Çlirim nga prangat e abuzimit me alkoolin
Çlirim nga prangat e abuzimit me alkoolin
«Babai ishte alkoolist dhe unë u bëra si ai. Në moshën 12-vjeçare, tashmë e kisha filluar pijen. Kur u martova, dehesha çdo ditë. Bëhesha i dhunshëm; shpesh policia vinte për të ndihmuar familjarët e mi. Shëndeti m’u keqësua. Alkooli më shkaktoi hemorragji në stomak dhe mezi shpëtova. Pastaj u sëmura me cirrozë dhe anemi. U futa në grupe terapie për ta hequr këtë ves, por më kot. Më dukej sikur kisha rënë në rrjetën e merimangës dhe s’dilja dot.»—VIKTORI, * ARGJENTINË.
SA E SA herë kemi dëgjuar histori të tilla, nga njerëz që kanë rënë në grackën e alkoolit. Ashtu si Viktori, edhe ata ndihen të bllokuar e pa rrugëdalje. A mund të kalohen e madje të shmangen problemet e alkoolit? Nëse po, në ç’mënyrë?
Të vetëdijshëm për problemin
Pikësëpari është thelbësore që vetë personi në varësinë e alkoolit dhe ata që ka përreth, të bëhen të vetëdijshëm se ekziston një problem. Varësia është vetëm maja e ajsbergut. Ajo krijohet me kalimin e kohës, e fillimisht, mbase ky njeri ka pirë me masë. Çuditërisht, shumica e aksidenteve, e akteve të dhunës dhe e problemeve shoqërore që ka sjellë alkooli, nuk janë shkaktuar nga njerëz të alkoolizuar. Vini re se çfarë thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH): «Mënyra më e mirë që një shoqëri të pakësojë problemet e lidhura me alkoolin, është të përpiqet t’ua kufizojë pijen atyre që pinë me masë, në vend se atyre që pinë rëndshëm.» (Kursivi është yni.) Sasia që pini, a e kalon cakun e këshilluar nga autoritetet e shëndetësisë? A pini në rrethana që kërkojnë vëmendje të plotë dhe reagime të shpejta? A po ju shkakton alkooli probleme në familje ose në punë? Të pranosh se sasia që pi është e rrezikshme e pastaj ta pakësosh, është vërtet «mënyra më e mirë» për të parandaluar probleme serioze. Do të jetë shumë më e vështirë të bësh ndryshime, po re në varësinë e alkoolit.
Një reagim i zakonshëm i atyre që abuzojnë me alkoolin, është se nuk duan ta pranojnë realitetin. Ata thonë: «Unë pi si gjithë të tjerët» ose «Pijen e lë kur të dua.» Konstantini nga Rusia thotë: «Edhe pse desh vdiqa nga alkooli, prapëseprapë nuk e pranova kurrë që isha bërë i varur, prandaj nuk bëra asnjë përçapje për ta lënë.» Mareku nga Polonia thotë: «U përpoqa
shumë herë ta lija, por brenda meje kurrë nuk e pranova vërtet se isha alkoolist. I merrja lehtë problemet që lidheshin me alkoolin.»Çfarë ndihme mund t’i jepet një njeriu, për të pranuar se ka probleme me pijen e pastaj të marrë masa? Së pari, duhet të pranojë se problemet e tij vijnë nga abuzimi me alkoolin dhe po ta lërë, do të bëjë një jetë më të mirë. Siç thuhet në një botim periodik, La Revue du Praticien—Médecine Générale, ai duhet të ndryshojë mënyrën si arsyeton. Në vend që të thotë: «Pi, sepse më la gruaja dhe më nxorën nga puna», duhet të thotë: «Gruaja më la dhe më nxorën nga puna, ngaqë pi.»
Nëse doni të ndihmoni një të alkoolizuar që të ndryshojë mënyrën e të menduarit, ja tek keni disa sugjerime: dëgjoni me kujdes, bëni pyetje të sinqerta që e lejojnë personin të shprehë lirisht ndjenjat dhe mendimet e tij. Veç kësaj, tregoni empati, sepse kështu do ta ndiejë se të tjerët e kuptojnë, lavdërojeni, sado pak përmirësim të ketë bërë. Mos jini kritikues dhe mos mbani një qëndrim që mund ta pengojë të flasë hapur e të kërkojë ndihmë. Gjithashtu mund të jetë me vlerë po ta nxitni të bëjë dy lista, ku të shkruajë përgjigjet e pyetjeve: ç’do të ndodhë nëse nuk heq dorë nga pija dhe ç’do të ndodhë nëse e lë pijen?
Kërkojnë ndihmë
Kur dikush fillon të abuzojë me alkoolin, ky njeri nuk është i pavlerë ose i pashpresë. Madje disa arrijnë t’ia dalin vetë. Megjithatë, individët që janë në varësinë e alkoolit, mund të kenë nevojë për ndihmën e specialistit që ta lënë pijen. * Te disa njerëz, jep rezultat edhe trajtimi pa qenë nevoja të shtrohen në spital. Por, në rast se lënia e alkoolit provokon simptoma të rënda, shtrimi mund të jetë i nevojshëm. Pasi kanë kaluar simptomat e para, të cilat vazhdojnë nga dy deri në pesë ditë, mund të jepen mjekime që pakësojnë dëshirën e fortë për alkool, më mënyrë që individi të vazhdojë t’i rrijë larg pijes.
Programet e çtoksikimit nuk janë garanci se do ta lësh një herë e mirë alkoolin. Trajtimi është vetëm një ndihmë e përkohshme, jo një kurë. Alani nga Franca bëri disa trajtime çtoksikimi. «Sa dilja nga spitali, prapë filloja pijen, sepse rrija po me ata shokë. Në thelb, nuk kisha motivin e duhur për të hequr dorë»,—thotë ai.
Mbushin boshllëkun
Ç’është e vërteta, shumë nuk ia dalin, sepse mungesa e alkoolit krijon një boshllëk. Është pak a shumë si të humbësh një mik të ngushtë. «Mendjen e kisha te pija,—thotë Vasilji nga Rusia.—Po të mos e ktheja një gotë, dita s’kishte pikë kuptimi.» Për atë që është në varësinë e alkoolit, kryesorja është të shuajë etjen për pije, të tjerat janë të dorës së dytë. «I vetmi qëllim që kisha në jetë, ishte të pija dhe të gjeja paratë për të pirë»,—thotë Jezhi nga Polonia. Nga sa duket, që një alkoolist të mos i kthehet prapë pijes, është e domosdoshme të gjejë një qëllim të ri në jetë.
Një botim i OBSH-së, i cili përmbante këshilla për ata që po përpiqen të lënë alkoolin, theksonte se për të mos iu rikthyer këtij vesi, është e rëndësishme që njeriu të merret me aktivitete të dobishme. Një sugjerim ishte të merreshe me aktivitete fetare.
Aktivitetet fetare mund ta ndihmojnë njeriun të çlirohet nga ndikimi i alkoolit. Për shembull, kur u burgos për herë të tretë për shkelje të kryera nën ndikimin e alkoolit, Alani filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ai thotë: «Studimi i Biblës më dha një qëllim në jetë dhe falë tij nuk iu dorëzova
dëshirës. Motivi që kisha, nuk ishte thjesht të lija pijen, por t’i pëlqeja Jehovait.»Të përballosh një dështim
Këshilluesit për abuzimin me alkoolin theksojnë se mbështetja dhe inkurajimi janë shumë të rëndësishëm që alkoolisti të marrë veten. Për shkak të gjendjes së tyre për të ardhur keq, shumë alkoolistë kanë humbur familjen e miqtë. Vetmia mund të çojë në depresion e madje deri në vetëvrasje. Botimi i përmendur më sipër jepte këtë këshillë për ata që po ndihmojnë dikë me probleme me alkoolin: «Përpiquni të mos e kritikoni personin që po ndihmoni, edhe sikur të mërziteni e të zhgënjeheni nga sjellja e tij ose e saj. Mos harroni se nuk është kurrë e lehtë të heqësh dorë nga zakonet. Sigurisht që do të ketë javë të mira dhe javë të këqija. Nevojitet të keni fantazi, ta inkurajoni e ta ndihmoni që ta pakësojë ose ta lërë pijen.»
Hilario që pinte prej 30 vjetësh tregon: «Ato që më ndihmuan ishin dashuria dhe kujdesi i miqve në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait. Shumë herë iu dorëzova prapë vesit, por ata më qëndruan gjithnjë pranë për të më inkurajuar e për të më dhënë këshilla biblike në kohën e duhur.»
Nëse po lufton për ta lënë alkoolin, mbaj mend se herë pas here mund të dështosh dhe këtë duhet ta marrësh si pjesë të rrugës drejt shërimit. Mos u dorëzo! Mundohu të gjesh se çfarë të shtyu që të pish prapë dhe mbaje parasysh për herë tjetër. Përcakto rrethanat specifike që të ndezën dëshirën për të pirë. Mbase ishte mërzitja, depresioni, vetmia, mosmarrëveshjet, stresi apo rastet a vendet ku njerëzit pinë? Atëherë shmangi këto gjëra. Jezhi, të cilit iu deshën dy vjet që ta linte fare alkoolin thotë: «Mësova të kuptoj dhe të dalloj ndjenjat që mund të më shtynin te pija. Tani shmang çdo rrethanë nxitëse. Nuk shkoj në vende kur njerëzit pinë. Nuk ha asgjë që përmban alkool, madje nuk përdor as produkte kozmetike ose ilaçe me përmbajtje alkooli. Nuk shikoj as reklamat që janë për pijet alkoolike.» Shumë veta kanë kuptuar se lutja që i kanë bërë Perëndisë për të marrë ‘fuqi përtej asaj që është normale’, ka qenë thelbësore që të mposhtin dëshirën për të pirë.—2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:6, 7.
Çlirim!
Ndonëse mund të jetë një përpjekje e vazhdueshme, është e mundur të çlirohesh nga prangat e varësisë nga alkooli. Të gjithë individët që u përmendën në këtë artikull, ia kanë dalë mbanë. Ata janë më të shëndetshëm dhe po shohin dobi në jetën familjare e profesionale. Alani thotë: «Tani jam i lirë e nuk jam më rob i pijes.» Konstantini thotë: «Njoha Jehovain, dhe kjo e mbrojti familjen time. Tani kam një qëllim në jetë. Lumturia ime nuk varet nga alkooli.» Viktori thotë: «Ndihem njeri i lirë. Kam përsëri dinjitet.»
Një njeri mund të bëjë ndryshime nëse rrezikon të bëjë aksident nga abuzimi me alkoolin, nëse ka probleme për shkak të abuzimit me alkoolin ose nëse ka rënë në varësinë e alkoolit. Në qoftë se pija po të kërcënon shëndetin dhe lumturinë, mos ngurro të bësh ndryshimet e nevojshme. Është për të mirën tënde dhe të atyre që të duan.
[Shënimet]
^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 10 Ka qendra trajtimi, spitale dhe programe rimëkëmbjeje që mund të të ndihmojnë. Dëshmitarët e Jehovait nuk përkrahin ndonjë trajtim të veçantë. Duhet pasur kujdes për të mos u përfshirë në gjëra që bien ndesh me parimet e Shkrimeve. Megjithatë, në fund të fundit, çdokush do të vendosë vetë se për çfarë trajtimi ka nevojë.
[Figura në faqen 10]
Hapi i parë është të pranosh problemin
[Figura në faqen 11]
Shumë veta kanë nevojë për ndihmën e specialistit që ta lënë pijen
[Figura në faqen 12]
Lutja mund të të ndihmojë
[Figura në faqen 12]
Mund ta gjesh forcën për t’i thënë ‘jo’ alkoolit