«Ah, ç’i kujtojmë . . . hudhrat!»
«Ah, ç’i kujtojmë . . . hudhrat!»
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Republikën Domenikane
TA ZËMË sikur jeni larg shtëpisë dhe po ju grijnë zorrët për bukë. Për çfarë do t’ju vinte mendja? Mbase ju vete mendja te frutat dhe perimet e freskëta që rriten në vendin tuaj, ose ndoshta imagjinoni çomlekun me mish a me peshk që ju bën gjithnjë mamaja. Por, a do t’ju lëshonte goja lëng po të mendonit për hudhrat?
Gati 3.500 vjet më parë, kur izraelitët po udhëtonin përmes shkretëtirës së Sinait, thanë: «Ah, ç’i kujtojmë peshqit që hanim për hiçmosgjë në Egjipt, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët dhe hudhrat!» (Numrat 11:4, 5, BR) Po, po, ata vdisnin për hudhrat. Judenjtë i pëlqenin kaq shumë, saqë, sipas traditës e quanin veten hamës të hudhrave.
Si filluan izraelitët ta pëlqenin kaq shumë? Gjatë 215 vjetëve që qëndruan në Egjipt, hudhra ishte pjesë e ushqimit të tyre të përditshëm. Të dhënat arkeologjike tregojnë se kohë përpara se Jakobi dhe familja e tij të mbërrinin në Egjipt, egjiptianët e mbillnin hudhrën. Historiani grek Herodoti raporton se autoritetet egjiptiane blinin sasi jashtëzakonisht të mëdha qepësh, rrepash dhe hudhrash për të ushqyer skllevërit që ndërtonin piramidat. Kjo dietë, që përmbante shumë hudhra, dukej se u shtonte fuqinë dhe u rriste rezistencën punëtorëve. Kur egjiptianët varrosën faraonin Tutankhamen, futën në varr shumë objekte me vlerë, përfshirë këtu edhe hudhra. Sigurisht, hudhra nuk i hynte më në punë të vdekurit, por kishte qenë shumë e dobishme kur kishte qenë i gjallë.
Një ilaç i fortë
Prej kohësh mjekët e kanë përdorur hudhrën për të kuruar pacientët. Shumë shekuj më parë, mjekët grekë Hipokrati dhe Dioskoridi, e rekomandonin atë për problemet që lidheshin me tretjen, lebrën, kancerin, plagët, infeksionet dhe zemrën. Në shekullin e 19-të, kimisti francez Lui Pastëri, studioi hudhrën dhe përshkroi vetitë e saj antiseptike. Gjatë shekullit të 20-të në Afrikë, Albert Shvaiceri, një mjek-misionar i famshëm, përdorte hudhrën për të kuruar dizenterinë amebike dhe sëmundje të tjera. Gjatë Luftës II Botërore, kur mjekëve ushtarakë rusë nuk u dilnin ilaçet, përdornin hudhrat për të mjekuar ushtarët e plagosur. Kështu, hudhra u bë e njohur si penicilina ruse. Kohët e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar se hudhra ndikon për mirë në sistemin e qarkullimit të gjakut.
Kështu pra, hudhra është jashtëzakonisht ushqyese dhe kuruese, dhe era e shija e saj janë vërtet unike. Ku u rrit për herë të parë hudhra? Disa botanistë mendojnë se e ka origjinën nga Azia Qendrore, dhe që andej, u përhap në çdo cep të tokës. Le të shohim një vend të bukur në Hemisferën Perëndimore, ku hudhra është e famshme.
Në Konstancë
Lugina e Konstancës, në Republikën Domenikane, ka një klimë të butë. E rrethuar nga malet, lugina është e bekuar me shira të bollshme dhe me një tokë të pasur. Konstanca është një vend ideal për të mbjellë hudhra.
Në shtator ose tetor, fermerët e Konstancës pastrojnë dhe plugojnë fushat, hapin brazda të thella të ndara nga njëra-tjetra me breza toke gati një metër të gjerë. Në secilin nga këta breza toke, hapin tri ose katër brazda të cekëta, ku mbjellin hudhra. Ndërkohë, punëtorët i shkoqin kokrrat e plota të hudhrave në thelpinj.
Pasi i futin në ujë për 30 minuta, punëtorët i vendosin në brazdat e hapura për t’i mbjellë. Hudhrat rriten gjatë dimrit të butë domenikan.Shkulja nis nga marsi ose prilli. Punëtorët shkulin hudhrat e bëra dhe i lënë të hapura në fushë për pesë ose gjashtë ditë. Pastaj i mbledhin, u presin rrënjët e majat, dhe i vënë kokrrat e pastruara në enë të hapura që quhen kribas. Pastaj i lënë në diell gjithë ditën që të thahen, me qëllim që hudhrat të rrojnë, të mos prishen. Pas kësaj, ato janë gati për t’u shitur.
Një thelb hudhër të kundërmon
Kur ulesh për të ngrënë një çomlek të shijshëm ose sallatë, hunda jua nuhat menjëherë nëse gjella ka hudhër. Por, pse hudhra nuk vjen erë kur është kokërr e pa hapur? Hudhra ka elemente kimike të forta, që janë të izoluara nga njëra-tjetra deri atëherë kur një thelb hudhre gërvishtet, grihet ose shtypet. Kur grini një thelb hudhër, një enzimë e quajtur alliinase hyn në veprim me një substancë që quhet alliin. Menjëherë vijon një reaksion që prodhon allicinën, burimin e erës dhe të shijes së hudhrës.
Kur kafshon një copë hudhre të porsaqëruar, të ngjan sikur të merr goja flakë nga allicina. Doni apo s’doni ju, era e hudhrës do të kundërmojë ngado. Ç’mund të bëni që të mos ju vijë goja erë? Mund të provoni të përtypni gjethe majdanozi ose mund të mbani karafil në gojë për të mbytur erën e rëndë.
Megjithatë, mos harroni se kjo erë e rëndë vjen kryesisht nga mushkëritë. Kur ju hani hudhër, sistemi i tretjes e çon atë në rrjedhën e gjakut, i cili pastaj e çon në mushkëri. Kur ju e nxirrni frymën, era e saj e rëndë del bashkë me ajrin. Kështu, larja e dhëmbëve dhe majdanozi nuk do t’ua heqin erën e rëndë. A ka ndonjë zgjidhje atëherë? Tamam, tamam, jo. Por, nëse ata që keni vërdallë po hanë hudhra si ju, atëherë mos kini frikë, se askush s’ka për ta ndier erën.
Në shumë vende, gjella pa hudhra as që mund të mendohet. Shumë nga ata që e hanë hudhrën, qoftë dhe me karar, besojnë se dobitë që vijnë prej saj, ia kalojnë anëve të këqija.
[Figura në faqen 23]
Hudhrat që thahen në diell
[Figura në faqen 23]
Lugina e Konstancës
[Figura në faqen 23]
Përse hudhra vjen erë vetëm pasi është grirë?