Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Bukuria Jam 11 vjeçe. Më pëlqeu shumë seria «Cila bukuri ka më shumë vlerë?» (22 dhjetor 2004) Disa herë merakosem tepër për pamjen time. Ky artikull më ndihmoi të kuptoj se të tjerët i kushtojnë vëmendje njeriut tonë të brendshëm.
A. L., Shtetet e Bashkuara
Nuk më pëlqen shumë vetja. Por shpresoj që bukuria ime e brendshme të jetë e pranueshme për Jehovain, e ai të kënaqet me mua dhe me mënyrën time të jetesës. Këta lloj artikujsh përveçse janë mjaft interesantë, të japin edhe shumë zemër.
M. G., Gjermani
Të rinjtë pyesin Faleminderit që botuat artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Po sikur ai të thotë: ‘Jo.’» (22 dhjetor 2004) Njësoj si ato që ishin cituar në artikull, edhe mua më pëlqente një vëlla i krishterë, por kjo ndjenjë nuk ishte reciproke. Ndihesha e shkatërruar emocionalisht. Falë këtij artikulli, tani po i lutem Jehovait në mënyrë specifike të më ndihmojë të jem e përqendruar në gjërat frymore. Dua ta kaloj tronditjen që pësova nga kjo dashuri e njëanshme.
I. J., Japoni
S’mund ta shpreh dot me fjalë si u ndjeva pasi lexova këtë artikull. Erdhi tamam në kohë, dhe përshkruante saktësisht ndjenjat e mia. S’ishte e lehtë ta pranoja refuzimin, por artikulli më ndihmoi që t’i vija kapak çështjes.
M. P., Itali
Ndonëse disa pika mund të jenë të vështira për t’u zbatuar, mendoj se ky artikull më ndihmoi ta rimerrja veten më në fund. Shpresoj të ndihmojë edhe shumë të tjerë të zbulojnë vlerën e tyre në sytë e Jehovait dhe të fillojnë ta gëzojnë jetën përsëri.
Xh. I., Shtetet e Bashkuara
Falë këtij artikulli nuk lashë të më mbytnin ndjenjat e zhgënjimit. Pavarësisht se refuzimi s’më shqitet nga mendja, artikulli ma lehtësoi dhembjen. Sa të ngushëllon fakti që Jehovai kujdeset për secilin nga ne!
M. L., Shtetet e Bashkuara
Po atë ditë që mora revistën Zgjohuni! mora edhe një letër, në të cilën një djalë i krishterë me butësi, por troç, më refuzonte. Për ditë të tëra nuk arrija dot të flija dhe as të futja gjë në gojë. Por ky artikull më ndihmoi të kem një pikëpamje realiste dhe të mos humbas respektin për veten.
M. I., Japoni
Pasi kisha kohë që e torturoja veten për shkak të ndjenjave romantike që nuk ishin të njëjta nga të dyja palët, kuptova se gjëja më e mirë që mund të bëja, ishte të pranoja realitetin. Tani e shoh se nuk jam e vetmja që kam vuajtur nga një: ‘Jo.’ Shumë faleminderit!
L. A. K., Brazil
U zhgënjeva dhe u lëndova shumë kur djali që pëlqeja më tha: ‘Jo.’ Nuk i mbajta dot lotët kur lexova atë artikull, sepse me anë të tij Jehovai po më ndihmonte. Tani e di se ai donte të më kursente nga gjithë kjo dhembje. E dua Jehovain akoma edhe më tepër.
D. O., Australi
Tek artikulli «Të rinjtë pyesin . . . », ishte një pikë që thoshte se Jehovai vendosi te njerëzit dëshirën për të dashur dhe ai e di si mund ta kontrollojmë atë lloj dashurie. Kjo ishte diçka e re për mua dhe më ngushëlloi. Dua të jem, siç thoshte seria e revistës, e bukur në sytë e Jehovait—e bukur përbrenda.
H. U., Japoni