Dëshmi e shkëlqyer në shkollë
Dëshmi e shkëlqyer në shkollë
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Meksikë
KUR Danieli, një 17-vjeçar, nisi vitin e ri shkollor, ishte i vendosur t’u tregonte shokëve të klasës se ishte një Dëshmitar i Jehovait. Iu dha rasti kur mësuesi i anglishtes u kërkoi nxënësve të intervistonin një të huaj, që e kishte anglishten gjuhën e nënës. Ideja ishte të shkonin në ato vende të qytetit të Meksikos që frekuentoheshin nga turistët, të merrnin një intervistë, dhe pastaj ta paraqitnin përpara klasës.
Danieli vendosi të intervistonte një misionar që fliste anglisht, i cili punonte në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, dhe, në të njëjtën kohë, bëri një video në anglisht që tregonte një vizitë në Bethel. Përveç këtyre, përgatiti edhe një ekspozitë me broshura të ndryshme të botuara në gjuhët indigjene të Meksikës, si edhe me revista Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në gjuhë të tjera. Pastaj, Danieli i mori leje mësuesit të anglishtes që t’ia prezantonte klasës videokasetën dhe ekspozitën.
Shokët dhe mësuesi u mrekulluan nga puna që bënin Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë. Veçanërisht, atyre u bënë përshtypje përpjekjet e Dëshmitarëve për të takuar banorët indigjenë të Meksikës.
Pas prezantimit që zgjati 25 minuta, për të cilin mori notën më të lartë, Danieli u ofroi të gjithëve kopje të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike. Shumë e pranuan literaturën dhe kjo hapi rrugën për diskutime të mëtejshme biblike. Danieli thotë: «E falënderoj Jehovain që munda t’i jepja nder emrit të tij me anë të një detyre të thjeshtë shkolle.»