Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujdes nga «dragonjtë e bardhë»!

Kujdes nga «dragonjtë e bardhë»!

Kujdes nga «dragonjtë e bardhë»!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZVICËR

Ç’është një gjë që fluturon pa krahë, godet pa duar dhe sheh pa sy?​—Gjëegjëzë për «dragonjtë e bardhë» treguar që nga Mesjeta.

ORTEKËT, që me plot gojën mund të quhen dragonj të bardhë, mund të përpijnë një alpinist ose, madje, mund të varrosin një fshat të tërë, sa hap e mbyll sytë. Për këtë arsye njerëzit i quajnë ortekët mortja e bardhë. Si shkaktohet ky fenomen që të fut frikën? Nëse jetoni mes maleve të mbuluara me dëborë, tashmë e dini përgjigjen. Por, nëse jetoni në një vend tropikal ose në vende të ulëta, nuk keni pse shqetësoheni pasi ortekët s’jua kërcënojnë kurrë jetën,​—kjo për sa kohë që nuk bëni një udhëtim a rrezikoni të hyni në territorin e dragoit të bardhë.

«Dragonjtë» lindin në malet e larta ku bien reshje të shumta dëbore. Lindja e tyre merret vesh kur, papritur, një sasi e madhe bore, akulli, toke, shkëmbinjsh dhe materialesh të tjera si trungje pemësh, rrokullisen fluturimthi teposhtë shpatit të një mali ose një gremine. Shpesh shkatërrojnë çdo gjë që u del përpara. Dëmi nuk shkaktohet vetëm nga pesha dhe forca goditëse e ortekut, por edhe presioni i ajrit që i paraprin mund të sheshojë grumbuj të dendur me pemë e të dëmtojë objekte të tjera që has gjatë rrugës, si për shembull ura, rrugë ose shina hekurudhe.

Një fenomen natyror

Masa prej qindra tonësh e ortekut, që vjen me një fuqi të madhe goditëse, formohet kryesisht nga flokë të imët dëbore. Si ka mundësi që një gjë kaq e bukur, siç janë flokët e dëborës, të shndërrohet në një «vrasës» që vrumbullit? Përgjigjja gjendet në veçoritë e borës. Bora bie në forma të ndryshme: në formë kristalesh, topthash dhe kokrrizash. Flokët kristalorë janë gjithnjë në formë ylli me gjashtë cepa dhe shihen në një larmi të pafund modelesh. Secili prej tyre është një mrekulli më vete. Me të prekur tokën, këto kristale e ndryshojnë madhësinë. Ndryshimet në temperaturën e ajrit dhe presioni që krijohet nga grumbullimi i dëborës, bëjnë që kristalet të zvogëlohen teksa zënë vend në tokë. Brenda vetëm 24 orëve, 30 centimetra borë e porsarënë mund të ngjishet deri në 10 centimetra.

Qëndrueshmëria e dëborës që mbulon shtresën e malit, varet nga forma e flokëve të saj. Kristalet me gjashtë cepa lidhen me njëri-tjetrin, kurse topthat dhe kokrrizat rrëshqasin dhe formojnë shtresa të paqëndrueshme. Këto shtresa mund të rrëshqasin shumë kollaj mbi një shtresë më të fortë që gjendet nën to. Kështu pra, lloji i dëborës, sasia që ka rënë, pjerrësia e terrenit, ndryshimi i temperaturës dhe forca e erërave, të gjitha këto përcaktojnë nëse një ortek do të vihet në lëvizje ose jo. Një ortek mund të nisë rastësisht edhe nga pesha e një njeriu ose e një kafshe që kalon mbi një zonë të rrëpirët. Gjithsesi, ekzistojnë edhe lloje të tjerë ortekësh.

Ortekët e erës krijohen kur një përzierje dëbore e porsarënë që përbëhet nga flokë kristali dhe kokrriza​—lloji i dëborës si pluhur që pëlqehet nga skiatorët​—shpërndahet në ajër nga një shkulm i fortë ere. Duke qenë e lehtë, dëbora ngrihet në ajër dhe mund të bjerë poshtë në luginë me një shpejtësi mbi 300 kilometra në orë. Në këtë rast, presioni i ajrit që i paraprin masës së borës, rritet kaq shumë, saqë orteku mund të shkulë çatitë, madje edhe t’i rrënojë shtëpitë brenda disa sekondash.

Lloji më vdekjeprurës i ortekëve është ai që formohet nga grumbullimi i dëborës së vjetër që është ngjeshur me kalimin e kohës. Kur thyhet shtresa e sipërme e dëborës, copa të mëdha akulli mund të rrëshqasin poshtë shpatit të malit, me shpejtësi 50 dhe 80 kilometra në orë. Gjithashtu, depozita të tilla mund të mbeten të varura buzë ndonjë shkëmbi. Ky përbën rrezik për skiatorët, pasi vetëm pesha e njërit mjafton për ta thyer shtresën dhe për të shkaktuar një ortek që mund ta varrosë brenda disa sekondash.

Në pranverë shtohet rreziku i ortekëve. Qoftë shiu, qoftë dielli i ngrohtë e squll borën, dhe shpesh kjo gjë shkakton ortekë të cilët lëvizin më ngadalë, por që mund të zhvendosin dëborën e një shpati të tërë. Ndërsa masa e dëborës rrëshqet teposhtë, merr me vete dhé, gurë të mëdhenj dhe pemë, që formojnë pirgje me mbeturina atje ku mbaron orteku.

Një fenomen i ngjashëm me ortekët është akullnaja ose orteku akullnajor. Akullnajat janë shtresa gjigante akulli që formohen në zona tepër të ftohta, në lugthella ose në shpatet që s’i rreh kurrë dielli dhe ku bora nuk shkrin asnjëherë. Megjithatë, me kalimin e kohës bora ngrin dhe bëhet akull. Akullnajat lëvizin shumë ngadalë. Ngaqë lëvizja e tyre mund të parashikohet, rrallëherë shkaktojnë plagosje ose dëme të mëdha.

Ku bien ortekët?

Ortekët nuk formohen në çdo vend që bie dëborë. Që kjo të ndodhë, duhet të ketë male deri në njëfarë lartësie dhe klimë që të favorizojë borën dhe akullin. Statistikat tregojnë se përreth botës, bien gati një milion ortekë çdo vit. Disa zona të rrezikshme janë në Andet e Amerikës Jugore, Malet Shkëmbore të Amerikës Veriore, Himalajat në Azi dhe, pa dyshim, Alpet në Evropë, që shtrihen nga pjesa verilindore e Francës deri në Zvicër, Gjermani dhe Austri. Në pjesët e banuara të këtyre zonave, çdo vit humbasin mesatarisht 200 jetë njerëzish, si pasojë e ortekëve. Nga këta, 26 vdesin në malet e Zvicrës.

Në Andet e Perusë kanë rënë dy ortekë që kanë sjellë dëme të mëdha. Në vitin 1962, një copë akulli një kilometër e gjatë u shkëput nga maja e mprehtë 50 metra e malit Huaskaran, i lartë 6.768 metra. Copa e akullit katër milionë tonë, ishte katër herë sa një ndërtesë 102-katëshe në Nju-Jork, Empire State Building. Kjo masë bëri 18 kilometra për 15 minuta. Shtatë fshatra u groposën nën dëborë dhe 3.000-4.000 veta humbën jetën nën mbeturinat e saj, që ishin 13 metra të larta dhe mbuluan një zonë prej 2 kilometrash. Në vitin 1970, u përsërit e njëjta ngjarje. Por kësaj here një tërmet tronditi majën e akullt nga ana veriore. Vetë mali u shemb. Mijëra tonë borë, shkëmbinj dhe akull lëvizën me shpejtësi 300 kilometra në orë përmes një gryke të ngushtë, duke përpirë çka gjenin përpara, gurë dhe shtëpi. Sipas llogaritjeve, vdiqën 25.000 veta. Çfarë mund të bëhet për të mbrojtur banorët e zonave malore nga tragjedi të tilla?

A mund të parandalohen ortekët?

Disa ortekë po. Të tjerë jo. Ortekët që shkaktohen nga faktorët klimaterikë, nuk mund të parandalohen; janë po aq të zakonshëm sa edhe rrjedha e shiut nga çatia. Vijnë thjesht si pasojë e ciklit të stinëve. Megjithatë, autoritetet qeveritare kanë mësuar nga përvoja se është më mirë të ndalojnë ndërtimin e shtëpive në këto zona ku bien ortekë dhe të mbrojnë arteriet e trafikut duke ndërtuar tunele ose galeri. Nga ana tjetër, mund të parandalohen ortekët që formohen nga njerëzit e pakujdesshëm, si skiatorët moskokëçarës të cilët shpërfillin paralajmërimet dhe kufizimet e vendosura.

Në Zvicër, përvojat e kaluara bënë që qeveria të merrte masa paraprake. Në vitin 1931 u ngrit një komision studimor zviceran, dhe në 1936-n, një skuadër me kërkues të guximshëm nisën studime shkencore në lartësinë 2.690 metra në zonën e Visflyjokit, mbi qytetin e Davos. Më vonë, në vitin 1942, u themelua Instituti Federal Zviceran për Kërkimet mbi Borën dhe Ortekët. Në male u vendosën observatorë të ndryshëm modernë. Këto institucione parashikonin motin dhe rregullisht paralajmëronin kur kishte rreziqe për ortekë në shpatet e zbuluara.

Gjithsesi, ndryshimet e motit nuk mund të parashikohen gjithmonë dhe rreziqet nuk mund të eliminohen plotësisht. Prandaj, kushdo që banon në një zonë të rrezikshme, shkon me pushime ose në fundjavë në dimër në mal, duhet të jetë i kujdesshëm që të mos shkaktojë ortekë. Në Francë u bënë disa teste që treguan se as valët e tingujve të aeroplanit as zërat e njerëzve nuk provokojnë ortekë, siç besohej më parë.

Masa zyrtare për mbrojtje

Sapo filluan të banonin në zonat malore, njerëzit e kuptuan rrezikun e ortekëve. Që të mos u varroste shtëpitë bora, mbollën pyje si pritë rrëzë shpateve sipër vendbanimeve të tyre. Ajo mbrojtje ishte efikase në shumë raste, dhe, prandaj, akoma sot pyje të tilla janë nën mbrojtjen e autoriteteve vendëse. Ato janë mbrojtja më e mirë natyrore kundër ortekëve. Por, përvoja ka treguar se pylli duhet të jetë i dendur, të ketë qindra pemë për çdo hektar tokë, si edhe pemë të reja dhe të vjetra të llojeve të ndryshme.

Kohët e fundit, inxhinierët kanë ngritur barriera metalike me themel betoni. Këto vendosen në zonat ku bora dhe akulli shemben dhe formojnë ortekë, më lart se gardhi i parë i pemëve. Mund të jenë të larta deri 4 metra, por do të vinte shumë shtrenjtë nëse do të ndërtoheshin barriera të tilla në çdo shpat mali. Për të mbrojtur ndërtesat që të mos fshihen tutje, në fund të shpateve formohen pirgje gjigante me shkëmbinj dhe mbeturina të tjera për të zvogëluar intensitetin e ortekut. Këto pirgje mund t’i devijojnë ortekët dhe t’i pengojnë të vërshojë mbi fshatrat dhe shtëpitë në lugina. Lloje të tjera pritash janë mure dhéu në formë V-je, 2 metra të trashë dhe 5 metra të lartë. Kulmi i V-së është sipër, që ta ndajë një ortek më dysh dhe ta detyrojë borën të drejtohet o në njërin, o në tjetrin krah. Krahët e V-së janë 90 ose 120 metra të gjatë dhe mund të mbrojnë tërë qytetin. Megjithatë, kur rrezikohen rrugët ose linjat hekurudhore kryesore në lugina, mbrojtja më e mirë​—e që kushton më pak​—janë tunelet ose galeritë prej druri, çeliku dhe betoni.

Një tjetër mënyrë për të parandaluar ortekët është të shembin masat e ngjeshura të borës. Për shembull, ushtria kanadeze patrullon çdo dimër nëpër qytete dhe vendos eksploziv në dëborë. Kështu, ata ruajnë autostradën kryesore që përshkon tejpërtej Kanadanë, duke e shembur borën përpara se ajo të formojë ortekë dhe të bllokojë rrugën. Deri diku, kjo metodë përdoret edhe në Zvicër. Në përpjekje për të parandaluar ortekët vendosin eksploziv mbi shpatet e paqëndrueshme ose e hedhin nga helikopterët, për të shkëputur masa të mëdha bore.

Si të shpëtoni nga një ortek?

Skiatorët dhe alpinistët duhet të presin derisa shpatet e maleve të kontrollohen për të parë nëse janë të sigurta. Kurrë mos shpërfill paralajmërimet e vëna! Mbaj mend se edhe skiatori profesionist më me përvojë mund të groposet në borë. Nëse papritur ndesheni me një ortek, mos lër të zërë paniku. Specialistët këshillojnë të lëvizni sikur të ishit duke notuar në det. Kjo do t’ju ndihmojë të rrini sa më në sipërfaqe. Ose shtyni njërin krah sa më lart që të jetë e mundur mbi kokë. Kështu, skuadrat e shpëtimit mund të kuptojnë se ku ndodheni. Mbuloni gojën dhe hundën me dorën tjetër. Statistikat tregojnë se vetëm gjysma e atyre që zihen në kurth për më tepër se 30 minuta, ia dalin të mbijetojnë. Sot, disa skiatorë mbajnë me vete sinjalizues, si për shembull një tip transmetuesi me bateri. Meqë mortja e bardhë është gjithnjë e pranishme në lartësitë e mëdha, janë të nevojshme përpjekje të menjëhershme për të shpëtuar viktimat e ortekëve.

Për shekuj me radhë, qentë e famshëm San Bernard, rriteshin nga murgjit augustë në Alpet zvicerane. Qentë kishin fuqi dhe rezistencë për të çarë përmes dëborës së trashë dhe u bënin ballë erërave të acarta dhe motit të ftohtë. Kishin një ndjesi të shkëlqyer orientimi dhe ishin të ndjeshëm ndaj zhurmave dhe lëvizjeve që njerëzit nuk i kapin dot. Sot, shumica e qenve të skuadrave të shpëtimit janë pastorë gjermanë, por disa raca të tjera po stërviten për këtë detyrë. Përveç kësaj, për të shpëtuar jetë, janë të efektshme edhe mjetet elektronike dhe gërmimet e kujdesshme nga punëtorët e shpëtimit. Megjithatë, këto metoda nuk ia kalojnë qenve të stërvitur.

Pra, siç pamë, ‘ajo që fluturon pa krahë, godet pa duar dhe sheh pa sy’, është një fenomen që tregon forcat e mëdha të cilat veprojnë në natyrë. Duhet të na dridhen leqet e këmbëve para dragonjve të bardhë!

[Diçitura në faqen 19]

Nëse papritur ndesheni me një ortek, lëvizni sikur të ishit duke notuar në det

[Figura në faqen 18]

Shpesh, qentë San Bernard janë përdorur në aksionet e shpëtimit

[Burimi i figurës në faqen 17]

AP Photo/Matt Hage