Liqen rozë?!
Liqen rozë?!
Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Senegal
A KA liqen ngjyrë rozë? Liqeni Retba quhet ndryshe Liqeni Rozë, dhe meqë është vetëm 30 kilometra larg shtëpisë sonë në Dakar, Senegal, në Afrikën Perëndimore, vendosëm të shkonim ta shihnim me sytë tanë nëse ishte vërtet ashtu. Me të mbërritur, na zë syri ujin që shkëlqen nën rrezet e diellit. Tamam siç na kishin thënë, uji qenka ngjyrë rozë e ëmbël. Udhërrëfyesi na shpjegon se drita e diellit vepron me mikroorganizmat që janë në ujë, dhe krijohet ai refleks i jashtëzakonshëm rozë. Megjithatë, përveç ngjyrës së liqenit ka edhe shumë gjëra të tjera interesante për t’u parë.
Nën ujërat e cekëta të liqenit, ka një shtresë me kripë. Uji është kaq i kripur, saqë disa vizitorë nuk lënë t’u shpëtojë ky rast që të pluskojnë pa u lodhur fare në sipërfaqen e tij.
Kuptohet se Liqeni Rozë është një burim të ardhurash për qindra njerëz (1). Përgjatë bregut, disa punëtorë po ngarkojnë kripë nëpër kamionë. Ndalemi një çast për të parë banorët që nxjerrin kripë nga liqeni. Shohim burra që rrinë në ujë deri në mes të trupit dhe thyejnë shtresën e kripës me kazma. Me lopata e hedhin në kosha dhe e ngarkojnë nëpër barka. Një nga punëtorët na thotë se i duhen tri orë për të mbledhur një ton kripë. Barkat mbushen kaq shumë, saqë mezi lundrojnë (2). Kur mbërrijnë në breg, puna u kalon grave. Pasi e hedhin në kosha, ato e transportojnë kripën duke e mbajtur mbi kokë (3). E bëjnë kaq mirë punën, njësoj siç do ta bënte edhe një makineri e madhe.
Udhëtimi qe një përvojë shumë e këndshme. Ky liqen rozë është një nga mrekullitë e shumta që e bëjnë tokën tonë një dhuratë të çmuar nga Jehovai.—Psalmi 115:16.
[Burimi i figurës në faqen 18]
Fotografi nga Jacques CLEMENT, Clichy, FRANCE at http://community.webshots.com/user/pfjc