Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Largojini fëmijët nga televizori

Sipas The New York Times, nga një studim pesë mujor, i cili përfshiu 16 institucione parashkollore në veri të Nju-Jorkut, u vërejt se, kur fëmijëve u ofron alternativa të tjera në vend që t’i lësh para televizorit, «ata shohin televizor tri orë më pak në javë». Këto alternativa përfshinin leximin, shtrimin e tavolinës për të ngrënë e gjithë familja dhe tabela «S’ka televizor» në secilën dhomë ku kishte televizor. Po ashtu, vetë fëmijët sugjeruan të bënin ca gjëra gjatë kohës që nuk do të shihnin televizor ose videokaseta. Prindërit u inkurajuan t’u lexonin tregime fëmijëve çdo ditë dhe ta fiknin televizorin kur hanin bukë. Gjatë pesë muajve, dy herë familjet nuk e ndezën fare televizorin për një javë. Drejtuesja e studimit, dr. Barbara Denisën, tha se prindërit nuk duhet të mendojnë se është e pamundur t’ua heqin fëmijëve vesin e televizorit. Ajo thotë: «Të habit fakti që fëmijët janë të gatshëm për të pranuar çdo alternativë tjetër».

Duhani dëmton gjithë trupin

«Duhanpirësit nuk po dëmtojnë vetëm mushkëritë dhe arteriet, por të gjithë trupin»,​—raporton New Scientist. Një raport i botuar nga kryekirurgu i Shteteve të Bashkuara Riçard H. Karmona, radhit dhjetëra sëmundje që lidhen me duhanin. Midis tyre janë: pneumonia, leucemia, perdet në sy, problemet me mishrat e dhëmbëve, kanceri i veshkave, i mitrës, i stomakut dhe i pankreasit. «Prej dhjetëvjeçarësh e dinim se duhani dëmton, por ky raport tregon se situata qenka më keq nga ç’mendonim,​—thotë Karmona.​—Lëndët helmuese që çlirohen nga cigarja, shkojnë kudo ku qarkullon gjaku.» Për ata që mendojnë se mund të shmangin dëmin duke pirë cigare që kanë më pak katran dhe nikotinë, Karmona shton: «S’ka duhan që të mos dëmtojë, edhe nëse quhet ‘i lehtë’, ‘shumë i lehtë’ ose me ndonjë emër tjetër.» Ai tha se ata që pinë duhan, zakonisht vdesin 13-14 vjet më shpejt sesa ata që nuk pinë. «Duhani shkakton sëmundje gati në çdo organ të trupit dhe në çfarëdolloj moshe»,​—thotë Karmona për The New York Times.

Armët transformohen në pajisje për këndet e lojërave

Në Brazil nisi një fushatë për të zvogëluar numrin e armëve që zotëroheshin nga popullsia. Shpërblimi për çdo armë që kthehej vullnetarisht, varionte nga 30 deri në 100 dollarë. Siç raportohej në Folha Online, nga muaji korrik deri në dhjetor 2004 u grumbulluan mbi 200.000 armë. Armët e grumbulluara në shtetin e San-Paolos u copëtuan, u shtypën, u shkrinë dhe u transformuan në pajisje për një kënd lojërash që ishte ngritur në një park të qytetit. Përveç të tjerave, këndi i lojërave ka tani edhe një kolovajzë, një shilarës dhe një rrëshqitëse, të gjitha të bëra me materiale të ricikluara. Ministri i Drejtësisë, Marsio-Tomas Bastosi, tha: «Një nga qëllimet kryesore të kësaj fushate, është t’u mësojmë njerëzve paqen.»

Më pak murgesha

«Në Argjentinë, gjithnjë e më pak gra duan të bëhen murgesha»,​—raportonte gazeta Clarín e Buenos-Ajresit, vitin e kaluar. Ajo shtonte: «Në katër vitet e fundit, numri i murgeshave ka rënë 5,5 për qind; nga 9.113 në vitin 2000, në 8.612 këtë vit. Rënia është edhe më e theksuar​—gati 36 për qind​—po ta krahasojmë me vitin 1960, kur ishin 13.423 murgesha.» Midis arsyeve të renditura për këtë rënie, ishin «fakti që njerëzve nuk u bëjnë më përshtypje thirrjet hyjnore» dhe «frika që t’i përkushtohesh tërë jetën» një karriere kishtare. Në të njëjtën periudhë ra dhe numri i priftërinjve. «Shumë veta mendojnë se kjo rënie do të theksohet akoma në vitet pasuese,​—tha Clarín,​—dhe të gjithë janë në një mendje se ky është një fenomen mbarëbotëror.»

Anijet turistike dhe të moshuarit

Kostoja për t’u kujdesur për të moshuarit është rritur kaq shumë, saqë disa propozojnë që të moshuarit të jetojnë në bordin e anijeve turistike, që i bien përqark botës, si një alternativë më tërheqëse se azili. Sipas një raporti në Gazetën e Shoqatës Amerikane të të Moshuarve (anglisht), «anijet turistike janë ngjashëm azileve për sa i përket komoditeteve, shpenzimeve mujore dhe mjaft aspekteve të tjera». Në fakt, shumë anije të tilla ofrojnë shërbime që jo gjithmonë sigurohen nga azilet. Këto mund të përfshijnë praninë e një mjeku 24 orë, shërbim me kamerier për të gjitha vaktet, si edhe pastrimin e lavanderinë. Te dobitë hyjnë edhe kënaqësia e udhëtimit dhe mundësia për të takuar njerëz. Gjithashtu, në raport sugjerohet se «do të ketë më shumë vizitorë që ‘të shkojnë të shohin gjyshen’ nëse ajo jeton në një anije turistike».

Kriza paniku

«Dikush që vuan nga një çrregullim i tillë, mund të ketë kriza në çdo moment. Madje, zgjohet nga gjumi ngaqë i dhemb kraharori, i merret fryma, ka tepër frikë, nuk mbushet dot me frymë, ka djersitur dhe ka një dëshirë për t’ia mbathur me të katra»,​—thotë gazeta Vancouver Sun. Një raport i kohëve të fundit që u përpilua nga intervistat e 36.894 pjesëmarrësve, tregon se ky çrregullim prek 3,7 për qind të popullsisë kanadeze nga mosha 15-vjeçare e lart, ose pak a shumë një milion njerëz. Më tepër ishin gra (4,6 për qind) ato që kishin pësuar një krizë paniku sesa burra (2,8 për qind). Siç thotë gazeta, ata që vuajnë nga ky çrregullim, «ka dyfish të ngjarë të pinë për ta kapërcyer problemin, dhe gati trefish të pinë duhan më tepër sesa ata që nuk e kanë këtë problem». Një gjë pozitive është se afro 70 për qind e këtyre të sëmurëve kërkojnë ndihmë mjekësore profesionale. Sipas raportit, dr. Zhak Braduejn, kryetari i departamentit të psikiatrisë i Universitetit të Otavas, mendon se, ndonëse ky çrregullim mund të vijë nga faktorët gjenetikë e biologjikë, krizat «mund të shkaktohen edhe nga ngjarjet stresuese të jetës».

Skandali më i madh i ushqimit

Gazeta italiane Corriere della Sera, raporton se sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), çdo vit rreth pesë milionë fëmijë vdesin nga uria. Raporti i FAO-s tregon se në mbarë botën, 852 milionë njerëz nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Nga këta, 815 milionë në vendet e pazhvilluara, 28 milionë në vendet në zhvillim dhe 9 milionë në vendet e zhvilluara. Raporti citon një deklaratë të firmosur nga përfaqësuesit e 110 kombeve pjesëmarrëse në Samitin e Udhëheqësve Botërorë për Urinë për Vitin 2004, që u mbajt në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork. Pjesërisht thoshte: «Skandali më i madh nuk është se ekziston uria, por sepse vazhdon të ekzistojë, edhe pse i kemi mjetet për ta eliminuar.»