i vetmi burim i madh në botë ku gjendet ametrina natyrale, donim të zbulonim se nga vinte ky gur i rrallë, por me çmim të arsyeshëm.
Një udhëtim emocionues
Vizita në minierë ishte vërtet emocionuese. Në Puerto-Suarez, afër kufirit të Bolivisë me Brazilin, i hipëm një motobarke për të bërë 150 kilometra udhë në veri të lumit Paraguai, përmes Pantanalit. Na mrekulloi fauna—në qiell fluturonin çafka dhe
jabiru, në ujë kishte aligatorë, kurse në breg të lumit luanin lundrat.Arritëm në vend pas gjashtë orësh, dhe pastaj morëm një fuoristradë që të shkonim në minierë. Atje punojnë afro 120 veta. Dy inxhinierë u treguan të sjellshëm dhe na shoqëruan. Miniera zë një sipërfaqe prej 10 kilometrash katrorë dhe ka galeri të panumërta, disa gati 60 metra të thella. Inxhinierët na shpjeguan se përdorin metodat tradicionale të nxjerrjes së gurëve, pra me shpim dhe me plasje. Megjithatë, pasi gjejnë depozitat me gurë të çmuar, i shkëputin kristalet me dorë. I dërgojnë gurët e papunuar në vendin ku punohen, dhe 18 për qind e tyre shndërrohen në xhevahire të vërteta. Pjesa tjetër bëhen rruaza, sfera ose prizma. Disa copa gdhenden e bëhen skulptura, kurse të tjerat shiten si stoli ashtu siç janë.
Shpella me kristale
Vumë në kokë kaskat dhe veshëm dorezat, që të zbrisnim poshtë në thellësi të minierës. Zbritëm gjashtë kate me anë të shkallëve të drunjta duke përdorur elektrikë dore, e kështu mbërritëm në një galeri 20 metra të thellë. Kur arritëm në fund të një tuneli dredha-dredha, ngelëm gojëhapur nga mrekullia që pamë. Ishim në një dhomëzë me përmasat 4x3x1 metra, plot me kristale në ngjyrë vjollcë dhe të artë. I zoti i minierës mendon ta ruajë atë si një mrekulli natyrore. Është një nga pamjet më të bukura që na kanë zënë sytë!
Se si ndodh që në një kristal të vetëm ka dy ngjyra, ende nuk dihet mirë. Me sa duket, kur po formoheshin kristalet e kuarcit, ndodhën disa ndryshime në përbërjen kimike të tokës, në temperaturë, në rrezatim ose në trysninë atmosferike. Ata që merren me gurët e çmuar, i presin dhe i lëmojnë gurët me mjeshtëri, kështu që të dyja ngjyrat mbeten në çdo xhevahir që del.
Ishte një udhëtim i paharrueshëm. Kur kujtojmë atë minierë të veçuar dhe përpjekjet që bëhen për t’i shkëputur gurët nga depozita natyrore, për t’i prerë e për t’i lëmuar, e vlerësojmë edhe më shumë bukurinë e bolivianitës.—Psalmi 104:24.
[Figura në faqet 16, 17]
Një minator po analizon një kristal
[Figura në faqet 16, 17]
Shpella me kristale
[Figura në faqet 16, 17]
Nxjerrja e kristaleve
[Figura në faqen 17]
Gur bolivianita i lëmuar
[Burimi i figurave në faqen 16]
Të gjitha fotografitë, përveç shpellës: Minerales y Metales del Oriente, S.R.L.
[Burimi i figurës në faqen 17]
Gurët e çmuar: Minerales y Metales del Oriente, S.R.L.