Abuzimi me alkoolin—Katastrofë shoqërore
Abuzimi me alkoolin—Katastrofë shoqërore
PIRJA e pijeve alkoolike ka dy faqe: njërën të gëzueshme, kurse tjetrën të trishtueshme. Bibla thotë se kur njeriu pi me masë, zemra e tij gëzon. (Psalmi 104:15) Por, nga ana tjetër, Bibla paralajmëron se abuzimi me alkoolin të bën keq, madje mund të jetë vdekjeprurës, si kafshimi i gjarprit. (Proverbat 23:31, 32) Le ta shqyrtojmë pak më mirë se sa e lartë mund të jetë kostoja e abuzimit me alkoolin.
«Të shtunën, një shofer i dehur shtypi një grua 25 vjeçe dhe djalin e saj dy vjeç. . . . Gruaja, e cila ishte gjashtë muajshe shtatzënë, vdiq të dielën. I biri ka pësuar dëmtime në kokë dhe është në gjendje të rëndë»,—thoshte gazeta Le Monde. Mjerisht, lajme të tilla nuk janë aspak të rralla. Ndoshta njihni dikë që ka pësuar aksident për shkak të abuzimit me alkoolin. Çdo vit, mijëra veta vdesin ose dëmtohen në aksidentet rrugore që vijnë për faj të alkoolit.
Vdekjet
Në mbarë botën, kostoja e abuzimit me alkoolin, për sa i përket shëndetit dhe jetës njerëzore, është e pallogaritshme. Sipas një raporti të Ministrisë Franceze të Shëndetësisë, abuzimi me alkoolin, në Francë, renditet i treti ndër shkaktarët e vdekjeve, pas sëmundjeve koronare të zemrës dhe të kancerit, pasi vret drejtpërdrejt ose tërthorazi afro 50.000 veta çdo vit. Kjo shifër është «e barabartë me numrin e viktimave po të rrëzoheshin dy ose tre avionë të mëdhenj çdo javë».
Numri i të vdekurve nga alkooli është veçanërisht i madh te të rinjtë. Sipas një raporti të vitit 2001, botuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, alkooli është shkaku kryesor i vdekjeve te të rinjtë evropianë të moshave 15 deri në 29 vjeç. Parashikohet se në disa vende të Evropës Lindore, abuzimi me alkoolin, së shpejti do të vrasë 1 në 3 të rinj.
Dhuna dhe sulmet seksuale
Alkooli nxit dhunën. Alkooli e bën njeriun ta humbë vetëkontrollin dhe mund t’ia turbullojë gjykimin. Si rrjedhojë ai mund t’i keqinterpretojë veprimet e të tjerëve, e kështu ka të ngjarë të kundërpërgjigjet me dhunë.
Alkooli është një nxitës i fuqishëm për dhunën në familje dhe për sulmet seksuale. Një studim francez i bërë me të burgosurit, tregonte se alkooli kishte ndikuar në dy të tretat e përdhunimeve dhe të ngacmimeve seksuale. Siç raportonte revista Polityka, anketat tregojnë se në Poloni, 75 për qind e grave të alkoolistëve kanë vuajtur nga dhuna. Autorët e një studimi tregonin se «nga përdorimi i alkoolit, rreziku i vrasjeve në të gjitha grup-moshat pothuajse dyfishohej dhe [madje] shtohej rreziku i vrasjes së familjarëve që nuk e pinin alkoolin, por që jetonin me përdorues të alkoolit».—Shoqata e Mjekëve Amerikanë, Këshilli i Çështjeve Shkencore.
Çmimi që paguan shoqëria
Kur llogaritet kostoja e shpenzimeve shëndetësore, të dëmshpërblimeve që paguajnë kompanitë e sigurimit dhe kostoja e rënies së rendimentit në punë, që vijnë si pasojë e aksidenteve, sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme, sheh se haraçi që paguan shoqëria është tronditës. Thuhet se abuzimi me alkoolin i kushton të paktën një miliard dollarë në vit, katër milionë banorëve që përbëjnë popullsinë e Irlandës. Një burim i cituar në gazetën The Irish Times thoshte se kjo shumë është e barabartë me «paratë që do të duheshin po të ndërtohej çdo vit një spital, një stadium dhe t’i sigurohej një avion çdo ministri». Në vitin 1998, gazeta Mainichi Daily News thoshte se kostoja ekonomike e pirjes së tepërt në Japoni ishte «më shumë se 6 trilionë jen [780 milionë euro] në vit». Në një raport drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara, thuhej se «në Shtetet e Bashkuara, vetëm për vitin 1998, kostoja ekonomike e abuzimit me alkoolin ishte rreth 184,6 miliardë dollarë ose përafërsisht 638 dollarë për çdo burrë, grua dhe fëmijë». E ç’të themi për çmimin e tronditjes psikologjike të shkaktuar nga prishja e familjes ose nga vdekja e ndonjë familjari, për problemet me shkollën ose për karrierat e lëna përgjysmë?
Nuk është e vështirë të dallosh pasojat që vuan shoqëria për faj të abuzimit me alkoolin. A e vënë në rrezik shëndetin tënd ose të të tjerëve zakonet e tua të pirjes së alkoolit? Kjo pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues.