Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Më në fund strehim i mirë për të gjithë!

Më në fund strehim i mirë për të gjithë!

Më në fund strehim i mirë për të gjithë!

PIKËRISHT në të dalë të Najrobit, në Kenia, gjendet «Gigiri» i bukur, një rezervat prej 56 hektarësh, që u përket Kombeve të Bashkuara, atje ku ndodhet edhe selia e UN-HABITAT-it. Kjo zonë është simbol i zotimit të bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur krizën botërore për strehim. Një shëtitje përgjatë Rrugës Natyrore të Gigirit, që ndodhet brenda rezervatit, jep prova të forta për çka mund të arrihet kur bëhen përpjekje të bashkërenduara dhe kur ka fonde të mjaftueshme. Këtu, një zonë që dikur përdorej për mbeturinat, tani është shndërruar krejt në një vend të bukur për t’u argëtuar personeli dhe vizitorët.

Mirëpo vetëm ca kilometra më tutje, ndodhet një lagje me baraka që s’ka shumë që është ngritur, por po zgjerohet me të shpejtë. Është si një relikt i zymtë që na kujton sa e rëndë është kriza e tanishme për strehim. Në atë zonë, kasollet e bëra me baltë, me lesa e me teneqe janë rreth 16 metra katrorë. Rrugicat ndërmjet tyre kundërmojnë erë të rëndë nga ujërat e ndotura. Banorët paguajnë për ujin gati pesëfishin e asaj që paguajnë mesatarisht qytetarët e Shteteve të Bashkuara. Pjesa më e madhe e rreth 40.000 vetave që banojnë në atë vend, janë në të 20-at dhe të 30-at. Nuk janë dembelë a njerëz pa pikë motivi. Kanë vajtur për të kërkuar punë në Najrobi, që gjendet aty afër.

Në kontrast të thellë me këtë, udhëheqësit e botës mblidhen këtu në disa godina të bukura, të pastra e të rehatshme për të diskutuar për të ardhmen e burrave, grave e të fëmijëve të këputur nga varfëria, të cilët banojnë ngjitur me ta. E vërteta e hidhur, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, është se «bota i ka burimet, njohurinë dhe fuqinë» për ta përmirësuar ndjeshëm jetën e banorëve të kasolleve. Po ç’duhet bërë pra? Zoti Anan përfundon me këto fjalë: «Shpresoj që . . . të gjithë individët e përfshirë në këtë çështje, t’i mposhtin plogështinë dhe mungesën e vullnetit politik, të cilat kanë qenë një pengesë për përparimin.»

Mirëpo, a ka baza reale kjo shpresë? Çfarë duhet bërë që të gjithë politikanët në shkallë ndërkombëtare, rajonale dhe vendi të lënë mënjanë interesat e tyre dhe të përpiqen të gjejnë një zgjidhje në të mirë të çdokujt? Është një Person që ka burimet, njohurinë dhe fuqinë për t’i dhënë fund krizës së tashme. Ç’është më e rëndësishmja, ai ka edhe dhembshuri e vullnet për të ndërmarrë veprime së shpejti. Në fakt, qeveria e tij tashmë ka parashtruar një program të hollësishëm, që do ta zgjidhë përfundimisht problemin mbarëbotëror për strehimin.

Një program i ri për strehimin

Në Bibël, Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, parashtron atë që ka si qëllim. Ai premton: «Unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re.» (Isaia 65:17) Kjo do të sjellë një ndryshim rrënjësor. «Qiejt» e rinj, pra qeveria e re, do të plotësojë atë që nuk e bëjnë dot qeveritë aktuale njerëzore. Mbretëria e Perëndisë ose qeveria e tij do t’i garantojë shëndetin, sigurinë dhe respektin për veten kujtdo që do të jetë pjesë e tokës së re, pra e shoqërisë njerëzore. Më parë, Isaisë iu tha se pjesëtarët e mundshëm të kësaj shoqërie të re tokësore do të mblidheshin në «ditët e fundit». (Isaia 2:1-4) Kjo do të thotë se këto ndryshime janë në prag.​—Mateu 24:3-14; 2 Timoteut 3:1-5.

Gjithashtu, te disa vargje të tjera të kapitullit 65 të Isaisë, Perëndia premton veçanërisht se do të sigurojë një shtëpi të përhershme për këdo në atë kohë. «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër.» (Isaia 65:21, 22) Mendoni pak që, më në fund, do të keni një strehë të mirë ku të futni kokën dhe do të jetoni në një mjedis të pastër e në kushte të sigurta në një parajsë të mrekullueshme! E kujt nuk ia ka ënda të jetojë në kushte të tilla? Po si mund të jeni të sigurt për atë që ka premtuar Perëndia?

Një premtim që mund t’i besoni

Në fillim fare, kur Perëndia krijoi Adamin dhe Evën, nuk i la në një vend të humbur. Përkundrazi, i vuri në një kopsht në Eden, një park i bukur me ajër të pastër dhe me ujë e ushqim të bollshëm. (Zanafilla 2:8-15) Adami u porosit ‘ta mbushte tokën’, jo ta mbipopullonte. (Zanafilla 1:28) Që në fillim fare, Perëndia kishte si qëllim që çdokush të gëzonte një jetë me rregull, harmoni dhe gjëra të mira me bollëk.

Më vonë, në ditët e Noesë, shoqëria njerëzore u karakterizua nga dhuna e imoraliteti, kështu që «toka ishte e korruptuar para Perëndisë». (Zanafilla 6:11, 12) A mbylli një sy Perëndia për këtë gjendje? Jo, aspak! Ai ndërmori veprime të menjëhershme. Pastroi tokën me anë të një Përmbytjeje për hir të emrit të tij, dhe për dobi të Noesë së drejtë dhe të djemve të tij. Kështu që, kur Noeja dhe familja e tij dolën nga arka dhe vajtën në shtëpinë e re, atij iu dhanë prapë udhëzime që të përhapeshin gjithandej dhe ‘të shumoheshin e të mbushnin tokën’.​—Zanafilla 9:1.

Kohë më vonë, Perëndia u dha izraelitëve trashëgiminë që i kishte premtuar paraardhësit të tyre, Abrahamit. Toka e Premtuar u përshkrua si ‘një vend i mirë e i hapur, . . . ku rridhte qumësht e mjaltë’. (Eksodi 3:8) Ngaqë nuk u bindën, izraelitët u sorollatën 40 vjet nëpër shkretëtirë pa pasur vendbanim të përhershëm. Por, ashtu siç kishte dhënë fjalën, Perëndia më pas u siguroi atyre një vend ku të banonin përfundimisht. Tregimi i frymëzuar thotë: «Zoti u siguroi pushim rreth e qark. . . . Nuk ra për tokë asnjë nga fjalët që Zoti i pati thënë shtëpisë së Izraelit; të tëra u vërtetuan.»​—Josiu 21:43-45.

Më në fund në shtëpi!

Qartë pra, fjalët e Jehovait në kapitullin e 65-të të Isaisë, nuk janë premtime boshe. Si Krijues i gjithçkaje, me siguri Ai ka fuqinë të bëjë çdo gjë që nevojitet për të pastruar tokën dhe për të përmbushur qëllimin që kishte në fillim për të. (Isaia 40:26, 28; 55:10, 11) Për më tepër, Bibla na siguron se ka edhe dëshirën t’i realizojë këto gjëra. (Psalmi 72:12, 13) Ai ka vepruar në të kaluarën për t’u siguruar njerëzve të drejtë strehim të përshtatshëm, dhe së shpejti do të veprojë sërish kështu.

Faktikisht, kur Biri i tij, Jezu Krishti, erdhi në tokë, i mësoi pasuesit e tij që të luteshin posaçërisht për ‘t’u bërë vullneti i Perëndisë si në qiell, ashtu edhe në tokë’. (Mateu 6:10) Ai tregoi se toka do të bëhej parajsë. (Luka 23:43) Mendo pak se ç’do të thotë e gjithë kjo! Nuk do të ketë më baraka, ndërtime të paligjshme, njerëz që flenë rrugëve a i përzënë nga shtëpia. Sa kohë e gëzuar që do të jetë! Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, më në fund çdo njeri do të ketë përherë një shtëpi të vetën!

[Kutia dhe figura në faqen 10]

STREHIMI NË IZRAELIN E LASHTË

Me sa duket, ashtu si kananitët që ishin para tyre, edhe izraelitët pëlqenin më tepër shtëpitë prej guri, meqë këto ndërtesa ishin më të qëndrueshme se të tjerat dhe mbronin më mirë nga grabitësit. (Isaia 9:10; Amosi 5:11) Gjithsesi, në zonat e ulta, muret e banesave bëheshin me tulla prej balte, që thaheshin në diell ose piqeshin në furra. Pjesa më e madhe e çative ishin të sheshta dhe ndonjëherë mbi to ndërtonin një dhomë të sipërme në çati. Shpesh, në oborr kishte një furrë dhe, disa herë, një pus ose sternë.​—2 Samuelit 17:18.

Ligji i Moisiut përfshinte një sërë rregullash për strehimin. Patjetër, rëndësi parësore kishte siguria. Përreth çatisë së sheshtë duhej ndërtuar një parmak për të parandaluar aksidentet. Urdhërimi i dhjetë i paralajmëronte izraelitët të mos lakmonin shtëpinë e të afërmit. Nëse dikush duhej ta shiste shtëpinë, ai gëzonte të drejtën e riblerjes, të paktën për njëfarë kohe.​—Eksodi 20:17; Levitiku 25:29-33; Ligji i përtërirë 22:8.

Në Izrael shtëpitë shërbenin edhe si vende të rëndësishme ku mësohej për Perëndinë. Sidomos etërit porositeshin që t’ua mësonin kërkesat e Perëndisë bijve të tyre kur uleshin në shtëpi, dhe në shtëpi nuk duhej të gjendej kurrfarë sendi që lidhej me idhujtarinë.​—Ligji i përtërirë 6:6, 7; 7:26.

[Figura]

Në Izraelin e lashtë, shtëpitë përdoreshin për veprimtari fetare, si për shembull kremtimi i Festës së Kasolleve

[Kutia dhe figura në faqen 12]

SHTËPITË MË TË MOÇME

Bibla nuk thotë që njeriu i parë, Adami, banonte në ndonjë shtëpi. Megjithatë, Zanafilla 4:17 thotë se Kaini «ndërtoi një qytet, të cilit i vuri emrin Enok, emri i të birit». Më shumë ka të ngjarë që, sipas standardeve të ditëve tona, ky qytet të ketë qenë një fshat i fortifikuar. Në tregimin e Biblës nuk thuhet se ç’lloj strehimi përdorej në atë vend. Ndoshta tërë fshati përbëhej nga rrethi i ngushtë familjar i Kainit.

Çadrat ishin një strehim i zakonshëm në kohët e lashta. Një tjetër pasardhës i Kainit, Jabali, ‘ishte babai i atyre që banonin nën çadra dhe merreshin me rritjen e bagëtisë’. (Zanafilla 4:20) Me sa duket, çadrat duhet të kenë qenë më të kollajshme për t’u ngulur e për t’u shkulur prapë.

Me kalimin e kohës, në shumë qytetërime u formuan qytete me shtëpi akoma më të ndërlikuara. Për shembull, në qytetin e Urit, ku banonte dikur patriarku Abram (Abrahami) mbetjet arkeologjike tregojnë se disa banorë kanë pasur shtëpi të rehatshme, të suvatuara e të lyera me gëlqere, me nga 13 a 14 dhoma. Në atë kohë, me siguri që këto lloj shtëpish ishin për t’u pasur zili.

[Figura në faqet 8, 9]

Perëndia premton strehim të sigurt për të drejtin