Chat rooms: Ç’duhet të di për to?
Të rinjtë pyesin . . .
Chat rooms: Ç’duhet të di për to?
«Edhe pse jam i ndrojtur si natyrë, mund të hyj në një chat room dhe të flas me të tjerë, gjë që normalisht nuk do ta bëja. Ata s’e kanë fare idenë se kush jam unë.»—Piteri. *
«Në një chat room, je e lirë të thuash ç’të duash.»—Abigaila.
CHAT ROOMS janë «vende» në Internet ku përdoruesit mund të bisedojnë drejtpërdrejt dhe menjëherë me të tjerë me anë të mesazheve që shfaqen në ekranin e kompjuterit. Në chat rooms hyjnë shumë veta njëkohësisht që lexojnë dhe u përgjigjen mesazheve të njëri-tjetrit.
Disa nga këto janë veçanërisht joshëse për të rinjtë. Miliona të rinj nga kultura të ndryshme shkëmbejnë opinionet e tyre çdo ditë për pothuajse çdo temë. Disa shkolla sot shfrytëzojnë këtë burim global. Për shembull, nën mbikëqyrjen e mësuesit, nxënësit në Shtetet e Bashkuara, mund të diskutojnë çështje shoqërore me nxënës të tjerë në Spanjë, Angli ose në ndonjë vend tjetër. Madje, ata mund të diskutojnë për detyrat e shkollës me inxhinierë dhe kimistë të kualifikuar ose me ndonjë specialist tjetër.
Megjithatë, shumë veta që hyjnë në chat rooms, nuk kanë ndër mend të diskutojnë për tema shkollore. Nëse përdor Internetin, për ç’rreziqe duhet të jesh i vetëdijshëm?
Një vend «gjuetie» për maniakët seksualë
«Po flisja me disa në një chat room,—thotë Abigaila,—kur një burrë më pyeti nëse njihja të rinj 14-vjeçarë. Donte të bënte seks me ta. Tha se ishte gati t’i paguante.»
Rasti i Abigailës nuk është i vetmi. Problemi që në Internet hyjnë maniakë është kaq i përhapur, saqë disa qeveri kanë siguruar udhëzime se si të mbrohen të rinjtë. Për shembull, një botim i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), në Shtetet e Bashkuara, paralajmëron për individë që sapo fillojnë bisedën me dikë në chat room, nisin të flasin troç për seksin. Po ashtu, paralajmëron për ata që «gradualisht e joshin ‘prenë’ e tyre duke i treguar vëmendje, ngrohtësi, dashamirësi, madje i bëjnë edhe dhurata».
Duke përshkruar metodat specifike që përdorin disa nga këta maniakë, botimi i FBI-së thotë: «Ata i dëgjojnë fëmijët kur shprehen për problemet që kanë dhe hiqen sikur u vjen keq për çfarë po kalojnë. Zakonisht janë të mirinformuar për muzikën e kohëve të fundit, aktivitetet që kanë pasion dhe çfarë u intereson. Këta njerëz përpiqen që gradualisht t’ia largojnë fëmijës ndrojtjen apo turpin duke hapur herë pas here biseda rreth seksit.»
Njerëzit e degjeneruar nuk janë të vetmit që përbëjnë rrezik. Duhet të kesh kujdes edhe nga të rinjtë që nuk i njohin ose që nuk i respektojnë standardet morale të Biblës. Shqyrtoni rastin
e një të riu me emrin Kodi. Ai po bisedonte me të rinj të tjerë në Internet, kur një vajzë e ftoi të flisnin vetëm për vetëm. Pastaj i bëri një pyetje provokuese seksuale. Kodi pati aq vetëkontroll sa t’i jepte fund menjëherë bisedës.Ngaqë është e natyrshme të jemi kuriozë për seksin, mund ta kesh jashtë mase të vështirë të reagosh njësoj si Kodi. Piteri, i përmendur më sipër, pranon: «Mendoja se kisha aq vetëkontroll sa të vendosja të dilja nga një chat room nëse tema e bisedës do të vërtitej rreth seksit. Por herë pas here, rrija dhe bisedoja për tema seksuale. Më pas, ndihesha shumë keq.» Edhe ti mund të pyesësh veten: «Nëse nuk tregoj se kush jam, a ka vërtet ndonjë dëm nëse hyj në chat rooms që flasin për seksin?»
A janë të dëmshme bisedat për seksin në chat rooms?
Bibla flet hapur për seksin. (Fjalët e urta 5:18, 19) Pa dyshim, gjatë periudhës së rinisë njerëzit janë shumë kuriozë të dinë për seksin. Kështu pra, duhet të flasësh për këto gjëra. Ke nevojë të marrësh përgjigjet e pyetjeve që të lindin lidhur me këtë temë të rëndësishme. * Megjithatë, mënyra se si e shuan kureshtjen për çështjet seksuale, do të ndikojë shumë në lumturinë tënde, qoftë tani, qoftë në të ardhmen.
Nëse vendos të bisedosh për seksin në chat rooms, edhe nëse e bën këtë me njerëz që thonë se janë miqtë e tu, përvoja jote mund të përfundojë njësoj si ajo e një të riu që përshkruhet në Bibël. Thjesht për kureshtje, ai u end afër shtëpisë së një prostitute. Në fillim, thjesht biseduan. Por, pasi atij iu ngjall dëshira, nuk i mjaftonte vetëm biseda. «Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, . . . si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.»—Fjalët e urta 7:22, 23.
Ngjashëm, kur flet për seksin në Internet, mund të ndodhë lehtë që të kërkosh më shumë kënaqësi. «Po flisja me dikë,—kujton një adoleshent me emrin Filip,—kur një pamje imorale m’u shfaq papritmas në ekran. Ma kishte dërguar personi me të cilin po bisedoja.» Pasi të është ngjallur dëshira për të parë materiale që flasin hapur për seksin, mund të tundohesh që ta ushqesh më tej këtë interes, si për shembull duke hyrë në një chat room për të rritur. * Shumë veta që bien në grackën e shikimit të pornografisë, shkojnë më tej duke kryer imoralitet dhe pastaj vuajnë pasojat e pashmangshme që vijnë si rrjedhojë.—Galatasve 6:7, 8.
Njerëzit që duan të të flasin për seksin në Internet, nuk ta duan të mirën. Këta të panjohur duan të të joshin në biseda imorale—mundësisht edhe në sjellje të tilla—që * Duke u përpjekur ta mbronte djalin e tij nga një prostitutë, mbreti Solomon shkroi: «Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj, për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë [dinjitetin, BR] tënde, . . . që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde.» (Fjalët e urta 5:8-10) Parimi që fshihet pas kësaj këshille mund të zbatohet kështu: mos iu afro ose mos u fut në chat rooms ku diskutohet për seksin, që të mos ua japësh të panjohurve dinjitetin, të cilët duan vetëm të kënaqen në kurrizin tënd.
të plotësojnë dëshirat e veta.«Njerëz që e fshehin se ç’janë»
Megjithatë, ti mund të mos duash të flasësh për seksin. Ashtu si Piteri dhe Abigaila të përmendur më sipër, mund të mendosh se chat room është një vend ku mund të shprehesh pa pasur frikë dhe ndrojtje pasi personi tjetër nuk e di se kush je ti. * Ndonëse kjo është e vërtetë, ka edhe një rrezik tjetër për të cilin duhet të jesh i vetëdijshëm.
Natyra anonime e chat rooms mund të të tundojë që edhe ti të mashtrosh. Abigaila thotë: «Nisja të bisedoja me njerëzit dhe pastaj shtiresha sikur kisha një natyrë tjetër për t’iu përshtatur bisedës.» Njësoj si Abigaila, edhe ti mund të tundohesh të shfaqësh një personalitet tjetër që të përshtatesh me një grup të veçantë në chat room. Mund të adoptosh standardet e tyre të të folurit ose gjërat që u interesojnë, si e si për të zënë miq të rinj. Nga ana tjetër, mund ta shohësh chat room si një vend ku mund të shprehësh ato ide dhe ndjenja që prindërit ose miqtë e tu nuk do të t’i mbështetnin. Ngado ta rrotullosh, do të gënjesh o njërin grup, o tjetrin. Kur pretendon se je dikush që në të vërtetë nuk je, po mashtron ata me të cilët po bisedon në chat room. Nga krahu tjetër, nëse nuk ua shpreh ndjenjat dhe idetë e tua të vërteta familjarëve dhe miqve, po i mashtron edhe ata.
Pavarësisht se chat rooms janë një fenomen relativisht i kohëve të fundit, tendenca e njerëzve për të gënjyer dhe për të mashtruar është aq e vjetër, sa edhe vetë historia njerëzore. Bibla tregon se gënjeshtari i parë, Satana Djalli, shpiku taktikën që përdorin sot disa përdorues të chat room. Ai e fshehu identitetin e vërtetë përpara se të thoshte gënjeshtrën e tij të parë. (Zanafilla 3:1-5; Zbulesa 12:9, 10) Mund të mos lejosh të të mashtrojnë gënjeshtarët nëse ndjek shembullin e mbretit David. «Nuk rri me njerëz që nuk ecin në të vërtetën,—shkroi ai,—dhe nuk përzihem me njerëz që e fshehin se ç’janë.»—Psalmi 26:4, BR.
Siç u tha më sipër, disa chat rooms mund të shërbejnë për qëllime të dobishme. Megjithatë, të rinjtë që duan ta kënaqin Jehovain, duhet të kenë tej mase kujdes kur përdorin këtë mjet modern komunikimi. Nëse të duhet të hysh medoemos në një chat room, për shembull për një detyrë shkolle, kërkoju prindërve, ose një tjetër të rrituri të pjekur, të ulet me ty. Një artikull në një numër tjetër të revistës, do të theksojë dy arsye të tjera përse duhet të kesh kujdes kur përdor chat rooms. Po ashtu, do të diskutojë se si mund t’i kapërcesh problemet specifike që mund të të lindin, edhe atëherë kur je i kujdesshëm.
[Shënimet]
^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 15 Libri Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike përmban këshilla të shëndetshme të bazuara në Bibël lidhur me seksin para martesës, masturbimin dhe për çështje të tjera të ngjashme.
^ par. 17 Disa chat rooms klasifikohen vetëm për të rriturit, dhe teorikisht ndalojnë hyrjen e atyre që janë nën një farë moshe. Kjo sepse zakonisht temat që diskutohen dhe figurat që përdoruesit i kalojnë njëri-tjetrit janë pornografike. Gjithsesi, disa sondazhe tregojnë se fëmijët nëntëvjeçarë gënjejnë për moshën që të mund të hyjnë në chat rooms vetëm për të rriturit.
^ par. 18 Meqë nuk mund ta vërtetosh se me kë je duke biseduar në chat room, ai ose ajo me të cilin po flet mund të hiqet sikur është i seksit tjetër, por faktikisht mund të jetë i të njëjtit seks.
^ par. 20 Një botim i FBI-së, (A Parent’s Guide to Internet Safety), rekomandon se përdoruesit e Internetit, asnjëherë s’duhet t’ua tregojnë emrin, adresën ose numrin e telefonit të panjohurve që takojnë në një chat room.
[Figura në faqet 20, 21]
Bisedat në Internet mund të jenë të rrezikshme