Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përherë të magjepsur pas arit

Përherë të magjepsur pas arit

Përherë të magjepsur pas arit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

THELLË në shkretëtirën australiane, një kërkues ari çapitet përgjatë shtratit të tharë të një përroi. Dielli përvëlues në pikë të drekës e pjek si saç. Djersa i kullon çurg në këmishën e bërë zhul. Megjithatë, nuk dorëzohet. Mbërthen një tub metalik të gjatë që është i kapur te një pajisje që i ngjan një pjate. E çon zbuluesin e metaleve shumë të përparuar sa andej-këtej në sipërfaqen e tokës. Fusha e tij magnetike depërton një metër nën tokën e ngurtë shkëmb. Kufjet që ka vënë, marrin një sinjal nga zbuluesi i metaleve dhe lëshojnë një fishkëllimë të lartë pa ndërprerje.

Papritur, zemra nis t’i rrahë fort kur fishkëllima e lartë shuhet dalëngadalë deri sa kthehet në një zhurmë si kërcitje e mbytur. Kjo është një shenjë që aparati tregon se nën dhè ka metal. Ulet në gjunjë dhe fillon të gërmojë. Me kazmën e vogël fillon të gërmojë shpejt e shpejt në tokën e fortë. Metali nën dhè ka të ngjarë të jetë thjesht një gozhdë e ndryshkur. Mbase një monedhë e vjetër. Ndërsa gropa thellohet, ai i bën sytë katër se mos sheh qoftë edhe ndonjë copëz ari.

Përherë në kërkim të arit

Metodat për gjetjen e arit mund të kenë ndryshuar, por gjatë gjithë historisë së tij, njeriu ka qenë i etur për këtë metal të verdhë shkëlqyes. Në fakt, sipas Këshillit Botëror për Arin, gjatë 6.000 vjetëve janë nxjerrë mbi 125.000 tonë ar. * Ndonëse qytetërimet e lashta të Egjiptit, Ofirit dhe të Amerikës së Jugut ishin të famshme për pasuritë e tyre në ar, më shumë se 90 për qind e gjithë sasisë së arit është nxjerrë 150 vitet e fundit.​—1 Mbretërve 9:28.

Rritja e kërkesave për ar nisi në vitin 1848, kur u gjet ar në një stabiliment sharrash, pronë e Satërit, Kaliforni, SHBA. Ky zbulim bëri që një numër i jashtëzakonshëm kërkuesish ari, plot shpresë, të turreshin drejt asaj zone. Të gjithë ëndërronin të gjenin «të ardhmen» e tyre të groposur në tokën kaliforniane. Shumë dështuan, por disa patën goxha sukses. Në vitin 1851 nga tokat kaliforniane u nxorën 77 tonë ar!

Rreth po të njëjtës periudhë, u gjet ar dhe në skajin tjetër të botës, në koloninë e sapoformuar të Australisë. Eduard Hargrevsi, tashmë me përvojë nga tokat plot ar të Kalifornisë, shkoi në Australi dhe gjeti ar në një përrua afër qytetit të vogël të Bathërstit, Uellsi i Ri Jugor. Gjatë 1851-shit, depozita më të mëdha u zbuluan në Ballarat dhe në Bendigo, në shtetin e Viktorias. Me t’u përhapur lajmi, kërkuesit vërshuan sërish. Disa ishin minatorë profesionistë. Megjithatë, shumë ishin argatë ose punëtorë zyrash që s’kishin kapur kurrë me dorë kazmë minatori. Duke përshkruar atmosferën e një qyteti, ku kishin vërshuar kërkuesit e arit, një gazetë lokale e asaj kohe shkruante: «Bathërsti është çmendur përsëri. Përçartja e etheve të arit është rikthyer me një intensitet më të madh. Burra që takohen, vështrojnë njëri-tjetrin me çudi, flasin kot në tym dhe pyesin veten ç’do të ndodhë më pas.»

Çfarë ndodhi më pas? Një dyndje e popullsisë. Në dhjetëvjeçarët që pasuan 1851-shin, u dyfishua numri i banorëve të Australisë, pasi kërkuesit entuziastë u mblodhën nga çdo cep i globit. U gjet ar në sasi të ndryshme në mbarë kontinentin. Kur një vërshim kërkuesish ngadalësohej, një tjetër merrte hov. Në vitin 1856, kërkuesit australianë nxorën 95 tonë ar. Pastaj, në vitin 1893, minatorët filluan të nxirrnin ar nga tokat afër Këlgorllit dhe Bolderit, Australia Perëndimore. Që nga ajo kohë, mbi 1.300 tonë ar janë nxjerrë nga zona që është cilësuar si «2,5 kilometrat katrorë më të pasura me ar në botë». Nga kjo zonë nxirret ar akoma edhe sot, dhe tani aty është miniera e hapur më e thellë në botë. Ky është një kanion i bërë nga dora e njeriut, rreth 2 kilometra i gjerë, afro 3 kilometra i gjatë, dhe shkon në 400 metra thellësi.

Sot, Australia është vendi i tretë në botë që nxjerr sasinë më të madhe të arit. Industria punëson 60.000 veta dhe nxjerr rreth 300 tonë ar në vit, që i bie pesë miliardë dollarë (australianë). Shtetet e Bashkuara zënë vendin e dytë. Për më shumë se njëqind vjet, vendin e parë e zinte Afrika e Jugut. Nga ky vend është nxjerrë pothuajse 40 për qind e të gjithë sasisë së arit. Në mbarë botën, çdo vit nxirret mbi 2.000 tonë ar. Ku shkon gjithë ky metal i çmuar?

Vlera ndërthuret me bukurinë

Një pjesë e arit përdoret ende për të prodhuar monedha. Vendi ku bëhen monedhat, Perthi në Australinë Perëndimore, është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të kësaj lloj paraje. Këto monedha nuk hidhen në qarkullimin e përgjithshëm, por grumbullohen nga koleksionistët. Veç kësaj, gati një e katërta e gjithë arit është kthyer në lingota​—kallëpe kompakte ari​—dhe mbahet në depot e bankave. Shtetet e Bashkuara kanë në depot e tyre numrin më të madh të lingotave të arit.

Sot, gati 80 për qind e arit që nxirret çdo vit​—rreth 1.600 tonë​—përpunohet për të bërë bizhuteri. Shtetet e Bashkuara mund të kenë sasinë më të madhe të arit në bankat e tyre. Por, nëse në llogari përfshihen edhe bizhuteritë, atëherë India ka sasinë më të madhe. Përveçse është i çmuar dhe i bukur, ky metal i butë ka disa veti që e bëjnë të përshtatshëm për t’u përdorur në shumë mënyra.

Një metal i lashtë në botën moderne

Faraonët e Egjiptit të lashtë, ka të ngjarë ta kenë kuptuar se ari është rezistent ndaj gërryerjes dhe prandaj e përdornin për të bërë maska fytyre për të vdekurit. Rezistenca e arit u provua kur arkeologët zbuluan varrin e faraonit Tutankhamen mijëra vjet pas vdekjes së tij. Maska prej ari e fytyrës që u gjet në varr, nuk ishte prishur fare dhe kishte ende një ngjyrë të verdhë që shkëlqente.

Ari e ruan shkëlqimin, sepse uji dhe ajri​—gërryesit e metaleve të tjera, si për shembull hekurit​—nuk e dëmtojnë. Kjo rezistencë, ndërthurur me vetinë e jashtëzakonshme të arit për të përcjellë rrymë elektrike, e bën atë ideal për t’u përdorur në blloqet elektronike. Çdo vit, rreth 200 tonë ar përdoret për prodhimin e televizorëve, videove, celularëve dhe gati 50 milionë kompjuterëve. Përveç këtyre, CD-të e cilësisë së lartë, kanë një shtresë të hollë ari, që garanton se disku do të punojë mirë për një kohë të gjatë.

Shtresat e holla të arit shfaqin disa karakteristika jo të zakonshme. Për shembull, mendoni për bashkëveprimin e metalit me dritën. Kur përpunohet në shtresa tepër të holla, ari bëhet i tejdukshëm. Kur është kaq i hollë, ai lejon që valët e dritës jeshile ta përshkojnë, por reflekton rrezet infrakuqe. Dritaret e veshura me ar, e lejojnë dritën të depërtojë brenda, por jo nxehtësinë. Kështu pra, dritaret e kabinës së një aeroplani të sofistikuar vishen me ar, njësoj si dritaret e shumë ndërtesave të reja me zyra. Po ashtu, një shtresë e trashë ari që nuk është e tejdukshme, lidhet rreth e qark pjesëve më delikate të anijeve kozmike, duke i mbrojtur nga rrezatimi i fortë dhe nxehtësia.

Gjithashtu, ari është shumë rezistent edhe ndaj baktereve. Ja përse dentistët e përdorin për të rregulluar ose zëvendësuar dhëmbët e dëmtuar ose të thyer. Këto vitet e fundit, ari ka provuar se është një metal ideal kur përdoret në transplantimet kirurgjikale, si për shembull tek aparati i quajtur stent​—tuba të vegjël që futen në trup për të forcuar venat ose arteriet e dëmtuara.

Duke mbajtur parasysh larminë e përdorimit të arit, vlerën dhe bukurinë e tij, kërkuesit pa dyshim që s’do reshtin së «kthyeri përmbys» tokën për të gjetur këtë metal magjepsës.

[Shënimi]

^ par. 6 Ari është kaq i ngjeshur saqë një kub ari 37 centimetra, do të peshonte gati një ton.

[Kutia në faqen 25]

Ku gjendet ari?

Në shkëmbinj: Ari gjendet në sasi të vogla në të gjithë shkëmbinjtë me origjinë vullkanike. Disa shkëmbinj në zona të ndryshme të tokës, kanë një përqindje mjaft të lartë ari, duke u sjellë mjaft fitime kompanive që gërmojnë, thërrmojnë dhe nxjerrin kimikisht metalin nga xeherori. Xeherorët me cilësi të lartë përmbajnë vetëm 30 gramë ar për një ton shkëmb.

Në damarë xeherori: Në raste të rralla gjendet ar edhe në shtresat ose damarët që janë në formë pyke të bllokuar mes shtresave të kuarcit.

Në lumenj: Gradualisht, damarët që kanë ar dhe që i rreh dielli, shirat dhe erërat, çahen, dhe ari i ngecur brenda del që andej. Pastaj grumbullohet në grykën e lumenjve dhe në lumenjtë, në trajtë thërrmijash ose kokrrash të vogla. Ky lloj ari njihet si ari aluvial ose depozitues.

Në sipërfaqen e tokës: Disa herë mbi sipërfaqen e tokës gjenden copa ari me forma të çuditshme të cilat janë të vendosura kuturu. Këto copa disa herë mund të arrijnë përmasa të jashtëzakonshme. Më i madhi që është gjetur deri tani në Australi, quhej I panjohuri i mirëpritur, dhe peshonte rreth 70 kilogramë. U zbulua në vitin 1869, në shtetin australian të Viktorias. Australia është vendi ku janë gjetur më shumë nga çdo vend tjetër copa të mëdha ari, 23 nga 25 që janë zbuluar deri tani. Sot, copat e arit që mund të jenë të vogla sa një kokë shkrepseje, janë më të rrallë se diamantet e çmuara.

[Kutia dhe figurat në faqen 27]

Si funksionon një zbulues metali?

Zakonisht elementët kyç të një zbuluesi metali janë dy spirale teli. Përmes njërës spirale kalon energji duke krijuar kështu një fushë magnetike. Nëse një zbulues metali kalohet mbi një objekt prej metali, si për shembull mbi një copë ari, ai krijon një fushë magnetike të dobët te metali. Spiralja e dytë dikton këtë fushë të dobët dhe e sinjalizon punëtorin me anë të një drite, tingulli ose ndonjë pajisjeje të veçantë matëse.

[Figurat në faqen 25]

Rritja e kërkesave për ar nga mesi i viteve 1800:

1. Stabilimenti i sharrave, Satër, Kaliforni, SHBA

2. Bendigo-Krik, Viktoria, Australi

3. Miniera e arit, Ballarat, Viktoria, Australi

[Burimet]

1: Library of Congress; 2: Gold Museum, Ballarat; 3: La Trobe Picture Collection, State Library of Victoria

[Figurat në faqen 26]

Përdorimi i arit në ditët tona

CD-të e cilësisë së lartë kanë një shtresë të hollë ari

Shtresa shumë të holla të arit përdoren në anijet kozmike

Ari përdoret te mikroçipsat

Telat e veshur me ar kanë një veti të jashtëzakonshme për të përcjellë elektricitetin

[Burimet]

Fotografi e NASA-s

Carita Stubbe

Me mirësjelljen e Tanaka Denshi Kogyo

[Figura në faqen 26]

Miniera e arit, më e thella në botë, në Këlgorll-Bolder, Australia Perëndimore

[Burimi]

Me mirësjelljen e Newmont Mining Corporation

[Burimi i figurës në faqen 24]

Brasil Gemas, Ouro Preto, MG