Abuzimi me alkoolin dhe shëndeti
Abuzimi me alkoolin dhe shëndeti
«Santé!» «Salute!» «Za vashe zdorojvje!» «Çuk suk kuo!» Qoftë në Francë, Itali, Rusi a Vietnam, kur miqtë pinë një gotë së bashku, dëgjohet i njëjti urim: «Shëndet!» Por, është e habitshme që në mbarë botën, alkooli po çon në varr miliona veta.
ABUZIMI me alkoolin është një problem kompleks që përfshin përdorimin e rrezikshëm, përdorimin e dëmshëm dhe varësinë. Përdorimi i rrezikshëm, siç përkufizohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, është «një zakon i përdorimit të alkoolit, që rrezikon të sjellë pasoja të dëmshme» fizike, mendore ose shoqërore. Ai nënkupton të pish përtej kufirit të këshilluar nga autoritetet e shëndetësisë ose të përcaktuar nga ligji. Përdorimi i dëmshëm,
i quajtur edhe abuzim me alkoolin, do të thotë se tashmë alkooli ka sjellë dëme fizike ose mendore, por ende nuk ka çuar në varësi. Varësia është përshkruar si «pafuqia për ta lënë pijen». Dikush që ka rënë në varësinë e alkoolit, e dëshiron me zjarr dhe vazhdon të pijë, pavarësisht nga problemet që i shkakton alkooli. Gjithashtu, nëse nuk pi, bëhet keq.S’ka rëndësi mosha, gjinia ose kombësia. Po pive aq sa të rrezikosh shëndetin, do të presësh edhe pasojat. Por çfarë dëmesh i shkakton alkooli trupit? Cilat janë rreziqet shëndetësore të abuzimit me alkoolin? Dhe në përgjithësi, kur mund të thuhet se sasia e alkoolit të konsumuar nuk të bën dëm?
I rrezikshëm për trurin
Etanoli, përbërësi kimik që gjendet në shumicën e pijeve alkoolike është një neurotoksinë, pra substancë që mund të dëmtojë ose të shkatërrojë sistemin nervor. Faktikisht, dikush që është i dehur po vuan nga një formë helmimi. Po të jetë në sasi të mëdha, etanoli shkakton gjendje kome dhe vdekje. Për shembull, në Japoni, ikinomi, një zakon i përhapur te studentët, i cili nënkupton të pish me fund disa gota radhazi, sjell çdo vit viktima. Trupi është në gjendje ta shndërrojë etanolin në substanca të padëmshme, por kjo nuk realizohet menjëherë. Nëse nuk kalon një kohë e mjaftueshme, aq sa trupi ta përballojë, etanoli grumbullohet në sistemin nervor dhe fillon ta pengojë dukshëm veprimtarinë e trurit. Në ç’mënyrë?
Të folurit, të parit, koordinimi i lëvizjeve, mendimet dhe sjellja, që të gjitha lidhen me një varg reaksionesh kimike jashtëzakonisht komplekse që ndodhin në neuronet e trurit ose në qelizat kryesore. Etanoli i ndryshon këto reaksione duke frenuar ose duke nxitur rolin e disa neurotransmetuesve, lëndë kimike që i kalojnë sinjalet nga neuroni në neuron. Si pasojë, procesi i dërgimit të informacionit në tru ndryshon, e kështu truri nuk funksionon siç duhet. Ja përse kur dikush
pi tepër, i shqipton gabim fjalët, sheh turbullt, është i ngathët në lëvizje dhe humbet vetëkontrollin—të gjitha këto shenja të intoksikimit.Kur një njeri e ka zakon të pijë, me kalimin e kohës, ndërtimi kimik i trurit ndryshon, për të neutralizuar veprimin helmues të etanolit dhe për të ruajtur funksionimin normal të nervave. Kjo çon në tolerancë, që do të thotë se tani e njëjta sasi alkooli nuk ndikon më aq shumë si më parë. Varësia krijohet kur truri është përshtatur kaq shumë me alkoolin, saqë nuk punon siç duhet pa të. Trupi e kërkon me etje alkoolin për të ruajtur ekuilibrin kimik. Kur këtij njeriu i mungon alkooli, ekuilibri kimik i trurit prishet plotësisht dhe shfaqen simptomat e lënies së alkoolit, si ankthi, dridhjet, madje edhe krizat.
Përveçse shkakton ndryshime në ndërtimin kimik të trurit, abuzimi me alkoolin mund të çojë në rrëgjimin dhe në shkatërrimin e qelizave, duke ndryshuar vetë strukturën e trurit. Ndonëse po të lihet alkooli, është e mundur njëfarë ripërtëritjeje, një pjesë e dëmit është e pariparueshme; gjithashtu dëmtohet kujtesa, si edhe preken funksione të tjera mendore. Dëmtimi i trurit nuk vjen vetëm nga pirja e alkoolit për një kohë të gjatë. Siç duket nga kërkimet, edhe periudha relativisht të shkurtra të abuzimit me alkoolin mund të jenë të dëmshme.
Sëmundja e mëlçisë dhe kanceri
Mëlçia luan një rol jetësor në metabolizmin e ushqimit, lufton infeksionet, rregullon qarkullimin e gjakut dhe e pastron trupin nga substancat helmuese, duke përfshirë edhe alkoolin. Abuzimi me alkoolin për një kohë të gjatë, e dëmton mëlçinë në tri faza. Gjatë fazës së parë, shpërbërja e etanolit ngadalëson tretjen e yndyrnave dhe bën që ato të grumbullohen në mëlçi. Kjo quhet steatozë hepatike ose mëlçi e dhjamosur. Me kalimin e kohës krijohet inflamacioni kronik i mëlçisë ose hepatiti. Ndërkohë që alkooli mund të shkaktojë drejtpërdrejt hepatitin, ai ul edhe rezistencën e trupit ndaj viruseve të hepatitit B dhe C. * Po të mos kurohet, inflamacioni bën që qelizat të çahen e të vdesin. Duke e rënduar këtë dëmtim, alkooli përshpejton procesin natyror të vdekjes së qelizave, e quajtur apoptozë.
Faza e fundit është cirroza. Rrethi vicioz i inflamacionit të vazhdueshëm dhe i shkatërrimit të qelizave shkakton dëme të pariparueshme. Me kalimin e kohës, mëlçia bëhet e fortë në vend që të jetë si sfungjer. Si përfundim, indi lidhor në zonat e dëmtuara nuk e lë gjakun të qarkullojë normalisht, dhe kjo çon në mosfunksionim të mëlçisë dhe në vdekje.
Alkooli jep edhe një efekt tjetër anësor disi të fshehtë te mëlçia—dobësohet roli mbrojtës i mëlçisë për të neutralizuar veprimin e lëndëve që shkaktojnë kancerin. Përveçse krijon terrenin për kancerin e mëlçisë, alkooli rrit ndjeshëm edhe rrezikun e kancerit të gojës, faringut, laringut dhe ezofagut. Për më tepër, alkooli bën që substancat kanceroze të duhanit, të depërtojnë më lehtë në membranat e mukozës së gojës dhe, kështu, rritet rreziku për përdoruesit e duhanit. Gratë që pijnë çdo ditë alkool, rrezikojnë më shumë të sëmuren nga kanceri i gjirit. Sipas një studimi, rreziku i kancerit të gjirit te gratë që pinin tri ose më shumë doza standarde në ditë, ishte 69 për qind më i madh sesa tek ato që nuk pinin.
Foshnja të helmuara
Një nga pasojat veçanërisht tragjike të abuzimit me alkoolin është ndikimi te foshnjat e palindura. «Për fetusin që po zhvillohet, alkooli është shumë më i dëmshëm se abuzimi me çdo drogë tjetër»,—thotë gazeta International Herald Tribune. Kur një grua shtatzënë pi, edhe fëmija që po zhvillohet, pi. Ndikimi helmues i alkoolit është shkatërrues sidomos në këtë fazë që fetusi po formohet. Alkooli i sjell dëme të pariparueshme sistemit të tij nervor qendror. Neuronet nuk formohen siç duhet. Qelizat shkatërrohen. Qelizat e tjera nuk zhvillohen në vendin e duhur.
Pasoja, që quhet sindromi fetal nga alkooli, është shkaku kryesor i prapambetjes mendore te të sapolindurit. Problemet që mund të kenë fëmijët që vuajnë nga ky sindrom, përfshijnë probleme mendore, probleme me të folurit, zhvillim të vonuar, probleme me sjelljen, rritje të ngadaltë, hiperaktivitet dhe çrregullime të të dëgjuarit e të shikimit. Shumë nga këto foshnja kanë lindur edhe me deformime në fytyrë.
Veç kësaj, fëmijët, nënat e të cilëve kanë pirë qoftë edhe me masë gjatë shtatzënisë, mund të vuajnë nga disa çrregullime, përfshirë edhe probleme me sjelljen dhe mangësi në aftësinë për të mësuar. «Nuk ka nevojë *
të jesh alkooliste për të dëmtuar foshnjën,—thotë profesoresha Ana Straisgut, anëtare e një grupi që merret me kërkime për sindromin fetal nga alkooli dhe drogat në Universitetin e Uashingtonit,—mjafton të jesh shtatzënë dhe të pish.» Raporti i Institutit Mjekësor Kombëtar Francez të Kërkimeve në Fushën e Shëndetit e të Mjekësisë Alkooli—Ndikimi i tij te shëndeti (frëngjisht) thotë: «Përthithja e alkoolit është shkatërrimtare gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë dhe asnjëherë nuk është përcaktuar ndonjë dozë minimale, nën të cilën nuk ka asnjë rrezik.» Pra, mbase rruga më e mençur për gratë që janë shtatzënë ose po planifikojnë të mbeten shtatzënë është të mos pinë fare alkool.Të pirët pa rrezik
Lista e rreziqeve shëndetësore të përmendura më sipër, nuk përfundon me kaq. Një artikull i vitit 2004 në revistën Nature theksonte se «edhe sasi të vogla alkooli shtojnë rrezikun për t’u dëmtuar dhe për të zhvilluar rreth 60 sëmundje». Duke mbajtur parasysh këtë, çfarë do të thotë të pish pa rrezikuar? Sot, miliona njerëz anembanë botës me raste pinë nga pak e pa rrezikuar. Çelësi për një shëndet të mirë është të pish me masë. Por, ç’do të thotë me masë? Shumë njerëz do të thoshin se po pinë me masë, mbase ngaqë mendojnë se për sa kohë që nuk dehen ose nuk janë në varësinë e alkoolit, nuk ka problem. Megjithatë, një në 4 veta në Evropë konsumon një sasi alkooli që quhet e rrezikshme.
Sipas burimeve të ndryshme, të pish me masë do të thotë të marrësh 20 gramë alkool të pastër në ditë ose ndryshe dy doza standarde për burrat, dhe 10 gramë ose një dozë për gratë. Autoritetet shëndetësore franceze dhe britanike këshillojnë «kufij të arsyeshëm», tri doza në ditë për burrat dhe dy për gratë. Veç kësaj, Instituti Kombëtar i Shteteve të Bashkuara për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin këshillon që «njerëzit nga 65 vjeç e lart, ta kufizojnë alkoolin në një dozë në ditë». * Megjithatë, çdonjëri nga ne reagon ndryshe ndaj alkoolit. Në disa raste edhe po të pimë brenda këtyre kufijve, mund të jetë tepër. Për shembull, Raporti i 10-të i posaçëm i Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Alkoolin dhe Shëndetin thotë se «sasitë që janë brenda normës mund t’u bëjnë dëm njerëzve që vuajnë nga çrregullimet e humorit ose nga ankthi». Duhen marrë parasysh edhe mosha, gjendja shëndetësore dhe sa i bëshëm është trupi.—Shih kutinë «Të pakësojmë rreziqet».
Ku mund të gjejnë ndihmë ata që abuzojnë me alkoolin? Artikulli vijues do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
[Shënimet]
^ par. 11 Sipas një studimi në Francë, rreziku për t’u bërë me cirrozë është dy herë më i madh te pacientët me hepatitin C që pijnë shumë, sesa te pacientët që pinë me masë. Këshillohet që individët e infektuar me hepatitin C, të pinë shumë pak ose të mos pinë fare.
^ par. 17 Gratë me fëmijë në gji duhet të kenë parasysh se, pasi pinë, alkooli grumbullohet te qumështi. Grumbullimi i alkoolit në qumështin e gjirit shpesh është më i madh sesa në gjak, pasi qumështi ka më shumë ujë se gjaku dhe e thith më shumë alkoolin.
^ par. 20 Meqë ajo që merret si «dozë standarde» ndryshon sipas vendit, para konsumimit duhet marrë parasysh se ç’sasi alkooli përmban «doza standarde» në vendin tuaj.
[Kutia dhe figurat në faqen 5]
A DUHET NJË GOTË KUR NISESH PËR RRUGË?
Kufizimet e vëna për të ngarë makinën nën ndikimin e alkoolit, kanë dalë pothuajse në të njëjtën kohë me makinat. Shteti i parë që vuri ligje të tilla, ishte Danimarka në vitin 1903.
Kur pi me stomakun bosh, brenda një gjysmë ore, alkooli arrin nivelin më të lartë në gjak. Ndryshe nga ajo që mendojnë shumë veta, të pish një kafe, të dalësh në ajër të freskët ose të bësh fizkulturë nuk të ndihmon që të të dalë pija. E vetmja gjë që pakëson ndikimin e alkoolit në trup, është koha. Gjithashtu, mos harroni se s’ka rëndësi nëse pini një dozë standarde me verë, birrë ose pije të tjera, sepse sasia e alkoolit mbetet e njëjtë. *
Edhe kur është në sasi të vogla, alkooli mund të dobësojë aftësinë për t’i dhënë makinës. Alkooli dobëson shikimin. Sinjalet e rrugës duken më të vogla. Dobësohet shikimi periferik, si edhe aftësia për të konceptuar largësinë dhe për t’u përqendruar tek objektet e largëta. Ngadalësohet përpunimi i informacionit në tru, reflekset dhe koordinimi i lëvizjeve.
Nëse ju ndodh një aksident pasi keni pirë, plagët ka mundësi të jenë më të rënda sesa po të ishit esëll. Për më tepër, mundësitë për të shpëtuar nëse do t’ju duhet të bëni ndonjë operacion urgjent, janë më të pakta për shkak të ndikimit të alkoolit në zemër dhe në qarkullimin e gjakut. «Prandaj, ndryshe nga mendimi që ekziston në përgjithësi, shumica e vdekjeve që lidhen me alkoolin, ndodhin te vetë shoferët që kanë pirë»,—thotë një artikull i Institutit Kombëtar Francez për Shëndetin dhe Studimet Mjekësore. Duke pasur parasysh këto rreziqe, raporti jep këshillat e mëposhtme:
▪ Mos pini para se t’i jepni makinës.
▪ Mos hipni në makinë nëse shoferi ka pirë.
▪ Mos lini që miqtë ose prindërit të ngasin makinën kur kanë pirë.
[Shënimi]
^ par. 29 Mesatarisht, trupi eliminon shtatë gramë alkool në orë. Doza standarde e alkoolit ndryshon nga vendi në vend. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një dozë standarde përmban 10 gramë alkool. Kjo është pak a shumë sa sasia e alkoolit që gjendet në 250 mililitra birrë, në 100 mililitra verë ose në 30 mililitra pije të forta alkoolike.
[Figurat]
Këto sasi pijesh alkoolike përmbajnë përafërsisht të njëjtën sasi alkooli
Një shishe birrë e zakonshme (330 ml që përmban 5% alkool)
Një teke me pije të forta alkoolike (uiski, xhin, vodka) (40 ml me 40 % alkool)
Një gotë verë (140 ml me 12% alkool)
Një gotë e vogël me liker (70 ml me 25% alkool)
[Kutia në faqen 6]
VARËSIA NGA ALKOOLI—A ËSHTË NË GJENE?
Në përpjekje për të gjetur një kurë për alkoolizmin, shkencëtarët janë munduar të kuptojnë rolin që luajnë gjenet në fillimin dhe në ecurinë e këtij problemi. Prej kohësh shkencëtarët kanë zbuluar disa gjene që me sa duket, ndikojnë në reagimin e trupit ndaj alkoolit. Megjithatë, faktorët gjenetikë nuk janë të vetmit faktorë që ndikojnë tek alkoolizmi. Edhe pse disa njerëz kanë njëfarë prirjeje gjenetike, varësia nuk është e pashmangshme. Luan rol edhe mjedisi. Ndër faktorët e mjedisit janë: mungesa e kujdesit dhe e edukimit të duhur nga ana e prindërve, abuzimi me alkoolin në familje ose nga bashkëmoshatarët, konfliktet, problemet emocionale, depresioni, agresiviteti, dëshira për të provuar emocione të forta, aftësia e trupit për ta mbajtur pijen ose varësia nga lëndë të tjera. Këta faktorë, si edhe të tjerë, mund të çojnë në varësi.
[Kutia dhe figura në faqen 6]
FRANCË:
Studimet tregojnë se numri i njerëzve që abuzojnë me alkoolin është rreth pesë milionë. E nga këta, dy a tre milionë janë në varësinë e alkoolit
NIGERI:
Sipas gazetës së Lagosit, Daily Champion, «më shumë se 15 milionë nigerianë janë alkoolistë», që do të thotë gati 12 për qind e popullsisë
PORTUGALI:
Ky shtet ka sasinë më të madhe të konsumimit të alkoolit shqeto për person. Gazeta e Lisbonës Público thotë se dhjetë për qind e popullsisë vuajnë nga «probleme serioze që lidhen me alkoolin»
SHTETET E BASHKUARA:
Sipas Raportit të 10-të të posaçëm të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Alkoolin dhe Shëndetin, «afro 14 milionë amerikanë—7,4 për qind e popullsisë—i përmbushin treguesit diagnostikues për abuzimin me alkoolin ose varësinë nga alkooli»
[Kutia në faqen 8]
TË PAKËSOJMË RREZIQET
Sugjerimet e mëposhtme se si të pakësojmë rrezikun u botuan nga Departamenti i Shëndetit Mendor dhe i Varësisë nga Substancat pranë Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Të pakësosh rreziqet nuk do të thotë të eliminosh rreziqet. Njerëzit reagojnë ndryshe ndaj alkoolit.
▪ Jo më shumë se dy doza standarde në ditë *
▪ Të paktën dy herë në javë, mos pini
Në rrethanat e mëposhtme edhe një ose dy doza mund të jenë të rrezikshme:
▪ Kur i jepni makinës ose kur punoni me makineri
▪ Një grua shtatzënë ose me fëmijë në gji
▪ Kur pini një kategori të caktuar ilaçesh
▪ Kur keni disa probleme shëndetësore specifike
▪ Nëse nuk e frenoni dot veten në të pirë
[Shënimi]
^ par. 58 Një dozë standarde është baraz me një sasi pijeje alkoolike që përmban 10 gramë alkool.
[Burimi]
Burimi: Ndërhyrje e shkurtër për të pirët e rrezikshëm dhe të dëmshëm (anglisht)
[Kutia dhe figura në faqen 9]
ALKOOLI—A BËN MIRË PËR ZEMRËN?
Shkencëtarët mendojnë se lëndët kimike që përmban vera e kuqe (polifenolet) pengojnë veprimin e një lënde që sjell ngushtimin e enëve të gjakut.
Për më tepër, në përgjithësi thuhet se alkooli shton sasinë e të ashtuquajturit kolesterol i mirë. Veç kësaj, pakëson lëndët që shkaktojnë mpiksjen e gjakut.
Duket se alkooli bën mirë nëse pihet nga pak gjatë javës dhe jo të pihet e gjithë sasia në një mbrëmje të vetme në ndonjë bar a restorant. Kur i kalon dy doza standarde në ditë, kjo mund të rritë tensionin, kurse pirja me tepri shton rrezikun e hemorragjisë cerebrale dhe mund të çojë në zmadhim zemre e në aritmi. Rreziqet që përmendëm dhe rreziqet e tjera që sjell pirja me tepri, tejkalojnë çdo ndikim të mirë që mund të ketë alkooli në sistemin kardiovaskular. Çdo gjë e tepërt, edhe sikur të jetë e mirë, në fund të fundit mbetet e tepërt.
[Diagrami dhe figura në faqen 7]
ÇFARË DËMTON ALKOOLI?
Trurin:
Shkatërrimi i qelizave, humbja e kujtesës, depresioni, sjellje agresive
Shikimin, të folurit, koordinimin e lëvizjeve
Kanceri i fytit, i gojës, i gjirit, i mëlçisë
Zemrën:
Dobësim i muskulit të zemrës, pushim zemre
Mëlçinë:
E dhjamosur, e zmadhuar, e dëmtuar (cirrozë)
Rreziqe të tjera:
Dobësim i sistemit imunitar, inflamacion i pankreasit, ulcera
Gratë shtatzëna:
Foshnja mund të lindë me deformime ose me zhvillim të vonuar
[Figura në faqen 8]
«Për fetusin që po zhvillohet, alkooli është shumë më i dëmshëm se abuzimi me çdo drogë tjetër»