Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Adoleshentët kanë nevojë të komunikojnë

Adoleshentët kanë nevojë të komunikojnë

Adoleshentët kanë nevojë të komunikojnë

ÇDO prind i dhembshur e di se fëmijët e vegjël rriten të shëndetshëm kur marrin përkujdesje të dashur dhe ata bëjnë çmos që prindërit t’i përqafojnë e t’i mbajnë në prehër. Drejtoresha e degës së mjekësisë që merret me adoleshentët në Spitalin e Fëmijëve dhe Qendrën Kërkimore në Oakland, Kaliforni, SHBA, dr. Barbara Stegërsi thotë se, kur fëmijët arrijnë moshën e adoleshencës, ka më tepër të ngjarë t’i largojnë prindërit dhe të mos kërkojnë më vëmendjen e tyre. Por, në të vërtetë kjo është periudha kur kanë më shumë nevojë për prindërit. Përse?

Kur fëmijët arrijnë në adoleshencë, fillojnë të kalojnë kohë pa mbikëqyrjen e prindërve dhe ky është një nga rreziqet më të mëdha me të cilat përballen adoleshentët, sipas Stegërsit. «Adoleshenca,​—thotë ajo në një raport të botuar në gazetën Toronto Star,​—është koha kur fëmijët mësojnë se cilët janë dhe si të përshtaten me botën që i rrethon. Kur kjo ndërthuret me prirjen e natyrshme për të rrezikuar dhe presionin e fortë të moshatarëve, rreziqet mund të jenë shumë të mëdha.» Adoleshenca përbëhet nga disa faza dhe nuk është çështje moshe. Siç thotë Stegërsi, «çështja ka të bëjë me mënyrën se si [adoleshentët] e përdorin informacionin që marrin dhe si eksperimentojnë». Gjatë fazës së hershme të adoleshencës, fëmijët mbyllen në vetvete dhe mendojnë vetëm për gjërat që i shqetësojnë, janë në merak për ndryshimet që ndodhin në trupin e tyre. Gjithashtu, është një fazë ku ata janë shumë impulsivë, pra i bëjnë gjërat pa menduar gjatë. Adoleshenca e mesme karakterizohet më tepër nga një fazë eksperimentimi (provon ide të reja për të parë çfarë rezultati sjellin) dhe adoleshenca e vonë nga mënyra e pavarur e të menduarit.

Po, vitet e adoleshencës mund të jenë shumë të bukura, por ama mund të jenë edhe çorientuese si për prindërit, ashtu edhe për adoleshentët. Stegërsi, që është marrë me adoleshentët për më se 20 vjet, thotë se shumica e tyre «kanë nevojë të komunikojnë me një të rritur që kujdeset për ta». Si arrihet kjo?

Mbani të hapura linjat e komunikimit. Prindër, sigurojini fëmijët se kujdeseni për ta dhe dëgjojini me vëmendje. Tregojuni se kujdeseni për ta duke u bërë pyetje që t’i ndihmoni të vënë në punë mendjen, të lidhin idetë dhe të dinë pasojat e çdo vendimi jo të mençur që marrin. Jini entuziastë kur u flitni për dobitë që vijnë kur merren vendime të drejta. Ndihmojini të kuptojnë se ç’lloj sjelljeje është e pranueshme.

Nëse prindërit ecin me idenë e zakonshme sot se fëmijët duhet të mësojnë t’i zgjidhin vetë problemet, atëherë po i lënë ata të pambrojtur përpara ndikimit të dëmshëm të njerëzve të paskrupull e pa parime. (Proverbat 13:20) Nga ana tjetër, prindërit që zbatojnë parimet e Biblës, do t’u japin mundësinë më të mirë fëmijëve që t’i përballojnë me sukses problemet e adoleshencës dhe të bëhen të rritur të përgjegjshëm. Prandaj, prindërit duhet të mësojnë ta ‘stërvitin djalin në udhën e drejtë’.​—Proverbat 22:6.

Libri Sekreti i lumturisë familjare *, përmban këshilla praktike për një komunikim sa më të mirë dhe për stërvitjen e fëmijëve adoleshentë. Gjithashtu, ofron këshilla praktike të bazuara në Shkrime, për çdo pjesëtar të familjes.

[Shënimi]

^ par. 7 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.