Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Miqtë Që kur më vdiq mamaja para katër vjetësh, kam zënë disa miq të ngushtë, që janë të mirë dhe i dua shumë. Seria «Si të kesh miq të vërtetë» (8 dhjetor 2004), më bëri të mendoj se sa mirënjohëse duhet t’u jem miqve për shoqërinë që më falin.
O. B., Shtetet e Bashkuara
Jam 11 vjeçe dhe s’di përse nuk zija dot miq. Pasi lexova këtë seri, gjërat ndryshuan për mirë. Ia dhashë këtë revistë një shoqes së klasës që e kishte zakon të fliste keq për të tjerët. Që kur lexoi revistën, përpiqet të mos e bëjë më këtë.
J. K., Poloni
Kur lexova këta artikuj u binda se, nëse dua të zë miq, më parë duhet të jem vetë një mike. Kjo do të thotë që duhet t’u jap të tjerëve nga vetja, në përputhje me inkurajimin që gjejmë te Veprat 20:35. Këshillat tuaja s’kanë të çmuar.
A. K., Poloni
Gjithnjë e kam pasur problem të bëja miq, madje edhe në kongregacionin e krishterë. Tani e kuptoj se duhet të jem më e hapur, të marr iniciativën dhe jo të pres përsosmëri nga të tjerët. Vërtet, Jehovai na përgjigjet në kohën e duhur.
L. Z., Rusi
Për shkak të disa problemeve fizike, e kam të vështirë të shoqërohem me të tjerët. Vendosa të zbatoj informacionin që jepej në këtë seri. Më ndihmoi shumë këshilla që të hapim zemrën dhe të shfaqim gradualisht mendimet dhe ndjenjat tona të thella.
N. M., Japoni
Gjatë pushimit të drekës, u fola shokëve të klasës për këtë seri artikujsh. Falë kësaj reviste, ata po fillojnë ta njohin më shumë Fjalën e Perëndisë. Ju lutem, vazhdoni të botoni artikuj që theksojnë vlerën praktike që ka Bibla për të gjithë njerëzit pa përjashtim.
M. N., Japoni
E lexova me shumë interes përgjigjen e pyetjes në kutinë «A mund të jenë ‘vetëm miq’ një burrë dhe një grua?» Asnjë libër ose revistë tjetër s’ka dhënë një përgjigje kaq të thjeshtë e të qartë.
R. K., Gjermani
Artikujt tuaj janë përherë një ndihmë e madhe. Na forcojnë që të plotësojmë qëllimin që kemi për të dhënë më tepër për Jehovain dhe për ta bërë atë mikun tonë. Shumë faleminderit për inkurajimin.
R. V. H., Gjermani
Kjo revistë ishte tamam ajo që më duhej. Jam 15 vjeçe dhe e kam të vështirë të zë miq. Këshilla juaj do të më ndihmojë për të zënë dhe për t’i mbajtur miqësitë. Po lutesha për një këshillë se si mund të hapesha me të tjerët, kur ja, doli kjo seri artikujsh!
B. E., Francë
Mjerisht, kohët e fundit u zhgënjeva nga disa miq dhe si pasojë vuajta shumë, sidomos ngaqë ndihesha vetëm. Mora zemër kur pashë se Jehovai nuk na braktis. Po ashtu, ishte bukur të lexoja dhe të zbatoja këshillat praktike për të gjetur miq të vërtetë.
K. K., Itali
Dua që vajza të përparojë nga ana frymore. Kjo revistë thekson se njerëzit e të gjitha moshave, mund të jenë miqtë tanë. E di se kjo seri do ta ndihmojë shumë time bijë. Mua për vete më ndihmoi.
A. L., Shtetet e Bashkuara
E di se duhet të interesohem për të tjerët dhe të ndryshoj personalitetin, me qëllim që të bëhem një mike e vërtetë. Jam e sigurt se Jehovai do të më ndihmojë.
M. Y., Kanada